Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Gjermania, për shkak të përgjegjësisë dhe barrës që trashëgoi, për një periudhë u bë komb pa shtet. Shteti gjerman u fut nën administrimin e katër fuqive fitimtare/çliruese - Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca dhe Bashkimi Sovjetik.
Ndërsa nga viti 1949 u krijuan dy shtete ndryshme, në zonat perëndimore u krijua Republika Federale e Gjermanisë dhe në zonat e kontrolluara nga sovjetikët u krijua Republika Demokratike e Gjermanisë. Që atëherë e deri me rënien e Murit të Berlinit në politikën gjermane perëndimore kishte tri orientime strategjike për përballjen me këtë ndarje në dy shtete: Marrëdhëniet e veçanta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Lidhja e përhershme me Perëndimin dhe krijimi i besueshmërisë tek fqinjët. Natyrisht, aspirata për ribashkim të gjermanëve u afishua edhe përmes Kushtetutës së Republikës Federale të Gjermanisë.
Për më tepër, ky orientim e ankoroi politikën gjermane në multiletarizëm dhe në politikën e njohur si “fuqi civile”, që nënkuptonte shmangien e përdorimit të forcës ushtarake për zgjidhjen e problemeve rajonale dhe ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, Gjermania Federale u tregua shumë e kujdesshme për të mos marrë rol prijës në politikën evropiane apo ndërkombëtare, në rend të parë për shkak të trashëgimisë dhe nga Lufta e Dytë Botërore.
Gjermanët nga të dy anët e kufirit nuk hoqën dorë nga ëndrra e tyre për ribashkim në një shtet, edhe pse kjo dukej thjesht një ëndërr në kohën e ashpërsimit të Luftës së Ftohtë, e cila kulmoi me ngritjen e Murit të Berlinit në vitin 1961. Për tridhjetë vjet ky mur u bë sinonim i ndarjes së kombit gjerman, por për Berlinin u bë sinonim i dështimit të politikës sovjetike dhe sovjetizimit të Gjermanisë Lindore. Megjithatë, Henry Kissinger me të drejtë thotë se kriza e Berlinit shënoi një kthesë në Luftën e Ftohtë, ndonëse ajo nuk u perceptua si e tillë në atë kohë.
Pika e kthesës arriti më 6 dhe 7 tetor, kur në mbarë RDGJ që kontrollohej dhe komandohej nga Moska sovjetike ishin planifikuar të bëheshin festime të mëdha me rastin e dyzetvjetorit të themelimit të regjimit komunist. Pas festimeve të bëra, në të njëjtën ditë në mbarë Gjermaninë Lindore filluan demonstratat antiqeveritare, në të cilat kërkohej reformimi i sistemit politik, zgjedhjet e lira, liria e fjalës, liria e lëvizjes dhe kërkesa të tjera politike. Vendosmëria gjermane ishte e madhe, ndërsa regjimi komunist i Honekerit po lëkundej drejt vdekjes.
Katër javë më pas, më 9 nëntor 1989, Muri i Berlinit ra krejt papritur dhe paqësisht, sepse gjermano-lindorët nuk dëshironin të qëndronin të ngujuar si në kafaz në shtetin komunist të RDGJ-së...(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)