Në prag të përmbylljes së “Pragut”, artistja Renea Begolli bashkë me kuratorin Yll Xhaferi janë rikthyer në galeri për të diskutuar rrugëtimin deri tek ekspozita, por jo vetëm. Kanë zbërthyer idenë e veprave, por një takim i tillë ka qenë edhe hapje dyersh të ateliesë së piktores për të nxjerrë prej aty rrëfenjat se si lind një vepër, si konceptohet e formësohej ajo
Në mesin e shumë ngjyrave e vijave që për temë kanë hapësirën, bashkë me ata që i kanë parë dhe analizuar veprat, Renea Begolli dhe Yll Xhaferi kanë diskutuar për përmbajtjen e tyre, si dhe rrugëtimin e artistes deri tek ekspozita “Pragu”. Fenomeni i artistit që veprat i kthen në fjalë nuk është shumë e përhapur. Lapsi dhe ngjyrat janë mënyra se si ata vendosin në shumë raste të flasin. Diskutimi për veprat nuk qe fort i lehtë as për artisten e re nga Prishtina, ndonëse është mësuar qysh e vogël të interpretojë idetë dhe mendimet artistikisht.
Begolli përtej veprave të “Pragut”, siç është titulli i ekspozitës së saj që u testua para audiencës prej 8 shkurtit e deri më tash në galerinë “Qahili”, ka folur për rëndësinë që ka për të komenti që të tjerët i japin gjatë realizimit të veprave, por edhe pas përfundimit të tyre. Ekzistimi i një perspektive qoftë nga një sy artisti, qoftë nga ai i cilitdo njeri, Begolli ka thënë se e ka ndihmuar gjithmonë në aspektin e artit.
“Pragu” është mundësia që ajo po e shfrytëzon për të parë se ku qëndron në botën e pafundme të artit. Këtë e bëri edhe me anë të këtij diskutimi. Nga të gjitha komentet që ka marrë deri më tani e bëjnë të besojë se ka hyrë vrullshëm në skenë.
Pikturave që ajo u dha jetë përmes ngjyrave të ndezura dhe kontrasteve nuk kanë qenë të realizuara në një periudhë të njëjtë. Mes tyre paraqet cikle të cilat i ka punuar në periudha të ndryshme kohore dhe distancimi nga to duket se ia ka dhënë artistes mundësinë që vepër pas vepre të përsosë idenë dhe realizimin e tyre.
Kritikuesi dhe adhuruesi më i madh i punës së saj ndër vite është kolegu i saj Yll Xhaferi, që në ekspozitën e saj ka marrë rolin e kuratorit. Lidhja që ata kishin ishte arsyeja që shtyri Begollin të mendonte se syri i dytë ideal për të gjykuar pikturat nga shumë aspekte është pikërisht ai. Për Xhaferin, titulli i kuratorit ishte një punë të cilën e ka parë me sfida, por gjithashtu edhe një mundësi të mirë për përsosje profesionale.
Këto kanë qenë disa prej temave në bashkëbisedimin me të pranishmit, të enjten mbrëma, në galerinë “Qahili”, atu ky “Pragu” po numëron ditët e fundit. Dyshja e konsideron të suksesshme ekspozitën dhe kjo ka qenë edhe arsyeja që i ka shtyrë edhe në organizimin e diskutimit.
“Për mua është një eksperiencë krejt ndryshe të flas për veprat e mia. Shumë nga punët janë goxha personale. Është shumë interesante t’i shpalos. Nganjëherë punët i kanë interpretimet e veta. Shpesh distancohem nga konceptet fillestare, sepse kam dëshirë ta lë shikuesin e lirë të interpretojë. Por është shumë e rëndësishme të diskutosh. Ta kesh përshtypjen e artistit për punën e vet. Me pa qysh ka shkuar procesi. Nuk është ideja që gjithqysh të kuptosh çka kam dashur të them por më shumë, ta shpjegoj se si kanë rrjedhur idetë”, ka thënë Begolli. Sipas saj, jo gjithmonë është e lehtë që ideja të përkthehet në fjalë. “Por, kjo është më e pakta që mundem të bëj. Normalisht ka shumë më shumë në secilën punë sesa ajo që mund ta them brenda një diskutimi apo teksti”, ka thënë ajo.
Bashkëpunimi me kolegun e saj që ekspozita “Pragu” ia dha titullin e kuratorit ishte një tjetër pikë të cilën e rrëfyen gjatë këtij bashkëbisedimi.
Për të ishte e rëndësisë të veçantë që barrën e punës në një ekspozitë ta ndajë me dikë tjetër.
“Për mua ka qenë shumë e rëndësishme ta kem një mendim të dytë. Nganjëherë gjërat që i ke më së afërti s’mbërrin t’i shohësh. Më është dashur që në disa momente ta distancoj veten nga punët e mia, sepse është goxha një punë ndryshe e artistit dhe e kuratorit. Kështu që ka qenë shumë e rëndësishme ta kem edhe një sy të dytë duke qenë se është e rëndësishme me i marrë të gjitha vendimet vetë”, ka thënë Begolli gjatë bashkëbisedimit. Ka potencuar se edhe gjatë kohës që ka qenë duke i përgatitur ato, ndarja e ateliesë me Xhaferin e ka ndihmuar shumë në përsosje. Rëndësi i ka dhënë edhe një komenti krejt të vogël e të rastësishëm.
Yll Xhaferi një organizim të tillë, ku flitet për një art në shumë aspekte, e sheh si një mundësi të mirë për të treguar vlerën e artit duke folur për procesin e punës.
“Kur është bërë hapja e ekspozitës para një muaji dhe kishte njerëz, filluam ta bëjmë një prezantim të punës por e lamë pjesën e madhe për ‘artist talks” sepse jemi më të relaksuar të flasim për ekspozitën. Në hapje ia lëmë hapësirën punëve. Kështu që mendoj se janë shumë të rëndësishme këto diskutime, sepse edhe përfitojmë nga njëri-tjetri por edhe është e rëndësishme për publikun që ta shohë realizmin edhe nga ana teknike, dhe ajo konceptuale të realizimit të veprave”, ka thënë Xhaferi.
Ndarja e ateliesë për dy vjet dhe miqësia me njëri-tjetrin e ndihmon kuratorin që të kuptojë artisten përtej fjalëve dhe veprave.
“Çka unë po vërej te Renea është impakti që ka pasur ekspozita tek ajo. Sa shumë është e motivuar. Kur i ka parë punët e veta në forma të tilla ekspozuese asaj i ka dhënë diçka tjetër. Kështu që për mua është shumë me rëndësi të kuptoj se si ka funksionuar një bashkëpunim”, ka thënë kuratori i ekspozitës.
Në rolin e bashkëbiseduesit aktiv në këtë organizim mori pjesë edhe Eshref Qahili, profesor në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.
Përtej veprave, diskutimi ka qenë mundësi për t’i parë veprat edhe prej një këndvështrimi tjetër.
“Thjesht, më la përshtypje sepse ishte shumë e formuar në elaborimin e idesë, materialit dhe vizionit se si i trajton dhe si i zbërthen pikturat në pëlhurë. Sepse pak nga ne dimë të zbërthejmë idenë dhe punën, por kjo ishte mjaft e kthjellët dhe e matur. Ishte mjaft e ngritur në aspektin teorik rreth punëve të saj se si i ka realizuar. Jo rastësisht, por këto punë janë të menduara dhe realizuara”, ka thënë Qahili.
Sipas tij, artistët duhet të flasin, ashtu siç bëri Renea Begolli.
“Arti është një lëmë e veçantë, e cila më tepër mësohet nga të parit dhe kontakti sesa nga teoria. Sigurisht teoria të mëson mjaft mirë në zhvillimin e artit dhe të vetvetes në zbatimin e artit, por pjesa më e madhe mendoj që mëson kur t’i vizitosh dhe të kontaktosh me njerëzit që të japin edhe kritika, edhe lëvdata. Nga të mirat dhe nga të këqijat ti gjithmonë e merr anën e kundërt për të qenë mirë e më mirë”, ka thënë profesori Qahili midis pikturave që do të jenë aty deri të shtunën.