Kulturë

Rita Ora, kuqezi në Tiranë, me spektakël e emocion

I vogël ka qenë të martën mbrëma sheshi “Skënderbej” në Tiranë për këngëtaren e madhe Rita Ora. Spektakël e emocion i ka dhuruar ajo kryeqytetit shqiptar në koncertin e hapur në atë që sivjet është “Kryeqytet Evropian i të Rinjve”. Koncertin e ka hapur me “Ritual”, por një moment kulmor ka qenë edhe paraqitja me valle shqiptare. Rita Ora është shprehur e emocionuar në skenë. “Unë jam vetëm një çikë si ju...Faleminderit që keni dalë prej shpisë dhe keni ardhë me më pa! Do të më përlotni”, ka thënë ajo në koncertin falas. Me yllin e veshur kuqezi kanë kënduar e vallëzuar rreth 40 mijë veta

Mburrjen që Rita Ora e shpreh në festa e përtej në rrjete sociale duket qartë se e ka akumuluar për shansin e parë të takimit me publikun që flet shqip. Skenën ku ka performuar, me entuziazëm, e ka ndarë me ndjekësit e saj edhe një ditë para koncertit. Vizitat aty, përveçse për të shprehur entuziazmin e madh për publikun që ajo do të mbledhë, yllit botëror i kanë shërbyer për t’i matur mirë dimensionet e kreativitetit të saj skenik e për ta pushtuar çdo pjesë të saj. Jo veç ajo. Duket qartë se dashurinë për Shqipërinë e emocionin e rikthimit në kryeqytetin shqiptar ia ka përcjellë edhe ekipit që e ka shoqëruar në skenë e që i kanë paraprirë performancës së saj. Me koreografi të nivelit botëror ata ia kanë nisur vallëzimit të cilit Ora i është bashkuar me këngën “Ritual”. Veshjes së saj të zezë ia ka bashkangjitur nga beli e tej flamurin kuqezi, një kreacion i stilistit të njohur Valdrin Sahiti. Spektakël e emocion ka dhuruar ajo në sheshin “Skënderbej”, i cili të martën mbrëma ka qenë i vogël për të.

Dinamike me hite, vallëzim me shqiponjë

Jo vetëm në interpretimin e parë, por në të gjithë performancën ylli botëror, që zhvilloi karrierën në Britani të Madhe, ka qenë insistuese që vallëzimet që i çon anekënd botës të jenë me ngjyrat e flamurit kombëtar. Edhe valltarët, ashtu si Ora, kanë qenë të familjarizuar me kryqëzimin e duarve për ta bërë shqiponjën. Për ta Rita disa herë ka shprehur mirënjohje në skenë. Në performancën që ka zgjatur për gati një orë, Rita ka qenë fjalëpake. Kohë pas kohë mes interpretimit të tekstit të këngëve ka përsëritur fjalën “Të dua”, për ta përçuar të gjithë dashurinë që i ka dhënë skena e publiku. Dinamikën nga njëra-këngë në tjetrën ylli 31-vjeçar e ka ndërprerë sa për të pirë ujë, teksa ka thënë se po mundohet ta shijojë secilin moment të mbrëmjes.

“Jam duke marrë kohë që më nevojitet për ta shijuar çdo moment të kësaj mbrëmjeje”, ka thënë ajo para të pranishmëve. Në skenë ka interpretuar rreth dhjetë këngë. Në Tiranë është kujdesur të përcjellë magjinë autentike të interpretimit të këngëve që kanë kryesuar toplistat botërore. Mes tyre kanë qenë edhe këngët: “I will never let you down”, “Anywhere”, “Let you love me”, “Lovely together” e “Your song” e “For You”. Me karizmin që e karakterizon Orën, ajo pas çdo ndërprerjeje ka mposhtur emocionet për të dëshmuar profesionalizmin që e dërgon kudo. Ka lëvizur në çdo skaj të skenës e në performancën e saj në Tiranë dëshmoi komunikimin preciz me ekipin që e gjithë performanca të rrjedhë natyrshëm. Që kalimi nga zbehja e dritave për te shumëngjyrëshmëria e tyre, që ngjallet me këngët ritmike të saj, të jetë e pahetueshme. Kur është ndalur për të folur më gjatë me publikun, Ora është tërhequr shpejt nga fjalët për t’i shmangur emocionet. Ashtu siç kishte bërë edhe në Kosovë në vitin 2018. Ka shprehur mirënjohjen e saj të thellë për publikun që, sipas një postimi të Orës, kanë qenë rreth 40 mijë, koncertin që ka pranuar ta dhurojë falas. Rita para publikut të Tiranës është zhveshur nga gjithçka që ia jep titullin e yllit botëror. Është drejtuar me modestinë më të madhe: “Unë jam vetëm një çikë si ju... Faleminderit që keni dalë prej shpisë dhe keni ardhë me më pa mua! Do të më përlotni”, ka thënë ajo. Pas një lëvizjeje me duar e ndërprerje të shkurtër të fjalisë i është kthyer rrugëtimit të saj mbi një dekadë me skenën. Por, këtë për të treguar se në Shqipëri për të nuk është si kudo në botë. Se këtu publiku ia jep ndjenjën tjetër. “E bëj këtë punë për më shumë se dhjetë vjet. Sa herë që vij këtu dhe kthehem gjithmonë në Shqipëri mund të llogaris që ju vini për të më parë. Faleminderit që erdhët për mua! Jeni të mrekullueshëm! Nuk do t’ju dëshpëroj asnjëherë, ju betohem për të gjithë jetën time!”, ka thënë tutje Ora. Këngëtarja e njohur suksesin më të madh e arriti në shkurt të vitit 2012, kur ajo u paraqit me këngën “Hot Right Noë”, bashkëpunim me Dj Fresh, e cila u bë një prej këngëve më të dëgjuara në Mbretërinë e Bashkuar. Albumi i parë i saj “Ora”, që doli në gusht të vitit 2012, po ashtu arriti të jetë ndër më të shiturit në Mbretërinë e Bashkuar.

“Shqipëria në gjakun tim, Kosova në venat e mia...”

Nga mesi i koncertit Rita e ka veshur edhe më shumë skenën me ngjyrat kuqezi. Asaj ia ka shtuar shqiponjën në ekran, vallëzimin me hapa të valles tradicionale shqiptare, mindilin e kuq e melodinë. Me këtë ka arritur majën e spektaklit. Këtë performancë Rita Ora e kishte përgatitur për koncertin në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe e kishte bartur edhe në Tiranë në vitin 2018, kur kishte interpretuar. Ora në skenë ka interpretuar edhe “Running Up That Hill” të Kate Bush. E ka modifikuar tekstin për të treguar se Shqipëria e Kosova janë brenda saj. “Sikur të mundja të bëja një betim me Zotin, Shqipëria në gjakun tim, Kosova në venat e mia”, ka kënduar ajo në versionin e saj.

Ky koncert është mbajtur në kuadër të aktiviteteve kur Tirana po feston vitin si “Kryeqyteti Evropian i të Rinjve”.

Në koncertin e yllit botëror në Tiranë është hetuar prania e të rinjve dhe e më të moshuarve. Koncerti i saj ka mbledhur qytetarët pa dallim moshe. Disa prej tyre e kanë vlerësuar Rita Orën që e ka ngjallur rininë shqiptare me këtë koncert e të tjerë kanë thënë se të ndjekurit e koncertit të saj nga afër është një ëndërr e realizuar. Por me vallen shqiptare, si çdoherë, Rita i ka bërë të gjithë të vallëzojnë me të.

Image
Nga mesi i koncertit Rita e ka veshur edhe më shumë skenën me ngjyrat kuqezi...

Ada Tafaj ka qenë në mesin e të rinjve që për herë të parë e ka ndjekur një koncert të këngëtares nga Kosova. Një mbrëmje si ajo e së martës do të mbetet e paharruar në kujtesën e saj.

“Energjia që Rita përcjell në skenë është e pabesueshme dhe të kaplon në çdo moment. Momenti më i veçantë, sipas meje, i gjithë koncertit ishte remiksi i ‘Valles së Tropojës’. Me këtë vallëzim Rita na bëri që të na vlonte gjaku të gjithëve”, ka thënë Tafaj për KOHËN. Sipas saj, Rita është shembulli më i mirë për të pasqyruar vlerat e kombit shqiptar.

“Ritën e dua dhe e vlerësoj jo vetëm si artiste, por si ambasadore e Kosovës nëpër botë. Kemi nevojë për imazhe të tilla që të tregojmë më së miri çfarë populli e kombi jemi”, ka shtuar tutje ajo.

Prania e Rita Orës është hetuar gjatë gjithë ditës së martë në Tiranë. Të gjitha hotelet përreth sheshit kryesor kanë qenë të rezervuara. Jo pak të huaj kanë ardhur për ta ndjekur performancën e saj nga afër. “Ne kemi ardhur nga Manchesteri i Britanisë së Madhe për ty”, është shkruar në një prej pankartave në publik.

Image
“Sikur të mundja të bëja një betim me Zotin, Shqipëria në gjakun tim, Kosova në venat e mia”, ka kënduar Rita Ora në versionin e saj

Jana Jakubec nga Sllovakia ka qëndruar për pesë ditë në Tiranë. Ajo i ka thënë KOHËS se Orën e kishte ndjekur edhe më parë në Maltë, por në Shqipëri ajo kishte një energji krejtësisht tjetër me publikun.

“Ky koncert ishte ndryshe, sepse këtu secili dukej i entuziazmuar dhe mendoj që atmosfera ishte më e mirë këtu. Ajo dukej se ishte e motivuar ta bënte më të mirën e saj pasi që është nga Kosova dhe këtu është vendi i saj”, ka thënë Jakubec.

Ora ka theksuar se si ambasadore nderi do që gjithmonë të nxjerrë në pah mesazhe sensibilizuese për rininë. I gjithë koncerti i Orës në Shqipëri ka qenë i dominuar nga këngëtaret, kur para saj kanë interpretuar edhe Luana Vjollca, Semi Jupaj, që shpreh edhe mesazhin fuqizues për gratë. Në konferencën e mbajtur në Tiranë pasditen e së martës, Ora ishte shprehur se edhe pse kjo mbrëmje është festë, koncerti është edhe një thirrje për më shumë edukim e ndërgjegjësim për rininë. Ajo ka shpërthyer në lot për rastin e 11-vjeçares që u dhunua seksualisht nga pesë persona në Kosovë, në fund të gushtit.

“Pak javë më parë ajo që ndodhi në Kosovë na bëri të kujtojmë se sa e rëndësishme është të kemi në fokus këto çështje sociale dhe sa e rëndësishme është për prindërit dhe komunitetin që të punojnë me të rinjtë që këto ngjarje të mos përsëriten dhe të përmirësohet situata”, kishte thënë ajo në konferencën për shtyp të martën pasdite.
Ava Tafaj, që është një ndër të rejat që e ka ndjekur koncertin e Rita Orës të martën mbrëma, ka thënë se kauzat të cilat ngrihen nga emra si ai i Rita Orës janë shumë të nevojshme për të kërkuar trajtim më të barabartë gjinor.

“Rita na nderon duke ngritur zërin, për të drejtat dhe fuqizimin e grave. Sidomos pas episodit të tmerrshëm që ndodhi së fundmi në Kosovë, kemi shume nevojë për zëra të tillë që të sensibilizojnë e të parandalojnë për më tej”, ka thënë ajo për KOHËN.

Këngëtarja me famë ndërkombëtare gjatë qëndrimit në Tiranë është dekoruar nga presidenti i Republikës, Bajram Begaj, me titullin “Naim Frashëri” për mirënjohje mbi aktivitetin dhe rolin e saj si ambasadore në çështje me ndjeshmëri të lartë kombëtare dhe globale. Ora gjatë qëndrimit të saj në Tiranë është shprehur që misioni i saj përherë ka qenë të nxjerrë në pah vendlindjen e saj. Këtë thotë se e ka bërë me mburrjen më të madhe. “Nuk ka rëndësi nga vjen, kush je, je burrë apo grua, ndjesia është e tillë që nëse ti je krenar për prejardhjen, ajo që mund të bësh është ta bësh të njohur vendlindjen tënde”, kishte thënë ajo gjatë takimit me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Ajo ka shtuar se me aktivitete si këto të koncertit janë përpjekur të vënë në dukje afërsinë mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe të bërit së bashku tregon mbështetjen për të gjithë komunitetet. Rita gjatë qëndrimit në Tiranë ka mbajtur edhe një ligjëratë për të rinjtë e liceut artistik “Jordan Misja”, ku u ka përcjellë mesazhe të rinjve që kurrë të mos dorëzohen nga ëndrrat. Ajo në konferencën e mbajtur në Tiranë ka zbuluar planet për albumin e ri që do të publikohet vitin që vjen dhe në të cilin do të gërshetohen edhe shumë rrëfime nga shkrimet e artistes. Ka theksuar se do të njihet si artiste shumëdimensionale, ndërsa ka zbuluar se stacioni i radhës i saj do të jetë kinematografia.

“Dëshiroj ta shpreh kreativitetin tim përmes filmit. Mendoj se njerëzit mund të bëjnë disa gjëra. Unë e dua muzikën dhe do ta dua gjithmonë, por kapitulli im i radhës do të jetë definitivisht filmi”, është shprehur ajo.

Image
Jo vetëm në interpretimin e parë, por në të gjithë performancën ylli botëror, që zhvilloi karrierën në Britani të Madhe, ka qenë insistuese që vallëzimet që i çon anekënd botës të jenë me ngjyrat e flamurit kombëtar. Edhe valltarët, ashtu si Rita Ora, kanë qenë të familjarizuar me kryqëzimin e duarve për ta bërë shqiponjën

Nga skena e Tiranës, Rita Ora është larguar me fishekzjarrë. Pas performancës dinamike ajo ka mbetur e fundit në skenë, kur valltarët janë nisur për në prapaskenë. Ka falënderuar të pranishmit e gjatë rrugës së saj për në prapaskenë Orës i është dashur edhe një herë t’i mbajë emocionet. Rrugës për t’u larguar nga skena ka kthyer për disa herë kokën prapa për ta përshëndetur publikun që e ka brohoritur edhe në sekondat e fundit në skenë. “Më duhet vetëm që ta them se ka qenë performanca më e mirë ndonjëherë. Faleminderit secilit që keni ardhur! Shihemi së shpejti!”, ka thënë në videon e publikuar në Instagram pak minuta pasi është larguar nga skena. Ka premtuar që rikthimi do të jetë në mundësinë e parë. Rita Ora kishte interpretuar në Prishtinë më 2012 dhe 2018.

{gallery}