Filmi “Rrugës” i Samir Karahodës çon sërish Kosovën në Francë, aty ku rikthehet pas premierës botërore në Festivalin e Filmit në Cannes, ku e përsëriti historinë si konkurrent për “Palmën e Artë”, që pasoi suksesin historik me “Pa vend” më 2021. Tash konkurron në “Festival du court métrage de Clermont-Ferrand”, që radhitet fill pas Cannes. Është zgjedhur në mesin e hiç më pak se 8 mijë e 500 konkurrentëve nga të katër anët e botës. “Vetëm pjesëmarrja në këtë festival është arritje jo vetëm për mua, por edhe për ekipin e për vendin tonë, pasi festivali i Clermont-Ferrand konsiderohet më i rëndësishmi festival për film të shkurtër në botë”, ka thënë Karahoda për KOHËN
“Rrugës” po e vazhdon rrugëtimin. Filmi i metrazhit të shkurtër i Samir Karahodës, pas Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Cannes dhe atij të Filmit në Toronto, kësaj here zbarkon në ngjarjen që i dedikohet enkas filmit të shkurtër.
Në prestigjiozin “Festival du court métrage de Clermont-Ferrand” është zgjedhur midis 8 mijë e 500 filmash konkurrentë dhe synon trofe në konkurrencën ndërkombëtare të festivalit.
Filmi “Rrugës” që në start të rrugëtimit e nisi fuqishëm – me premierë botërore në atë që shquhet si festivali i festivaleve. Hiç më pak se në Festivalin e Filmit në Cannes. Tash rikthehet në kinematë franceze me ngjarjen madhore që sivjet sjell 64 filma gjithsej në garën ndërkombëtare.
Kualifikimi në një ngjarje si kjo – e cila prej 31 janarit deri më 8 shkurt shënon edicionin e 47-të – është punë e madhe.
“Vetëm pjesëmarrja në këtë festival është arritje jo vetëm për mua, por edhe për ekipin e për vendin tonë pasi festivali i Clermont-Ferrand konsiderohet më i rëndësishmi festival për film të shkurtër në botë. Sivjet kanë aplikuar rreth 8 mijë e 500 filma dhe prej tyre jemi zgjedhur edhe ne që garojmë në Konkurrencën Ndërkombëtare të Filmit të Shkurtër”, ka thënë regjisori Samir Karahoda, në një bisedë telefonike, të enjten, për KOHËN. E:h
Festivali i filmit të metrazhit të shkurtër, që mbahet në Clermont-Ferrand në Francë, është një nga festivalet më të mëdha ndërkombëtare në botë dhe i dyti në Francë pas Festivalit të Cannes sa i përket audiencës.
Në festivalin me nam, ku sallat e festivalit janë përplot publik për të ndjekur filma nga e gjithë bota, për Karahodën është mundësi ideale për t’u shfaqur rrëfimi i filmit para këtij publiku. Ka bërë të ditur se “Rrugës” do të shfaqet tetë herë në kuadër të festivalit dhe do të ketë dy bashkëbisedime me publikun e pranishëm.
“Pos kësaj ‘Clermont-Ferrand’ konsiderohet edhe festivali me më së shumti shikues në Francë, pas festivalit të Cannes, pra i ka diku 250 mijë shikues për një javë dhe filmi ynë do të shfaqet tetë herë para publikut të Francës. Do të kemi mundësi të diskutojmë e debatojmë drejtpërdrejt me audiencën atje. Mendoj se është mundësi e mirë pasi është një numër i madh i përfaqësuesve të filmit që marrin pjesë atje. Gjithashtu është mundësi e mirë të krijojmë kontakte të reja, gjithashtu për të përfaqësuar kinematografinë tonë”, ka thënë ai.
Ka thënë se edhe vetë përzgjedhja në një ngjarje të tillë është sukses.
“Konkurrenca është aq e madhe që është e vështirë të dihet, gjithçka është e mirëseardhur. Vetë përzgjedhja dhe pranimi ynë aty është sukses”, ka thënë Karahoda, filmografia e të cilit e ka prekur kaherë skenën ndërkombëtare.
Vetë festivali ku “Rrugës” garon është shembull dhe Samir Karahoda nuk është i panjohur për të. Atje ka qenë edhe me dy filmat paraprakë: “Në mes” më 2020 dhe “Pa vend” në vitin 2022.
“Rrugës” ka për temë një ngjarje reale. Rrugës një baba me të birin prekin temën e migrimit. Ky i fundit duket i pikëlluar që trajnerit të tij i është dashur të ikte nga Kosova. Ai pret me padurim të marrë një dhuratë, por në doganë ndeshet me një pagesë të majme. Babait me pikëllim i duhet t’i thotë se dhurata nuk kishte arritur ende. Luajnë i biri i regjisorit, Miron Karahoda, dhe Ylber Mehmeti.
“Ka qenë kënaqësi ta shijojmë këtë ndjenjë familjarisht, sikur edhe të bëjmë një film bashkë me të birin, por më e rëndësishme është që ne e kemi një vepër që e kemi bërë bashkë dhe që do të mbetet përjetë”, është shprehur Karahoda.
Kur në gushtin e sivjetmë qe dhënë premierë kombëtare në edicionin e 23-të të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” në Prizren, që edhe e kishte mbyllur ngjarjen, Karahoda pati rrëfyer se krejt historia në film është përkthyer në gjuhë filmi. Se është ngjarje e vërtetë. I kishte ndodhur njëjtë kur kishte fituar një çmim ndërkombëtar dhe në Kosovë i kishte arritur nëpërmjet postës.
Samir Karahoda ka treguar se në festival do të qëndrojë për disa ditë, porse nuk do të jetë prezent në ceremoninë e ndarjes së çmimeve.
Nëse “Rrugës” triumfon, bëhet real përjetimi në film. Ripërsëritet ai me trofeun me të cilin Karahoda që vlerësuar në “Sundancein” amerikan para dy vjetësh për filmin “Pa vend”. Kishte marrë çmimin e jurisë në kategorinë e filmave të shkurtër.
Sivjet në garën ndërkombëtare të “Festival du court métrage de Clermont-Ferrand” janë gjithsej 64 filma, 52 në atë kombëtare, 27 në atë që quhet “Lab Competition” e gjashtë në “XR Competition”. Festivali angazhohet për të ofruar një gamë të gjerë veprash filmike me filma të zhanrit fiksion, fantashkencë, horror, dokumentarë e të tjerë.
Kinematografia e Kosovës me filmat e Karahodës e jo vetëm njihet në “Festival du Court Métrage de Clermont-Ferrand”. Dy vjet më parë, në edicionin e 45-të, filmi 20-minutësh “Prishtinë 2002”, nën regji të Trëndelinë Halilit, qe dhënë premierë aty.
Filmi debutues i Hekuran Isufit, “I kemi varros baballarët”, vitin e kaluar kishte marrë çmimin e “Société des Auteurs et Compositeurs Dramatiques (SACD)” për filmin e parë artistik.
Më parë kishte prezantuar edhe filma kosovarë si dokumentari “Pa Kosovën” i Dea Gjinovcit, një rrëfim për babanë e saj që ishte detyruar të largohej nga Kosova për më shumë se 30 vjet, pas pjesëmarrjes në demonstratat studentore.
Ndër vite gati të gjitha produksionet më të njohura filmike kanë qenë në programe të ndryshme, përderisa në vitin 2000 qe shpalosur programi nga regjisorë francezë për përjetimet e tyre gjatë luftës së fundit në Kosovë
“Un maire au Kosovo” e Chris Marker ishte intervista me Bajram Rexhepin, që ndiqte pozitën e tij si kryetar i Komunës së Mitrovicës. “Trip to Kosovo” e Saurabh Kolekar kishte paraqitur një baba që vuante nga dështimi i veshkave dhe që kishte vendosur të blinte një veshkë nga tregu i zi. Ndërsa “KosovoLove” kishte qenë reflektim mbi territoret gjeografike, politike e romantike, ku një burrë dhe një grua kishin evokuar goditjet e luftës nëpërmjet dashurisë.
Wilfrid Massamba kishte projektuar në ekranet e festivalit zhanrin e muzikës rap si mënyrë efektive për të ndërgjegjësuar të rinj në rolin e ndërtimit të së ardhmes së tyre dhe të Kosovës nëpërmjet “Feelings from Kosovo”.