Prej 57 milionë eurosh sa kishte sivjet, Ministrisë së Kulturës për vitin 2024 i janë projektuar mbi 88 milionë euro për vitin që vjen, por rritja prej 31 milionë eurosh nuk sjell gjë të re te investimet kapitale në kulturës, pika e dobët e MKRS-së ndër vite. Prej 19 projekteve kapitale në kulturë, 5 janë të reja, në trashëgimi kulturore, prej 103 projekteve vetëm 11 janë të reja
Ministria e Kulturës ka vite që mbetet veç në tentativë për të realizuar planet e saj. Të paktën në kulturë e trashëgimi kulturore. Edhe për planifikimin e buxhetit për vitin që vjen nuk i është dashur shumë punë. Ka funksionuar kombinimi i tasteve për “copy-paste”. Bile, te projektet kapitale, zyrtarëve të MKRS-së rrallë u është dashur të shkruajnë gjë të re.
Sipas Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin që vjen, në total MKRS-ja do të ketë 88 milionë e 118 mijë e 721 euro. Janë 31 milionë e 100 mijë e 860 euro më shumë se që kishte me 2023. Por nga kjo rritje kultura nuk ka përfituar as një të tretën. Trashëgimia kulturore bashkë me kulturën për vitin 2024 do të kenë 9 milionë e 931 mijë euro më shumë. Pos subvencioneve dhe transfereve të kategorisë “përkrahja e kulturës” – prej ku subvencionohet kultura e pavarur – që ka pësuar zbritje buxheti, krejt kategoritë e tjera kanë rritje. Te subvencionet e transferet e “përkrahjes për kulturën” do të jenë minus 350 mijë euro nga 5 milionë e 250 mijë sa ishin për sivjet.
Sipas Projektligjit të miratuar në lexim të parë në mesin e nëntorit, kultura në tërësi do të ketë 8.5 milionë euro më shumë nga 17.6 sa i kishte këtë vit. Prej tyre 11.4 milionë do të shkojnë në investime kapitale. Pavarësisht shifrave, tabelat e Projektligjit tregojnë se planet e MKRS-së për projekte kapitale në kulturës nuk janë duke shkuar mirë. Prej 19 projekteve të planifikuara 14 janë të bartura. Emrat e projekteve janë “refreni” i përvitshëm si “Objekti i tetarit dhe operës dr. Brahim Rugova”, “Muzeu i Artit Bashkëkohor”, “Renovimi i TKK-së”, “Shtëpia e Kulturës në Suharekë”, e të tjera. Te projektet e reja hyjnë 850 mijë euro për “Sallën Koncertale në Prishtinë”, pastaj “Rekuizitat për institucionet kulturore”, “Rivitalizimi i kinemave publike në Prishtinë, Pejë e Prizren” e “Qendra Rinore në Mamushë”.
Sa i përket trashëgimisë kulturore, kjo fushë për vitin që vjen do të ketë 2 milionë e 92 mijë euro më shumë sesa sivjet kur kishte 13.2 milion euro buxhet. Te shpenzimet kapitale në këtë fushë do të jenë të disponueshme 11.5 milionë, që janë 1.3 milion më shumë sesa më 2023. Por edhe në këtë rast reprizimi i projekteve zë hapësirën më të madhe. Nga gjithsej 103 projekte 92 janë të bartura nga viti i kaluar. Prej tyre ka aso që ndër vite kalojnë nga buxheti në buxhet si “Shtëpia e Hynilerëve në Prishtinë”, “Kulla e Sylejman Vokshit në Gjakovë”, “Renovimi i depove në Muzeun Kombëtar të Kosovës” e të tjera. Si projekte të reja figurojnë “Renovimi i shtëpisë së Adem Demaçit”, “Shtëpia e Përshpirtshme në Shtime”, “Ura Mesjetare në Vushtrri”, “Ulpiana”, “Qyteti Mesjetar i Novobërdës”, “Kalaja e Pogragjës”, “Muzeu i Luftës në Prishtinë”, “Qendra Memoriale për fëmijët e vrarë”, “Konaku i Mahmut Begollëve në Pejë”, “Kulla e Azem Lokajt, Voksh” dhe Shtëpia e Ymer Elshanit-Drenas”.
Qysh prej 14 nëntorit KOHA ka adresuar pyetje në Ministrinë e Kulturës sa i përket realizmit të dobët të planeve në raport me projektet kapitale. Prej atëherë, MKRS-ja nuk është përgjigjur. Ngecjet në realizmin e projekteve kapitale janë evidente edhe nëpërmjet tabelave të Raportit nëntëmujor financiar, publikuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve. Aty del në pah se për nëntë muajt e parë të vitit MKRS-ja te investimet kapitale ka shpenzuar vetëm dhjetë për qind të buxhetit të paraparë. Përkthyer në shifra, prej 32.7 milionë eurove në kategorinë e investimeve kapitale, prej ditës së parë të janarit deri në ditën e fundit të shtatorit ka shpenzuar 3.2 milionë euro. Nëse shkëputen vetëm projektet e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore, me buxhet ishin paraparë 22.6 milionë euro investime. Janë shpenzuar 2.5 milionë. Te kolona e “Progresit”, zerot dominojnë. Por llogaritur sipas tabelave, me shpenzimet e me zotimet, te investimet kapitale në kulturë e trashëgimi kulturore, MKRS-së i teprojnë 8 milionë euro.
Sali Shoshi, i cili udhëheq Fondacionin Kosovar për Trashëgimi Kulturore pa Kufij, “CHëB Kosova” muajin e kaluar, kur KOHA ka raportuar për ngecjet e MKRS-së në projekte kapitale, kishte thënë se në fushën e trashëgimisë kulturore Qeveria aktuale ka provuar të zhvillojë një dinamikë të re të punës, sidomos në kompletimin e infrastrukturës ligjore, e cila ka qenë e pakompletuar që nga miratimi i Ligjit për Trashëgimi Kulturore në vitin 2006. Të njëjtën e ka përsëritur edhe tash. Sipas tij, gjithashtu është parë një dinamikë e re në ndërhyrje emergjente. Por ka kritikuar politikat e vjetruara të nisura qysh nga paslufta.
“Tash, 25 vjet pas, Kosova ka nevojë për një vizionim të ri për trashëgiminë kulturore, duke kthyer atë në resurs të zhvillimit përmes krijimit të mundësive të reja për komunitetet lokale, organizatave të kulturës dhe bizneseve të turizmit”, ka thënë ai. Ky vizionim ka thënë se duhet të sigurojë një përfshirje të trashëgimisë kulturore në politikat e planifikimit hapësinor. “Zonat e vjetra të qyteteve, fshatrat e pasura me trashëgimi kulturore duhet të mbrohen përmes politikave dhe planeve të konservimit. Ne kemi parë që në mungesë të këtyre dokumenteve shumë zona historike janë transformuar duke humbur historinë e tyre”, ka thënë Shoshi.
Kurse dramaturgu Jeton Neziraj muajin e kaluar kishte thënë se MKRS-ja vazhdon të ngecë në fushat më të komplikuara, siç janë administrimi i atyre fondeve dhe mënyra e distribuimit të tyre”.
“Është një ‘nerv’ kapital që MKRS-ja nuk e ka trajtuar fare, s’ka pasur guxim e as dije të ballafaqohet me të: investimet kapitale dhe krijimi i hapësirave kulturore, sidomos në Prishtinë. Dhe kështu, hapësirat kulturore kanë ardhur duke u tkurrur këtyre viteve dhe skena kulturore, pavarësisht me rritje buxhetore, është gjuajtur skutave e margjinave, e operon në kushte të mjerueshme”, ka përsëritur ai. Gjendjen në këtë aspekt e ka ripërshkruar si dramatike.
“Kryeqyteti është duke e vuajtur mungesën e hapësirave kulturore – jo për mungesë të tyre, por për mungesë të vullnetit të MKRS-së, por edhe të Komunës së Prishtinës. Dhe prandaj, sot, në Prishtinë, nuk kemi asnjë teatër të denjë që ka infrastrukturë solide”, ka përshkruar ai para një konstatimi të prerë: ”Punojmë sikur të ishim në vitet ‘90, margjinave, skutave e bodrumeve”, ka thënë ai.
Skutat e margjinat duket se nuk do të gjejnë zgjidhje as vitin që vjen. Të paktën jo sipas planeve të MKRS-së për buxhetin.