Kulturë

RROK-u në Prizren shënon 10-vjetorin me synime për vazhdimësi

Rrjeti i Organizatave të Kulturës në Prizren ka festuar dekadën e parë të veprimtarisë në promovimin e qytetit të vjetër si qendër kulturore, por edhe për t’i ruajtur vlerat e tij të trashëguara. Sipas drejtuesve të këtij trupi, ky rrjet tashmë ka një reputacion pozitiv dhe karakter aktivist. Ndërsa zyrtarët institucionalë e kanë cilësuar atë si storie suksesi në nivel Kosove

Rrjeti i Organizatave të Kulturës në Prizren ka shënuar 10-vjetorin e themelimit, me objektivin që t’i zhvillojë edhe më shumë kapacitetet për koordinimin e projekteve si dhe për ta promovuar Prizrenin si qendër kulturore. Në festën dedikuar dekadës së parë të veprimtarisë së këtij rrjeti të mbajtur në “Autostrada Hangar” është theksuar se ky trup përfaqëson dhe përkrah organizatat e kulturës dhe komunitetin artistik të Prizrenit, për të fuqizuar anëtarët për pasurimin e jetës kulturore në Prizren sikurse edhe për të avokuar pranë institucioneve lokale dhe qendrore të Kosovës.

Anëtari i kryesisë së RROK-ut në Prizren, Leutrim Fishekqiu, ka përmendur disa prej vlerave kryesore të rrjetit të krijuara në 10 vjetët e shkuara, duke theksuar se ai ka një reputacion pozitiv dhe karakter aktivist. Sipas tij, koordinimi me institucionet përgjegjëse do të intensifikohet për mbështetjen e iniciativave kulturore në qytetin e vjetër.

dhe ekspertiza kolektive e anëtarëve individualë dhe e rrjetit në tërësi është burimi kyç i shtytjes sonë për të bashkëvepruar. Rrjeti ka interes të qartë dhe mision të përbashkët, që vjen si rrjedhojë e faktit se është i pozicionuar në një komunë aktive dhe multietnike sa i përket kulturës”, ka thënë ai.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, RROK-un e ka vlerësuar si storie suksesi në nivel të Kosovës, pasi sipas tij, ajo që i ka bashkuar organizatat në Prizren ka qenë nisma për ta mbrojtur qytetin nga rreziqet që kanë ardhur nga drejtimet e ndryshme.

“Besoj që ky mision është i vlefshëm edhe sot, sepse jo të gjitha rreziqet janë larguar, ato vazhdojnë të jenë prezente, andaj gjithmonë ka nevojë për një organizim të përbashkët, për një bashkim në këtë rast kulturor, për me e mbrojtë qytetin dhe komunën në tërësi”, ka thënë ai. Sipas ministrit Çeku, pa RROK-un do të kishte më shumë degradim të trashëgimisë kulturore në Prizren.

“Besoj shumë që pa RROK-un disa hapësira kulturore që i ka Prizreni nuk kishte me i pasë, nuk po i përmend, se i dini cilat janë ato, dhe besoj që pa RROK-un edhe vëmendja e institucioneve ndaj kulturës kishte me qenë më e vogël, më e papërfillshme”, ka thënë Çeku i cili derisa u emërua zëvendësministër në Qeverinë e Shqipërisë më 2017, ishte një prek akterëve kryesorë të shoqërisë civile në Prizren.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka pranuar se ka hapësirë për bashkëpunim më të madh mes këtij rrjeti dhe institucioneve. Njëherësh ka inkurajuar anëtarët që të vazhdojnë aktivizimin për rezultate më të mira në promovimin e Prizrenit si qendër kulturore dhe turistike.

Ngritja e nivelit të përgjithshëm të kualitetit të jetës shumë varet nga organizimet e këtilla, nga OJQ-të, por sidomos nga rrjetëzimet apo grupet e OJQ-ve. Në këtë rast kemi të bëjmë me një rrjet të organizatave kulturore u përmendën disa nga to, por e di që Prizreni ka shumë më tepër, po shpresoj se edhe organizatat e tjera do të bashkohen, sepse së bashku do të ketë kapacitete më të mëdha”, ka thënë ai.

Anëtarët e RROK-ut në Prizren janë organizata të ndryshme të cilat kontribuojnë në jetën kulturore në Prizren përmes formave të ndryshme të prodhimit kulturor. Aktualisht organizatat anëtare të këtij rrjeti janë: AEK “Katarina Josipi”, Ansambli i Këngëve dhe i Valleve “Lidhja e Prizrenit”, “Autostrada Biennale, “Durmish Aslano”, “Dogru Yol”, “DokuFest”, “EC Ma Ndryshe”, “Fondacioni Legatum”, “Fondacioni Lumbardhi”, “CHëB”, “N’GO”, “Numizmatika”, “Oldtimer Club Prizren”, “THY”, “Active & Creative Youth”, shoqëria kulturo artistike “Malësori”, “Prizma Medium” dhe “X40”.