Kulturë

Rikthimi i “Siparantumit” në Berlin – prestigj për korin e Kosovën

Kori “Siparantum” në Filarmoninë e Berlinit më  16 prill të vitit 2023 (Foto: Peter Adamik)

Kori “Siparantum” në Filarmoninë e Berlinit më 16 prill të vitit 2023 (Foto: Peter Adamik)

Për të pestën herë kori “Siparantum” do të ngjitet në skenën e institucionit prestigjioz – Filarmonisë së Berlinit. Në festivalin “Walking in Beauty”, të organizuar nga “Choral Space” në Gjermani, vjen me bashkëpunim të veçantë me kompozitorin e pianistin Ola Gjeilo. Ky rrugëtim muzikor veçse ka nisur. “Jo veç përmbajtja, por edhe vendi ku ndodhemi për ne ka një rëndësi shumë të madhe për rrugëtimin tonë si kor, e aq më tepër kur skena të tilla prezantojnë vlerat tona kulturore. Kjo paraqitje ndërkombëtare është e pesta në këtë skenë që është më prestigjiozja në botë”, ka thënë themeluesi dhe dirigjenti i “Siparantumit”, Memli Kelmendi

Kori “Siparantum” e ka bërë vendin e vet në skenën ndërkombëtare. Premiera botërore e një vepre vendore dhe një tjetre ndërkombëtare në skenën e Filarmonisë së Berlinit janë risitë e kësaj here. Në kryeqytetin gjerman, si njëra prej qendrave të muzikës klasike në botë, institucioni muzikor nga Kosova mat edhe shkathtësitë në një tjetër dimension muzikor. 

Dirigjenti Memli Kelmendi, që është edhe udhëheqës i Korit, drejton interpretimin e rreth 500 koristëve në veprën “The Rose” të norvegjezit Ola Gjeilo, një prej figurave më të shquara të kohës. 

Për të pestën herë kori “Siparantum” do të ngjitet në skenën e institucionit prestigjioz – Filarmonisë së Berlinit. Në festivalin “Walking in Beauty” të organizuar nga “Choral Space” në Gjermani, vjen me bashkëpunim të veçantë me kompozitorin e pianistin Gjeilo. 

Ky rrugëtim muzikor veçse ka nisur. Ngjarja është hapur të mërkurën dhe do të mbyllet më 27 prill. Në hapje “Siparantum” ka qenë njëri prej 12 koreve që ka interpretuar në “koncertin mirëseardhës”, siç ka treguar dirigjenti Kelmendi. 

“Ne prej 23 deri më 28 prill do të qëndrojmë këtu. Mbrëmë ka qenë një koncert mirëseardhjeje ku të 12 koret pjesëmarrëse kanë interpretuar nga një e dy vepra prezantuese. Ne jemi paraqitur me veprën e njohur ‘Pranvera filloi me ardhë’ me përpunim koral nga Kreshnik Aliçkaj”, ka thënë ai.   

Ka theksuar rëndësinë e koncerteve për Korin e për skenën muzikore të Kosovës. 

“Besoj jo vetëm për korin ‘Siparantum’, por në përgjithësi për kulturën e vendin tonë. Jo veç përmbajtja, por edhe vendi ku ndodhemi për ne ka një rëndësi shumë të madhe për rrugëtimin tonë si Kor, e aq më tepër kur skena të tilla prezantojnë vlerat tona kulturore. Kjo paraqitje ndërkombëtare është e pesta në këtë skenë që është më prestigjiozja në botë. Besoj që është mundësi unike për koristët, për punën dhe kontributin tonë që po i bëjmë vendit”, ka thënë dirigjenti Kelmendi. 

Më 26 prill, në orën 20:00, “Siparantum” do të performojë në koncertin me titull “Around the World” në kishën “Matthäuskirche” në Berlin. Koristët nga Kosova do të ngjiten në skenë bashkë me koret “Polychromon” nga Greqia, “B-Tenors” nga Spanja dhe “ARTyn” nga Lituania. 

“Siparantum” do të prezantohet me repertor të përzgjedhur me vepra të kompozitorëve të shquar ndërkombëtarë e ato nga vendi. Veçantia do të jetë premiera botërore e veprës “Hear my prayer, O Lord” nga Christian Bährens. Në këtë koncert Kori do të paraqitet së bashku me solistët Rizah Jahaj, Leon Shehu, Erijon Palucaj, Diar Meholli dhe Kaltrina Miftari, nën shoqërimin e pianistëve Denita Dedushaj dhe Agron Shujaku. 

Në një përgjigje për KOHËN nga Berlini, Kelmendi ka thënë se me programet që përzgjedhin përfaqësojnë edhe filozofinë e tyre artistike. 

“Kemi bërë një kombinim midis identitetit tonë kulturor, përfshirë veprat e kompozitorëve tanë të shquar dhe veprat e kompozitorëve botërorë. Do ta vlerësoja veprën ‘Hear my prayer...’ vepër premierë nga Christian Bährens, mirëpo do të thosha që ndërlidhja e elementeve moderne me ato tradicionale e bën më unike paraqitjen tonë karshi koreve të tjera pjesëmarrëse”, është shprehur ai. 

Paraditen e 27 prillit “Siparantum” sërish do të jetë në skenën madhështore të Filarmonisë së Berlinit. Sillet bashkëpunimi i veçantë me kompozitorin e pianistin e njohur Ola Gjeilo. Sërish introja e ngjarjes janë interpretimet e një vepre të secilit prej 12 koreve. Kori nga Kosova do të interpretojë veprën “Zanat e Malit” për kor vajzash, violinë, piano dhe perkusion, të Kreshnik Aliçkajt. Në violinë do të luajë violinistja e mirënjohur Sihana Badivuku, pianisti Agron Shujaku dhe në perkusione do të jetë Aurora Hyseni.  

Autori i veprës, Kreshnik Aliçkaj, në një përgjigje ka bërë të ditur se kjo vepër është shkruar para tre vjetësh. 

“Tash po interpretohet për herë të parë nga kori ‘Siparantum’ në Filarmoninë e Berlinit. Vepra nuk më ka marrë shumë kohë për ta shkruar, nja tri a katër mbrëmje. Është e shkruar për korin e femrave, pra soprano, mexosoprano dhe alt, për piano, violinë dhe kastanjeta”, ka thënë ai. 

 Vepra bashkëkohore karakterizohet me tekst minimal dhe është goxha komplekse, sipas autorit. 

 “Vepra nuk është aq e lehtë për interpretim pasi edhe Korit i ka marrë kohë disa ditë për ta ushtruar, gjithashtu edhe për piano dhe violinë, kështu që është një vepër jo e lehtë për komunikim. Teksti bazohet në titullin, komplet teksti është ‘Zana, zana, zana’ dhe në një moment është ‘Zanat e malit’, vetë e kam përpiluar ashtu. Nuk ka shumë tekst, është vetëm një fjalë”, ka thënë Aliçkaj. 

E në pjesën e dytë të koncertit, koristët e “Siparantum” do të jenë midis afër 500 interpretuesve në skenë, përfshirë këngëtarë e instrumentistë, për të interpretuar veprat e Gjeilos. Siç bëhet e ditur nga “Siparantum”, bëhet fjalë për veprat “The Spheres”, “Tundra”, “Ecce Novum”, “Ave Generosa”, “Across the Vast Eternal Sky”, “The Rose”, “Ubi Caritas” dhe “The Ground”. Të gjitha veprat do të shoqërohen nga vetë kompozitori në piano.

Dirigjenti Kelmendi është ftuar enkas për ta drejtuar veprën “The Rose” me 485 koristë në skenë. 

“Secili kor do të prezantohet me një pikë më datë 27, ne do të interpretojmë veprën ‘Zanat’ dhe pastaj vazhdon programi i Ola Gjeilos, ku ngjiten 12 kore në skenë dhe janë edhe 170 këngëtarë të festivalit, që në përgjithësi arrin numrin prej 485 koristësh që do të ngjiten në skenë bashkë me Orkestrën dhe Ola Gjeilo në piano”, ka thënë dirigjenti e kompozitori Memli Kelmendi. 

Është bërë e ditur se gjatë ditëve të festivalit koristët do të kenë mundësinë të punojnë nga afër me Ola Gjeilon në punëtori intensive artistike dhe sesione bashkëpunimi, duke thelluar përvojën e tyre muzikore dhe ndërkombëtare.

Ky është edicioni i dytë i “Walking in Beauty – ChoralSpace” dhe përfshin performanca, projekte me interpretime të përbashkëta të veprave të Ola Gjeilo dhe punëtori. 

Kori “Siparantum” debutoi në Filarmoninë e Berlinit, në mars të vitit 2022, për t’u rikthyer në shkurt të vitit 2023 dhe në prill të po atij viti me dy koncerte.  

Lexo edhe: