Kulturë

Rrëfimi i të mbijetuarit të Holokaustit triumfon në “Anibar”

“A letter to a Pig” i regjisores nga Izraeli, Tal Kantor, është vlerësuar nga juria si më i miri në kategorinë e filmave ndërkombëtarë që janë shfaqur gjatë shtatë ditëve në festival. Shpalos rrëfimin e një të mbijetuari të Holokaustit, por nëpërmjet tij eksploron temat e traumës kolektive, hakmarrjes, të keqes njerëzore dhe dhembshurisë. “Anibari” i 13-të i “besëtytnive” edhe sivjet ka përcjellë mesazhe të fuqishme. Njëri prej tyre, solidarizimi me Ukrainën. Ndërkaq, edhe në ceremoninë përmbyllëse organizatorët kanë dëshmuar traditën që vazhdon: mbështetjen e gjeneratës së re të animatorëve

“Anibari” që ka ndezur ekranet me rrëfime nga mbarë bota, të martën mbrëma nga ekrani i kinemasë “Liqeni” ka përcjellë emrat e mesazhet e fituesve. Filmi që në rreth 16 minuta trajton historinë e një të mbijetuare të Holokaustit e ka rrëmbyer çmimin kryesor të edicionit të 13-të të festivalit “Anibar”.

“A letter to a Pig” i regjisores nga Izraeli, Tal Kantor, është vlerësuar nga juria si më i miri në kategorinë e filmave ndërkombëtarë që janë shfaqur gjatë shtatë ditëve në festival. I realizuar me media të përziera të animacionit, trajton fatin e një të mbijetuari të luftës që pas saj ia shkroi një letër falënderimi një derri që ia shpëtoi jetën. Pasi që e ndanë këtë histori me shokët e klasës, njëri prej nxënësve ëndërron një version tragjik të historisë së tij. Më pas hyn në një botë tjetër eksplorimi. Përtej vizionit personal, filmi gjithashtu eksploron temat e traumës kolektive, hakmarrjes, të keqes njerëzore dhe dhembshurisë.

Filmi është vlerësuar nga juria në përbërje të Steven Woloshen, Stefan Stratil, Mari Jay Blanchard, Olga Bobrowska dhe Andrijana Ruzie. Është çmuar për ndërthurjen mjeshtërore për ta shpalosur një perspektivë të një historie personale, jokonvencionale, për ta përcjellë një traumë që ka kaluar në shumë gjenerata.

Image
Regjisorja Tal Kantor nuk ka mundur të jetë e pranishme në ceremoni. Por, një dolli e ka ngritur nga distanca për të festuar triumfin e filmit të saj në Kosovë

Pikët për kombinim stilesh, teknikë e imagjinatë

“Regjisorja në mënyrë të kujdesshme përdor një teknikë të përzier imagjinare të animacionit për të përtëritur diskutimin tonë për Holokaustin”, thuhet në vendimin e jurisë.

Regjisorja Tal Kantor nuk ka mundur të jetë e pranishme në ceremoni. Por, një dolli e ka ngritur nga distanca për të festuar triumfin e filmit të saj në Kosovë. Në “Anibar” kishte qenë para plot pesë vjetësh dhe ka thënë se do të donte të ishte edhe sivjet për ta përjetuar fitoren dhe gjithë atmosferën që e sjell “Anibari” në Pejë.

“Do të doja të isha me ju ta festoja këtë moment shumë të veçantë. Është një nder i madh dhe kjo do të thotë shumë për mua pasi që ky çmim vjen nga Kosova, nga ‘Anibari’ i dashur. Më vjen po ashtu mirë që vjen nga një juri shumë e dashur që i vlerësoj artistikisht edhe mendimet e tyre intelektuale. Nuk i gjej fjalët e duhura”, ka thënë ajo në mesazhin virtual që e ka ndjekur publiku në kinemanë “Liqeni” në Pejë.

Juria në të njëjtën përbërje ka vlerësuar filmin “Bye, bye Elida” si më të mirin në kategorinë e filmave artistikë. Filmi nën regji të Titouan Bordeau fokusohet te disa grupe personazhesh që kryejnë aktivitetet e tyre përkatëse. Disa përpiqen të ushqehen për të mbijetuar, të tjerët ndërtojnë, udhëtojnë ose kryejnë rituale të pashpjegueshme. Filmi flet se si në interaktivitet apo jo, secili mund të ndikojë jetën e tjetrit.

Në kategorinë e filmave ballkanikë ka triumfuar filmi “My Father’s Damn Camera” i regjisorit serb Milosh Tomiq. Në film ai përmbledh një tregim që ndërthur animacionin e vizatuar me dorë dhe me teknikën e “stop-animation” në teknikën e kolazhit. Autori në rreth gjashtë minuta e shëtit audiencën nëpër arkivin e fotografit slloven Dragisha Modrinjak. Për më tepër, shpërfaq edhe një raport jo fort të zakontë të një babai fotograf me të birin e tij nevrik që kërkon vazhdimisht vëmendjen e babait. Në këtë garë kanë qenë edhe filmat e animatorëve kosovarë “Shpija” i Flaka Kokollit dhe “Magneti” i Arvan Berishës. “Shpija” i animatores se parë profesioniste në Kosovë, Flaka Kokolli, është vlerësuar me mirënjohje të veçantë në këtë kategori nga juria e përbërë prej: Michaela Rezovà, Kate Jessop, Gala Frécon.

Kokolli ka thënë se ndihet e privilegjuar për këtë shpërblim pasi që vjen nga një festival që e zhvilloi atë si animatore dhe e bëri animacionin të pranishëm në Kosovë.

“Ishte ndjenjë shumë e mirë, sepse ‘Anibari’ në njëfarë mënyre e ka bërë të mundur komplet procesin e animacionit dhe ma ka dhënë mundësinë mua të zhvillohem”, ka thënë Kokolli për KOHËN. Juria në përbërje të njëjtë ka vlerësuar filmin “Goodbye Jerome!” të regjisorëve Gabrielle Selenet, Adam Sillard, Chloe Farr, si më të mirin në kategorinë e filmave të studentëve. Filmi trajton historinë e Xheronit që në kërkim të gruas së tij në parajsë futet në një botë plot ngjyra e krejt sureale.

Kategoria e audiencës se re, që ka qenë program i ri garues në këtë edicion, ka nxjerrë fitues filmin “Old Gramophone’s Ghostly Tones” të regjisorëve Zuzana Çupova, Martina Tomkova dhe Krystof Ulbert. Juria e audiencës së re, që ka ndarë këtë çmim, është përbërë nga Vullnet Lleshi, Gent Canal, Diellza Hyseni, Albana Hajdini e Aida Sina. Filmi shtjellon historinë e dy hajdutëve që në fakt nuk duan të vjedhin, por gjithçka që dëshirojnë është të vallëzojnë. Megjithatë, shefi i tyre i keq nuk e aprovon këtë dhe ata duhet të dënohen që të hyjnë në një pallat të braktisur.

Një histori tjetër me vallëzimin është edhe ajo e filmit “Cimpoiasca” i Barbora Halirovas që është përzgjedhur si filmi më i mirë video-muzikor në “Anibar”. “Cimpoiasca” është një animacion video-muzikor që përdor motive folklorike për të treguar historinë e miqësisë së pastër të një gruaje. Me ndihmën e kërcimeve të çmendura, këto gra arrijnë të kapërcejnë një makth të vogël.

Në kategorinë e filmave për të drejtat njeriut ka dalë triumfues filmi “Night” i regjisorit Ahmad Saleh, që e kthen vëmendjen te pagjumësia që sjell pluhuri i luftës dhe ankthi që përjetohet ditëve të tilla. Aty vizualizohet se si nata sjell paqe dhe gjumë për të gjithë njerëzit në qytetin e shkatërruar, përveçse për nënën që ka humbur fëmijën. Filmat në këto dy kategori janë përzgjedhur nga juria në përbërje të Michaela Mihálvi, Edvin Susuri dhe Alexis Shigeru Hunot.

Solidarizimi me Ukrainën edhe nëpërmjet ekranit të madh

E tema e luftës në Ukrainë ka qenë e pranishme në tavolina diskutimi, ekran e në skenën muzikore edhe nëpërmjet këtij edicioni të “Anibarit”. Anastasiya Verlinska, drejtoreshë e festivalit të animacionit në Ukrainë – “Linoleum”, ka sjell një program të kuruar filmash që janë krijuar në Ukrainën e paraluftës. Rrëfime nga atje të qëndisura në animacion që përfshijnë emigracionin e përpjekjet për shpëtim të heroit kanë mbërritur në Pejë nëpërmjet ekranit që në ditën e hapjes kur edhe janë përcjellë mesazhe solidarizimi me shtetin e pushtuar. Edhe në ditën e mbylljes gjatë ditës janë shfaqur filmat e njëjtë në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë.

Image
“Shpija” i animatores se parë profesioniste në Kosovë, Flaka Kokolli, është vlerësuar me mirënjohje të veçantë në garën ballkanike

Tradita që vazhdon për gjeneratë të re aminatorësh

“Anibar”, që festoi 13-vjetorin, rrugëtimin po e ndërton mbi bazën e fortë prej nga dalin gjenerata të reja të animatorëve. Traditën e ka dëshmuar edhe në mbrëmjen përmbyllëse të këtij edicioni me shpërblimin e veçantë nëpërmjet të cilit do ta mbështesin një prej projekteve të propozuara në kuadër të këtij edicioni.

“Anibari” së bashku me “Anidox” do t’i japin mundësi realizimi një prej projekteve të animatorëve të rinj. Sipas drejtorit ekzekutiv të organizatës “Anibar”, Vullnet Sanaja, takimet e viteve të fundit me studentë të akademisë së animacionit kanë rezultuar si takimet më shpresëdhënëse për gjithë industrinë e animacionit.

Nora Jusufi me filmin “Shkencat Kompjuterike” është ajo që do ta zbatojë projektin e saj në kuadër të këtij shpërblimi.

“Vitin e kaluar e kemi pasur një prezantim ku kanë shfaqur punën pjesëtarët e akademisë së animacionit, të cilët na kanë dhënë zemër. Këtë vit kemi vendosur t’i ftojmë këta studentë që t’i prezantojnë projektet e tyre në mënyrë që t’i përkrahim”, ka treguar Sanaja para të pranishmëve.

Për shtatë ditë “Anibari” edhe në të 13-in vit e ka zgjuar kureshtjen e qytetarëve për botën e animacionit. Kjo, duke u ofruar një meny të pasur filmash që në animacion ndërthurin kreativitetin e animatorëve që krijojnë në vendet të ndryshme të botës. Dhe me lirinë e madhe që ua krijon ky zhanër i filmit – edhe në ambiente më të pazakonshme. Këtë e dëshmojnë rrëfimet e animatorëve që ditët e “Anibarit” i kanë nisur pak më larg kinemasë – në kafe ku i kanë hapur portat e botëve të tyre krijuese.

Një vëmendje më të madhe te veprimet e pavetëdijshme të rrënjosura në besëtytni e ka kthyer këtë vit me temën “Besëtytnitë”. Disa prej “besëtytnive” që pjesëmarrësit u besojnë i kanë ndarë edhe nëpërmjet videos me të cilën e kanë hapur mbrëmjen përmbyllëse të “Anibarit”. Animatorë të huaj që kanë ndarë disa eksperienca dëshmojnë që “besëtytnitë” nëpër kultura të ndryshme janë të përafërta. Në fjalim është vënë fokusi edhe te patkonjtë në dyert e dyqaneve në Çarshinë e Madhe si simbol për t’i mbrojtur nga syri i keq.

“Sado që të çuditshme janë këto besëtytni, neve na kanë dhënë shumë tema për diskutim”, ka thënë Era Hyseni, në hapje të ceremonisë përmbyllëse. Përditë, ekipi i “Anibarit” ka publikuar një animacion që edhe për audiencën virtuale ta bëjë temën më të prekshme.

Drejtoresha e festivalit, Arba Hatashi, ka vlerësuar si një edicion të suksesshëm të “Anibarit” nëpërmjet të cilit kanë zbatuar rreth 65 aktivitete.

“Një prej aspekteve kryesore të këtij edicioni është se është fokusuar sa më shumë në industrinë e animacionit dhe zhvillimit të saj qoftë me programe të filmit dhe edukimit. Nëpërmjet tyre jemi duke u munduar ta stimulojmë prodhimtarinë e filmit në vend”, ka thënë Hatashi për KOHËN.

Përveç animatorëve profesionistë, sivjet “Anibari” ka ndezur projektorin edhe me krijimet e fëmijëve dhe të rinjve. Katër punëtori që janë mbajtur me profesionistë të fushës kanë rezultuar në krijimin e mbi 40 animacioneve, të cilat janë shfaqur para ceremonisë në kinemanë “Jusuf Gërvalla”. Aty audiencë kanë qenë vetë fëmijët. E puna e tyre është shfaqur edhe në mbrëmjen përmbyllëse.

“Anibari” tash i ka sytë drejt edicionit të 14-të për të hapur portat e animacionit edhe për gjenerata që i ka bërë më të afërt se kurrë me këtë zhanër filmi.