Ashtu si tre vjet më parë, “Palma e Artë” është më afër se kurrë për shtetin e vogël e të ri. Dhe atë nga i njëjti regjisor tok me ekipin – Samir Karahoda. Festivali i festivaleve nis sonte, tapeti i kuq është shtruar, yjet kanë zbritur, filma regjisorësh me nam presin ndezjen e projektorëve dhe ekraneve të madha e aty është edhe “Rrugës” nga Kosova. “Prezenca jonë si një vend i vogël për të dytën herë nuk do më tepër koment”, ka thënë Karahoda të hënën për KOHËN. “Do të bëjmë një përfaqësim të dinjitetshëm dhe do të shohim verdiktin e jurisë”, ka thënë bashkëproducenti Eroll Bilibani. Edhe sivjet, Qendra Kinematografike e Kosovës hap shtandin në tregun e filmit që njihet si “Marché du Film” dhe ka edhe më shumë arsye që ta bëjë këtë
Festivali i Cannes, sot (e martë) ndez projektorët që nëpërmjet filmave të shpalosë rrëfime nga gjithandej globit, në edicionin e 77-të. Botës këtë vit i janë shtuar telashet. Midis të tjerash, do të shfaqen edhe filma të regjisorëve që janë në burg, të dënuar prej regjimeve që e ngufatin lirinë e fjalës e krijimtarisë.
Në maratonën filmike që përfundon më 25 maj, bota e filmit në atë që njihet si festivali i festivaleve do të ketë mundësinë që të shohë edhe rrëfimin e Kosovës “Rrugës”. Nën regji të Samir Karahodës, filmi i shkurtër do ta ketë premierën në ditën e 24-t të këtij muaji në tetarin “Debussy”.
Auditoriumi emblematik i Pallatit të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Cannes me kapacitet prej 1068 karrigesh është ndalesa e parë e filmit të Kosovës. Dhe, s’ka stacion më prestigjioz në festivalet e filmit në botë. “Rrugës” është në garë për “Palmën e Artë” në kategorinë e filmave të shkurtër. Për filmin me skenar të Samir Karahodës dhe të birit, Miron Karahoda, pritjet janë të mëdha. Për nivele të tilla të festivaleve, pjesëmarrja dhe të qenët pjesë e konkurrencës zyrtare, është trofe më vete.
Në “trailerin” e filmit të publikuar këto ditë, merret vesh se babai dhe i biri kanë një bisedë lufte. Është rrëfim nga një vend që luftën e ka të freskët, çerekshekulli më parë është përballur me të. Biseda midis dyshes nxjerr në pah shpresën e humbur dhe frikën për një tjetër luftë. I ati ngushëllon të birin se luftë zor të këtë shkaku i migrimit nga të dyja anët që potencialisht mund të luftojnë. Ballkani është rezervuar historik i zhvillimeve, të papriturave, e deri diku edhe i përplasjes midis lindjes e perëndimit. Samir Karahoda është mjeshtër i kapjes së “fijeve” që kur nxirren pak në sipërfaqe trajtojnë problemet shoqërore. Kësaj radhe prapë ka goditur në pikën e duhur.
Një ditë para se të nisë ngjarja botërore ai i ka thënë KOHË-s se pritshmëritë veçse janë tejkaluar. “Prezenca jonë si një vend i vogël për të dytën herë nuk do më tepër koment”, ka thënë ai.
Me “Pa vend” ai bëri histori, duke qenë i pari produksion vendor që garoi për “Palmën e Artë”, në Festivalin e Filmit në Cannes, në korrikun e vitit 2021, ku u dha premierë botërore. U bë filmi i parë nga Kosova që Festivali i Filmit të Cannes e kandidoi për Çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit. Qe filmi i parë i Kosovës i nominuar për filmin më të mirë evropian. Ishte në garë edhe për çmimet e Akademisë Amerikane. S’u ndal as më 2022, kur në “Sundance Film Festival” mori çmimin e jurisë në kategorinë e filmave të shkurtër. Dikur pjesëmarrja në Cannes dukej e largët, dëshirë e secilit filmbërës nga Kosova – ani pse kaherë kishte aktorë nga këto anë që luanin në filma konkurrentë si Bekim Fehmiu, e më pas Alban Ukaj disa herë e Arta Dobroshi – por tash, si tre vjet më parë “Palma e Artë” është më afër se kurrë për shtetin e vogël e të ri. Dhe atë, nga i njëjti regjisor tok me ekipin.
“Nuk e di se sa është e saktë, por kam dëgjuar që më tepër se 20 vjet nuk ka ndodhur që në konkurrencën zyrtare të filmit të shkurtër të jetë i njëjti autor dy herë. Kjo më bën edhe më të lumtur në emër të ekipit, të vendit tonë dhe mua personalisht që si ekip i filmit kemi arritur diçka të tillë. Nuk dua të pres diçka më shumë, pasi që e gjithë kjo veçse është shumë për mua”, ka thënë ai. Sipas Karahodës, ka shumë punë për të bërë, prandaj mendon që vepra të tjera dhe suksese të tjera e presin ekipin në të ardhmen.
“Normalisht që ndikimi i pjesëmarrjes sonë do të shihet edhe në vitet në vijim pasi që interesimi për kinematografinë tonë në botë do të rritet edhe më shumë”, ka thënë ai.
Sa i përket filmit, më herët kishte treguar se ngjarja bazohet në një ditë të zakonshme kur me djalin e tij ishin në rrugë për në Aeroportin e Prishtinës, për të marrë një dhuratë nga kumbari i të birit.
“Gjatë këtij udhëtimi 15-20-minutash e kuptojmë se çka po ndodh në Kosovë, sfidat e shoqërisë sonë. Njëra ndër temat e tjera është edhe tema e migrimit kur fillojmë me e kuptu dëshirën e fëmijëve të vegjël që dëshirojnë me u largu nga Kosova, pasi që shokët e tij të ngushtë dhe trajneri i tij i futbollit veçse kanë migruar, pavarësisht se babai insiston se si vendlindja nuk ka vend tjetër”, do të rrëfente Samir Karahoda në fillim të marsit të sivjetshëm në emisionin “Nëpër film” të Kohavisionit me autore Edona Binakun.
Synimi i tij ishte që të jetësohet si një portret i Kosovës aktuale. I karakterizuar nga kuadro minimale, ky film i metrazhit të shkurtër zhvillohet në një makinë. Debati i babait dhe djalit të tij të vogël është qendra e narratives. Në rrugë nga Prishtina për në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”, nëpërmjet diskutimit të dyshes pasqyrohen problematikat e Kosovës së vitit 2024, të cilat pa dyshim se përkojnë edhe me problemet globale përtej kontekstit lokal.
Filmi është produksion i “SK Pictures” me producentë Eroll Bilibanin dhe Samir Karahodën. Përderisa drejtor fotografie është vetë Karahoda, montazhi është bërë nga Enis Saraçi.
Bashkëproducenti Eroll Bilibani, ka thënë se e mira është që në Cannes do të jenë për të përfaqësuar Kosovën.
“Filmat e tjerë nuk i kemi parë dhe nuk duam t’i ngremë pritshmëritë. Por mendoj që e kemi një film të mirë. Ndoshta më i miri i Samirit në karrierën e tij. Do të bëjmë një përfaqësim të dinjitetshëm dhe do të shohim verdiktin e jurisë”, ka thënë ai të hënën mbrëma.
Drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri, ka arritur në Cannes të hënën mbrëma. Nga atje nëpërmjet telefonit i ka thënë KOHË-s se po e vazhdojmë punën me shtandin shtetëror në Festival.
“Sivjet është një vit shumë i veçantë, pasi e kemi herën e dytë që një regjisor i yni merr pjesë në garën kryesore për filmin e shkurtër. Kësaj radhe bashkë me Ambasadën e Kosovës në Francë do ta kemi një pritje për nder të filmit ‘Rrugës’ më datën 21 maj”, ka thënë ajo. Në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme në këtë pritje do të promovojnë edhe verërat vendore. Pritjet i ka të larta. Ka thënë se po e presin “Palmën e Artë”.
Festivalit që sivjet do të hapet me filmin “Le Deuxième Acte” (Akti i dytë) të regjisorit francez Quentin Dupieux, në kategorinë e filmave të gjatë artistikë në konkurrencë janë 19 projekte.
Filmi i Karahodës është në konkurrencë me “Volcelest” të francezit Éric Briche, “Ootid” të lituanit Razumaitė Eglė, “Sanki Yoxsan” të regjisorit azerbajxhanas, Azer Guliev, “Les Belles Cicatrites” të francezit Raphaël Jouzeau, “Across the Waters” të kinezit Viv Li, “Perfectly a Strangeness” të kanadezit Alison McAlpine, “Tea” të amerikanit Blake Rice, “Yellow” të brazilianit André Hayato Saito, “The Man Who Could Not Remain Silent” të kroatit, Nebojša Slijepčević dhe “Bad For a Moment” të portugezit Daniel Soares.
Juria e kategorisë së filmave të shkurtër sivjet është në përbërje të kryetares Lubna Azabal, aktore belge dhe anëtarëve, regjisores franceze Marie-Castille Mention-Schaar, programerit italian, Paolo Moretti, regjisores franceze Claudine Nougaret dhe regjisorit serb Vladimir Perishiq.
Festivali sivjet mbahet në një botë rrallë herë më të polarizuar. Është nën hijen e luftës Rusi-Ukrainë e atë të konfliktit midis Izraelit e Hamasit. Në anën tjetër, tendencat për autoritarizëm janë në rritje gjithandej. Regjisori iranian Mohammad Rasoulof, filmi i të cilit “The Seed of the Sacred Fig” do ta ketë premierën botërore në Cannes është dënuar me 8 vjet burg nga Gjykata Revolucionare Islamike. Rrëfimet me mungesën e lirisë së shprehjes nuk do të jenë të pakta në Cannes.
E Kosova do ta ketë rrëfimin e vet. Atë të punuar mjeshtërisht nga Samir Karahoda ku në një makinë për 15 minuta aktorët Ylber Mehmeti dhe Miron Karahoda rrëfejnë zhgënjim, hamendësojnë për konflikt të madh midis popujsh e flasin për zbrazjen e Ballkanit.