Koncerti i Pavarësisë ka shënuar festimet çdo përvjetor prej 2008-s e deri më sot në ditëlindjen e 16-të. Në koncertin e parë në ditën e shpalljes së Pavarësisë, në sheshin “Nënë Tereza” artistët e estradës si Shkurte Fejza, Sabri Fejzullahu, Gili, Edona Llalloshi, Vesa Luma, e shumë të tjerë prisnin radhën për të performuar para turmës masive që kishte vërshuar sheshet plot eufori e festë.
Në targat lëvizëse të transmetimit direkt të KTV-së përcilleshin edhe mesazhet e institucioneve ku thirrej për “kursim maksimal të energjisë elektrike që të mos binte sistemi” dhe për “kujdes gjatë orës 23:00, sepse fishekzjarrët do të gjëmonin shumë!”
Të shtunën mbrëma nuk ka pasur mesazhe të tilla. Dukshëm më të pakët në numër, qytetarë nga qytete të ndryshme të Kosovës, nga Shqipëria e turistë të huaj, këtë radhë u tubuan në sheshin e sapoformuar “Xhorxh Bush” rrëzë katedrales “Nënë Tereza” nën tingujt e muzikës rock e jazz, më të qetë, e dukshëm me më pak emocion se 16 vjet më parë, kur turma dukej si det flamujsh e fytyrash të ekzaltuara.
Koncerti i organizuar nga Komuna e Prishtinës, nisi me paraqitjen e Alban Nimanit dhe rock-bendit “Asgjë Sikur Dielli” në skenë. Plot energji Nimani e nisi me hitet e tij të cilat një pas një sikur kanë ngritur disponimin e të pranishmëve. “Ku ka më mirë se me qenë shqiptar?” qe kënga e cila çoi peshë të gjithë si një zgjedhje e mirë menduar nga rock-bendi, për t’iu përshtatur natyrës së këtij manifestimi. Ndërmjet këngëve Nimani kujdesej që publiku po kënaqej, teksa zgjodhi dhe të uronte Kosovën për përvjetorin e Pavarësisë. Performancën e përfundoi me nota melankolie me ripërpunimin e këngës së grupit “Gjurmët”, “Mendoja çdo gjë merr fund pa ty”, e cila qe një përshëndetje e ngrohtë nga artisti për publikun, për t’i lënë radhën Dren Abazit dhe “Zig Zag Orkestrës”. Me t’u ngjitur në skenë Abazi i shoqëruar nga orkestra bashkë me duon e tunxhit ftuan publikun në vallëzim. “Natën”, kënga e Abazit që fillon me një intro, e cila rikujton meloditë tipike ballkanike të karakterizuar nga tingujt e saksofonit e trumbetës, e vazhdoi “vallen” e nisur me alegri.
Në koncertin e 2008-s artistët thërrisnin për ngritje dy gishtash si shenjë paqeje e lirie për Kosovën e tash, Abazi i ka ftuar të kapnin telefonat e tyre me dritat e ndezura për të krijuar atmosferë, të denjë për këngën romantike “Kur je me mu”. As nga Dren Abazi nuk munguan interpretimet e këngëve ikonike që publiku është i familjarizuar me to. “E dehur jam” e “Ky marak” erdhën njëra pas tjetrës për të paralajmëruar fundin e performancës së tij e cila u kurorëzua me intominim e himnit kombëtar, si një “ritual” i pritshëm në festa shtetërore e kombëtare.
Për Alban Nimanin veçantia e këtij koncerti dhe përvjetori të 16-të qëndron prapa një arsyeje të dytë për festë.
“Çka është speciale kësaj radhe është se përvjetori i 16-të po na gjen të lirë, njerëzit munden me lëvizë lirshëm, është një liri e dytë për Kosovën. Unë jam shumë i gëzuar që kosovarët munden me lëvizë edhe në Evropë, veç tjerash për emancipimin, kulturimin dhe ngritjen e qytetarëve”, ka thënë Nimani.
Për këtë ditë feste për Kosovën, Dren Abazi para performancës, në një prononcim për KOHËN u shpreh i lumtur teksa uroi përvjetorin e Pavarësisë. “Është dita më e shënuar e Kosovës, pa dyshim dhe sonte është natë festive dhe kemi me u mundu me bo më të mirën, e veçantë e kësaj feste është gjithashtu dhe fakti se lëvizim të lirë tashmë”, ka thënë Abazi duke uruar që të pranishmëve t’u pëlqejë programi i përzgjedhur për këtë koncert festiv.
Kjo skenë nuk ishte thjesht një platformë për muzikë. Ajo u bë një pasqyrë e cila lejon observimin në ndryshimet që ka pësuar Kosova gjatë 16 vjetëve të fundit.