Kritikat për Bashkimin Evropian në bashkëbisedim me dyshen Palokaj e Ismajli nuk i ka kursyer fare. Shkrimtari Robert Menasse i takon rangut të autorëve që hulumtojnë goxha për t’i shkruar veprat e tyre. E ato notojnë midis reales dhe shijes artistike që ua jep autori për efekt artistik. Në rastin e Menasse – Fitues i Çmimit Evropian për Letërsi më 2023 pikërisht me “Zgjerimin” – efekti artistik më së shumti merre ngjyra të cinizmit e satirës. “Tash ideja është që a po e sqarojmë idenë e BE-së dhe a kanë ambicie vendet që të jenë pjesë e kësaj Bashkësie. Pastaj a po mundemi që vendeve anëtare t'ua shpjegojmë idenë e BE-së?”, ka shtruar pyetje ai
“Zgjerimi” është fjalë thuajse e pashmangshme në krejt konferencat për media, tryezat a ngjarjet që organizohen nga arteret e Bashkimit Evropian. Flitet për mundësi, pamundësi, synime e telashe në zgjerimin e Unionit të themeluar në ditën e parë të nëntorit të vitit 1993. E një ditë para 31-vjetorit të themelimit të BE-së në Prishtinë, është promovuar romani “Zgjerimi” i autorit austriak, Robert Menasse. Shkrimtari i njohur austriak në njëfarë forme – në bazë të asaj që është thënë në promovim – i ka bërë një skanim burokracisë së Bashkimit Evropian, duke peshuar në të tashmen vlerat mbi të cilat është jetësuar Unioni dhe ka matur pulsin e vendeve që e synojnë të bëhen pjesë e bashkësisë politik e ekonomike që numëron 27 shtete.
Menasse në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës është ulur midis korrespodentit të Grupit KOHA në Bruksel, Augustin Palokaj dhe profesoreshës së asocuar në Universitetin e Prishtinës, Blertë Ismajli. Ka lexuar pak nga romani i tij, “Zgjerimi”, që përshkruhet si vepër emocionuese dhe satirike për Bashkimin Evropian, politikën dhe kontradiktat e saj, por edhe për Shqipërinë, ku zhvillohen kryesisht ngjarjet në rrugën e saj drejt BE-së. Në audiencën jo të vogël në numër pakkujt i ka rënë në dorë libri që gjermanisht është botuar nën titullin “Die Erweiterung” e në shqip ka ardhur nga shtëpia botuese “Dudaj”. Me shtatoren e Skënderbeut në ballinë, vepra menjëherë tërheq vëmendjen se shqiptarët janë aty. Edhe fragmentet që ka lexuar shkrimtari kanë prekur faktin se heroi kombëtar shqiptar si nëpërmjet emrave të rrugëve, shtatoreve a busteve është pjesë e një numri të madh të qyteteve evropiane e përtej. Është simbol i madh. Por simbolet nuk i ka fort në qejf Menasse, njëjtë siç nuk duron nacionalizmat. Bile, për simbolet ka një shpjegim goxha direkt, edhe pse është artist i penës.
“Simbolet duket se kanë mjaft rëndësi në politikë sidomos kur politika nuk mund t'i zgjidhë problemet”, ka thënë ai krejt në fillim. Duke çuar përpara idenë e tij, ka vazhduar duke thënë se elitat evropiane, burokratët e shtetet anëtare nuk kanë një simbol që i bën me identitet.
“Do të ishte më e lehtë sikur të kthehemi tek ideja fillestare e krijimit të Bashkimit Evropian. Nganjëherë ajo harrohet”, ka thënë ai. Menasse është i mendimit se BE-ja ka harruar pak identitetin e vet. Ka vazhduar duke thënë se simbolet në histori lidhen me pushtete ose identitete kombëtare.
“Por shikimi për simbole s'më duket aq punë e vyer”, ka thënë ai. Kritikat për Bashkimin Evropian në bashkëbisedim me dyshen Palokaj e Ismajli nuk i ka kursyer fare. Menasse i takon rangut të shkrimtarëve që hulumtojnë goxha për t’i shkruar veprat e tyre. E ato notojnë midis reales dhe shijes artistike që ua jep autori për efekt artistik. Në rastin e Menasse – Fitues i Çmimit Evropian për Letërsi më 2023 pikërisht me “Zgjerimin” – efekti artistik më së shumti merr ngjyra të cinizmit e satirës.
Shkrimtari i lindur më 1954 në Vjenë ka thënë se zgjerimi i Bashkimit Evropian është duke shkuar shumë ngadalë.
“Tash ideja është që a po e sqarojmë idenë e BE-së dhe a kanë ambicie vendet që të jenë pjesë e kësaj Bashkësie. Pastaj a po mundemi që vendeve anëtare t'ua shpjegojmë idenë e BE-së?”, ka shtruar pyetje ai. Sipas tij, kontradiktat janë jo të vogla. Ka thënë se Shqipëria që synon BE-në ka mbi 70 për qind të legjislacionit të adaptuar me atë të Unionit, kurse Polonia e Hungaria po e shkelin legjislacionin e BE-së duke qenë pjesë e saj. Menasse ka qëndruar edhe në Shqipëri në kuadër të hulumtimit për veprën. Ka shëtitur goxha dhe në bazë të asaj që ka lexuar për të pranishmit, i ka bërë vend në vepër edhe veriut të vendit buzë Adriatikut. Midis personazheve të librit janë edhe pushtetarë shqiptarë, si një prej këshilltarëve të kryeministrit Edi Rama, pikërisht atë që është përgjegjës për simbolikat.
Gazetari Augustin Palokaj ka thënë ministrat e punëve të jashtme të shteteve anëtare të BE-së vazhdimisht flasin për zgjerim, përderisa ata të punëve të brendshme për rrezikun që vjen prej zgjerimit sidomos nga emigrantët. Ka përmendur statistikat duke thënë se vendi prej nga vjen Menasse, Austria, nga të dhënat ka disponim popullor të vogël për zgjerim përderisa qeveria mendon krejt ndryshe.
Menasse në këtë rast ka thënë se diskutimi mbi frikën e zgjerimit të BE-së është qasje e gabuar. Sipas tij, duhet të diskutohet se çfarë fitohet në këtë rast. Shkrimtari ka studiuar filologji gjermane, filozofi dhe shkenca politike në Vjenë, Salzburg dhe Messina ku doktoroi në vitin 1980 me një tezë mbi karakterin e të huajit në letërsi. Më pas Menasse kaloi gjashtë vjet në Universitetin e São Paulos, fillimisht si ligjërues për letërsinë austriake, më pas si ligjërues i ftuar në Institutin për Teorinë e Letërsisë, ku dha leksione mbi teoritë filozofike dhe estetike, duke përfshirë Hegeli, Lukács, Benjamin dhe Adorno. Që nga kthimi i tij nga Brazili në vitin 1988, Menasse u është rrekur më shumë eseve dhe romaneve në Vjenë. Është autor i mbi 10 romaneve që prekin tema të ndryshme sociale. I pyetur rreth nga bashkëbiseduesja Blertë Ismajli për hulumtimet që bën para se të shkruajë, Menasse ka thënë se i interesojnë rrëfime të ndryshme, por që zakonisht janë histori lokale.
“Kur shkruaj, ideja është që të menaxhoj kontradiktat. Hulumtimi në Bruksel ishte më i lehtë, pasi burokratet u kënaqën kur morën vesh se dikush po interesohet për ata”, ka thënë ai. Derisa ka folur për kontradiktat, ka marrë një shembull shumë real, e njëkohësisht tejet përmbajtjesor. Ka thënë se pas Luftës së Parë Botërore lëvizjet për paqe qenë më të mëdhatë që njihte historia deri me atëherë, por shpejt do të bëhej Lufta e Dytë. Nacionalizmin s’e duron aspak. E thjeshtëzon me cinizmin më të madh. Ka marrë shembull një bisedë me një gjerman, që sipas tij, nacionalizmin e shihte si njëfarë ruajtje të identitetit dhe po të humbiste ai, do të humbiste edhe qenia identitare.
“Ishim në një restorant dhe kur e pyeta se çfarë është saktësisht identiteti i tij i prekshëm si gjerman, m’u përgjigj: ‘Buka gjermane’. Ndërkohë, kamerieri na shërbeu ‘baguette’”, ka thënë Menasse duke iu referuar një lloji të bukës franceze që është shpallur edhe trashëgimi botërore nga UNESCO. Në shpjegimet e tij, nacionalizmi s’ka gjë të bëjë me benefitet shoqërore po lidhet krejtësisht me interesa të të pushtetshmëve.
“Interesat nacionale janë interesa të elitës. Këto janë interesat nacionale”, ka thënë shkrimtari Robert Menasse.