Kulturë

“Rezistenca” me dhunën serbe dhe shpresën që sillnin senatorët amerikanë

Kur qytetarët e Kosovës kishin marrë vesh se ish-senatori Bob Dole bashkë me kolegë do të hynin në hotelin “Grand”, korzoja e atëhershme - bulevardi i sotëm “Nëna Terezë” në Prishtinë - ishte mbushur me njerëz. “Liri” dhe “USA” ishin midis të brohoriturave që vinin si kor. Në ekspozitën “Rezistenca” të dielën, kur edhe është shënuar Dita e Çlirimit të Prishtinës, Hazir Reka i ka kthyer “personazhet” e shkrepjeve të tij në hollin e hotelit “Grand”

Marsi i vitit 1989 do të shënonte një prej goditjeve më të mëdha që kishte marrë Kosova nën ish-Jugosllavi: suprimimin e autonomisë që ish-Krahina e gëzonte qysh prej Kushtetutës së vitit 1974. Tashmë Serbia e kishte zyrtarizuar represionin mbi shqiptarët e Kosovës. Përderisa lirisë po i zihej fryma dita-ditës, shqiptarët kishin nevojë për shpresë. E shenja e qartë se fuqia më e madhe e botës demokratike, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin nisur të interesoheshin për popujt e këtyre anëve, sidomos për atë të Kosovës, do të jepej në fundgushtin e vitit 1990.

Kur qytetarët e Kosovës kishin marrë vesh se ish-senatori Bob Dole bashkë me kolegë do të hynin në hotelin “Grand”, korzoja e atëhershme e bulevardi i sotëm “Nëna Terezë” në Prishtinë ishin mbushur me njerëz. “Liri” dhe “USA” ishin midis brohoritjeve që vinin si kor. Policia e asaj kohe kishte marrë për detyrë që ta shpërndante turmën. Përleshja do të ishte një histori më vete. E një prej dokumentimeve më të mira asaj ngjarjeje ia ka bërë fotoreporteri Hazir Reka. Në ekspozitën “Rezistenca”, të dielën kur edhe është shënuar Dita e Çlirimit të Prishtinë, Reka i ka kthyer “personazhet” e shkrepjeve të tij në hollin e hotelit “Grand”. Në bardhezi në rreth 30 shkrepje ai shpërfaq dramën e ditës së 30 gushtit 1990. Takimi i delegacionit amerikan me udhëheqësit shqiptarë dhe me ata serbë, bashkë me turmat e njerëzve që kërkonin liri e ndiqeshin nga policia serbe, në fotografitë e Rekës vijnë si dëshmi të kohës kur vuajtja dhe shpresa nuk i lëshonin rrugë njëra-tjetrës. Ajo ditë do të merrte vëmendje të madhe edhe në mediat ndërkombëtare.

“Policët për kontrollimin e turmave dhe trazirave përdorën gaz lotsjellës sot për të shpërndarë mijëra shqiptarë etnikë në pritje të një delegacioni të Kongresit të Shteteve të Bashkuara për t’u ankuar për shkeljet e të drejtave të njeriut”, raportonte prestigjiozja “The New Times”. Sipas artikullit, bëhej fjalë për rreth 10 mijë veta, midis të cilëve kishte të plagosur e të lënduar. Në raport shkruhet ,po ashtu, se shqiptarët etnikë që përbëjnë 90 për qind të popullsisë së Kosovës protestonin kundër tkurrjes së autonomisë. Fotografitë dokumentare të Rekës, i cili asokohe punonte për “Zërin”, e shpërfaqin atë që e përshkruante e përditshmja prestigjioze amerikane. Senatorët Bob Dole, John W. Warner, Jake Garn, Don Nickles, Alfonse M. D’Amato, Steve Symms e Connie Mack po interesoheshin për këtë vend. Biznesmeni Jim Xhema kishte luajtur një rol kyç në ardhjen e këtij delegacioni. Ata ishin takuar me përfaqësuesit shqiptarë, në krye të të cilëve ishte presidenti Ibrahim Rugova. Adem Demaçi, Idriz Ajeti, Fehmi Agani, Rexhep Qosja, Alush Gashi, Veton Surroi, Avni Spahiu, Luljeta Pula, Gazmend Pula e Shkëlzen Maliqi ishin midis përfaqësuesve të shqiptareve të Kosovës.

Maliqi ka qenë i pranishëm në hapje të ekspozitës. Ka thënë se atëherë kanë pasur shpresa, por nuk e kanë ditur se nga po shkojnë.

“Ne asokohe kishim shpresë veç për zgjedhje të lira. Atë vit për Krishtlindje presidenti i SHBA-së, George Bushi i vjetër, e kishte bërë atë kërcënimin se Serbia nuk mund të kalojë kufirin në raport me Kosovën e Maqedoninë. As intervenimi i 1999-s nuk ka qenë aksident”, ka thënë ai. Sipas filozofit e kritikut të artit, vizita e senatorëve e ka dhënë frytin e vet.

“Më pas rezistenca e udhëhequr nga Rugova, faktet se Serbia po përgatiste gjenocid, e dalja e UÇK-së e kanë bërë të kuptueshme se është dashur të bëhej ndërhyrje që të çlirohej ky vend. Këto fotografi e të tjerat në vitet ’90 duhet të jenë pjesë e një muzeu të rezistencës”, ka thënë Maliqi.

Publicisti Halil Matoshi i cili asokohe si i ri ishte ndër zërat publikë për liri e demokraci në Kosovë, ka thënë se ekspozita tematike e maestro Hazir Rekës, “Rezistenca”, në hotelin “Grand”, në vendin autentik ku ndodhi kjo ngjarje, karakterit historik të kryeqytetit ia shton edhe karakterin epik dhe estetik.

“Përjashta këtij holli, dhjetëra mijëra shqiptarë që kishin dalë ta prisnin delegacionin e Senatit amerikan u përplasën me policinë serbe. Reka dëshmon duke i zgjatur në kohë ato fytyra, atë epokë dhe personazhin tashmë eternal, Faik Rexhepin, njeriun që lidhjen me tokën e tij e bën dramë universale mbijetese e qëndrese”, ka thënë Matoshi në hapje të ekspozitës. Aty qëndron edhe fotografia ku Faik Rexhepi po qëndronte i ulur derisa turma po shpërndahej nga policia. Figura e tij është shndërruar në skulpturë të titulluar “Këmbëkryq” dhe qëndron në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Matoshi ka thënë se kujtesa institucionale është fare e brishtë në shoqërinë kosovare, pasi shumë pak është dokumentuar dhe i është ofruar publikut. “Ne ende kemi prirje që në shkolla të mësojmë për historitë ilire e pellazge. Por shyqyr që shqiptarët e Kosovës kanë pasur Hazir Rekën e kolegët e tij dhe që e kanë ngrirë kohën me fotografi në momente kyç”, ka thënë ai. Ka kujtuar se pas kësaj vizite të delegacionit të senatorëve më 1996 është hapur Zyra Amerikane që e ka luajtur rolin e një ambasade në Prishtinë.

“Kjo është ardhja e Amerikës. Kosova pa Amerikë nuk mund të qëndrojë në këmbë të veta, as demokratike dhe as e pavarur. Ne jemi të pavarur aq sa do Amerika, jo veç ne si shqiptarë e si Ballkan, por edhe si Evropë”, ka thënë ai.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se në ditën kur festohet për çlirimin e Prishtinës, nëpërmjet fotografive të Rekës kujtohen edhe lumenjtë e njerëzve që më 1990 po kërkonin liri. Ka kujtuar se si 14-vjeçar asokohe ishte midis turmave.

“Janë bërë punë të mëdha me dekada për çlirimin që e festojmë dhe e gëzojmë sot. Të gjitha këto do të ishin të zbehta pa i pasur të gjitha këto fotografi që sot na tregojnë se nëpër çfarë kanë kaluar shoqëria e populli ynë. Këto na tregojnë edhe për miqtë tanë të mëdhenj amerikanë”, ka thënë Rama. Për fotografinë me Faik Rexhepin ka thënë se do të ketë një konkurs në mënyrë që të monumentalizohet ai moment.

Fotoreporteri Hazir Reka, që ka punuar për media vendore e ndërkombëtare, përfshirë agjencinë e lajmeve Reuters, si zakonisht ka qenë tejet fjalëshkurtër. “Më vjen mirë që këto personazhe i kam mbledhur pikërisht në këtë vend ku është mbajtur takimi”, ka thënë ai. E personazhet e Rekës janë të tejkohshëm. I ka ngrirë në imazhe, ashtu siç edhe e kishin vullnetin për të qenë të lirë.