Kulturë

Riprodhuesja e veshjeve tradicionale shqiptare

Kur hipën mbi strukturat e mbetura prej ndërtesave të shekujve të parë të erës sonë dhe shikon veshjet tradicionale zemra i bëhet mal. Dhjetëra veshje popullore që publiku kosovar ka pasur rastin t’i shihte gjatë Ditëve të Trashëgimisë Evropiane janë të punuara nga ekipi i Edlira Sulajt. Lidhja e saj me veshjet popullore të trevave të ndryshme shqiptare është shumë e fortë. Duket sikur ka një shpjegim se si punohen veshjet, fije për fije. Shembull për t’u marrë me etnografi e kishte nënën e gratë tjera të familjes. Sulaj, nga Kashari i Tiranës, tash e dy dekada vazhdimisht merret me riprodhimin e veshjeve tradicionale. Pos pasionit për artizanate, ajo jeton nga kjo punë. Shpjegon se edhe përfitimet ekonomike janë të mira. Ka themeluar fondacionin “Tradita popullore” dhe posedon një minimuze prej 60 metrash katrorë në Tiranë. Sulaj me ekipin e saj ka shëtitur në vende të ndryshme të botës. Ka shkuar edhe përtej oqeanit për të promovuar traditën popullore sa i përket etnografisë.

Shndërrimi në vlerë

E gjendur për herë të parë në Kosovë, Sulaj është ftuar për të hapur një ekspozitë. Qejfi i është bërë edhe më kur ka marrë vesh se ekspozita me veshje tradicionale do të zërë vend në një hapësirë të trashëgimisë kulturore. Një pjesë të parkut arkeologjik “Ulpiana” ajo për një orë e ka shndërruar në muze të hapur etnografik. Vetë e 17-ta ka udhëtuar nga Tirana për ngjarjen e organizuar javën e kaluar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Gjithmonë kur kam punuar jam munduar që veshjen tradicionale ta prezantoj si mbarëkombëtare. Jam munduar që edhe veshjet e Kosovës të jenë pjesë e punës sonë”, thotë ajo. Menjëherë tregon se numëron dy dekada prej kur merret me rindërtimin e veshjeve tradicionale. Ka angazhuar artizanë gjithandej Shqipërisë, nga Kosova, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi. “Kjo më ka bërë që të jem e gatshme që të hap ekspozita gjithandej ku jetojnë shqiptarët. Me koleksion kemi qenë në shumë vende të botës. Por sot e ndiej veten se nuk po shkoj në një vend tjetër, por sikur të hyj nga një dhomë e shtëpisë në tjetrën”, thotë ajo, derisa flet për ekspozitën në Kosovë.

Djemtë dhe vajzat që në bazë të veshjes duket se vijnë nga krahina të ndryshme i ka renditur nga gjithandej struktura të sektorit të dytë të “Ulpianës”. Shpeshherë përsërit se veshja tradicionale është një vlerë që duhet të ruhet.

“Mundësia për ta kthyer atë në një vlerë për të rinjtë, në një mundësi të mirë për turizmin kulturor, për pasurimin e muzeve, është duke ruajtur çdo element të saj”, thotë Sulaj. Me mburrje tregon se shqiptarët shtrihen në një hapësirë jo të madhe gjeografike, por vlerat kulturore që janë trashëguar ndër shekuj janë të shumta. Këtë e zbërthen edhe nëpërmjet veshjeve që kanë bartur banorët e këtyre anëve.

{gallery}