Kujtimet për Rexhep Lucin ndërtohen mbi dashurinë e tij për qytetin e për profesionin e tij. Ishte kundër ndërtimeve pa leje e atyre që prishin imazhin e qytetit. Rrëfimi në dokumentarin “What killed the Architect?” për hartuesin e planeve urbanistike të Prishtinës jepet nëpërmjet kujtimeve të familjarëve e miqve e bashkëpunëtorëve të tij. “Përgjigjen më të duhur për vrasjen e Rexhepit e gjejmë në atë se si duket sot qyteti“, thotë në rrëfimin e saj Luljeta Çejku-Sokoli
Projektuesi i Prishtinës e arkitekti i brezit të parë në Kosovë, Rexhep Luci, ishte gjetur i vrarë më 11 shtator të vitit 2000. Gjashtë plumba ia kishin përshkuar trupin, derisa qe qëlluar pas shpine derisa po kthehej në banesën e tij në Prishtinë. Kishte punuar për 30 vjet në urbanizmin e Prishtinës, duke i dhënë qytetit pamje moderne. Vëllai i tij, arkeologu Kemajl Luci, një ditë pas vrasjes kishte deklaruar për media se e kishin vrarë “armiqtë e Kosovës”. Rrëfimi i patreguar nga familjarët tash e 22 vjet pas vrasjes u shpalos në dokumentarin “Rexhep - What killed the architect?”, të dielën në “DokuFest”.
Vrasja e arkitektit Rexhep Luci vlerësohet si pasojë e kundërshtimit që bënte ndaj ndërtimeve ilegale në Prishtinën e pasluftës. Dyshohet se vrasja e tij ishte planifikuar shumë kohë më parë. Luci ishte edhe drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Hapësinor, Rindërtimit dhe Zhvillimit në Komunën e Prishtinës, njëherësh dhe udhëheqës i “Bashkësisë për Vetëqeverisje të Interesit – BVI”. Kur u vra kishte qenë 58 vjeç. Rrëfimi në dokumentarin “Rexhep – What killed the Architect?” për hartuesin e planeve të Prishtinës jepet nëpërmjet kujtimeve të familjarëve e miqve të tij. Dokumentari është realizuar nën drejtimin e regjisorit francez Mathieu Joufree dhe bashkëregjisorja Besa Luci, e cila është vajza e vëllait të Rexhep Lucit. Ai është në garën e kategorisë “Balkan Dox” të “DokuFestit”.
“Përgjigjen më të duhur për vrasjen e Rexhepit e gjejmë në atë se si duket sot qyteti“
Kujtimet për Lucin ndërtohen mbi dashurinë e tij për qytetin e për profesionin e tij. Ishte jashtëzakonisht kundër ndërtimeve pa leje e atyre që e prishin imazhin e qytetit. “Përgjigjen më të duhur për vrasjen e Rexhepit e gjejmë në atë se si duket sot qyteti“, thotë në rrëfimin e saj Luljeta Çejku-Sokoli.
Rexhep Luci i takon brezit të parë të shqiptarëve të Kosovës që kanë studiuar arkitekturën. Kishte filluar në Shkup, e më pas ishte zhvendosur në Beograd. Dokumentari rrëfen për gjendjen atë kohë e për shkatërrimet e objekteve të kultit fetar. Në dokumentar rrëfehet se Prishtina ishte bërë kryeqytet më 1947, e plani i parë i qytetit ishte hartuar në vitet 52’ deri 53’. Më 1961, në pazarin e Prishtinës u ngrit monumenti i “Vëllazërim-Bashkimit” që, sipas tregimit, simbolizonte doktrinën e Jugosllavisë socialiste. Sheshi kishte qenë pjesë e projektit socialist që kishte filluar planin modernist të kohës që ishte “shkatërro të vjetrën, ndërto të rejën”. “Prishtina humbi gjurmët e saj urbanistike. Një xhami, një kishë katolike dhe një sinagogë, të gjitha u shembën. Bulevardi i sotëm u rrethua nga institucionet e reja”, thuhet në dokumentar.
Dokumentari “Rexhep – What Killed the Architect?” rrëfen për aspektet e ndryshme të jetës së Lucit, që nga koha e studimeve e veprimtarive arkitekturore deri në ditën e fundit të jetës. Luci ishte shkolluar në kohën kur arkitektura brutaliste ishte në rritje. Të tilla kishin qenë Biblioteka Kombëtare, Pallati i Rinisë e shumë nga ndërtesat për banim kolektiv. Prishtina e asaj kohe përshkruhet në detaje. “Kur u kthye nga Beogradi më 1969, Prishtina veçse kishte filluar të zgjerohet. Ulpiana , lagjja e parë e banimit kolektiv ishte ngritur, e Universiteti i Prishtinës po themelohej. Planet urbanistike për të dyja këto i kishte hartuar arkitekti i parë në Kosovë, Bashkim Fehmiu. Ekipit të tij iu bashkua edhe Rexhep Luci. Sidomos hapja e universitetit pati domethënie të veçantë. Ajo i solli rritje urbane Prishtinës, po bëhej ëndrra e një brezi të ri”, tregohet në dokumentar.
Persekutimi nën regjim
Një pjesë e rëndësishme e karrierës së tij kishte qenë kur kishte udhëhequr Bashkësinë Vetëqeverisëse të Interesit –BVI ndërmjet viteve ’70 dhe ’80. Shpjegimet në dokumentar thonë se BVI ishte e angazhuar për mbikëqyrjen e gjithë ndërtimeve në kryeqytet dhe se kohën kur Rexhep Luci kishte qenë udhëheqës, projektet kolektive të banimit në Prishtinë ishin shpeshtuar. Projektet për banim kolektiv kishin filluar e me këtë në qytet kishte filluar zgjerimi i ndërtimit në hapësira të reja. Luci kishte qenë prijës i ndërtimeve moderniste në lagjet e qytetit të Prishtinës.
Arkitekti, emrin e të cilit e mban njëra nga rrugët kryesore të Prishtinës, kishte qenë i persekutuar tërë kohën nga sistemi serb. Miqtë e familjarët e kujtojnë se me gjithë rrethanat, ka qenë i përkushtuar për ta kryer punën e tij. Narracioni në dokumentar vijon në atë se e kishin larguar nga BVI në kohën kur të gjithë e përshkruajnë se ishte në kulmin e karrierës së tij dhe se BVI mbahet mend si shembull i një organizate socialiste që duhej t’u shërbente njerëzve.
Përpjekja e tij ishte që fondet që ndaheshin për projekte banimi të mos shkonin diku tjetër, siç kishte ndodhur më parë. Në kohën kur Luci e shtynte përmbajtjen e rregullave të përpikta të ndërtimit urban, sipas dokumentarit, e kishin kthyer prapë në Komunë në udhëheqje të Entit për Planifikim Urban, e pozitën e tij e kishte marrë një udhëheqës serb. E kishin lënë pa detyrën në BVI e pa banesë. “Në Komunë kishte nisur udhëheqjen e planit urbanistik të kryeqytetit nga viti 1987 deri më 2000”, tregohet në dokumentar.
“Motori i planit”
Rexhep Luci ishte konsideruar si “motor i planit” për Prishtinën. Në ditën e vrasjes, në deklarim për media, vëllai i tij, Kemajl Luci, kishte deklaruar se e kanë vrarë “armiqtë e Kosovës”.
“Shpresoj që vëllai im është viktima e fundit dhe Kosova do të ecë përpara. Në hyrje të ndërtesës, pas shpinës e kanë vrarë”, thotë Kemajl Luci. Me propozimin e vëllait kishte studiuar për arkeologji në Beograd. Gruaja e arkitektit, Donika Luci, thotë se ai vazhdimisht merrej me punë. Kohëve të fundit të jetës së tij e kishte vërejtur si më të ngrysur.
“Kohën e fundit e kam vërejtur që nuk është i kënaqur me diçka, por kam menduar se nuk ka qenë i kënaqur me punëtorët”, thotë ajo në dokumentar.
Nga kolegët ishte pyetur se çfarë do të bëhet me qytetin. Në dokumentar tregohet se iu ishte përgjigjur se Prishtinën do ta bënte lule. Ishte shprehur se ka shumë ide për pjesën qendrore të qytetit e të tjerat. Ndër planet ku kishte marrë pjesë kishte qenë edhe ai i “Grand Hotel”.
I vëllai i Rexhep Lucit, Kemajli, thotë se me gjasë e kërcënonin me djalin e tij, Lisin.
“Më kujtohet si sot kur e kemi përcjellë Lisin për në Amerikë. Ka qenë si i shtangur, kur e ka parë se ka hipur në autobus për të shkuar në aeroport, është çliruar”, thotë Kemajl Luci. Ndërsa Lisi, lajmi për vdekjen e babait e kishte marrë papritur nga një kirurg, i cili krejt pa ndjenja i kishte treguar se ia kishin vrarë babanë.
“Një kirurg e pashë në rrugë, më tha ta kanë vrarë babën... Ai është kirurg dhe njerëzit i vdesin në dorë, është normale për të. Ma ka dhënë informatën në atë mënyrën e doktorit”, rrëfen Lis Luci në dokumentar. Vajza e tij, Njomëza Luci, derisa ka rrëfyer momentin kur ka marrë lajmin e kobshëm për vrasjen e babait, ka thënë se e kanë lajmëruar të afërmit e saj dhe i kanë thënë se ishte rrëzuar nga shkallët.
“S’ka shanse babi m’u rrëzu. I ka pasë sytë e hapur, ia kam mbyllë sytë dhe e kam pasur një qetësi të papërshkrueshme në vete. Ka pasur shumë njerëz rreth meje. Atë fotografi e kam çdo ditë, sa herë i mbylli sytë”, rrëfen ajo. Gruaja e tij kishte marrë lajmin pasi ishte kthyer në shtëpi dhe kishte parë të gjithë tollovinë, ndërsa vëllai Kemajli ishte telefonuar nga vajza e motrës së tij.
Testamenti i Lucit – ndërtimi i lagjeve në Prishtinë
I vrarë ishte gjetur në orën 19:00. Protagonistët në dokumentar shprehen të befasuar me atë që kishte ndodhur.
Arkitekti Arbër Shita në rrëfimin e tij ka vlerësuar se kualiteti i punës së tij kishte qenë i tillë që njëkohësisht është marrë me projektimin dhe me zhvillimin e projekteve urbanistike dhe me to janë tani lagjet si: “Bregu i Diellit”, “Qendra” e “Dardania”.
“Krejt kjo rrethinë që shihni, krejt ‘Bregu i Diellit’ është komplet vepër e Rexhep Lucit në kohën sa ka qenë drejtor i BVI-së”, tregon në dokumentar bashkëpunëtori i Lucit, arkitekti Arbër Shita.
Luci është një nga qindra shqiptarët që u dëbuan nga vendet e tyre të punës në institucionet publike. Në atë kohë, edukimi bëhej në ambientet e vetorganizuar në shtëpi-shkolla. Lëvizja në qytet kishte ndryshuar për banorët e Prishtinës e të shqiptarëve në përgjithësi. Në dokumentar thuhet se në hyrje të hotelit “Grand” ishte vendosur një tabelë që thoshte: “Ndalohet hyrja për qentë dhe shqiptarët”. Autorja dhe bashkëregjisorja e dokumentarit, Besa Luci, e kujton si të dashur e të qeshur. Ajo është vajza e vëllait të Rexhep Lucit.
“Vdiq gjenerali…dhe gjenerali mbeti pa ushtri”
Miqtë e tij e kujtojnë si shumë vizionar. Ata kishin kuptuar se diçka nuk po shkonte me të. Në fakt, brengosja e tij kishte qenë më e madhe sesa dukej. “Vdiq gjenerali, vdiq qyteti dhe gjenerali ynë mbeti pa ushtri”, ka deklaruar në dokumentar Luljeta Çejku-Sokoli.
Shfaqja e dokumentarit është ndërprerë kur në kinemanë “Kino Bahçe” ka filluar të binte shi. Më pas, është ndezur projektori brenda “Kino Limbardhit”. Regjisori i filmit, Mathieu Jouffre, e ka falënderuar të gjithë publikun derisa për titullin e filmit ka thënë se janë munduar të trajtojnë se “çfarë” e ka vrarë atë dhe jo “kush”.
“Ishte e dukshme se pse duhet të hapim kutitë e kujtesës dhe thamë, duhet të vazhdojmë me këtë film. ‘What killed the architect?” e quajtëm gjatë procesit të punës dhe pastaj duhej vërtet ta emërtojmë ashtu”, ka thënë Jouffre.
Autorja e dokumentarit dhe bashkëregjisorja, Besa Luci, është shprehur e lumtur me realizimin e fundit dhe është shprehur se me të e ka njohur më mirë axhën e saj. “Për mua, siç e kam thënë në film, janë pjesë të tregimit për të cilat nuk flasim në familje, por gjithmonë ka qenë një barrierë për të folur dhe ka qenë e kuptueshme për t’i vënë në atë pozitë”, ka thënë ajo.
Tash e 22 vjet pas vrasjes së arkitektit Rexhep Luci, nuk ka asnjë të dënuar për krimin e kryer, ani pse dyshohet se është vrarë nga mafia e ndërtimit e vrasja ka qenë e planifikuar prej kohësh. “Neglizhenca nuk është vetëm për Rexhepin. Është neglizhencë e të gjithë neve. Sikur dikush të donte, do ta jepte deri sot epilogun në drejtimin e zbardhjes së rastit dhe përcjelljes së porosisë së Rexhepit që ka mbetur pa u përcjellë deri tash”, ka thënë Arbër Zhita.
Për vrasjen e Rexhep Lucit kishte shkruar edhe prestigjiozja “The Guardian”. “Detyrat e Lucit përfshinin nënshkrimin e urdhrave për prishjen e ndërtesave të paligjshme. Në kohën e vrasjes së tij, departamenti ishte në proces të prishjes së një kompleksi hotelesh. Kolegët thanë se Luci ishte kërcënuar dy herë në dhjetë ditët e fundit”, raportonte “The Guardian”.