Kulturë

“Rrëfime për Kosovën” si libër i historisë së shkruar nga dëshmitarët

Në serinë e dokumentarëve personazhet nuk janë të vetëm, por bashkëjetojnë në kohë. Plotësohen edhe me shkrime e elemente të tjera përcjellëse dhe bëhen bashkë për të përkufizuar kohën për të cilën flitet. Dokumentimin e historisë, “pa censurë, pa politikanë, pa historianë”, siç është motoja me të cilën nisi puna e dokumentarëve, regjisori Famir Lama s’e lë vetëm me produksionin unik televiziv. Atë e sjell edhe në libër. Të enjten, Botimet KOHA ka përuruar “Rrëfime për Kosovën II”

Janë 98 personazhe që nëpërmjet rrëfimeve shikuesin e kanë kthyer në kohë. Kur drita e kuqe e kamerës ndizet, personazhet veç janë të gatshëm për të hapur kapitujt e së kaluarës, aq sa mund të mbështeten në kujtesën e tyre. Ndonjëherë pikërisht janë këto rrëfime që shuajnë dritat e harresës. Kur kujtimet gjejnë udhën nëpërmjet fjalëve, jo rrallë plotësohen nga lotët e rrëfimtarëve.

Në serinë e dokumentarëve personazhet nuk janë të vetëm, por bashkëjetojnë në kohë. Plotësohen edhe me shkrime e elemente të tjera përcjellëse dhe bëhen bashkë për të përkufizuar kohën për të cilën flitet. Mimika e qartë e tyre në raport me historinë që rrëfejnë shkon përtej fjalëve. Në serinë e dokumentarëve “Rrëfime për Kosovën” fytyrat ndërrohen e përjetimet kanë të përbashkët kohën në të cilën kanë ndodhur.

Tash ato synojnë lexuesin nëpërmjet botimit “Rrëfime për Kosovën II” të autorit Fatmir Lama, i cili është promovuar të enjten në kafe-librarinë “KOHA”. Me këtë libër, Botimet KOHA ua dhuron lexuesve të shkruara historitë që janë ekranizuar në nëntë episode nga puna në terren. Aty përballë tyre ka qenë përherë regjisori Fatmir Lama, i cili në asnjë dokumentar nuk dorëzohet deri në momentin kur e plotëson mozaikun e rrëfimeve. Nuk bën kompromis me asgjë, pavarësisht sa mund t’i marrë kohë kjo. Fatmir Lama, i cili punon që dy dekada në Kohavision, ka thënë se ëndrra për realizimin e dokumentarëve iu realizua atëherë kur ishte gati të dilte në pension. Për këtë mori zemër pasi që në Kohavision gjeti lirinë e punës për ta thënë të vërtetën pa censurë.

“Një gjë e di, që kudo që kam punuar mbikëqyrja dhe censura ka qenë ajo e cila e ka frenuar punën dhe nuk ka lënë ta them të vërtetën. Në ‘KOHA’ e kam gjetur një frymë ndryshe. Gjatë kohës sa isha producent i programit të mëngjesit, Vetoni dhe Flaka kurrë nuk më kanë pyetur: ‘Përse e ftove këtë ose atë’. Filloi ndërrimi i bindjes se mund të thuhet e vërteta”, ka thënë Lama në promovimin e librit.

Image
“Një gjë e di, që kudo që kam punuar mbikëqyrja dhe censura ka qenë ajo e cila e ka frenuar punën dhe nuk ka lenë ta them të vërtetën. Në ‘KOHA’ e kam gjetur një frymë ndryshe”, ka thënë regjisori Fatmir Lama në përurimin e librit të tij “Rrëfime për Kosovën II”

Në librin më të ri të Botimeve KOHA mund të lexohen rrëfime rrëqethëse që janë pjesë e kujtimeve të njerëzve që kishin qenë pjesë e historisë derisa ajo po zhvillohej, pavarësisht profesionit dhe pavarësisht pozitave politike që i mbanin. Libri në 180 faqe jep një pasqyrë autentike të zhvillimeve historike të periudhës më të ndjeshme në të cilën ka kaluar populli i Kosovës.

“Është histori e cila është shkruar nga njerëzit të cilët e kanë përjetuar dhe më pas e kanë folur edhe për historinë dhe njëkohësisht edhe e kanë parë atë histori”, ka thënë krejt në fillim redaktorja e librit Flaka Surroi.

Drejtoresha menaxhuese e Grupit KOHA ka shpjeguar për të pranishmit detajet e secilit kapitull që përmban libri. Sipas Surroit, “Kufiri i vuajtjeve” është kapitulli i parë që përshkruan kohën kur kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës kishte qenë i hekurt dhe vështirë i depërtueshëm. Aty janë të rrëfyera kujtimet prekëse të familjarëve që kishin qëndruar të ndarë për tri a katër dekada. Të bindur nga iluzionet e tyre e të dëshpëruar nga Jugosllavia ia kishin mësyrë kufirit ilegalisht. Në Shqipëri e kishin pësuar më keq. Sipas redaktores së librit, kapitulli “Të zhgënjyerit” zhytet në rrëfimet autentike të të dërrmuarve nëpër burgjet e Enver Hoxhës. Kapitulli tjetër shkon në një kohë më të ndritshme se ajo paraprake.

“Zbutja e raporteve mes shtetesh solli hapjen e kontrolluar të kufijve dhe rastin e parë që familjarët nga të dyja anët e kufirit të ritakoheshin pas shumë dekadash. Ishin rastet e para në të cilat ndodhte çmallja dhe kur familjarët, jo rrallë, njiheshin mes vete thuajse për së pari”, ka thënë në fjalën e saj Surroi. Kapitulli me titull “ Bashkëpunimi” flet për përpjekjet e para për themelimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në sferat e arsimit, të kulturës e shkencës. Kapitulli i radhës “Përparimi” ndalet te koha e lulëzimit dhe investimit në shkolla, në institucionet shëndetësore, për të kulmuar më pas me investimet në industrializim dhe punësim. Ky kapitull flet për vitin 1969, kur Ligji Kushtetues i Kosovës (ende jo Kushtetutë) i dha kompetenca të zgjeruara Kosovës në të tri shtyllat e pushtetit. Kapitulli tjetër lëviz në vitin 1974, viti kur u miratua Kushtetuta e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës.

“’Kushtetuta 1974’, siç titullohet kapitulli i 17-të i serisë, zbulon se miratimi i saj ishte në fakt fillimi i një lufte të kamufluar dhe të përgatitur gjatë nga qarqet nacionaliste serbe, për ta rrënuar si atë ashtu edhe autonominë në Kosovë”, shkruhet në përshkrimin e këtij kapitulli nga Surroi. Në kronologjinë e ngjarjeve që ndjek seria e dokumentarëve, kapitujt e radhës me titujt “Demonstratat 1981”; “Zgjimi i popullit” dhe “Shembja e iluzioneve” mbledh në një vend rrëfimet autentike që dëshmojnë për prapaskenat e protestës së vitit 1981. Pasojat nuk ishin të lehta. Shumë të rinj përfunduan prapa grilave. Kapitulli “Triumfi mbi dhunën” nxjerr në pah anët më të errëta që lidhen me këto përjetime, duke e përmbyllur pjesën e dytë të serisë me rrëfime rrëqethëse.

“Pak e folur, porse shumë e rëndë, ka qenë burgosja e vajzave të mitura që kanë marrë pjesë në demonstrata, ose kanë vazhduar me aktivitete politike ‘në ilegale’ deri më 1984, kur edhe janë arrestuar”, ka thënë Surroi në fjalën e saj para të pranishmëve.

Sipas saj, ky libër nuk do të bëhej pa serinë e dokumentarëve, e cila u realizua me përkushtim nga autori, ekipi realizues dhe nga rrëfimtarët. Shumë prej këtyre rrëfimeve po të mos ishin pjesë e serive të dokumentarëve do të mbeteshin të parrëfyera.

Image
“Është histori e cila është shkruar nga njerëzit të cilët e kanë përjetuar dhe më pas e kanë folur edhe për historinë dhe njëkohësisht edhe e kanë parë atë histori”, ka thënë krejt në fillim redaktorja e librit, Flaka Surroi, drejtoreshë menaxhuese e Grupi KOHA

“Për fat të keq, deri në transmetimin e këtyre nëntë episodeve humbëm disa nga rrëfyesit, për shkak të sëmurjes apo moshës. Na lanë prapa rrëfime të jashtëzakonshme autentike, që do të ishte mëkat po të mos ishin incizuar me kamerë”, ka thënë në fjalën e saj redaktorja e librit Flaka Surroi.

Lama ka thënë se kishte punuar me ritëm të ngadaltë, por që kjo nuk e kishte zmbrapsur përkrahjen për realizimin e 22 episodeve. Regjisori Lama ende po punon në seri të radhës për të sjellë rrëfime po aq rrëqethëse.

Fatmir Lama për një kohë ka punuar si asistent i regjisë në Zagreb. Në Televizionin e Prishtinës u kthye me një përvojë mjeshtërie të regjisë televizive, duke realizuar seri dhe emisione të veçanta dokumentare, por edhe transmetime të drejtpërdrejta televizive nga studio apo terreni, spektakle artistike, ngjarje sportive. Më 1984 realizoi transmetime televizive të kërcimeve me ski nga Olimpiada e Sarajevës, për gjithë rrjetin botëror. Në Televizionin e Prishtinës punoi deri në mbylljen e tij dhe përjashtimin me dhunë të punëtorëve shqiptarë më 1990.

Libri, ashtu si dokumentarët, bazohet në argumente të cilat personazhet i rrëfejnë si dëshmitarë të kohës. Fotografitë e tyre janë pjesë e librit.

Shqipe Dumoshi është një prej personazheve, e cila shpreson që puna e Lamës të jetë shembull për gjeneratat e reja.

“Të shërbesh si shembull për gazetarët hulumtues, për historianët, sepse toka jonë në çdo pëllëmbë është e larë me gjak, si nëntoka dhe mbitoka, kemi fakte vetëm se duhet t’i vendosim me shkrim”, ka thënë Dumoshi në ceremoninë e përurimit të librit më të ri të Botimeve KOHA. Në dokumentar ajo sjell rrëfimin e saj për demonstratat e vitit 1968 për të cilat familja Dumoshi, ka qenë një prej organizatorëve kryesorë.

Vëllimi i dytë i “Rrëfime për Kosovën” vjen pas atij të parit, i botuar në dhjetorin e vitit 2017, që sjell në formë të shkruar 12 episode – dhe të dy gjenden në kafe-librarinë “KOHA” në rrugën “Sylejman Vokshi”, në Prishtinë.

Ka qenë shkurti i 2014-s kur “Rrëfime për Kosovën” nisi rrugëtimin e transmetimit në Kohavision dhe u çmua si produksion unik në televizionet shqiptare. Pas 12 episodeve, në shkurt të vitit 2017 nisi transmetimi i ciklit të dytë me gjashtë episode, për të vazhduar edhe me ciklin e tretë në shkurt të 2019-s me episode për historinë e viteve ’60 e ’70 e deri në ngjarjet e pranverës së vitit 1981. Në prillin e vjetëm erdhën edhe tri episode të reja, e regjisori Lama po punon në kapitujt e radhës.