Kulturë

Rona Nishliu në kuartet ringjall me jazz skenën e venitur të Prishtinës

rona nishliu

Prishtina është zbehur me të madhe sa i përket muzikës së gjallë. E sidomos kur bëhet fjalë për jazz, ani pse tash e dy vjet e ka ringjallur Prishtina Jazz Festivalin, pas një pauze prej një dekade. Koncerti i kuartetit të Rona Nishliut, rikthen ndjesinë e dikurshme dhe audienca duket ta ketë pritur një mbrëmje si kjo

Strehimorja e dikurshme, e tash shtatë vjet qendër e muzikës alternative, “Defy Them” është adresa që definon atë që mund të quhet subkulturë e Prishtinës. E ka dëshmuar këtë edhe me koncertin e kuartetit të Rona Nishliut i cili ka ringjallur një skenë jo pak të venitur, duke matur pulsin e audiencës së re, që vjen aty për muzikë cilësore. Një mbrëmje si kjo, bëhet “strehimore” e një skene dikur vibrante të muzikës jazz, jo vetëm në festivale të caktuara, por edhe në hapësira alternative

Me një qetësi që i vjen keq se po ndërhyn në një bashkëbisedim, ofrohet dhe pos me fjalë kërkon falje edhe me gjuhën e trupit. “Veç deshta me ta dhënë këtë letër”, i thotë vajza e re Rona Nishliut dhe ikën. Me laps me ngjyrë të kaltër i ka të shkruara nja katër a pesë fjali. Midis tyre edhe atë: “Je engjëlli im”. Letrën e nënshkruar me emrin Enkela vajza e re ia lëshon në dorë Nishliut në atë që njihet si prapaskena e ku Nishliu po pushonte pas interpretimit me bendin e saj në Prishtinë. Në atë moment Nishliu po fliste se si muzika jazz midis tjerash ta shton edhe durimin. E durim goxha në nivel kishte edhe audienca që ka mbushur hapësirën e “Defy Them” në kryeqytet për të dëgjuar kuartetin e Rona Nishliut e mban edhe ato që njihen si “jam sassion”. 

Prishtina është zbehur me të madhe sa i përket muzikës së gjallë. E sidomos sa i përket asaj jazz, ani pse tash e dy vjet e ka ringjallur Prishtina Jazz Festivalin, pas një pauze prej një dekade. 

Deri para pandemisë COVID-19 deri diku në disa lokale mund të gjendeshin bende të plota me nga katër a pesë veta që kanë interpretuar. Publiku mund të jetë ndarë në dysh: një pjesë që muzikën e shohin si pjesë të enterierit të lokalit e të tjerët që muzikën e kishin primare. 

“Prishtina Jazz Catz” një program në qendrën e  muzikës alternative “Defy Them” është duke u munduar t’u japë hov talenteve të reja të muzikës jazz por edhe për formimin e një audience të re. 
Të martën, në mbrëmjen e hapur nga kuarteti i Rona Nishliut audienca në masë të madhe ka qenë e re. Vërehet se ka njerëz të etur për këtë zhanër. Vokalistja Nishliu bashkë me Edon Ramadanin në piano, Kiril Tufekcievskin në kontrabas e Nesim Maxhunin në bateri, mbrëmjen e ka hapur me këngën “Me motive tonat”, pjesë e albumit me të njëjtin titull që e ka promovuar më 2015. Qenë këngët e vjetra të këtyre anëve ato që Nishliu me bashkëpunëtorë i kthyen në frymën e jazzit duke u dhënë dimension të shumanshëm. 

Me ndonjë zë të ulët në sallë, në fillim të koncertit audienca ka dëshmuar se muzika është primare. Katërshja me stilin e vet edhe e imponon njëfarë qetësie sikurse bashkëveprimin e publikut me interpretuesit. Nishliu ka paralajmëruar se do të interpretojnë këngë të dy albumeve “Me motive tonat” dhe atij “Mindil” të publikuar më 2019. Realisht prej 2019-s kuarteti s’ka pasur një koncert të plotë në Prishtinë. 

“Rruga që shkela dikur” me tekst të Jusuf Gërvallës, zbërthen kujtime për një fëmijëri të shekullit të kaluar. Në bazë të tekstit lidhet fort me anën e Dukagjinit prej nga vjen autori. Nishliu ka treguar se më këtë tekst është njoftuar më 2005 nga e veja e Gërvallës, Suzana Gërvalla. Është prej atyre këngëve që zgjon nostalgji edhe për fëmijërinë e rininë e gjithsecilit në publik, megjithëse teksti është shumë specifik. Kërkon qetësi absolute. Tingujt e jazzit në hapësirën jo të madhe të “Defy Them” e fusin publikun në një rrugëtim tejet intim dhe prekës që në muzikën e gjallë të kryeqytetit ka kohë që kjo ndjesi është venitur. 

Në kohë kur klubet e natës dhe muzika komerciale janë në maja dhe mungon ajo që shpesh vlerësohet si muzikë e mirëfilltë, gjeneratave të reja nuk u ofrohen mundësi as për t’i testuar shijet e tyre. Jazz ka shumë benefite. Rona Nishliu ka thënë se jazzi është forma më demokratike e bërjes muzikë  

Kurse “Moj e bukura Gjitone” krijon mundësi më të gjallë për publikun. E bën atë më të zhurmshëm, për të kthyer prapë qetësinë me “Mallëngjimi”. “Zhurmën” e rikthen “Moj e majr e hollë e gjatë”. Ritmi e bën të veten e sidomos kur bateritë janë në qendër. Duke parë deponimin e publikut, kuarteti ka vazhduar me interpretime më ritmike.

Interpretimi i kuartetit të Nishliut që i hapi rrugë “jam session” ku muzikantë të rinj interpretojnë e ndajnë skenën së bashkë e edhe me gjenerata të tjera, është prej ngjarjeve jo të shpeshta që u bën nikoqirllëk Prishtina. 

“Është aktivitet i domosdoshëm pasi skena ishte veç kafehania. Jo që nuk është fort adekuat interpretimi në kafe por tash këtu arsyeja për të cilën njerëzit vijnë nuk është kafehania por muzika”, ka thënë Nishliu pas performancës. 

Ka kujtuar se këtë traditë Prishtina e ka pasur por i është zbehur sidomos pas pandemisë COVID-19. Hapësira “Defy Them” në strehimoren e transformuar prej vitit 2018 në lagjen “Bregu i Diellit” dhe programin e kuruar nga muzikanti Visar Kuçi e ka përshkruar si një hap për ta nisur ringjalljen. 

“Mundësia për të bërë bashkë muzikë gjenerata të ndryshme është shumë e mirë për ata më të rinj dhe për ata me të vjetër. Është me benefit për të gjitha gjeneratat. Edhe të vjetrit mund të mësojnë shumë nga të rinjtë”, ka thënë ajo. 

Ka treguar se kanë zgjedhur këngë për një audiencë që vjen për muzikë, por meqenëse u bë më gjallë janë përshtatur me atmosferën në dy-tre këngët e fundit.

Në kohë kur klubet e natës dhe muzika komerciale janë në maja dhe mungon ajo që shpesh vlerësohet si muzikë e mirëfilltë, gjeneratave të reja nuk u ofrohen mundësi as për t’i testuar shijet e tyre. Jazz ka shumë benefite. Nishliu ka thënë se jazzi është forma më demokratike e bërjes muzikë. 

“Edhe nëse nuk i ke disa baza mund të vish në një ‘jam session’ dhe je i mirëpritur. Jazz-muzikantët të mirëpresin edhe nëse ke repertor të limituar në skenë. Ky zhanër i motivon të rinjtë dhe krejt muzikantët për të qenë më kreativë dhe për të dalë jashtë limiteve e kornizave. Ata që janë vetëmjaftu deri sot tash mund të eksperimentojnë e të gjejnë një karakter tjetër brenda vetes”, ka thënë ajo. 

E përshkruan zhanrin në të cilin interpreton si zhvillim të intelektit dhe karakterit. 

“Për publikun llojllojshmëria ka shumë rëndësi. Jazz është hapi i dytë pas muzikës klasike që audienca e pranon më lehtësisht si opsion për ta dëgjuar në raport me zhanret e tjera që janë më shumë për argëtim. Jazz ta zhvillon durimin e bashkëveprimin. Kjo është magjike dhe mendoj se është unike”, ka thënë Nishliu. Kuarteti i saj është goxha unik në skenën e muzikës shqiptare. 

Edon Ramadani që është edhe profesor universitar, dirigjent e kompozitor, ka thënë të jetë i lumtur për një hapësirë ku luhet jazz. E edhe më tepër për faktin se mosha mesatare e audiencës ishte rreth të 20-ve. Ka përmendur se ka rënë goxha praktika e interpretimit të gjallë në jazz e edhe në zhanre të tjera. 

“Tash s’ka ndonjë lokal ku ka bende të plota që interpretojnë. Është mëkat që ka shumë pak vende ku sot interpretohet ‘live’ e edhe muzikë jazz. Kjo është shkollë për muzikantë të rinj e edhe për formimin e shijes te audiencat e reja”, ka thënë ai. 

Ka shpjeguar se zhanri jazz edhe klasikja janë dy zhanre që konsiderohen më komplekse e më të vështira edhe për t’u interpretuar edhe për t’u kuptuar. Ka thënë se janë më specifike dhe nuk mund ta kuptojë një publik i madh por vetëm një pjesë e vogël që është mësuar me kohë duke filluar nga jazzi klasik ose në muzikë klasike nga baroku apo klasicizmi e lart. 

“Patjetër që janë zhanre të domosdoshme për formim muzikor por edhe kulturor të një individi të mirëfilltë. Shumica e zhanreve të tjera janë komerciale edhe përse në to ka shumë art. Përbrenda çdo zhanri ka diçka me më shumë vlerë ose me më pak vlerë”, ka thënë Ramadani.

Gani Jakupi është pionier e figurë qendrore jo vetëm e romanit grafik në Kosovë por edhe në jazz-muzikë. Ka karrierë botërore në të dyja. Si mbrëmje që do të mbahet në mend e ka cilësuar koncertin e kuartetit të Rona Nishliut.  

“Rona i ka marrë dy vendime të mençme: të nderojë me praninë e vet një iniciativë meritore si mbrëmjet mujore të jazzit në ‘Defy Them’ (diçka që ka me lanë pasoja shumë të mira në thesarin muzikor të Prishtinës) dhe të ‘mbështillet’ me binomin Nesimi-Kirili, counterpoint ideal për virtuozitetin e saj vokal. Vrulli i tyre dhe përcjellja e moderuar dhe me shije e Edonit kanë bërë këtë mbrëmje të mbahet mend”, ka thënë Jakupi. 

Kuarteti i Nishliut qe në mbrëmjen e 12-të të programit “Prishtina Jazz Catz” i kuruar nga Visar Kuçi, njëherësh koncertmjeshtër i Filharmonisë së Kosovës. Prej shkurtit të viti të kaluar nëpërmjet këtij programi dalin në pah e testohen shumë talente të reja. Kuçi ka treguar se krejt kjo ka filluar si një iniciativë për të ngjallur përformancën e muzikës jazz në qytet dhe të krijohen mundësi për të interpretuar në skenë gjenerata të ndryshme.  

“Mundësia për të zbuluar talente të reja me një ‘jam session’ është e madhe”, ka thënë ai. Ka kujtuar se Prishtina si qytet gjithmonë ka pasur një traditë të “jam sessions” e organizime në zhanre të ndryshme. Pandeminë e ka përshkruar si vijë ndarëse midis kohës kur kishte aktivitete më të shumta dhe zbehjen e mbrëmjeve të tilla. 

“Ideja ka qenë që ta bëjmë në një hapësirë që nuk është kafehane por është hapësirë kulturore. Përkrahur prej muzikantëve të njohur ngjarja ka filluar të zhvillohet. Publiku është i interesuar dhe ka talente të reja që duan të luajnë edhe të bëjnë përvojë me muzikantë me përvojë”, ka thënë Kuçi. 

Përveç mbrëmjeve të tjera ajo me kuartetin e Nishliut ka bërë bashkë goxha njerëz. Aso publiku që u bashkohet tingujve dhe vargjeve më shpirtërisht. Aso që mësojnë edhe durim nëpërmjet muzikës.