Nata e parë e “Mitrovica International Jazz Day” ka nisur me një koncert ku bas-kitaristi këngëtari e fituesi i çmimit “Grammy”, Richard Bona, nëpërmjet muzikës së tij ka krijuar atmosferë magjike, duke tejkaluar kufijtë gjuhësorë e kulturorë. Në fushën e muzikës ka pak artistë që arrijnë të kapërcejnë kufijtë dhe zhanret aq pavërejtur sa ai
Bas-kitara, një zgjatim i vetë qenies së Richard Bonës, bëhet mjet nëpërmjet të cilit ai flet gjuhën universale të muzikës. Telat bëhen ura, që lidhin botën e tingujve afrikanë – nga e ka prejardhjen artisti – me improvizimet e jazzit.
Magjia që Bona e përçon nëpërmjet muzikës së tij është ndier në qytetin e Mitrovicës, ku ai bashkë me “Big band” kanë mbajtur koncert në kuadër të “Mitrovica International Jazz Days”.
Në fushën e muzikës ka pak artistë që arrijnë të kapërcejnë kufijtë dhe zhanret aq pavërejtur sa ai. Është një multiinstrumentist, këngëtar, kompozitor dhe producent, aftësia muzikore e të cilit ka mahnitur audiencën në mbarë botën. Bona ka fituar disa çmime duke përfshirë një “Grammy”.
Një nga aspektet më të shquara të muzikës së tij është aftësia e tij për të kapërcyer pengesat gjuhësore e kulturore. Muzika e Bonas është një dëshmi e fuqisë së artit për të lidhur njerëz nga të gjitha sferat e jetës. Edhe të hënën mbrëma ai e ka dëshmuar këtë aftësi duke komunikuar me publikun ndërmjet secilës këngë me histori personale e anekdota.
Pas koncertit Bona e ka përshkruar ngrohtësinë që e ka ndier në qytetin e Mitrovicës.
“Janë ndjenja të mrekullueshme. Kjo është hera ime e parë në Kosovë dhe në të vërtetë nuk mund të gjej fjalë. Një koncert i bukur dhe njerëz të bukur. Prej kur kam ardhur kam kaluar kohë të mrekullueshme këtu, edhe me muzikantët kemi mbajtur disa prova, kam ngrënë ushqim shumë të shijshëm dhe jam i lumtur”, ka thënë Bona.
Që nga debutimi i tij solo në vitin 1999 me albumin “Scenes from my life”, Bona ka mbrojtur idenë e muzikës që është universale, bujare dhe e arritshme për të gjithë. Ai u lind më 1967 në Minta, një fshat i vogël i Cameroonit, në një familje ku nëna dhe gjyshi i tij ishin këngëtarë. Bona ka luajtur në balafon – instrument tradicional – deri në moshën katër vjeç, dhe më pas ai mësoi veten të luante kitarë. Më vonë, në kryeqytetin e Doualas, një pronar i një klubi jazzi i luajti atij disqe nga basisti Jaco Pastorius dhe Bona vendosi të mësonte veten të luante në bas gjithashtu. Në vitin 1989 ai shkoi në Evropë, duke jetuar në Gjermani për një kohë para se të transferohej në Francë për të përfunduar arsimin e tij për bas-kitarë. Mori mësime për rreth shtatë vjet në Paris dhe në të njëjtën kohë u bë një personazh i njohur në klubet e kryeqytetit, ku u takua me Didier Lockwood dhe Marc Ducret, dhe afrikanët Manu Dibango dhe Salif Keita.
Albumet e tij, si “Scenes from my life” dhe “Tiki”, këngë nga të cilët ka interpretuar në sheshin “Isa Boletini” në Mitrovicë ndërthurin jazz-in, ritmet afrikane e popin, duke krijuar një tingull që e veçon atë. Tekstet e tij, të kënduara shpesh në “douala”, dialektin e tij amtar dhe gjuhë të tjera, përcjellin tema universale të dashurisë, unitetit dhe ndërgjegjes sociale. Ai ka thënë se muzika mund të jetë një urë lidhëse midis shoqërive dhe perspektivave të ndryshme.
“Muzika është universale, secili njeri dëgjon muzikë dhe kur e ke shansin të luash muzikë të mirë, njerëzve nuk u pengon fare pse teksti është në një gjuhë tjetër, gjithçka fokusohet te ndjenja që ajo muzikë të jep dhe mendoj se këtë e bëmë sonte, secili pati një paraqitje të nivelit të lartë dhe çdo gjë ishte e bukur”, ka thënë Bona.
“Big band” është udhëhequr prej dirigjentit Edon Ramadani. Ai e ka vlerësuar përgjegjësi interpretimin e këngëve të një artisti të përmasave të Richard Bonës. Thjeshtësia e tij, Ramadani ka thënë se e ka lehtësuar secilën sfidë gjatë provave dhe koncertit.
“Ka qenë një përgjegjësi e madhe të them të drejtën, së pari sepse e kemi pasur një artist të një kalibri të tillë ndoshta për herë të parë sa i përket zhanrit jazz. Përgjegjësia më e madhe sa i përket përgatitjes së bendit më ka takuar mua, por kemi pasur punë me muzikantë të mrekullueshëm dhe jam shumë i emocionuar, kam pasur besim të plotë në të dhe jam shumë i lumtur që ia kemi dalë. Richard Bona është një artist shumë i madh, një qenie njerëzore me një zemër shumë të madhe”, ka thënë
Ramadani.
Hapjen e “Mitrovica International Jazz Days” me një koncert të tillë, Ramadani e ka vlerësuar të mbarë. Ka thënë se shpreson që tash e tutje kjo nismë të përkrahet sa më shumë në mënyrë që skenës kulturore në vend t’i shtohen ngjarje të tilla.
“Shpresoj dhe dëshiroj që ky festival që ka nisur me një natë kaq bombastike të ketë një përkrahje maksimale dhe të vazhdojë përjetësisht”, ka thënë Ramadani.
Organizatorja e “Mitrovica International Iazz Iays”, Rona Nishliu, me shumë emocion ka folur pas koncertit. Megjithatë, ka theksuar se me krijimin e përvojave të ndryshme ka mësuar që të mos ketë pritshmëri, në këtë mënyrë edhe e ka shijuar koncertin për rezultatin e të cilit ka thënë se ishte i bukur.
“Me kalimin e kohës jam mësuar që është më mirë me e jetuar momentin dhe mos të kemi pritje të caktuara. Pritjet nganjëherë mund të ndikojnë në rezultatin e vërtetë dhe unë mendoj se pa pritje është shumë më bukur. Është e rëndësishme të punojmë fort, të këmbëngulim për të realizuar punë të mira”, ka thënë Nishliu.
Sipas Nishliut, publiku ka pasur një rol shumë të rëndësishëm që mbrëmja të përfundojë në këtë mënyrë. Edhe gjatë koncertit ajo ka falënderuar veç e veç secilin duke përfshirë edhe audiencën e adhuruesit e muzikës jazz.
“Publikun e kemi pasur tepër të mirë, ka qenë i përbërë nga njerëz që e pëlqejnë muzikën, nga muzikantë nga e gjithë Kosova, të cilët na kanë përkrahur me prezencën e tyre. Jemi tepër mirënjohës dhe pa diskutim jemi shumë të lumtur që e kemi pasur një audiencë të tillë, e cila me të vërtetë e pëlqen muzikën e tij dhe mendoj që audienca e ka mirëpritur dhe jam tepër e lumtur”, ka përfunduar Nishliu.
Muzikanti i njohur botërisht, Richard Bona, e ka hapur “Mitrovica international jazz days’ dhe të martën nata e dytë ka vazhduar me Elina Dunin dhe Rob Luft.