Me vepra Ēriks Ešenvalds, Mendi Mengjiqit, Thomas Simakut e Vaso Toles në program, koncerti i Korit të Filharmonisë së Kosovës, “Stars”, u bë shpërfaqje e pasurisë së folklorit shqiptar dhe alarmit për ruajtjen e tij. Nën dirigjimin e këtij mjeshtri letonez, që impresionohet e inspirohet nga muzika shqipe, koncerti ka përmbyllur edicionin e sivjetmë të “PriVocal Fest”. Mbrëmja i ka ngjarë një ekspedite nëpër pasuritë e muzikës
Është një prej kompozitorëve e dirigjentëve më në zë të gjeneratës së tij. Veprat e tij janë luajtur në plot skena prestigjioze në botë. Ndërkaq, interesimi më i madh i tij koncentrohet te thesaret e fshehura të folklorit të popujve. Ai i sheh ato me urgjencën e rikthimit në jetë dhe dokumentimit me kompozimet e tij. Këtë e ka bërë edhe me muzikën shqiptare, të cilën e vlerëson si pasuri të rrallë.
Ardhja e parë e Ēriks Ešenvalds në Prishtinë konsistoi me edicionin e 5-të të “Prishtina International Vocal Fest”. Rrugëtimi i Festivalit për sivjet kishte nisur pikërisht me ligjëratën e Ešenvaldsit për polifoninë shqiptare, kur kishte prezantuar veprën “Legjenda e gruas së murosur”, që ndërtohet mbi motivet e muzikës së Shqipërisë së Jugut. Praktikën e kësaj teme e kishte dhënë në koncert grupi iso-polifonik “Argjiro” nga Gjirokastra. Ndërkaq nata përmbyllëse e këtij edicioni u shënua me koncertin “Stars” me Korin e Filharmonisë së Kosovës, të mërkurën mbrëma në kishën katolike “Shën Ndou” në Prishtinë.
Ēriks Ešenvalds, pas studimeve në Kolegjin Teologjik Baptist Letonez dhe në Akademinë Letoneze të muzikës, u bë anëtar i Korit Shtetëror të Letonisë. Çmimet të cilat i ka marrë janë të shumta, duke e çmuar krijimtarinë e tij. Ka marrë disa çmime, si “Latvian Grand Music Award”, që iu dha tri herë, e më 2018 mori dekoratën më të lartë të Letonisë, “Urdhrin e Tri Yjeve” për merita në fushën e kulturës. Veprat e tij janë dhënë në skena e formacione të mëdha, si “Lakes awake at dawn” nga Orkestra Simfonike e Bostonit dhe Orkestra Simfonike i Birminghamit, “The Pleiades” për Grant Park Music Festival Chicago, “A Shadow” për BBC Proms e shumë të tjera. Në vitin 2016 në Operën Kombëtare Letoneze u shfaq premierë opera “The Immured”, e cila u vlerësua lart.
“Nga minuta, orët e dita e parë në Prishtinë, jam ndier si të isha në shtëpinë time në Letoni”, thotë Ešenvalds në fillim të intervistës. “Ka qenë një mikpritje shumë e përzemërt”.

Koncerti nisi me veprën e krijuar nga vetë dirigjenti, “Stars”, e cila i ngjan një rrjedhe muzikore. Pas saj kumboi vepra tjetër e tij, “Only in sleep”, e cila nën interpretimin e solistes Adelina Paloja solli qetësi, e që është e bazuar në krijimin e poetes amerikane Sara Teasdale për fëmijërinë që ripërjetohet nëpërmjet ëndrrave.
“Kur fillova të punoj me solistët, u kërkova vetëm një gjë: të jenë fleksibilë, që të më bashkëngjiten në rrugëtimin muzikor dhe ata kanë qenë të tillë. Ata kanë zëra shumë të mirë, secili nga ta mund të bëhet solist, kjo është e mrekullueshme”, u shpreh ai për anëtarët e Korit të Filharmonisë së Kosovës.
Energjia pozitive e bashkëpunimit reflekton që në fillim të koncertit. Me respektin maksimal koristët kanë marrë urdhrat e dirigjentit, teksa edhe tek ai dallohet komunikimi i mirë me ta.
“Çfarë kënaqësie! Është një ndër momentet më të rëndësishme të Filharmonisë së Kosovës. Kanë bërë punë të jashtëzakonshme për të sjellë një emër të jashtëzakonshëm dhe ndër më të kërkuarit e muzikës korale, i cili, përveç të tjerash, në veprat e tij gjen inspirimin në vlerat folklorike të veprave tona”, u shpreh Adelina Paloja.
Solistja ka thënë se është një pikënisje për Filharmoninë e Kosovë drejt rrugës së bashkëpunimit me emra të mëdhenj.
“Një atmosferë e jashtëzakonshme me notat që ka ditur aq bukur t’i gërshetojë me një tekst të mrekullueshëm”, ka thënë ajo për veprën e dytë të koncertit, “Only in sleep”.
Nga copëza ndërkombëtare, koncerti hyn në shtigjet shqiptare. “OEIA” nga kompozitori Mendi Mengjiqi krijoi një peizazh muzikor me zërat që ngriheshin e uleshin dhe bëheshin instrument i gjallë. Rrugëtimi nëpër krijimet shqiptare vazhdoi me një prej veprave të identifikimit të arbëreshëve të Italisë, “Moj e bukura More”. Pas qetësisë së saj, ritmi ndërroi me “Qenke veshur me të bardha” e për të vazhduar me butësinë e “Trëndelinë”, që të tria nën aranzhimin e Thoma Simakut.
“Çu mbush malli” me fuqinë e dëlirësinë e veprës së kompozuar nga Vasil Tole, e cila ka lindur nga poezia e Lasgush Poradecit, erdhi nën interpretimin e zërave të femrave të Korit dhe nën përcjelljen pianistike të Melos Buzës.
Pjesa kulmore e koncertit ishte interpretimi i njërës prej dromcave të Eriks Ešenvalds, si lidhje e tij me kulturën shqiptare. Në rastësi e kishte njohur historinë e Rozafatit në Kalanë e Shkodrës. Si admirues i folklorit të popujve përgjithësisht, kishte marrë mundin e hulumtimit të të gjithë rrëfimit. E dikur edhe e kishte kthyer në vepër muzikore, të cilën Filharmonia e Kosovës e kishte jetësuar edhe më herët. Mirëpo “Legjenda për gruan e murosur” erdhi për të parën herë nën dirigjimin e drejtpërdrejtë të tij. Kësaj radhe vepra nisi me ansamblin vokal të përbërë prej Diellza Sylejamni, Sokol Latifi, Shaban Behramaj e Shqipërim Isufi, për të vazhduar me zërat e solisteve Selvije Marteti dhe Elona Sadiku. Në tërësi ky interpretim tingëlloi si elegji e kujtim për sakrificën e një gruaje, e cila hyri në historinë shqiptare si heroinë.
“Interesimi im për muzikën shqipe ka nisur njëzet vjet më parë, kur isha kompozitor i ri, i sapodiplomuar. Një dirigjent më kishte komisionuar një vepër dhe më tha që koncerti do të jetë dedikim për folklore të vendeve të Ballkanit. Më tha: ‘Shko në bibliotekë, bëj hulumtim dhe do të shkruash e do të aranzhosh diçka”, tregoi Ešenvalds për fillet e njoftimit me muzikën shqipe.
Prej aty edhe fillon lidhja e veçantë e tij me polifoninë. Këngët të cilat i ka dëgjuar dhe poezitë e Martin Camajt i kanë shërbyer që ta nisë ekspeditën e krijimit të “Legjenda për gruan e murosur”. Hulumtimin e kishte vazhduar deri atëherë kur kishte zbuluar në tërësi dimensione të ndryshme të këngëve polifonike e rrëfimit të Rozafatit.
“Unë e nisa kompozimin dhe e mësova se ishte një histori shumë e dhimbshme, se si vëllai i vogël dhe gruaja duhet të sakrifikohen. Ajo është shumë e devotshme. Por kur pranon, thotë se i ka tri kërkesa. I kam kombinuar materialet e trashëgimisë shqiptare në këngën time”, shprehet ai.
Sipas tij është inspirues fakti se si një kompozitor nga Letonia admiron kaq shumë folklorin shqiptar. Mirëpo si hulumtues i saj, jep alarm për dokumentim të kësaj pasurie kombëtare.
“Duhet ta ruajmë atë, ta xhirojmë, të futemi në ekspeditë dhe t’i dokumentojmë sepse sot trashëgimia folkloristike është duke vdekur në shpejtësinë e jetës”, thotë ai. “Sa herë që udhëtoj, shkoj ta mësoj folklorin që vjen prej një tjetër legjende”.
Mirëpo vendin prej ku buron ky rrëfim, ende s’e ka parë.
“E kam në plan të shkoj, kam menduar për këtë. Kur të shkoj, dua të jem i vetmuar sepse kemi shumë gjëra bashkë të jetuara, Rozafa dhe unë. Është moment shumë emocional për mua”, thotë ai për Kalanë e Shkodrës.
Për sopranon Selvije Marteti sa ka qenë nder, aq ka qenë edhe sfidë interpretimi i kësaj vepre.
“Është inspiruar nga këngët iso dhe këngët polifonike, të cilat edhe vetë e tha se kemi një bagazh të mrekullueshëm që ndoshta asnjë popull s’e ka. Për këtë arsye është frymëzuar nga legjenda e Rozafatit dhe e ka shkruar”, tha sopranoja Marteti.
Ndërkaq për bashkëpunimin me të ka thënë se ka qenë i mrekullueshëm. Pranon se solistët kanë përfituar shumë nga qëndrimi i tij në Kosovë dhe si të frytshme i ka cilësuar provat.
“O Salutaris Hostia”, si një nga pjesët më të njohura të Eriks Ešenvalds, fillimisht u shkrua për korin për femra, e që më vonë iu shtua edhe pjesa tjetër e Korit. E meditimin e butë nëpërmjet zërave e sollën sopranot Shkurte Hykaj dhe Urta Haziraj.
“Ka qenë me të vërtetë vepra e parë që e kam kënduar si soliste, kënaqësi shumë e madhe të performoj një vepër që e ka përkëdhelur me aq magji kompozitori dhe dirigjenti”, u shpreh për KOHËN Haziraj. “Provat kanë shkuar shumë mirë, lezetshëm, kemi muzikuar në çdo provë, edhe pse me kohë të gjatë, por jemi kënaqur shumë”.
E pjesët e fundit të koncertit u bënë “Rivers of Light”, që erdhën nën interpretimin e solistëve Dea Hamdiu, Shaban Behramaj dhe Patris Berisha në harpë të gojës. Tinguj të flautit u dëgjuan prej interpretimit të Zana Abazit me veprën “Long Road”. Ndërkaq përmbyllja u shënua me “My song”, nën interpretimin pianistik të Buzës.
Edicioni i 5-të i “PriVocalFest” pas ligjëratës së Ešenvaldsit për polifoninë shqiptare, si dhe me interpretimin e ansamblit “Argjiro” të Gjirokastrës, skenën ua hapi edhe të rinjve për të vazhduar me ansamblin e njohur “The Swingles”, si dhe me koncertin “Mbi re” me sopranon Arta Jashari, me këngët e ikonës Nexhmije Pagarusha.