Kulturë

“Rrugës” me historinë kosovare në Festivalin e Torontos

“Pjesëmarrja jonë është e rëndësishme, pasi që ka një program kualitativ dhe konkurrencë jashtëzakonisht të fortë dhe shikues nga të gjitha anët e botës”, ka thënë regjisori Samir Karahoda

“Pjesëmarrja jonë është e rëndësishme, pasi që ka një program kualitativ dhe konkurrencë jashtëzakonisht të fortë dhe shikues nga të gjitha anët e botës”, ka thënë regjisori Samir Karahoda

Festivali me traditë që edicionin e sivjetmë do ta ketë prej 5 deri më 15 shtator në kategorinë “Short cuts” ka përfshirë dhe filmin kosovar që sivjet premierën e kishte në festivalin prestigjioz, atë të Cannes. Ky është një lajm i madh për ekipin e filmit, por njëkohësisht edhe për kinematografinë e Kosovës. Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Toronto që sivjet ka edicionin e 49-të, do të ndezë projektorin për “Rrugës” më 9 dhe 13 shtator. Aty në Festivalin më të madh publik që njeh industria e filmit, shikuesit do ta kenë mundësinë të shohin rrëfimin kosovar

Filmi “Rrugës” i Samir Karahodës qysh në krye të herës është nisur në një rrugëtim të gjatë. Stacioni i radhës është konkurrenca zyrtare e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Toronto. Ky Festival, ndër më të njohurit në botë, para tre vjetësh kishte ndarë Çmimin kryesor për një tjetër film të Karahodës, “Pa vend”. Tash është nikoqir i një tjetër rrëfimi të këtij kinematografi. 

Festivali me traditë që edicionin e sivjetmë do ta ketë prej 5 deri më 15 shtator në kategorinë “Short cuts” ka përfshirë dhe filmin kosovar që sivjet premierën e kishte në festivalin prestigjioz, atë të Cannes. Ky është një lajm i madh për ekipin e filmit, por njëkohësisht edhe për kinematografinë e Kosovës.  Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Toronto që sivjet ka edicionin e 49-të, do të ndez projektorin për “Rrugës” më 9 dhe 13 shtator. Aty në Festivalin më të madh publik që njeh industria e filmit, shikuesit do të kenë mundësinë të shohin  rrëfimin që sipas sinopsisit të publikuar nga festivali, gjatë një udhëtimi 15-minutësh me makinë një fëmijë e babai i tij bëjnë muhabet kompleks, duke ofruar qartë realitetin me të cilin përballet shoqëria e sotme kosovare. Bëhet fjalë për babë e bir që janë rrugës për në aeroport për të marrë një dhuratë që vjen nga kumbari i djalit.

“Midis pengesash burokratike me pak a hiç shpresë për ndryshime politike e sociale në vend, ata gjejnë rehati dhe forcë në optimizmin e tyre të përbashkët për të ardhmen”, shkruhet në përshkrimin që ia kishte bërë Festivali i Cannes filmit. Biseda që zhvillohet në makinë, nxjerr në pah telashet e tanishme që pandashmërisht janë të lidhura me të kaluarën. “Aroma” e luftës është edhe brenda mjetit transportues. Sipas asaj që shihet në “trailer”, djali që luhet nga Miron Karahoda pyet të atin, aktorin (Ylber Mehmeti) për mundësinë që të ketë prapë luftë. E përgjigjja shpjegon shumëçka.

“Edhe ndonjë ditë s’ka me mbet kush me luftu.......edhe ata (serbët v.j. janë duke ikur). Bëhet fjalë për dialog që zbërthen shumë. Përfshin vitet ’90, gjendjen e tanishme e më pas në aeroport preket edhe një shembull praktik i ngecjes. Maltretohen nëpër procedura për të tërhequr një dhuratë. Ky film, premierën kombëtare do ta ketë sot (e shtunë) në natën mbyllëse të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” në Prizren.

Regjisori i filmit, Samir Karahoda ka thënë se Festivali i Torontos njihet si festivali me i madh publik në botë me afro gjysmë milioni shikues. “Pjesëmarrja jonë është e rëndësishme, pasi që ka një program kualitativ dhe konkurrencë jashtëzakonisht të fortë dhe shikues nga të gjitha anët e botës”, ka thënë ai. Ka kujtuar se në vitin 2021 me “Pa vend” kishin marrë Çmimin kryesor dhe për shkak të pandemisë nuk mund të ishin prezentë fizikisht.

“Jam i lumtur që këtë herë me përkrahjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës do të kem mundësi të jem prezent fizikisht dhe të diskutojmë për filmin së bashku me audiencën në Toronto. Deri më tani përzgjedhjet në festivale na japin sinjale që edhe filmi ‘Rrugës’ do të ketë një rrugëtim pothuaj të ngjashëm me filmin ‘Pa vend’”, ka thënë ai. ka treguar se është tejet i lumtur për këtë rrugëtim, pasi që edhe njëherë u dëshmua se kinematografia e Kosovës ka potencial dhe është duke kontribuuar globalisht në promovimin e kulturës shqiptare dhe gjuhës shqipe.

Sa i përket filmit, ai më herët kishte treguar se ngjarja bazohet në një ditë të zakonshme kur me djalin e tij ishin në rrugë për në aeroport, për të marrë një dhuratë nga kumbari i të birit.

“Gjatë këtij udhëtimi 15-20-minutash e kuptojmë se çka po ndodh në Kosovë, sfidat e shoqërisë sonë. Njëra ndër temat e tjera është edhe tema e migrimit kur fillojmë me e kuptu dëshirën e fëmijëve të vegjël që dëshirojnë me u largu nga Kosova, pasi që shokët e tij të ngushtë dhe trajneri i tij i futbollit veçse kanë migruar, pavarësisht se babai insiston se si vendlindja nuk ka vend tjetër”, do të rrëfente Samir Karahoda në fillim të marsit të sivjetshëm në emisionin “Nëpër film” të Kohavisionit me autore Edona Binakun.

Synimi i tij ishte që të jetësohet si një portret i Kosovës aktuale. I karakterizuar nga kuadro minimale, ky film i metrazhit të shkurtër zhvillohet në një makinë. Debati i babait dhe djalit të tij të vogël është qendra e narratives. Në rrugë nga Prishtina për në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”, nëpërmjet diskutimit të dyshes pasqyrohen problematikat e Kosovës së vitit 2024, të cilat pa dyshim se përkojnë edhe me problemet globale përtej kontekstit lokal.

Karahoda është mjeshtër që rrëfimeve lokale t’u japë dimension universal. E ka dëshmuar këtë në projektet paraprake që kanë pasur sukses të madh si dokumentar artistik. Tash vjen me fiksion.

Filmi është produksion i “SK Pictures” me producentë Eroll Bilibanin dhe Samir Karahodën. Përderisa drejtor fotografie është vetë Karahoda, montazhi është bërë nga Enis Saraçi. Filmi sivjet do të jepet edhe në “Concorto Film festival” në Itali, në Festivalin e Sarajevës, në “Guanajauto Film Festival” në Meksikë e në “Curtas Vila do Conde International Film” në Portugali.