Kulturë

Risjellja e muzikës klasike në shoqërinë kosovare

Ishte njëra nga Divertimentot e kompozitorit të madh klasik Wolfgang Amadeus Mozart, e cila mundësoi takimin e parë të orkestrës me publikun, një takim i cili në muajt në vijim do të sillte familjarizimin e munguar me ta. Natyrisht, dyshimet vazhdonin nëse kjo orkestër do të arrinte të mbijetonte. Dhe kështu, numri i koncerteve vinte e shtohej e po ashtu edhe i anëtarëve të saj, i atyre të cilët tanimë filluan të besonin se ai misioni imagjinar u kthye në realitet

Filharmonia e Kosovës, gjegjësisht orkestra simfonike e saj, e cila vetëm një vit pas përfundimit të luftës dhe ngjarjeve të turbullta në vend, me iniciativën e disa prej muzikantëve më të mirë vendas e më pas edhe me mbështetjen e Departamentit të Kulturës në kuadër të Qeverisë së kohës në Kosovë, arriti qëllimin e institucionalizimit të saj. Filharmonia e Kosovës risolli muzikën klasike në shoqërinë kosovare, sot pjesë integrale e saj.

Ky proces filloi gradualisht me formimin e Orkestrës të përbërë nga 14 deri në 16 muzikantë, drejtues i së cilës ishin profesori, dirigjenti dhe bartësi i aktiviteteve të muzikës artistike në vend, Bahri Çela, drejtor, violonçelisti, solisti i njohur prof. Antonio Gashi, dhe me koncert violinistja jonë e mirënjohur, prof. Sihana Badivuku. Pa dyshim, të tjerë kontribuues në themelimin e këtij institucioni dhe më pas edhe pjesë përbërëse e tij ishin muzikantë/performues të njohur, ndër ta flautistja prof. Venera Kajtazi dhe violinisti prof. Blerim Grubi. Angazhimi dhe kontributi i tyre, por edhe i profesionistëve të tjerë nuk duhet anashkaluar, të cilët në baza vullnetare i janë bashkangjitur me guxim misionit të kolegëve të tyre. Vite me radhë për skenën vendore këta solistë nuk mbetën vetëm virtuozë, por një numër i tyre vazhdojnë të posedojnë e të shprehin qëndrimin e tyre profesional edhe në kuadër të orkestrës. Menaxher i parë i këtij institucioni ishte pianistja Vlora Baruti. Natyrisht jo më pak të rëndësishëm për mbështetjen e dhënë themelimit të saj mbesin ata, ndër ta profesoresha e edukimit muzikor, Besa Luzha, të cilët ndihmuan në aspektet teknike e të cilat do të lehtësonin funksionalizimin e orkestrës, si themelimi i draft-projektit vjetor, i cili përfshinte planifikimet buxhetore me kërkesë të administratës bashkëkryesuese të institucioneve qeveritare, UNMIK.

Kjo orkestër do të jetë një vazhdim i punës së orkestrës simfonike të RTP-së me vizion të qartë – rikthimin e jetës koncertale profesionale të një cilësie të lartë, me ç’rast do të pasurohej edhe skena vendore. Orkestra provat e para të saj i realizonte në sallën e improvizuar koncertale të shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë. Në thelb, aktiviteti i saj shprehet përmes organizimit të koncerteve të ndryshme me program nga veprat e vogla e deri tek fragmentet e operave të kompozitorëve më të njohur të kësaj forme, si Mozart, Wagner, Verdi, Bizet e të tjerë. Padyshim, me kohë repertori u zgjerua edhe me koncerte solistike, të cilat gradualisht i dhuruan një kontekst tjetër vetë orkestrës.

Në skenën e improvizuar në Atelienë e Pallatit të Rinisë

Edhe pse me shumë vështirësi për të kujtuar përmbajtjen e shfaqjes së parë të orkestrës, disa prej anëtarëve të saj me mjaft nostalgji kujtojnë vendosjen e tyre në skenën e improvizuar në Atelienë e Pallatit të Rinisë, kujtojnë momentin kur u ngritën duart e drejtuesit të orkestrës e deri tek ai tingulli i parë, i cili do të vinte më pas. Ishte njëra nga Divertimentot e kompozitorit të madh klasik Wolfgang Amadeus Mozart, e cila mundësoi takimin e parë të orkestrës me publikun, një takim i cili në muajt në vijim do të sillte familjarizimin e munguar me ta. Natyrisht, dyshimet vazhdonin nëse kjo orkestër do të arrinte të mbijetonte. Dhe kështu, numri i koncerteve vinte e shtohej e po ashtu edhe i anëtarëve të saj, i atyre të cilët tanimë filluan të besonin se ai misioni imagjinar u kthye në realitet.

Me zgjuarsi e qëllim të përbashkët anëtarët e saj, të cilët shërbenin edhe në rolin e solistëve, arritën të rrisnin numrin e paraqitjeve të orkestrës e në të njëjtën kohë edhe të zgjeronin programin, i cili shpesh edhe penalizohej si rezultat i formacionit të vogël me të cilin kishte filluar aktivitetin kjo orkestër. Orkestra kishte filluar edhe një “fushatë sensibilizuese” duke realizuar koncerte jo të pakta në pothuajse të gjitha qytetet e Kosovës, e shpesh edhe në kushte nga më të vështirat, dhe kjo jo vetëm si rezultat i mungesës së sallës, sepse e tillë nuk ekzistonte as në vendin ku orkestra u themelua.

Institucioni pa shtëpi

Ishte shumë e vështirë jeta e kësaj orkestre e edhe më e vështirë bëhej jeta e drejtuesve të saj, të cilëve dita-ditës po u rritej përgjegjësia ndaj anëtarëve. Një shkëndijë për këtë institucion do të paraqesë viti 2003, atëherë kur Qeveria e vendit, më saktësisht Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si mbikëqyrëse e këtij institucioni, kishte përgatitur projektet për investime kapitale për ndërtimin dhe rinovimin e disa objekteve kulturore, me rëndësi të veçantë për zhvillimin e kulturës në Kosovë. Ndër to jo vetëm salla koncertale apo ajo e provave, e cila vazhdon të mungojë edhe sot, por sipas Ministrisë u miratua projekti për ndërtimin e Shtëpisë për Teatër – Operë dhe Balet, shtëpi edhe e Orkestrës Simfonike të Filharmonisë.

Fatkeqësisht sot, në njëzetvjetorin e saj, ky institucion vazhdon të mbetet pa shtëpi. Kishte momente kur implementoheshin edhe ligje të tjera për rinovim e tutje dhe për rritje pagash, e cila do të siguronte mirëqenien e pjesëtarëve të orkestrës. Megjithatë tani kjo orkestër duket sikur është adaptuar në kushtet e paplotësuara të saj dhe vazhdon të mbajë vetëm një pozicion, atë të performimit e fatmirësisht këtë po e realizon në mënyrën më të shkëlqyer dhe për këtë kanë arritur të vlerësohen e dallohen në rajon.

Orkestra Simfonike e Filharmonisë së Kosovës vazhdoi aktivitetet e saj të dendura muzikore brenda dhe jashtë Kosovës edhe atëherë kur numri i instrumentistëve, pjesëtarë të orkestrës ishte i vogël (domethënë 50 anëtarë) dhe për shkak të mungesës së stafit vendor janë angazhuar një numër instrumentistësh nga Tirana dhe Shkupi. Sot, tërë ai entuziazëm i nisur 20 vjet më parë ka mbushur zbrazëti të tilla.

Bashkëpunimi me dirigjentë të njohur

Orkestra sot posedon mbi 60 anëtarë, një repertor të pasur, i cili shtrihet në pothuajse të gjitha epokat e muzikës klasike duke rritur kështu ngadalë, por sigurt edhe saktësinë e performancave. E më të veçantë repertorin e saj e bën edhe bashkëpunimi me dirigjentë të ndryshëm si Pavle Deshpali, Ermir Kranjta, Arbër Dhomi, Rafet Rudi, Baki Jashari deri te dirigjenti permanent i saj, Toshio Yanagisawa, e dirigjentë mysafirë si Li Fi Fi, Boian Videnoff, Alexander Walker, dhe së fundmi dirigjenti kryesor i ftuar Gregory Charette, dallimet e të cilëve e po ashtu edhe sugjerimet besoj kanë ndikuar thellësisht në prezantimet e ndryshme të kësaj orkestre, herë me qetësi e herë e prerë, e nxitur e shumë e motivuar.

Shumica nga ne, pjesëtarët e këtij komuniteti, jemi rritur së bashku me orkestrën dhe mua saktë më kujtohen shumë paraqitje të saj dhe ende e kam të njëjtën përgjegjësi të përcjell secilën nga to. Ende më mban entuziazmi si kur e kam dëgjuar për herë të parë si fëmijë.

Ngritja e shpejtë

Nga Vivaldi tek Shostakovichi kjo orkestër ka dëshmuar një ngritje, e cila erdhi për një kohë relativisht të shkurtër e me pengesa të mëdha. Pjesëtarët e saj, një numër i tyre virtuoz në skenën vendore kanë arritur të konsolidojnë marrëdhëniet me anëtarët e tjerë, shumica të rinj edhe në moshë, çka e bën edhe më karakteristike këtë orkestër e edhe më entuziastë ata të cilët dëshirojnë të bashkëpunojnë me të.

Nga harkorët te frymorët e drunjtë e te tungjtë e perkusionet evidentojmë që tashmë kemi të bëjmë me një orkestër, e cila në numrin më të madh të paraqitjeve të fundit na vjen e unifikuar, pasionante dhe ky është një fakt të cilin asgjë nuk mund ta mposhtë. Këtu nuk kemi të bëjmë me performanca marramendëse, sepse ato shpesh nuk na sjellin as orkestrat më të mira në botë. Kemi të bëjmë me një orkestër e cila krahas kontributeve shoqërore nuk është dorëzuar së kërkuari saktësinë, finesat e zgjidhjen e problemeve interpretuese, me të cilat padyshim që ballafaqohet edhe sot. Sidoqoftë, duke pasur parasysh rrethanat e kaluara dhe jo më pak ato të tanishme, kjo orkestër ka arritur të bëhet shembulli kryesor për kulturën muzikore në vend. Një kontribut të madh për zhvillimin e këtij institucioni kanë padyshim edhe drejtuesit e saj, njohuritë, stili e shija e të cilëve kanë ndihmuar edhe më shumë në konceptimin dhe zgjerimin e programit në përpjekje të vazhdueshme për ta pasuruar atë.

Natyrisht, pa tendencë që në 20-vjetorin e saj të përdoren metoda krahasuese mbi paraqitjet artistike mujore, rëniet e ngritjet, e as në raport me orkestrat qofshin ato të rajonit. Ky vit do të duhej të na dhuronte një manifestim të ngjashëm me atë të 15-vjetorit të saj (u interpretua mesha e titulluar “The Armend Men”, dedikuar viktimave të luftës në Kosovë nga kompozitori anglez Karl Jenkins), emocion e atmosferë e rrallë. E në pamundësi të realizimit të një ngjarjeje të tillë, të paktën deri në fund të këtij viti, në këtë njëzetvjetor do të doja të shfaqja një udhëtim të jashtëzakonshëm e momente të cilat lanë një ndikim të madh në vazhdimësi.

Sot, kjo orkestër përbëhet nga muzikantë të talentuar, të cilët këtë vit do të duhej në mënyrë dinjitoze të na shfaqnin performancën e tyre manifestuese e në të njëjtën kohë edhe ne t’i mbështesnim për kontributin e tyre, i cili edhe pas 20 vjetësh i garanton jetë të lavdishme skenës profesionale muzikore.

Mposhtja e problemeve

Megjithatë, nga tërë ajo çfarë na është servuar deri sot, mund të konkludojmë se kjo orkestër me tërë finesën, elegancën performuese të cilën po e arrin me kohë, ka mposhtur pothuajse të gjitha problemet të cilat penalizonin edhe ngritjen e nivelit artistik të saj.

Me një entuziazëm të madh, nga pesë apo gjashtë koncerte të cilat organizoheshin në vit, tani kemi shansin që së paku një herë në muaj të shohim e dëgjojmë një orkestër, e cila me tërë vështirësitë me të cilat u ballafaqua drejtpërdrejt si rezultat i ndërrimit të mandateve udhëheqëse brenda institucionit, por edhe atyre qeveritare vazhdon udhëtimin nga premiera në premierë, duke arritur kështu numrin 30 të koncerteve në vit.

Ky entuziazëm e dashuri për të koncertuar ka ndikuar edhe në bashkimin e forcave me solistë të njohur si Inva Mula, Ermonela Jaho, Tedi Papavrami, Maxim Vengerov, Kevin Kenner, Tadeusz Serafin, Kian Soltani, Stephan Prutsman, Ardita Statovci, Petrit Çeku, Sergei Nakaraikov, Giovanni Bellucci, Ramë Lahaj, Gëzim Myshketa etj., duke pasuruar kështu jetën muzikore koncertale në Kosovë. Një vend të rëndësishëm në programin e saj orkestra ka rezervuar për literaturën muzikore vendore, duke bërë kështu edhe promovimin e krijuesve të rinj krahas atyre të cilët nga fillet e saj kanë qenë pjesë e pandashme e këtij repertori. Jo më pak rëndësi i kushtohet edhe bashkëpunimit me solistët e njohur vendorë, duke ndarë eksperienca e duke përmbushur dëshirën e tyre për shprehje me anë të interpretimit. Ndër ta Sihana Badivuku, Antonio Gashi, Venera Kajtazi, Lejla Pula, Lule Elezi e Misbah Kaçamaku.

Megjithatë, sikurse orkestrat e mbarë botës, të cilat sot po përballen me sfida të mëdha, padyshim kjo orkestër e cila vazhdon me mungesë të kushteve elementare ka pengesat e saja. Por për dallim nga të tjerat, ku këto dobësime në masë të mëdha financiare sjellin në shuarjen graduale të tyre, Orkestra Simfonike e Filharmonisë së Kosovës po lidhet edhe më tepër me komunitetin e saj. Si duket ky institucion vazhdon luftën profesionale, fuqizimin e lulëzimin e saj edhe në vitin e 20-të.

E ne presim t’i bashkohemi në dispozicion të plotë koncertit të ditëlindjes së saj.

Autorja ka doktoruar në muzikologji