Në ditëvdekjen e tij, në 25 shkurtin e vitit 1982, s’qenë të shumtë ata adhurues e miq të tij që ia dhanë lamtumirën e fundit siç do të mund të përcillej një alamet kompozitori si ai. Por, edhe atëherë edhe sot e kësaj dite, veprat e Rexho Mullqit janë të patejkalueshme kur flitet për muzikën e tij, “apoteozë e nënqiellit të këtij vendi dhe e njerëzve të tij”. U dëgjuan edhe në ceremoninë krejt të thjesht, por me peshë, të premten në 40-vjetorin e vdekjes së kësaj figure të shquar
Muzikën që krijonte ai e cilësonte rrëfim të tijin, të popullit të tij. “Është apoteozë e nënqiellit të këtij vendi dhe e njerëzve të tij, këngë e maleve hijerëndë, e luginave të gjelbra, e lumenjve me zhurmë, rrëfim i legjendës të së kaluarës dhe këngë e agimit të diellit...”, do të thoshte kompozitori i madh Rexho Mulliqi.
Ky citat i tij, shkruar me shkronja makine shtypi, është përzgjedhur për posterin krahas portretit të Rexho Mulliqit, vendosur në sallën e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, në ceremoninë përkujtimore për 40-vjetorin e vdekjes së tij. Miq, kolegë e personalitete të tjera të gjeneratës së re, janë bërë tok në këtë ngjarje organizuar të premten prej Ministrisë së Kulturës në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës dhe Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Në një atmosferë intime, janë evokuar jeta e vepra e Mullqit si figurë me peshë në muzikën e kulturën shqiptare, vlerat e tij të çmuara që hapën rrugë në të gjallë të tij, por që edhe sot e kësaj dite janë udhërrëfyese e të patejkalueshme kur flitet për historinë e muzikës shqipe.
Muzikologia Rreze Kryeziu-Breznica ka thënë Rexho Mullaj – siç i referohet ajo mbiemrit të kompozitorit, për të cilin jo rrallë ka pasur debate e polarizime – njihet si pionier i muzikës artistike në Kosovë, jo vetëm për faktin se kanë krijuar bazat moderne të një krijimtaria muzikore, por edhe për bartjen e përvojave nga puna me amatorë në këtë fushë.
“Ai konsiderohet të jetë personazhi kryesor i muzikës artistike të shqiptarëve”, ka thënë Kryeziu-Breznica. Sipas muzikologes, kompozitori i shquar “është përfaqësues i identitetit kulturor kombëtar të Kosovës, tek i cili inspirimi nga folklori vërehet të jetë prezent në veprat e tij, por gjithmonë i trajtuar në suazat e hapësirave të tjera krijuese evropiane”. “Nga moduset e veprimtarisë së përbashkët në relacionin folklor-kompozitor, relacioni i tij është me karakter dhe shfaqet me përfshirjen e idiomës folklorike në gjuhën e tij”, ka thënë ajo.
Kryeziu-Breznica ka marrë në shqyrtim të thuktë edhe disa prej veprave të tij e prej kësaj ka nxjerrë edhe konstatime të përgjithshme. Njëri prej tyre ka qenë edhe ai se “Rexho Mullaj dallohet për aftësinë e tij për të përzgjedhur atë që ishte tipike në muzikën popullore shqiptare dhe për të krijuar forma organike mbi bazën e saj”.
“Ishte ky orientim i përgjithshëm stilistik i shkollës kompozuese vendore”, ka thënë Kryeziu-Breznica. Ka cituar edhe muzikologun e njohur shqiptar, akademikun Engjëll Berisha (1934 – 2015), “i cili e njihte personalisht Mullajn”.
“Ideali i Mullajt ishte ‘populli ynë’. Ai ishte i përkushtuar të krijonte një muzikë që komunikon me një gamë të gjerë amatorësh e me audiencë të muzikës artistike”, ka cituar Kryeziu-Breznica.
Muzikologia ka thënë se duke qenë kompozitor me orientim stilistik kombëtar dhe duke marrë parasysh përmbajtjen e veprës, Mullaj do ta kishte të pashmangshme përdorimin e elementeve të muzikës popullore tërë kjo e arritur në mënyrë diskrete nga motivi, shndërrimi me anë të tingëllimës, lëvizjet e realizuara në intervalin e sekondës së zmadhuar, e të tjera. “Simfonia e titulluar “Kosovare” tregon përpjekjet e kompozitorit për të shprehur përvojat më të vështira që ka përjetuar Kosova dhe si rezultat merr karakterin e saj elegjiak, por fakt i dukshëm është prania e dramaticitetit brenda saj”, ka thënë ajo.
Rexho Mulliqi vdiq më 25 shkurtin e vitit 1982. Lamtumira e fundit, nuk iu dha ashtu siç do ta meritonte një alamet kompozitori. Edhe këtë pjesë e ka sjellë Kryeziu-Breznica në referimin e saj.
“Meqenëse ishte viti i konfliktit për shqiptarët e Kosovës (filluan konfliktet ndëretnike), shumë miq dhe adhurues të tij nuk i dhanë nderimet e fundit në ceremoninë mortore për arsye objektive apo barriera politike. Nuk kemi asnjë ide se ku ka dashur konkretisht të varroset, përveçse të prehet në vendlindje me një ceremoni modeste dhe të lërë trashëgimi e detyrim veprën kompozicionale, pasurinë artistike. Asnjë nga meloditë e tij nuk u dëgjua gjatë ceremonisë mortore”, ka thënë Kryeziu-Breznica.
Por muzika e vepra e tij nuk kanë munguar në ceremoninë përkujtimore të 40-vjetorit të vdekjes së tij. “Baresha”, të cilën e interpretoi në violinë Arsim Gashi, dhe “Nji lule” nga sopranoja Urta Haziraj, shoqëruar në piano nga Valton Beqiri, qenë dy pikat muzikore që sollën frymën e opusit krijues të Mulliqit.
Gazetari e producenti, Dardan Selimaj, njëherësh menaxher në Filharmoninë e Kosovës, në mungesë të kompozitorit Rafet Rudi, ka lexuar referatin e tij, përderisa ka moderuar edhe ceremoninë.
“Besoj se për askënd nuk është kontestuese fakti se kënga popullore shqipe ndikon drejtpërdrejt në formimin e gjuhës shprehëse, dhe se ky raport është qenësor në zbërthimin e stilit dhe origjinalitetit të muzikës se tij. Rexhoja këngën shqipe e dëgjonte, e adhuronte, me të ishte i lidhur në punën e tij të përditshme”, ka qenë konstatimi i Rudit në referatin e 1991-s, të risjellë edhe në ceremoninë e 40-vjetorit.
Por para kësaj, Rudi ka shkruar se në këtë nënqiell ballkanik, përkatësia kulturore kombëtare ka qenë gjithmonë një çështje kontroverse, « me të cilën, siç dihet, shpeshherë është manipuluar ». Për këtë, sipas Rudit, ka shembuj të shumtë në planin jugosllav, si J. Sllavenski, I. Andriq, M. Selimoviq etj.
“Është e kuptueshme se përcaktimi i tillë është një çështje private, personale, dhe si e tillë (sidomos nga këndi i artit) e parëndësishme. Mendoj se e tillë ka qenë edhe për Rexhon, por evidente kjo nuk ka qenë e parëndësishme për disa qarqe këtu në Kosovë, posaçërisht për ata të mbledhur rreth gazetës ‘Jedinstvo’ dhe rreth Radio-Prishtinës aktuale. Kjo çështje është gjithmonë një temë e nxehtë. Le të na kujtohet në këtë rast sesa pluhur u ngrit para disa vjetësh, lidhur me atë se a duhet shkolla e muzikës në Gjilan të quhet ‘R. Mulliqi’ apo ‘R.Mulliq’. Sulmet bëheshin me motivacion të çuditshëm se ‘po dëshirohet të shqiptarizohet mbiemri i tij (!)’”, ka shkruar Rudi.
Rudi ka kujtuar se siç dihet, Mulliqi shkruante aranzhmane, stilizonte këngën popullore dhe në fund krijonte në këtë zhanër.
“S’do mend se këngën popullore Rexhoja e absorboi në atë masë, sa që nuk gjejmë vepër të tij, të thuash, e cila nuk është nën ndikimin e fortë të muzikës shqipe. Në këtë drejtim do të thosha se afërsia njerëzore e Rexhos, karakteri i tij i hapur dhe i sinqertë, kosmopolitizmi i tij i ka futur, si duket, njerëzit e këtyre qarqeve që i përmenda më lart në lajthitje”, ka thënë Rudi. Sipas kompozitorit, ka pasur shpeshherë tentime që ai të përvetësohet dhe të trajtohet si “përfaqësues karakteristik i muzikës jugosllave”, apo si përfaqësues i “një muzike kosovare, të menduar si muzikë neutrale të papërcaktuar kombëtarisht”.
“Mendoj se si demant i kësaj, asgjë më të bindshme dhe më kuptimplotë i përgjigjet, sesa vetë vepra e tij, karakteri i veprës së tij, veçoritë themelore të gjuhës shprehëse të saj të cilat janë, par excellance, krejtësisht vendore. Ma merr mendja se kjo është vështirë të demantohet”, ka konstatuar Rudi.
Përtej fjalëve, tingujt e muzikës së Rexho Mulliqit kanë qenë ato që kanë folur edhe më zëshëm.
“Në hyrje të sallës besoj iu kanë tërhequr vëmendjen tingujt e kohës së parë të ‘Simfonisë së parë’. Deri në vitin 2008, kur në Koncertin e Pavarësisë u interpretua kjo vepër për herë të parë, “Simfonia e 2-të’ e Mulliqit konsiderohej si e vetmja që ai ka shkruar. Partiturat e saj, Filharmonia e Kosovës i pati siguruar nga dirigjenti Bahri Çela”, ka kujtuar krejt në fund të ceremonisë, Dardan Selimaj, derisa tingujt e veprës dëgjoheshin në sfond. Por ai ka pasur edhe një vërejtje a porosi: “Dhe kaq vite pas, nuk kemi një ndërmarrje serioze për botimin e veprave të kompozitoreve tanë dhe qasja te bibliotekat personale është e vemja mundësi për studiuesit e së ardhmes”.