Kulturë

Rrëfimet palestineze përtej platformave digjitale bashkohen në botime

Gaza

Lufta nuk i ka ndaluar të rinjtë në Gaza të shkruajnë për përvojat e tyre nëse ka veç një gjë, kjo ka intensifikuar nevojën e tyre për të komunikuar (Foto: AFP)

Gazetari i lindur në Gaza e që jeton në Mbretërinë e Bashkuar, që ka humbur më shumë se njëzet anëtarë të familjes nga sulmet ajrore të Izraelit, shpalos mozaikun e rrëfimeve të palestinezëve të rinj duke i koleksionuar ato në një libër të ri me titull “Gaza, it breaks my heart to see you in this state: three stories from young Palestinian writers“ (Gaza, më thyhet zemra t’ju shoh në këtë shtet: tri rrëfime nga shkrimtarë të rinj palestinezë). 

Më 22 tetor 2023, një sulm ajror izraelit goditi shtëpinë e Ahmed Alnaouq në Deir al-Balah në qendër të Gazës, duke vrarë 21 anëtarë të familjes së tij, përfshirë babanë e tij 75-vjeçar, dy vëllezër, tri motra dhe gjithë fëmijët e tyre. 

Në atë kohë Alnaouq jetonte në Londër ku punonte si gazetar dhe si aktivist i të drejtave të njeriut.

“Më ka thyer”, ka thënë ai për sulmin. Në pamundësi për t’u kthyer në shtëpi dhe i pafuqishëm, ai vetëm mund të shihte nga larg dhe të mërzitej i vetëm. Më pas ai thotë se nuk është zemërimi apo urrejtja që e konsumon tani, por faji i tij si i mbijetuar. “Gjithë kohës mendoj: Pse? Pse po jetoj? Pse nuk u vrava bashkë me familjen time?”.

E vetmja arsye që ai mund ta mendojë, siç thotë, është se kështu do të mund t’ia tregonte këto histori botës. 

Tetë vjet më parë, Alnaouq do të bashkëthemelonte një platformë që u jepte mundësi palestinezëve të rinj të Gazës të shkruanin për jetën e tyre për një audiencë ndërkombëtare. Filloi pas një sulmi tjetër ajror që kishte marrë jetën e vëllait të tij më të madh Ayman dhe katër miqve të tij gjatë luftës shtatëjavëshe në Gaza në verën e vitit 2014. 

“Ai incident më goditi shumë, shumë”, thotë ai në heshtje nga zyra e tij në Londër. “U zhyta në një depresion të thellë. Doja të vdisja. Me të vërtetë po prisja momentin që të vdes, në mënyrë që të mund të bashkohem me vëllain tim dhe thjesht të largohem nga kjo jetë”. I mpirë ai pa edhe më shumë vdekje që raportoheshin në media – gjashtë, tetë, dhjetë të tjerë të vrarë – shumë pak ndjenjë për njerëzit e masakruar, më shumë numra. 

Dikë që ai takoi në Gaza vite më parë, një gazetare dhe aktiviste amerikane me emrin Pam Baily, i dërgoi mesazh në “Facebook” duke e pyetur se si ishte. “I thashë: Jam mirë. Ajo tha: Jo, më trego drejt. Më trego si ndihesh pasi humbe vëllain. Kështu që i thashë: Jam shumë, shumë i mërzitur. Po kaloj tërë kohën te varri i vëllait. Kur jam vetëm, shpërthej në lot”. 

Me qëllimin për t’i ndihmuar të kalonte depresionin dhe pikëllimin e tij, Bailey i sugjeroi Alnaouq të shkruante në anglisht një rrëfim për vëllain. 

“Në fillim thashë jo. Anglishtja ime nuk ishte shumë e mirë”. Por më pas ai u pajtua. Mori kohë tre muaj ta shkruante një draft, Bailey ta dërgonte për redaktim të detajuar në mënyrë që rrëfimi të merrte formë. Kur u bë gati, Bailey e publikoi atë në internet. 

“Kjo ndryshoi jetën time”, thotë Alnaouq. “Për të parën herë mora mesazhe simpatie dhe mbështetje nga njerëzit jashtë Gazës. Në mendjen time kisha se të gjithë perëndimorët nuk pëlqenin palestinezët. Se nuk donin të lexonin historitë tona. Por doli që ma dëshmuan të kundërtën. Kjo më rriti besimin dhe më bëri të ndiej se isha gabim kur thashë se nuk ka shpresë në këtë jetë”. 

Të impresionuar nga ndikimi i punës së tyre, Alnaouq dhe Bailu patën një tjetër ide: “Pse nuk e përsërisim këtë përvojë për njerëzit e tjerë që humbën të dashurit e tyre në Gaza? Pse nuk e krijojnë një platformë ku të rinjtë mund të tregojnë historitë e tyre në anglisht dhe t’i ndajmë ato me botën?”, ka thënë Alnaouq. Platformën e quajtën “We Are Not Numbers” (WANN), në shqip “Ne nuk jemi numra”. 

Filloi në vitin 2015 me njëzet shkrimtarë të rinj – shumë prej të cilëve studentë të letërsisë angleze si Alnaouq – të ndihmuar nga mentorë vullnetarë nga e gjithë bota. Ata shkruanin për vështirësitë dhe humbjet, apo ndjenjat e zemërimit, dëshpërimit dhe frikës përballë sulmeve të përsëritura izraelite. Ata gjithashtu kanë shkruar rreth gjërave që donin në atdheun e tyre, pavarësisht bllokadës në Gaza, mungesës së vendeve të punës e përkeqësimit të gjendjes së varfërisë. “Ne inkurajojmë shkrimtarët tanë të rinj të shkruajnë për bukurinë e vendit”, ka thënë Alnaouq. 

“Për mënyrën se si njerëzit në Gaza janë miqësorë dhe mikpritës, për kulturën, xhamitë, kishat dhe varrezat – për të gjitha aspektet e jetës”, ka shtuar ai. Qëllimi, si dhe ofrimi i një forme terapie për të rinjtë e traumatizuar së bashku me lidhjet jetike me botën e jashtme ishte të “thyheshin stereotipat” për Gazën për audiencën ndërkombëtare të mësuar ta shihte në lajme “këtë vend të pluhurosur dhe të tmerrshëm”. 

Projekti filloi. “Ne u mahnitëm se sa të talentuar ishin shkrimtarët e rinj në Gaza”, ka thënë Alnaouq. “Çdo gjashtë muaj ne rekrutonim 20 ose 30 të tjerë. Ne i trajnonim të shkruanin dhe i ndihmonim me anglishten e tyre. Përgjatë dhjetë vjetëve të fundit kemi botuar më shumë se një mijë e 500 tregime dhe poezi”. Në këtë mes është edhe poeti i vlerësuar me çmime, Mosab Abu Toha si dhe gazetari i “Al-Jazeeras”, Hind Khoudary. 

Tash Alnaouq dhe Bailey kanë mbledhur 74 rrëfime që kanë veçuar nga dekada e fundit, në një libër prekës të titulluar “We Are Not Numbers: The Voices of Gaza’s Youth” (Ne nuk jemi numra: Zërat e të rinjve të Gazës). Çdo kapitull mbulon një vit me ngjarje të mëdha të sjella nga një këndvështrim shumë personal. Në vitin 2015, pas shkatërrimit të verës paraprake si rrjedhojë e luftës, një shkrimtare, Nada Hammad, vëzhgon “kanavacën e së hirtës” në të gjithë Gazën duke dhënë vendit “spërkatje të vogla ngjyrash” – një mur i lyer me të bardhë, grafite që zënë vend në banesa të përkohshme. “Ishte një deklaratë e mbijetesës, jo një luftë për të harruar”, shkruan Hammad. 

Vitet në vazhdim sjellin dhunë dhe përçarje të mëtejshme, por edhe përpjekje për të jetuar normalisht midis kaosit. Një shkrimtar përshkruan përpjekjet e mikut të tij për të ndjekur dashurinë e tij për astronominë në një vend pa një teleskop në të cilin mund të kesh qasje. Dëgjohet për kompleksitetin bizantin të blerjeve në internet mes bllokadës dhe zhgënjimit të një gruaje të re që zhvendoset me familjen e saj nga Abu Dhabi, e cila më pas ndeshet me rërën në ujë dushi dhe me ndërprerjet e energjisë elektrike që zgjasin 18 orë. Mospëlqimi për atdheun e prindërve të saj në fillim gradualisht zbutet në respekt për njerëzit që kuptojnë shumë mirë “se si t’ia dalin duke pasur shumë pak”. 

Në kohën e sulmeve të Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023, Alnaouq jetonte në Mbretërinë e Bashkuar. Ishte zhvendosur atje në vitin 2019 me një bursë prestigjioze për të studiuar gazetarinë në nivelin master në Leeds. Pas diplomimit punoi në Ambasadën e Palestinës në Londër. Më pas mori përsipër detyrën si drejtor ndërkombëtar në platformën që krijuan, që më parë e mbante Bailey. Ai gjithashtu drejton një “podcast” të quajtur “Palestine Deep Dive” dhe udhëton në shumë vende për të dhënë fjalime. 

Më 22 tetor të 2023-s ndodhi bombardimi izraelit që vrau 21 anëtarë të familjes së tij. 

Këtë herë, ndryshe nga viti 2014, Alnaouq kishte një mënyrë për të komunikuar humbjen e tij me audiencën globale. “Kur ndodhi ky bombardim, menjëherë shkrova në rrjete sociale dhe fillova të shprehja atë që ndodhi me familjen time dhe mora shumë vëmendje mediatike”. Kjo përgjigje e nxiti atë të zgjeronte shtrirjen e platformës përtej internetit. “Ne menduam: Tani është mundësia jonë. Jo vetëm se do të kemi rrëfimet tona online por do t’i vendosim ato në një libër, në mënyrë që më shumë njerëz të kuptojnë se çfarë është duke ndodhur”. 

Katër kontribuues për librin, përfshirë Mahmoud, vëllain e Alnaouq, janë vrarë në Gaza që nga tetori i 2023-s. “Është detyra jonë që t’i bëjmë të pavdekshme rrëfimet e tyre, në letër”. 

Lufta nuk i ka ndaluar të rinjtë në Gaza të shkruajnë për përvojat e tyre nëse ka veç një gjë, kjo ka intensifikuar nevojën e tyre për të komunikuar. “Tani ne botojmë mbase tri herë më shumë histori se më parë. Shumica nga ata që shkruajnë kanë humbur shtëpitë e tyre. Kanë humbur laptopët. Nuk kanë energji elektrike dhe qasje në internet. Ata shkruajnë rrëfimet në telefonat e tyre, presin disa ditë për lidhje interneti dhe na i dorëzojnë. Çdo muaj ne publikojmë 35 deri 40 rrëfime”, ka thënë Alnaouq.
“Ne po kronikojmë historinë në Gaza, jo me fakte, statistike dhe lajme, por nga eksperiencat që njerëzit kanë përjetuar. Nuk është një projekt polik: është një projekt njerëzor”.