Janë 16 studentë të arkitekturës e të historisë që kanë punuar që për disa ditë monumentit në zëmër të asaj që është Prishtina e Vjetër t’ia kthejnë shkëlqimin, të paktën përkohësisht. Janë bërë dy dekada që objekti nuk e luan rolin primar: matjen e kohës. Mekanizmi i vjetër i orës ishte vjedhur, ndërsa i riu nuk punon. Pos punës praktike në kuadër të projektit “Trashëgimia kulturore si nxitëse e dialogut ndërmjet komuniteteve dhe kohezionit social”, studentët po ringjallin edhe një prej monumenteve më të rëndësishme të Prishtinës. Kulla e shekullit të 19-të vazhdon të jetë e mbyllur për vizitorë. “CHwB Kosova” dhe UNDP-ja nëpërmjet studentëve po bëjnë konservimin dhe restaurimin e monumentit
Koha i ka lënë shenjat e veta nëpërmjet kushteve atmosferike që ia kanë zbehur shkëlqimin. Por Kulla e Sahatit në Prishtinë mbante edhe shenja të vandalizmit, siç janë grafitet e mbetje të tjera nga posterët e reklamave. Pjesa e sipërme e objektit prej 26 metrash i lartë është edhe strehë e shpezëve. E mbetjet e tyre nuk ishin të pakta. Ndikojnë shumë keq edhe në korredimin e pjesës së metaltë.
Por 16 studentë të arkitekturës e të historisë janë bërë bashkë që për disa ditë monumentit në zëmër të asaj që është Prishtina e Vjetër t’ia kthejnë shkëlqimin, të paktën përkohësisht. Janë bërë dy dekada që objekti nuk e luan rolin primar: matjen e kohës. Mekanizmi i vjetër i orës ishte vjedhur, ndërsa i riu nuk punon.
Pos punës praktike në kuadër të projektit “Trashëgimia kulturore si nxitëse e dialogut ndërmjet komuniteteve dhe kohezionit social”, studentët po ringjallin edhe një prej monumenteve më të rëndësishme të Prishtinës. Kulla e shekullit 19-të vazhdon të jetë e mbyllur për vizitorë. “CHwB Kosova” dhe UNDP-ja nëpërmjet studentëve po bëjnë konservimin dhe restaurimin e monumentit.
Të ndarë në grupe, studentët javën e kaluar i kanë riparuar pjesët me më së shumti probleme të monumentit. Poshtë objektit është ndërhyrë me pastrim e me risuvatim të pjesëve të dëmtuara. Lart ndërtesës është pastruar krejt sipërfaqja. Janë rregulluar hapësirat midis tullave dhe pjesa e metaltë. Studentët e Arkitekturës kanë mësuar për Kullën e Sahatit si një stil më vete gjatë periudhës së Perandorisë Osmane. E ata të Historisë në kuadër të leksioneve për shekullin e 19-të. Por marrja pjesë në një proces të drejtpërdrejtë konservimi e restaurimi del të jetë diçka me tjetër peshë.
Stafi i “CHwb Kosova” që bashkë me UNDP-në po e zbatojnë këtë projekt, shpreson që pas kësaj ndërhyrjeje Kulla e Sahatit të rifunksionalizohet dhe të mirëmbahet.
Edona Rugova nga “CHwB Kosova” ka thënë se Kulla e Sahatit ka rëndësi arkitekturore, historike e kulturore. Ka treguar se pjesa e poshtme e saj është e ndërtuar nga guri, kurse e larta nga tullat e kuqe.
“Qëllimi ynë është t’ju krijojmë përvojë praktike studentëve që janë të përshirë në këtë projekt. Janë 16 studentë që bëjnë pastrimin e mureve, risuvatimin e disa pjesëve që kanë qenë të dëmtuara nga kushtet atmosferike. Pastaj disa pjesë të tjera ishin të dëmtuara nga vandalizmi nëpërmjet grafiteve apo ngjitjes së posterëve, gjë që është ilegale pasi objekti është nën mbrojtje si aset i trashëgimisë kulturore”, ka thënë Rugova. Sipas saj, projekti është një përvojë e mirë e studentëve pasi atyre nuk u jepet më shumë rasti që të praktikojnë një punë të tillë. Ka thënë se funksionalizimi i Kullës e hapja për vizitorë do të hapnin tjetër perspektivë për monumentin.
“Shpresojmë që kjo përvojë të ndikojë që disa prej studentëve të profilizohen në fushën e trashëgimisë kulturore kur e dimë se kemi nevojë për kuadro në këtë fushë. Potenciali i Kullës për turizëm është shumë i madh nëse funksionalizohet”, ka thënë ajo.
Rona Kasanaqi, studente e vitit të tretë të arkitekturës, ka thënë se dallimi midis ligjëratave dhe punës praktike është i pakrahasueshëm.
“Unë jam në ekipin që punojmë lart. Së pari i kemi identifikuar problemet e më pas kemi nisur me pastrimin e pjesës lart. Ka pasur shumë mbetje të shpezëve. Më pas kemi bërë edhe pastrimin e hekurave që janë korreduar shkaku i kushteve atmosferike”, ka thënë ajo. Ka treguar se profesionistët e konservimit e të restaurimit i kanë ndihmuar ata në praktikën që e ka konsideruar si shumë të shfrytëzueshme.
“Kulla e Sahatit është xhevahir i Prishtinës. Ne e dërgojmë deri në një fazë por nuk mund ta hapim për publikun. Shpresojmë se do të hapet për publikun”, ka thënë ajo me entuziazëm prej studenteje.
Burhan Gashi, student i historisë, ka mësuar për beteja e ndërtime në kohë të ndryshme. Por në restaurim i duket sikur po prek historinë.
“Në fillim procesi ka filluar me pastrimin e murit nga grafitet. Më pas kemi filluar me gërryerjet e mureve e tash po punojmë me një përzierje të veçantë që muret t’i ngjasojnë origjinalitetit. Për mua është shumë interesante pasi në fakultet kemi narrativë historike të thatë, kurse këtu kemi diçka të prekshme. Është ndryshe të mësohet për Sahat Kullën e ndryshe të marrësh pjesë në restaurim të saj”, ka thënë ai.
Pavarësisht krejt kësaj, shteti nuk ka publikuar ndonjë plan për rifunksionalizmin e monumentit. Thuhet se mekanizmi i orës është vjedhur në vitin 2001 bashkë me kambanën. Ndërsa nga në viti 2002 mekanizmi i orës është zëvendësuar me orë digjitale.
Në fund të korrikut të këtij viti Komuna e Prishtinës dhe UNDP-ja kanë nënshkruar një memorandum për bashkëfinancim të restaurimit të Kullës së Sahatit.
“Tiktaket e orës kemi m’i dëgju shpejt”, kishte paralajmëruar drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Prishtinë, Adrian Berisha.
