Kulturë

Romani i krimeve të Serbisë çon të vërtetën në Preshevë, kopjet shqip ndalen në kufi

Në Preshevë, zyrtarisht brenda kufijve të Serbisë, është bërë thirrje që një roman si “Qeshja nën trekëmbëshin e varjes” i Rade Radovanoviqit të futet edhe si literaturë shkollore, por disa kopje të tij në shqip s’kanë mundur ta kalojnë as kufirin. “Të kthehen krejt librat prapa!”, ka qenë urdhri i autoriteteve kufitare të Serbisë, që ka ardhur kur kanë marrë vesh nëntitullin e librit: “Krejt çfarë keni dashur të mos dini për luftën në Kosovë”. Në përurim është veçuar një rast si ky e që dëshmon fytyrën e shtetit serb

“Ballafaqimi me të kaluarën”, është njëra prej fjalive që zë shpesh vend në retorikën e politikanëve të rajonit e të ndërkombëtarëve që merren me marrëdhëniet midis Kosovës e Serbisë.

Por për të parë diçka në praktikë sa i përket kësaj fjalie, nuk është fort e lehtë. Janë të paktë ata që flasin dhe ndiejnë të vërtetën, sidomos midis serbëve. Por gazetari e shkrimtari Rade Radovanoviq është prej atyre që nuk ka heshtur kurrë. Si gazetar raportonte objektivisht e si shkrimtar, nëpërmjet një romani dokumentar ka paraqitur fakte për tmerrin që ka ushtruar shteti serb mbi shqiptarët e Kosovës gjatë viteve të luftës së fundit. Për të, nuk qe e lehtë të botonte në vendin e tij librin “Qeshja nën trekëmbëshin e varjes”. Një shembull i vogël si ai i moslejimit të asnjë kopjeje në gjuhën shqipe që të futet në Serbi, është tregues i madh. Sidomos nëntitulli i botimit në serbisht – “Krejt çfarë keni dashur të mos dini për luftën në Kosovë” – i bën edhe doganierët serbë të irritohen.

Një audiencë e vogël të hënën mbrëma në Preshevë ka bërë thirrje deri te ato se veprat e tilla duhet të jenë pjesë e literaturës shkollore.

“Të kthehen krejt librat prapa!”

Gazetarë, filozofë e politikanë janë mbledhur në Preshevë për të folur për të vërtetën. Të vërtetën e asaj që ka ndodhur në Kosovë gjatë viteve të luftës. Në mbrëmjen e së martës qendra kreative “Livrit” ka qenë nikoqire e një “grushti” njerëzish që e pranojnë të vërtetën, shkruajnë për të dhe e promovojnë atë. Në anën tjetër për shtetin serb e vërteta qëndron brenda konturave të propagandës. Bile, propaganda ka avancuar atje sikurse është ngjitur në pozitë Aleksandër Vuçiqi nga të qenit ministër i Informimit në kohën e Milosheviqit në president të Serbisë. Vepra “Qeshja nën trekëmbëshin e varjes”, që në shqip është botuar nga Botimet KOHA, botimi në serbisht në Beograd gjendet për t’u blerë në nja 5 a 6 vende. Për ta botuar u desh të gjendej një aktivist që udhëheq një organizatë solide, pasi botuesit e mëdhenj refuzuan. Për shtetin serb nuk bën që asnjë kopje në gjuhë shqipe të hyjë zyrtarisht në Serbi.

Me kërkesë të vetë autorit, Rade Radovanoviq, Botimet KOHA ka provuar që të dërgojë disa kopje në ceremoninë e promovimit në Preshevë të botimit në serbisht me titullin “Smeh pod vešalima. Sve što ste želeli da ne znate o ratu na Kosovu”.

Pika e vogël kufitare sidomos në këtë pjesë të vitit është e qetë. Vonesa e vetme mund të jetë ajo e vendosjes së stikerave që mbulojnë simbolet shtetërore të të dyja vendeve. Por me të marrë vesh se bëhet fjalë për transport të disa librave, doganierët e ndërrojnë çehren. Në parim, thonë se nja pesë kopje mund të barten andej kufirit. Por kur shohin dokumentacionin dhe lexojnë se në serbisht nëntitulli thotë: “Krejt çfarë keni dashur të mos dini për luftën në Kosovë”, situata ndërron. Nuk guxojnë të marrin përsipër as lejimin e pesë kopjeve. Përgjegjësi i ndërrimit, një burrë në mëzomoshë bën një telefonatë te eprorët. U tregon për titullin bashkë me emrin e autorëve. Posa e mbyll telefonin jep urdhër të prerë: “Të kthehen krejt librat prapa!”.

Historia e dërgimit të librave shqip në Presheve ka rrëfime të shumta. Bile, punonjësit e Bibliotekës së Qytetit kanë treguar se edhe librat që u dhurohen nga institucionet e Kosovës i bartin për andej privatisht e në pak kopje.

Veljak: “Përderisa ky libër nuk do të jetë pjesë e literaturës shkollore në Serbi, nuk do të ketë të ardhme”

Për autorin Rade Radovanoviq moslejimi i dërgimit të librave nuk është për t’u habitur.

“Kjo është Serbia që udhëhiqet nga ish-ministri i Informimit në kohën e Slobodan Milosheviqit”, ka thënë autori i romanit dokumentar që me fakte shpërfaq krimet e Serbisë në Kosovë, vrasjet e dëbimin e rreth një milion shqiptarëve nga shtëpitë e tyre. Marrë parasysh krejt ato që kanë ndodhur, të pranishmit në promovim kanë konstatuar se libri i Radovaneviq duhet të shkojë përtej librarive.

Lino Veljak, profesor i filozofisë në Universitetit e Zagrebit, ka thënë se bëhet fjalë për një vepër që është e domosdoshme për nxënësit e shkollave të mesme në Serbi.

“Përderisa ky libër nuk do të jetë pjesë e literaturës shkollore në serbi, nuk do të ketë të ardhme”, ka thënë Veljak. Sipas tij, libri duhet të lexohet edhe nga të rinjtë në Kosovë.

“Pa u përballur me të kaluarën nuk do të ketë të ardhme”, ka thënë filozofi.

Me të është pajtuar edhe i vetmi deputet shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi. Ka thënë se veprën e ka shfletuar kalimthi dhe ende nuk e ka lexuar në tërësi. Sipas tij, është e vështirë që libri të jetë pjesë e literaturës shkollore, por kjo duhet të ndodhë.

Image
Për autorin Rade Radovanoviq moslejimi i futjes së kopjeve të librave të tij në shqip në Serbi nuk është për t’u habitur. “Kjo është Serbia që udhëhiqet nga ish-ministri i Informimit në kohën e Slobodan Milosheviqit”, ka thënë ai në përurimin e romanit të tij në Preshevë

“Ky libër do të më ndihmoj shumë edhe në punën time si deputet. Ky hap i autorit është shumë i madh dhe e vërteta do të dalë në shesh herët a vonë”, ka thënë ai.

Në panel ka qenë edhe aktivistja Stasha Zajoviq, që udhëheq organizatën “Gratë në të zeza”, e cila e ka organizuar edhe promovimin e librit. Ajo është një prej zërave më aktivë sa i përket përballjes së shoqërisë serbe me të kaluarën, përderisa organizata e saj jo rrallë është cak sulmesh prej radikalëve e nacionalistëve serbë.

Ka thënë se nuk mund ta paramendojë se pos Kamberit asnjë deputet tjetër i Kuvendit të Serbisë nuk ka guxim që ta pranojë se Kosova është shtet i pavarur.

“Frika nga e vërteta është frika më e madhe në shoqërinë dhe në shtetin tonë”, ka thënë Zajoviq, e cila për këto çështje flet me shumë pasion.

Radovanoviq: “Libri im është e vërteta...”

Botuesi Dragan Stojkoviq veprën e Radovanoviq e ka përshkruar si diçka të domosdoshme për shoqërinë serbe. “Qeshjen nën trekëmbëshin e varjes” e kishin refuzuar disa shtëpi botuese në Serbi. Por qe Stojkoviq që me guxim e mori përsipër. Peshën e romanit që ai me “Most Art Jugoslavia” e ka botuar e ka lidhur me faktin e nja një orë para promovimit, ku kopje të librit në shqip nuk janë lejuar të futen në Serbi.

“Vetë ky lajm tregon për rëndësinë që ka ky libër...Unë them se jam aktivist. Nuk jam botues i madh. Botuesit e mëdhenj kanë refuzuar ta botojnë këtë libër, dhe atë me shkrim. ‘Nuk duan të merren me politikë’. Kështu e kanë njoftuar autorin”, ka thënë ai. Si aktivist ka treguar se libra të tillë zor se mund të bëjnë vend në Serbi. Nga të pranishmit është përshëndetur fort fakti se ka pranuar ta botojë librin.

“Libri i Rade Radovanoviqit duhet të lexohet nga të gjithë”, ka thënë ai.

Profesoresha e Universitetit të Prishtinës, Valbona Petrovci, e cila është personazhe e librit, ka rrëfyer për përvojën e saj e për vështirësitë e një shqiptareje që jetonte në Beograd. Familja Petrovci e Radovanoviq janë miq të kahershëm. Në promovim, ajo ndër të tjera ka folur për atë se si e ka parë veten në libër. Por është ndalur te një rast kur Radovanoviqi qysh në vitet ‘80 kishte shkruar për një ndodhi të familjes së tyre që e dëshmon guximin e tij për t’iu kundërvënë propagandës së Milosheviqit.

“Kur na ka njoftuar se synon të shkruajë libër të karakterit biografik, autobiografik, e kam ditur se pritjet e mia do të përmbushen në plotësi duke i njohur qëndrimet e tij edhe prej kohëve të mëhershme, e lëre më pas krejt ngjarjeve në Kosovë”, ka thënë ajo. Këtë verë ajo dhe bashkëshorti i saj, aktori i njohur Enver Petrovci, kanë qenë nikoqirë të Radovanoviqit me bashkëshorten e tij, gazetaren Nada Radovanoviq, që e vizituan Kosovën. Rade pas nja tri dekadash kur këtu kishte qenë si gazetar e Nada për herë të parë.

Në përurimin në Preshevë, Radovanoviq ka përsëritur atë se libri është një roman dokumentar që ofron fakte të cilat shoqëria serbe nuk do t’i dijë. Kur ka qenë gazetar që raportonte objektivisht, ai qe kërcënuar disa herë. Siç shkruan edhe në libër, regjimi i kishte ofruar të bashkëpunonte me ta, e kur ai refuzoi, u quajt tradhtar i Serbisë, spiun i Perëndimit e antiserb. Por veten ai e quan “antinacionalist”, “antifashist” e “antiracist”. Dhe këtë e ka dëshmuar me punën e tij si gazetar e tash edhe me roman.

“Libri im është e vërteta se si jetuan e jetojnë njerëzit në këtë pjesë të Ballkanit. Është e vështirë të jetosh në një sistem të rremë”, ka thënë ai në “Livrit”, një hapësirë simpatike, dekoruar me goblenë e qilima, e vendosur në një objekt të moçëm me fasadë të rrjepur.

Ka folur goxha gjatë për përvojat e tij. Ka thënë se ka kërkesa që vepra të shndërrohet edhe në skenar filmi.

Image
Gazetarë, filozofë e politikanë janë mbledhur në Preshevë për të folur për të vërtetën, në përurimin në qendrën kreative “Livrit”, organizuar prej organizatës “Gratë në të zeza”

Shkrimtari e gazetari ka treguar se është munduar të jetë sa më faktik gjatë shkrimit të librit.

“Vajza ime e cila ka kryer master për çështjen e krimeve e të drejtësisë më ka ndihmuar shumë në anën profesionale”, ka rrëfyer ai. Ka treguar për miqësinë që ka me familjen Petrovci e edhe se si ata i ka pjesë të personazheve të librit.

“Po të mos ishte Valbona Petrovci të më shtynte, nuk do ta kisha shkruar këtë libër. Në Kosovë është shumë i kërkuar”, ka thënë ai, përderisa qysh në verë kishte paralajmëruar edhe botimin në anglisht. Në serbisht është ribotuar, njashtu sikurse edhe botimi në shqip, përkthyer nga Flaka Surroi.

Të pranishmëve u ka kërkuar falje që nuk ka pasur mundësi t’ua dhurojë nga një kopje në shqip. Disa herë ka përmendur faktin se mosjelimi i kalimit të kopjeve të librit në shqip, tregon shumë për shtetin serb.

“Qeshja...” nxjerr në pah krimet në Kosovë. Shpërfaq masakrat më të mëdha në vend të kryera nga aparati shtetëror i Serbisë. E aty ku ka dorë shteti, si kufiri midis Kosovës dhe Serbisë, nuk kalon as edhe një kopje.