Kulturë

Rrëfimi i “Zgjoit” do të shfaqet në rrjete kinemash në tri kontinente

“LevelK”, kompania nga Danimarka e cila ka të drejtën e shitjes globale të filmit “Zgjoi” nën regji të Blerta Bashollit, ka sjellë te filmdashësit një lajm të mirë. Ka arritur disa marrëveshje me distributorë, duke bërë kështu që “Zgjoi” të nisë rrugëtimin e tij nëpër kinema e platforma të ndryshme për promovimin e projekteve filmike

“Zgjoi”, nën regji të Blerta Bashollit, tashmë mund të konsiderohet filmi i parë në Kosovë që ka një shitje të gjerë. Rrëfimi që vë në pah mbijetesën si shpresë në Kosovën e pasluftës, do të komunikojë pothuajse me gjithë botën, pasi që “LevelK”, kompania nga Danimarka e cila ka të drejtën e shitjes globale të “Zgjoit”, ka sjellë të martën te filmdashësit një lajm të mirë. Ka arritur disa marrëveshje me distributorë të njohur në Amerikën Veriore, Evropë e madje edhe në Azi. Nga ekipi i filmit është bërë e ditur se edhe në ditët në vazhdim do të ketë lajme për marrëveshje të reja me distributorë. Kështu, nëpër kinema e platforma të ndryshme së shpejti do të nisin shfaqja e promovimi i filmit bazuar në jetën e krushianes Fahrije Hoti.

“LevelK” e ka shitur dramën te “Kino Lorber” si bashkëpunim me “Zeitgeist Films” për Amerikën Veriore. “Kino Lorber” i themeluar në vitin 1977, sipas përshkrimit në ueb-faqen e tyre sjellin të audienca titujt më të mirë në kinematografi, përfshirë edhe hitet e Festivalit të Filmit në Cannes, Festivalit të Filmit në Berlin, Festivalit të Filmit në Sundance dhe Festivalit të Torontos. E “Zeitgeist Films” është një distributor i pavarur amerikan themeluar në vitin 1998 në New York. Filmat që kjo kompani i ka marrë për distribuim janë nominuar për çmime me rëndësi në kinematografi, e filmi “Nowhere in Africa” (2001) pati fituar çmimin “Oscar” për filmin me të mirë në gjuhë të huaj. Një çmim që sipas kineastëve në Kosovë - në një shkrim të publikuar në KOHA në shkurt të këtij vitit me titullin “Pesë yje për kinematografinë e Kosovës” – mund ta marr edhe “Zgjoi”, pasi që për të njëjtët filmi është parë si mundësia për “Oscarin” e parë të Kosovës.

E kompanisë së njohur për produksion “Altitude Film Entertainment” ia ka shitur të drejtën për distribuim në Britani të Madhe. Kompania e themeluar në vitin 2012 njihet për bashkëprodhimin e filmit “Big Game”, nën regji të Jalmari Helander, ku luan aktori i njohur Samuel L. Jackson dhe për realizimin e produksionit të filmit “47 Meters Down”, nën regji të Johannes Roberts, që arriti të jetë një ndër filmat më të suksesshëm të pavarur në SHBA.

“LevelK” ia ka shitur të drejtat për distribuim në Zelandë të Re e Australi kompanisë “Icon”. E themeluar në vitin 1989, “Icon” është kompania kryesore për kinematë e pavarura dhe për distribuim të filmave në Australi.

“Zgjoi”, po ashtu, i është shitur Kinës (Hugoeast Holding); Skandinavisë (Edge Entertainment); Portugalisë (Films4you); Republikës Çeke (HBO Central Europe); Bosnjë-Hercegovinës, Kroacisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Sllovenisë (Kino Mediteran); Turqisë (Filmarti) dhe Greqisë (Cinobo).

“Zgjoi” bëri histori në kinematografi kur në më të madhin event amerikan të llojit të vet “Sundance Film Festival”, në orët e hershem të 3 shkurtit, mori një trofe të trefishtë çmimesh: Çmimin e Jurisë, Çmimin e publikut dhe Çmimin për regji në kategorinë “World Cinema Dramatic”.

Në filmin 1 orë e 24-minutash, aktorja Yllka Gashi sublimon 22 vjet të personazhes së vërtetë, Fahrije Hoti, që është e kryqëzuar mes dhembjes për burrin e zhdukur, skamjes në shtëpi dhe një rrethi shoqëror që nuk arrin ta ndihmojë, përveçse ia shton dhembjen me fshikullime paragjykimesh. Por aty ku duket gjithçka e mbaruar prej fatalizmit, vetëtinë shpresa. Është pikërisht shpirti ndërmarrës i Fahrijes që kthehet si fanar për dhjetëra gra që kanë mbetur pa burra në fshatin rahovecian, ku forcat serbe vranë 240 njerëz.

Drejtuesit e “Zeitgeist Films”, Emily Russo dhe Nancy Gerstman, për gazetën britanike “Screendaily” kanë thënë se ata tashmë kishin arritur limitin e tyre ideal duke zgjedhur me maturi pesë filma për të distribuuar për këtë vit kur kishin pranuar “Zgjoin”.

“Ky film pati një efekt aq të madh të ne, saqë ishte e pamundshme që ta injorosh, dhe e pamundshme që të mos e sjellësh para publikut në Amerikën Veriore”, janë cituar të kenë thënë Russo dhe Gerstman. T’i shmangej “Zgjoit” e kishte pasur të pamundur edhe “Altitude”.

“Përderisa ‘Zgjoi’ shkëlqen si një dritë e rëndësishme pas luftës në Kosovë, filmi është po ashtu një rrëfim për gratë që tejkalojnë padrejtësitë në shoqërinë patriarkale, që do të rezonojë e ngjallë frymëzim në gjithë botë”, është cituar të ketë thënë për “Screendaily” drejtuesja e “Altitude”, Laura Wilson.

E producenti Yll Uka, nga studioja “Ikonë”, ka thënë për KOHËN se filmi punohet për audiencë dhe kur arrihet që të filmi të ketë një shpërndarje kaq të madhe nëpër kinema, pothuajse në të gjithë kontinentet është kënaqësi e madhe.

“Kemi punuar shumë në arritjen e këtyre marrëveshjeve. Tani së bashku me distributorët tanë jemi duke punuar në strategji të distribuimit në kinema, festivale e deri te çmimet më të mëdha si ‘EFA’, “BAFTA’, ‘Oscar’ e të tjera”, ka thënë ai.

Qendra Kinematografike e Kosovës e mbështeti filmin “Zgjoi” në konkursin e vitit 2015 për zhvillim skenari, e një vit më vonë në kategorinë e filmit të metrazhit të gjatë kur ia ndau 140 mijë euro.

Arben Zharku, drejt i QKK-së, ka thënë për KOHËN se është sukses shumë i madh për filmin, dhe për autorët e filmit kjo shitje kaq e madhe në shumë territore.

“Suksesi në ‘Sundance’ dhe kualiteti i lartë i filmit kanë zgjuar interesim të madh të distributorëve që ta kenë për territoret e tyre, e kjo do të thotë shumë për krijuesit e filmit. Ne jemi shumë të lumtur kur shohim finalizimin në këtë mënyrë të projekteve që i mbështesim”, ka thënë ai. Sipas tij, me rëndësi është që filmi të shihet kudo në botë dhe të fitojë sa më shumë.

“Ndërsa ne si mbështetës e kemi përqindjen në bazë të ligjit për çdo përftimit të mundshëm”, ka thënë Zharku. Se cila do të jetë përqindja që do të marrë QKK-ja varet nga mbështetja që i është bërë projektit dhe nga të hyrat që do të përfitojnë producentët.

“Zgjoi” është bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, dhe përveç QKK-së është mbështetur edhe nga Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicër), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri), prodhuar nga “Ikonë Studio” dhe “Industria Film”, me bashkëprodhim nga “Alva Film Production”, “Black Cat Production”, “AlbaSky” e “Swiss National TV”.