Kulturë

Rezistenca e një shkolle shpaloset nëpërmjet fotografive

Për nder të festave të marsit, në Prizren është hapur ekspozita me fotografi e titulluar “Rezistenca e shkollës ‘Mati Logoreci’ (dikur ‘17 Nëntori’) në vitin 1992” nga autori Byrhanedin Bojaxhiu. Ai ka treguar se dosjen nga arkivi i fshehur e ka shpalosur për të rikujtuar sakrificën e komunitetit shkollor për arsimim e dije në kohë të vështira

Rrëfimet për shtëpitë-shkolla në Kosovën e viteve ’90 nuk janë të pakta. Shqiptarët asokohe ishin detyruar që të bënin jetë paralele institucionale sa i përket sidomos shkollimit dhe shëndetësisë. Regjimi serb nuk duronte që nxënësit shqiptarë të shkonin në shkolla për të mësuar në gjuhën e tyre. Por përtej rrëfimeve për helmime masive të nxënësve shqiptarë, torturimit të tyre e stafit të mësimdhënësve, në Prizren regjimi ia kishte futur flaken një shkolle. Përkushtimi për të vazhduar punën bashkë me krejt historinë e asaj kohe tash shpërfaqet në një ekspozitë.

Rezistenca e shkollës fillore “Mati Logoreci” në Prizren gjatë vitit 1992 është paraqitur nëpërmjet një ekspozite me fotografi, të cilat dëshmojnë rrugëtimin e vështirë të shkollës në gjuhën shqipe. Dhjetëra fotografi të ekspozuara kanë sjellë dëshminë se si kjo shkollë në vitin 1992 ka qenë e vetmja shkollë fillore në Komunën e Prizrenit që është detyruar ta mbajë mësimin jashtë ndërtesës së saj, përkatësisht në shtëpi-shkolla dhe në xhamitë e qytetit.

Organizatori i kësaj ekspozite, Berat Batiu nga shoqata për kulturë dhe art “Fidani”, ka vlerësuar se ky thesar i fotografive, që dokumenton rezistencën e shkollës “Mati Logoreci” (ish-“17 Nëntori”) është i ndarë në tri pjesë.

“Pjesa e parë janë faksimilet dhe vendimet më të rëndësishme që janë marrë atë vit për shkollën 'Mati Logoreci'. Në grupin e dytë të fotografive bëjnë pjesë protestat për hapjen e shkollës shqipe, jo vetëm të arsimtarëve dhe prindërve, por edhe të nxënësve me moton 'Duam shkollë'”, ka thënë Berat Batiu nga shoqata “Fidani”. Sipas tij, në pjesën e tretë janë fotografitë që dëshmojnë për djegien e shkollës “Mati Logoreci”, që ka qenë një rast i veçantë në shkollat fillore.

"U dogj shkolla se barbari kishte qëllime të tjera që atë shkollë ta shndërronte në një shtëpi të refugjatëve që kishin ardhur në atë kohë nga Kroacia, por nuk e arriti qëllimin falë protestave të popullit, prindërve, nxënësve dhe arsimtarëve. Dhe pjesa e tretë e fotografive, që është një rast i veçantë, që vetëm shkolla ‘Mati Logoreci’ në mbarë Kosovën ka punuar në shtëpi-shkollë si të gjitha shkollat e mesme”, ka thënë ai.

Autori i ekspozitës, njëherësh ish-drejtor i shkollës “Mati Logoreci” në vitet e rezistencës, Byrhanedin Bojaxhiu, ka pohuar se dosjen me fotografi e ka ekspozuar për nder të shënimit të festave të marsit.

“Gjithë këtë dosje e kam pasur 33 vjet në një arkiv të fshehur. Duke e parë të arsyeshme që Dita e Mësuesit është baras me emrin nënë, mësues dhe atdhe, këto unë i kam bërë si pjesë të jetës sime”, ka thënë ai.

Sipas tij, ekspozita rikujton historinë nga e kaluara, ku nxënësit e kësaj shkolle kanë vijuar mësimin në 5 xhami dhe 45 shtëpi-shkolla, dhe vjen si përkujtues për gjeneratat e reja.

“Dhe duke i parë këto fotografi tash që i kemi do të jetë me siguri një dëshirë e imja që ata të shohin se ku është mësuar, çfarë vullneti kanë pasur dhe çfarë kushtesh tash kanë dhe sa mësojnë”, ka thënë Bojaxhiu.

Ndërkaq drejtori aktual i kësaj shkolle, Hilmi Rexhaj, ka theksuar se angazhimi i sotëm i menaxhmentit është që kjo porosi të çohet tutje.

“E falënderoj ish-drejtorin dhe po ashtu sekretarin për mbledhjen e këtyre materialeve që janë si model për gjeneratat e reja, që ta kujtojnë se në çfarë kushtesh është punuar në atë kohë. Dhe ne në këto kushte do të mundohemi që mundin dhe amanetin e tyre ta çojmë përpara”, ka thënë Rexhaj.

Sipas të dhënave të ekspozuara bashkë me fotografitë, ndërtesa e kësaj shkolle ishte djegur në mars të vitit 1992 nga dy policë serbë. Ndërkaq në prill të atij viti, mësimi filloi në shtëpitë private dhe në pesë xhami, të cilat ishin në afërsi të kësaj shkolle.