“Lukovići në Prizren - plasni dushmanë!”: në kujtim të gazetarit antinacionalist Petar Lukoviq, i cili vdiq sot në moshën 74-vjeçare.
Mediat e rajonit bëjnë me dije se në Beograd ka vdekur të hënën, në moshën 74-vjeçare, Petar Lukoviq. Ai humbi betejën e tij ndaj një sëmundjeje të rëndë. Një pjesë e madhe e jetës së Petar Lukoviqit ishte betejë - kundër nacionalizmit, kundër primivizmit, kundër urrejtjes, kundër terrorit, kundër shovinizmit. Në shënjestër të shkrimeve të tij të ashpra ishin kryesisht nacionalistët serbë. Ashpërsinë e përziente me humor, me ironi, nganjëherë edhe me cinizëm, me sakrazëm, gjithsesi, shpesh edhe me fjalë të rënda, por të drejta. Kjo kishte një çmim. Rreth 60 herë u përballë me idiotë në gjykata serbe.
Në vitin 2014 vizitoi Dokufestin në Prizren dhe shkrimit të tij ia vuri këtë titull: Lukoviqi në Prizren - plasni dushmanë! (Lukoviq u Prizreni - crknite, dušmani!). Shkrimin e fillonte kështu: “Kur të premten në mbrëmje ekipi i vogël, i përbërë prej dy vetash i e-novine braktisi vatrën prizrenase me autobusin e firmës ‘Beli’ dhe u nisë për në hapsanë në Serbi, gjëja e parë që dëshirova ishte që të prishej autobusi, t’i ndaleshin rrotat, të bëhej copë e grimë në pjesë të bardha në mënyrë që të rrinim edhe një ditë në Prizren”. Pasi polemizon me një serb të Fushë-Kosovës i cili e akuzon për vizitën në Prizren, Lukoviq në tekstin e tij fut edhe një shpjegim për gjizën, e cila i pëlqen në Prizren, krahas qofteve e shumë specialiteteve të tjera si dhe birrës “Peja”. Pero, siç e quante veten dhe e thërrisnin të gjithë, ua shpjegon serbëve gjizën e Prizrenit në gjuhën shqipe: “Është një nënprodukt i qumështit. Lloj bulmeti në trajtën e dromcave të buta e pak të ujshme, që përgatitet nga qumështi, kosi, dhalli ose hirra, duke i mpiksur e kulluar pasi zihen”.

Petar Lukoviq u lind në Kralevë më 1951. Pasi mbaroi studimet në Fakultetin e Makinerisë në Beograd karrierën e nisi jo në uzina, por në revistën “Duga” si kritik i muzikës. Ishte aq kreativ, saqë shpejt tekstet e tij u botuan gjithandej në Jugosllavi: në Vjesnik, Polet, Mladost, Oslobođenje. Me shpërbërjen e Jugosllavisë iu përkushtua gazetarisë politike. Mes viteve 1991-1996 shkroi për revistën e pavarur “Vreme” të Beogradit, mandej për të përditshmen “Naša Borba”, për të përjavshmen satirike “Feral Tribune” në Split, për “Mladina” të Lubjanës. Për disa vite drejtoi portalin e-novine, një medium liberal, antinacionalist në Serbi. Ky projekt “vetëvrasës” (sipas Petar Lukoviqit) dështoi, për fa të keq. Fundi i jetës e gjeti në pozitën e kryeredaktorit të portalit XXZ Magazin.
Program i tij jetësor ishte përbuzja e nacionalizmit serb dhe angazhimi për bashkëjetesë, tolerancë dhe dënim të kriminelëve të luftës. Në vitin 2010 u shpall “Qytetar Nderi” i Sarajevës. Republika e Kosovës, të cilën Petar Lukoviq e mbrojti nga Beogradi e nga Prizreni, ndoshta duhet të mendojë si të ruhet kujtimi për këtë gazetar. Nëse ka kush të mendojë në institucionet e Kosovës…
Edhe në çastet më të vështira, Petar Lukoviq ruante humorin e tij të papërsëritshëm. Në një nga tekstet e tij shkruan: “Kur më thanë për herë të parë se dyshojnë që kam kancer në mushkëri, nuk më shkoi mendja menjëherë te fajtori i obligueshëm kujdestar - cigaret, me të cilat jam shoqëruar me dekada, i bindur në slloganin e reklamës se me cigare ‘kurrë s’je vetëm’”.
Në një shkrim tjetër e përshkruante jetën e tij mes terapive kundër kancerit: “Lukoviq, be cool; shko më 9 janar në kimioterapinë tënde, varja Shumskës (kështu e quante me përbuzje e shpoti republikën serbe të Bosnjës), fuck Shën Stefanin, mos harro t’i hash biskotat ‘Spiced Biscuits’, vendosi dëgjueset dhe dëgjoje Radio Pinguinin nga Amsterdami, nëse ke fat do ta emitojnë LCD Soundsystem dhe këngën ‘New Body’ në të cilën vargu: ‘Yeah, I need a new body, I need a new body / I need a bit of shape and a tone’ më bind se ka jetë pa Dodikun (politikan nacionalist i serbëve të Bosnjës)”.
Rrugëtim të lehtë, Petar Lukoviq!