Thatësia që pandemia u solli skenave e koncerteve sikur i takon së kaluarës. Derisa kjo periudhë ishte shfrytëzuar për të sjellë krijime të reja, “Rock për Rock” ka ngjitur në skenë bende nga Prishtina, Shkupi e Tirana, në një mbrëmje të çmendur rocku mes decibelëve të lartë, atmosfere të zjarrtë e interesimi jo të paktë të publikut kryeqytetas
Në gati dy orë, në çmendurinë e decibelëve të lartë, rocku ka gjëmuar sërish në Prishtinë. Ndryshe nga viti i kaluar, ku bendet kishin performuar “incognito” për shkak të gjendjes me pandeminë, mbrëmja e së premtes i ka zbuluar krijimet e egra të bendeve të reja shqiptare.
Hapësira e sallës kryesore në teatrin “ODA” ka qenë paksa në hall për të përmbajtur vajbin dhe atmosferën e elektrizuar.
Dy dekada dhe historia vazhdon
Kështu, koncerti tashmë tradicional “Rock për Rock”, me edicionin e tij të 20-të jubilar, është shpalosur mes synimit për t’i mbledhur bashkë dashamirët e rockut dhe për t’i promovuar bendet e reja.
Megjithëse organizatorët ishin të shtrënguar ta kufizonin audiencën në numër, atmosfera e flaktë është etabluar qysh në performimin e bendit ferizajas “Redknotës”.
Me ngjitjen në skenë, katërshja e djemve Artin Shabani (basist), Çlirim Shabani (vokalist), Leutrim Shabani (kitarist) dhe Lum Veseli (baterist) e kanë paralajmëruar një mbrëmje të paharruar. Në atmosferën e tallazitur të akustikës në kulm, ata kanë performuar këngën tashmë të publikuar “Shpesh” si dhe dy të tjera që do të publikohen në të ardhmen: “Hey Mister Man” dhe “Hana”.
“Ishte një ndjesi fantastike”, ka thënë vokalisti Shabani për KOHËN, fill pasi bendi zbriti nga skena.
Minutat në vazhdim janë përshkuar nga performimi i rock-grupit prishtinas “Telikput”, në përbërje të të cilit ishin Lum Veseli (baterist), Valon Kadriu (vokalist) dhe Atdhe Uka (basist). Në ndërveprimin me publikun e elektrizuar, ata interpretuan këngët “Ditë e re”, “Dal me thy” dhe “Amëlsinë”.
“E kemi dhënë maksimumin dhe e bëmë atë që e duam më së shumti: të shfryhemi e të djersitemi”, ka thënë bateristi Veseli.

Performimin për herë të parë në Prishtinë e ka përjetuar në mënyrë të veçantë bendi nga Shkupi “The Moonage”. I krijuar para disa vitesh si projekt i shkollës së rockut në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, ata i dhuruan publikut prishtinas këngën “Hide”, të cilën e kanë publikuar në prill të këtij viti.
“Kaluam shumë mirë qysh në herën e parë që jemi në Prishtinë”, ka thënë vokalisti Jon Bela. E, pos tij, në përbërje të grupit janë edhe Meriton Tusha (kitarist), Butrint Bela (basist) dhe Dragan Andonovski (baterist). “Feel so Good” dhe “You and I” ishin dy këngët e tjera që i performuan në skenë.

Mbrëmjes nuk i mungoi as edhe rocku andej Drinit: për të dytën herë me radhë, rock-grupi nga Tirana “Ave Venus” ka shkelur skenën e “Rock për Rock”.
Vokalisti i grupit, Nino Dani, është shprehur i lumtur që i është dhënë mundësia të performojnë sërish pas një ndërprerjeje të shkaktuar nga pandemia.
“Atmosfera këtu është shumë e mirë e audienca integrohet më mirë sesa në vende të tjera”, ka thënë Dani teksa ka zbuluar edhe planet e bendit që të realizojë disa peformanca në Bosnjë dhe Itali.
“Këtë e kemi obsesion e dashuri…”
Në gjysmën e dytë të koncertit, atmosfera bëhej më e nderë nga zallamahia në sallë. Në këtë frymë e bashkëveprim mes skenës e publikut ka kaluar edhe performanca e grupit “Oktappa”.
Por, koha e kufizuar dhe ngulmimi i organizatorëve sikur sollën një përplasje me audiencën teksa grupi i fundit “Skag” nuk arriti ta kryejë të plotë performancën e vet.
Me sponsor medial KOHËN dhe mbështetje nga Ministria e Kulturës dhe Drejtoria për Kulturë në kryeqytet, “Rock për Rock” ka vijuar traditën e vet të nisur qysh më 2001. Si festival tradicional i muzikës, organizatorët e “Rock për Rock” e theksojnë synimin e tyre që “t’i promovojnë bendet e reja të rockut nga Kosova e Shqipëria dhe po ashtu të sjellin muzikën e tyre origjinale në industrinë tonë të muzikës dhe audiencën e festivalit”.
Organizatori i këtij eventi, Agim Berisha, e ka quajtur si fat mundësinë për të organizuar edicionin e sivjetmë pavarësisht kufizimit të audiencës. Në një prononcim për KOHËN, ai ka thënë se ndjenja që përfton në këso raste është gjithnjë e mirë.
“Këtë e kemi obsesion e dashuri. Është një profesion që e duam, ani pse nuk varemi prej tij”, ka thënë Berisha.
Duke folur për këtë mbrëmje, ai ka thënë se edhe ky edicion ruan të njëjtin synim që e ka pasur për njëzet vjet me radhë. E, megjithatë, sipas tij, me kalimin e kohës po vijnë në shprehje djem e vajza të reja që kanë qasje ndryshe.
“Natyrisht që kjo gjë veç çka e begaton këtë lloj aktiviteti”, ka shtuar Berisha.
Ndërsa ka ngulmuar që muzika e arti janë çështje kënaqësie, Berisha është shprehur i kënaqur që si bendet ashtu edhe publiku iu përgjigjën ftesës së sivjetme.
“Por, megjithatë, vështirësitë nuk janë të pakta, sepse për kësi lloj aktivitetesh duhet të ketë vend pasi është muzikë me decebiela të lartë”, ka thënë ai.