Kulturë

Rexhep Qosja nderohet me çmimin “Letërsia shqipe”

Rexhep Qosja duke pranuar nga Hajrulla Çeku çmimin "Letërsia shqipe"

Foto: MKRS

Ministria e Kulturës ka kthyer çmimin “Letërsia shqipe”  për ta nderuar akademik Rexhep Qosjen. Prej vitit 2017, kur ishte themeluar ky çmim, me të ishte nderuar vetëm shkrimtari Ismail Kadare. Të martën, në ceremoninë e  ndarjes së çmimit për vepër jetësore “Azem Shkreli” dhe çmimeve të tjera vjetore në fushën e letërsisë, Qosja është nderuar si njëri prej ndikuesve më të mëdhenj të letërsisë shqipe.

Me çmimin kombëtar letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli” është nderuar shkrimtari Bajram Kosumi, kurse Ballsor Hoxhës i është ndarë çmimi për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku”, për përmbledhjen e tregimeve “Kratere njerëzish”.
Çmimi për veprën më të mirë në poezi “Ali Podrimja” i është ndarë Donika Dabishevcit për librin me poezi “E gjithëkohshmja andërr”.

Çmimi për letërsinë për fëmijë dhe të rinj “Vehbi Kikaj” i është ndarë Dije Demirit për librin “Ama dorën”, përderisa çmimi për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë “Ibrahim Rugova” u nda mes dy studiueseve: Eronita Kqiku për librin “Arti i brikolazhit” dhe Meliza Krasniqi për librin “Shkrimtarët shqiptarë 1954-1990”.

Çmimi për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe “Pjetër Bogdani” i është dhënë Lorenc Hajdarit, për përkthimin e librit me poezi “E thëna figurativiste”, të autores gjermane Ulla Hahn.

Anëtarë jurie për ndarjen e çmimeve sivjet ishin: Majlinda Bregasi, Entela Tabaku, Blerina Rogova-Gaxha, Hysen Matoshi dhe Shpëtim Selmani.

Akademik Qosja në fjalën e tij ka thënë se roli i letërsisë në këtë kohë është shumë i rëndësishëm.

“Në kohën në të cilën po jetojmë bota po përjeton ndryshime të shpejta, kur e kur shqetësuese apo madje edhe të frikshme, letërsia është ngushëllim për ne, por edhe mjet shpirtëror që na ndihmon të luftojmë, pra të luftojmë për lirinë, të vërtetën dhe të drejtën. Letërsia na mëson, ajo na tregon kush jemi dhe çka mund të bëjmë”, ka thënë Qosja.

Motivacionin për ndarjen e çmimit “Letërsia shqipe” e ka lexuar ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.  

“Letërsia shqipe në dimensionet shumëpalëshe të krijimtarisë letrare dhe të mendimit historiko-letrar e kritik letrar e ka akademik Rexhep Qosjen shenjen më përfaqësuese të identitetit të saj. Romanet dhe dramat e tij janë prurje që ndryshuan rrjedhën letrare shqipe të kohës, e shkëpusin atë nga konformizmi mbizotërues i poetikës së realizmit socialist duke qëndruar gjithnjë në kërkim të dimensioneve të reja estetike moderne, shprehëse, strukturore dhe përmbajtjesore”, ka thënë Çeku.

“Letërsia dhe artet e bëjnë njeriun më të mirë, e bëjnë njeriun më humanist dhe e bëjnë njeriun më vizionar. Prandaj investimi në letërsi është një strategji për ta fituar dhe për ta ruajtur mirësinë e njeriut, humanizmin e njeriut dhe luftën për liri”, ka thënë Kosumi.

Ministria e Kulturës tradicionalisht ndan këto çmime si mirënjohje e përkrahje për krijuesit letrarë.