Për gjithsej 18 dokumentarë në tri cikle janë shkrirë 12 vjet punë pandërprerë. Edhe dy vjet punë morën tri episodet e reja të ciklit të katërt të “Rrëfime për Kosovën”, me skenar dhe regji të Fatmir Lamës. Fokusohen te ngjarjet e 81-tës. Sonte prej orës 20:40 në Kohavision me episodin e titulluar “Zgjimi i popullit”, nis i pari për të vazhduar me atë që titullohet “Shembja e iluzioneve” dhe “Triumfi mbi dhunën”. Kësisoj për tri javë rresht, të premtave vazhdon zbardhja e së vërtetës, me dokumentarë, pa censurë
Përkushtimi për të dritësuar të vërtetën është paqja me veten, me të tjerët e me historinë. Në një nga këndet e editimit në KOHA, regjisori e gazetari Fatmir Lama nuk e ndien as peshën e punës dhe as atë të viteve.
76 vjet mbi supe nuk e mpakin elanin e tij për të qëmtuar nga muaj, vite e dekada të së kaluarës lëndën e parë që krijoi historinë shqiptare të Kosovës.
“Gëzohem kur lodhem”, thotë Lama me një buzëqeshje që ia ndriçon fytyrën. Në kongruencë me përpikërinë e disiplinën në punë, edhe zyra e veshur me xhama shquan nga rregulli, organizimi e të dhënat e mirërenditura me pedanteri.
“Rrëfimet për Kosovën: 40-vjetori i demonstratave të 1981-tës” nga cikli i tretë, i transmetuar të enjten e kaluar në emisionin “Desku” të KTV-së, ku Lama qe edhe i ftuar, ishte si një lloj paralajmërimi për tri episodet në ardhje, që nisin të shpalosen sonte me premierën e atij që titullohet “Zgjimi i popullit”.
Ajo që filloi më 2014, tashmë ka krijuar një soj të ri në dokumentaristikën televizive. Nuk është formati klasik ku gazetari rrëfimtar e kap për kapistre publikun.
“Dokumentarët faktografikë – shpjegon qetë-qetë Lama – kanë një dimension krejt tjetër”.
I liruar nga teksti autorial, dokumentari është një melanzh vivid rrëfimesh e protagonistësh që u gjendën në gjeratoren e zhvillimeve të historisë.
“Për të thënë të vërtetën duhet pasur argumente”
“Alkimia” e ustahit është fare e thjeshtë, por principiele: “Për të thënë të vërtetën duhet pasur argumente”, thotë me një ton lakonik.
Teksa po merr konturet episodi i radhës me intervista, fotografi e pamje të marra taze nga vendngjarjet, dokumentari në “embrion” ka vënë fokusin te 1984-a. Në ekran shfaqet një fotografi nxënësish miturakë nga Gjimnazi i Pejës që do të bëheshin subjekt i keqtrajtimeve e burgosjeve në një kohë kur realitetet e reja po murrëteheshin.
“Janë nxënës 15-vjeçarë që në dëftesa kanë sukses të shkëlqyer. Veç kjo mjafton që të kuptosh sinqeritetin e kërkesave të tjera”, thotë Lama që nuk e fsheh empatinë për secilin rrëfim që sikur bëhet titër për ngjarje që palëzohen në histori.
Demonstratat e 81-tës zgjatën disa muaj, porse gjithçka pas tyre ishte si ligji i Thomit për katastrofat: para tyre nuk kishte asgjë, pas tyre erdhi gjithçka. Është një trajektore e njëjtë që si pe i kuq përbashkon vitet e kësaj dekade. Siç shpjegon ustahi fjalëpakë, “vetëm nga 1981 deri më 1988 u burgosën 3600 veta”.

“Kur shqiptarët bëheshin bashkëpunëtorë”
Në rrëfim e sipër me sytë që treten në kohë, Lama – që si fëmijë i përjetoi vitet e rënda të represionit të njeriut të dytë të Jugosllavisë, të frikshmit Aleksandar Rankoviq – thotë se kishte menduar që dhuna ndaj të vegjëlve i takonte një të kaluare që nuk kthehej më.
“Kurrë mos thuaj kurrë”, është si një zë i shurdhër që nënkuptohet nga kjo bisedë. Dara e represionit po shtrëngonte edhe më shumë: skena politike e ngreha institucionale në Kosovë po rrallohej gjithnjë e më fort nga udhëheqës e kuadro shqiptarë e po mbushej me serbë.
“Por çudia më e madhe është se Sekretariati i Punëve të Brendshme gjente ende shqiptarë që i zbatonin urdhrat”, thotë ai me një ton të qetë e që jep njëfarë revolte.
Nuk i shqitet nga mbamendja rrëfimi i njërit nga të intervistuarit në qelitë e ftohta të qendrave të ndalimit. Kur e pa se nuk po jepej para dhunës, inspektori serb i shkrofëtiu të riut shqiptar se “do të dërgojë tek të tutë” – një aluzion për hetuesit shqiptarë e vrazhdësinë e tyre.
Në fillimvitet ’50, imazhi për shqiptarët në Jugosllavi mezi shkëputej nga ai i sharrëxhinjve, atyre varfanjakëve që fitonin me këtë zanat bukën e gojës. Me kalimin e viteve, shqiptarët po bëheshin gjithnjë e më prominentë në republikat jugosllave e me këtë po thyheshin paragjykime. Duke ndërmendur vitet e studimeve dhe punës në Zagreb, regjisori dhe gazetari Fatmir Lama, edhe si pensionist, po e kronikon një histori që harkohet 80 vjet pas. Autor i ciklit të dokumentarëve “Rrëfimet për Kosovën”, ai e cilëson pasionin e tij si një përjetim të veçantë për zbardhjen e të vërtetave të pathëna
“Njerëzit kanë guxim…”
Ishte dimri i vitit 2014 kur cikli i dokumentarëve “Rrëfimet për Kosovën” do t’ia bënte sefte në ekranet televizive, duke përmbushur imperativin që historia të jetë e kronikuar.
“Kam pasur fatin që episodet u bënë në një periudhë kur njerëzit kanë dëshirë e guxim për të thënë të vërtetën”, tregon Lama. Secili episod ka një ortë personazhesh origjinale: të burgosur politikë, veprimtarë, funksionarë të lartë, profesorë, mjekë…
“Filloi më 1941”
Në javët e fundit të prillit të 1941-s, trupat ushtarake italiane do të hynin në pjesën më të madhe të Kosovës, si dhe në disa vise perëndimore të Maqedonisë së sotme. Popullata shqiptare, e cila prej fundit të vitit 1912 u gjend mes kudhrës dhe çekanit të represionit serb e atij jugosllav, për herë të parë u bë pjesë e një tërësie shtetërore me Tiranën kryeqytet.
“Ishte një situatë ku fashizmi solli çlirimin e shqiptarëve”, thotë Lama teksa ndërmend fillin e ciklit të parë të dokumentarëve që kronikoi këtë histori të para 80 vjetëve.
Me këtë subjekt ishte ndërkalluar edhe në vitin 1979 në Televizionin e Zagrebit, aty ku punonte si gazetar. Asokohe, mediumi kroat po trajtonte Kosovën gjatë periudhës së fashizmit.
Për gjithsej 18 dokumentarë në tri cikle janë shkrirë 12 vjet punë e pandërprerë. Edhe dy vjet punë morën tri episodet e tjera që fokusohen për ngjarjet e 81-tës.
“Film dokumentar pa censurë, pa politikanë, pa historianë”, kishte qenë paralajmërimi para se të fillonte transmetimi i ciklit të parë të “Rrëfimeve për Kosovën” në shkurt të 2014-s. Brenda gjashtë episodesh në kohështrirje prej vitit 1941 deri më 1957 ishte kronikuar përmes rrëfimeve hapja e shkollave të para shqipe e deri te fillimi i procesit të shpërnguljes së organizuar të shqiptarëve për në Turqi.
Cikli i dytë i dokumentarëve – që nisi në shkurt të vitit 2017 – u pasua me episode për dhunën shtetërore në fundvitet ’50, burgosja e Adem Demaçit dhe grupit të veprimtarëve të parë, vitet e rënda nën terrorin e Rankoviqit, protestat për hapjen e Universitetit, si dhe hapja e këtij institucioni si një nga ngjarjet më të rëndësishme të viteve ’70.
“Kërcënimet veç më mobilizuan”
Mu kur kishte filluar transmetimi i këtij cikli dokumentarësh, autori Lama më 28 shkurt të vitit 2017 kishte pranuar një thirrje kërcënuese nga biri i Bislim Vatovcit, emri i të cilit qe lakuar në një nga episodet kur përmendeshin bashkëpunëtorët e dikurshëm të Serbisë. Menjëherë kishte reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, sipas të cilit kërcënimi qe i papranueshëm dhe se organet e drejtësisë duhej ta trajtonin sa më parë.
“Kam pasur disa herë kërcënime, por asnjëherë nuk më demoralizuan”, thotë shkurt Lama si për të dhënë të kuptohet që më shumë dëshiron të flasë për punën e pasionin që shkrin në këta dokumentarë.
Cikli i tretë i “Rrëfimeve për Kosovën” kishte vazhduar në shkurt të 2019-s me episode për historinë e viteve ’60 e ’70 e deri në ngjarjet e pranverës së vitit 1981.
Me pasionin e punës të shndërruar në virtyt, Lama është krenar që si pensionist po i lë publikut dokumentarë që strumbullohen rreth së vërtetës.
“E marr frymëzimin prej juve të rinjve”, thotë ai për të shtuar se është krenar që po e mbyll në këtë mënyrë karrierën e vet prej gazetari.
Teksa nuk e fsheh dëshirën që kjo punë të vazhdohet prej të tjerëve, Lama tashmë ka “kondensuar” këto histori edhe në mënyrë të prekshme. Ai ka vënë në dispozicion të Arkivit të Kosovës një dosje me materialet që ka grumbulluar gjatë punës për këta dokumentarë.
“I kam pasur gjithnjë dyert e hapura në Arkivin e Prishtinës, por edhe ai në Tiranë më ka ndihmuar”.
Në vitin 2017, Botimet KOHA kishin sjellë “Rrëfime për Kosovën” në formë libri: aty ishin transkriptuar rrëfimet e 75 njerëzve nga 12 episodet e dokumentarit.
“E vërteta mund të lëndojë disa”
Me 18 episode që janë vargisur njëri pas tjetrit dhe të tjera që do të bëhen tash e tutje, me qindra rrëfime njerëzish si lëndë e parë, fjalët e Lamës vërtet zbulojnë një dedikim absolut për “aletheia”, sikundër e quanin grekët e vjetër të vërtetën.
“E vërteta lëndon disa njerëz, madje kjo ndodh edhe brenda familjes e lëre më kur përmenden emra bashkëpunëtorësh. Nuk është vënë në dokumentar asgjë që nuk është e vërtetë. Në këtë kuptim, e kam ndërgjegjen e pastër”.
