Kulturë

“Rexhai Surroi” për gazetarinë sociale dhe letërsinë “thellësisht njerëzore”

Grupi KOHA të hënën ka mbajtur edicionin e 17-të të shpërblimeve tradicionale për gazetari dhe letërsi, Rexhai Surroi (Foto: Driton Paçarada)

Grupi KOHA të hënën ka mbajtur edicionin e 17-të të shpërblimeve tradicionale për gazetari dhe letërsi, “Rexhai Surroi”

Foto: Driton Paçarada

Shpërblimi “Rexhai Surroi” për gazetari të shkruar është ndarë në dysh midis Dafina Halilit e Uran Haxhës. E para është shpërblyer për tekstin “Ngacmimi seksual kalon pa u dënuar në Universitetin e Prishtinës”, i dyti për “Djersa e përçmuar e bujqve”. Që të dyja tekstet trajtojnë problemet socio-ekonomike që e prekin shoqërinë. Shpërblimin “Rexhai Surroi” për letërsi e ka marrë Jetlira Avdiaj për romanin në dorëshkrim, “Toka e babës” i cilësuar si një vepër “thellësisht njerëzore”. Edicioni i 17-të i shpërblimeve tradicionale për gazetari dhe letërsi, ka nisur në nderim të Ismail Kadaresë, përderisa janë përuruar edhe dy vepra në prozë të Fatos Arapit që i sjell Botimet KOHA. Kryetemë e ceremonisë së mbajtur të hënën, ka qenë edhe revolucioni i inteligjencës artificiale i cili sipas publicistit, shkrimtarit e politikanit, Veton Surroi mund ta anashkalojë Kosovën

Seria e raportimeve që u solli lexuesve historinë e ngacmimeve seksuale dhe mosndëshkimin e tyre në Universitetin e Prishtinës, bashkë me raportimin për jetën e vështirë të bujqve e braktisjen e vendit dhe vepra që trajton tokën e familjes e problemet me trashëgimi, kanë marrë shpërblimet prestigjioze “Rexhai Surroi”. 

Grupi KOHA të hënën, në një ceremoni solemne, ka vazhduar traditën e ndarjes së shpërblimeve “Rexhai Surroi”. Në këtë ceremoni – ku edhe bëhet një rrumbullakim i ngjarjeve vjetore – gazetarja e “Kosovo 2.0”, Dafina Halili, u shpall bashkëlaureate e shpërblimit për gazetari të shkruar me tekstin “Ngacmimi seksual kalon pa u dënuar në Universitetin e Prishtinës”. “Rexhai Surroin” për gazetari të shkruar ajo e ndau me gazetarin e të njëjtit medium, Uran Haxha i cili u shpërblye për tekstin “Djersa e përçmuar e bujqve”. 

Juria në të njëjtën përbërje –  Binak Kelmendi, Blerta Ismajli e Agron Demi – ka vendosur që shkrimtarja e re Jetlira Avdiaj ta marrë shpërblimin vjetor për letërsi për veprën “Toka e babës”. Promovimi i dy veprave të Fatos Arapit bashkë me pjesën artistike e kanë plotësuar ngjarjen që tashmë është bërë tradicionale. Sivjet është mbajtur edicioni i 17-të.

Surroi: Revolucioni i Inteligjencës Artificiale mund të na anashkalojë

Në ceremoninë ku është mbajtur një duartrokitje në nderim të jetës dhe veprës së Ismail Kadaresë – laureat i shpërblimit “Rexhai Surroi” më 2009 – i cili vdiq në korrikun e sivjetmë, të pranishmëve në emër të themeluesve të Shpërblimeve u është drejtuar, publicisti, shkrimtari e politikani, Veton Surroi. Kësaj radhe ka folur për Inteligjencën Artificiale. 

Veton Surroi: “Rreziku që ky revolucion teknologjik të kapërcejë shoqërinë kosovare duhet të shndërrohet në sfidën më të madhe shoqërore të Kosovës...” (Foto: Driton Paçarada)

Krejt në fillim ka thënë se kur ishte fëmijë qe plot me kërshëri dhe para 50 e ca vjetësh dilte në një shesh të La Pazit të Bolivisë për të parë dy personazhe: një shkrues letrash që rendiste fjalët e atyre që s’dinin dhe një fotografist. Pas kësaj metafore ka kaluar te thelbi i fjalës – Revolucioni i inteligjencës artificiale. Ka thënë se inteligjenca artificiale po përparon me të madhe. 

“Fati ynë është ky revolucion, si çdo tjetër, mund të na anashkalojë. Fëmijët tanë janë më të paarsimuarit në regjion, nuk kemi sistem koherent mbrojtjeje shëndetësore, po përjetojmë një revolucion demografik me të cilin më shumë se gjysma e popullatës jeton në qytet e në të ardhmen më se gjysma do të jetojë në vendet e zhvilluara të BE-së dhe Amerikë”, ka thënë ai. Sipas Surroit, rreziku që ky revolucion teknologjik të kapërcejë shoqërinë kosovare duhet të shndërrohet në sfidën më të madhe shoqërore të Kosovës. Për të, dobësitë e këtij vendi duhet të shndërrohen në sfida transformuese. 

“Jemi para ndryshimit më të madh të jetëve tona prej se u çlirua vendi. Kapaciteti i transformimit është aq marramendës sa nuk mund të llogaritet sot. Por, në këtë kthesë historike mund të mbesim në rolin e shkruesit të letrave apo të atij që nga mosdija kërkon që këtë ta bëjë tjetri. Mund të mbesim pa fotografinë me ngjyra e të varemi prej disponimit të fotografistit, me çfarë ngjyrash do të na e vizatojë ardhmërinë”, ka thënë Surroi.

Shpërblimi për dy tekste që i bashkon tema e lirisë dhe dinjitetit

Pas fjalës së Surroit, ka qenë koha e ndarjes së shpërblimit vjetor për gazetari të shkruar, “Rexhai Surroi”. Ne emër të jurisë, Agron Demi ka treguar se kanë marrë vendim që shpërblimi të ndahet për dy gazetarë të cilët me shkrimet e tyre duke hulumtuar mirë, kanë trajtuar problemet socio-ekonomike që e prekin shoqërinë. 

“Njëra ka bërë një hulumtim të gjatë dhe ka intervistuar mbi 100 persona dhe ka bërë sondazh me 300 të tjerë për të definuar problemin e ngacmimit seksual në Universitetin e Prishtinës, një dukuri negative e cila e ka ndjekur këtë institucion për shumë vjet dhe ende e ndjek”, ka thënë Demi derisa ka lexuar arsyetimin për tekstin “Ngacmimi seksual kalon pa u dënuar në Universitetin e Prishtinës”. Sipas tij, shkrimi i gazetares Dafina Halili ka pasur ndikim goxha të madh sa i përket vënies në lëvizje të UP-së për trajtimin e këtij problemi. 

“Tjetri, po ashtu nëpërmjet një përkushtimi të madh, e ka trajtuar problemin e dinjitetit të punëtorëve në sektorin e bujqësisë dhe kushtet e rënda të punës të cilat po ndikojnë që shumë të rinj, sidomos fuqia punëtore të largohet nga vendi”, ka thënë ai derisa ka lexuar arsyetimin për tekstin “Djersa e përçmuar e bujqve” të Uran Haxhës. 

Dafina Halili dhe Uran Haxha, laureatë të shpërblimit “Rexhai Surroi” për gazetari të shkruar (Foto: Driton Paçarada)

Sipas Demit, e përbashkëta e këtyre dy çmimeve ka të bëjë me lirinë dhe dinjitetin njerëzor. 

“Andaj, juria e ka parë të arsyeshme që të ndajë çmimin midis dy gazetarëve për shkak të temave të thella dhe komplekse që kanë trajtuar”, ka thënë ai. 

E laureatët Halili e Haxha kanë thënë se ky shpërblim është përkrahje për gazetari të mirëfilltë. 

“Hulumtimi që trajton ngacmimet seksuale që mbeten të patrajtuara në Universitetin e Prishtinës përveç që dëshmon për raste e kamotshme që kanë mbetur të patrajtuara gjithashtu tregon se kemi një sistem që i mbron abuzuesit”, ka thënë Halili.  

Haxha ka vlerësuar shpërblimin si motiv shtesë në kohën kur të intervistuarit fillimisht sigurohen se gazetarët e kanë përnjëmend e jo thjeshtë sa për të marrë deklarata virale nëpër rrjete sociale.  

“ Ky është edhe një inkurajim për të vazhduar edhe më tutje me punën tonë të cilën e bëjmë çdo ditë direkt me njerëzit në terren”, ka thënë Uran Haxha. Që të dy më herët kanë qenë gazetarë të “Kohës Ditore”

Dy veprat e Fatos Arapit si akt guximi për letërsinë e mirë

Më pas, ka qenë koha e promovimit të veprave të veçanta. Botimet KOHA ka sjellë dy vëllime proze të përmbledhura enkas për këto dy botime. Në mungesë të akademik Bardh Rugovës, i cili kishte marrë përsipër të flasë për shkrimtarin me nam, Fatos Arapi dhe dy botimet, fjalën e tij e ka lexuar drejtoresha menaxhuese e Grupit KOHA, Flaka Surroi. 

Në mungesë të akademik Bardh Rugovës, i cili kishte marrë përsipër të flasë për shkrimtarin me nam, Fatos Arapi dhe dy botimet, fjalën e tij e ka lexuar drejtoresha menaxhuese e Grupit KOHA, Flaka Surroi (Foto: Driton Paçarada)

Rugova ka munguar, shkaku i Kuvendit Zgjedhor të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Po në këtë Kuvend nga anëtari korrespodent, Rugova është zgjedhur anëtar i rregullt, duke marrë titullin akademik. 

“Ky botim dhe ky promovim është një akt guximi dhe dëshmi e një integriteti të lartë profesional”, ka thënë Toli Arapi për veprat e Fatos Arapit, “Fëmijëria” dhe vëllimin “Unë vdiqa brigjeve të Jonit”, të cilat i sjell Botimet KOHA (Foto: Driton Paçarada)

Derisa ka lexuar fjalën e Rugovës, Surroi ka treguar se KOHA shpërfaq dy botime me prozë të Fatos Arapit, vëllimin “Fëmijëria” dhe vëllimin “Unë vdiqa brigjeve të Jonit”. Ka thënë se Fatos Arapi u lind në Vlorë, më 1923, u diplomuar për matematikë dhe ekonomi në Universitetin e Sofjes në Bullgari dhe ka punuar mësimdhënës për ekonomi në Institutin Bujqësor dhe në Institutin e Lartë Ekonomik të Tiranës. 

“Vitet e mbrama jetonte i tërhequr nga jeta publike, deri në shkallë që një shkrim gazete do të kumbonte me titullin ‘Poeti është ende në qytet’, për të sjellë alarmin se një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të një epoke kishte mbetur pa përkujdesje institucionale. Ky është Fatos Arapi që e njohim të gjithë. Mirëpo, sot kemi për të ofruar diçka që nuk e njohim aq mirë për të”, ka lexuar Surroi. Sipas asaj që ka shkruar Rugova, tregimet e ciklit “Fëmijëria” përfshijnë një gjuhë poetike, me nuancën naive të fëmijërisë për të sjellë një dimension të ri letrar të autorit. 

“Po ashtu, sot shpaloset edhe vëllimi ‘Unë vdiqa brigjeve të Jonit’ që përfshin këtë tregim të gjatë, të botuar në vitet nëntëdhjetë në Shkup, tok me ciklin ‘Letra të padërguara’ dhe tregimet ‘Nuk shitet shpirti në Tetor’ dhe ‘Ksheta e Lurës”. Letrat e padërguara janë një letrarizim i letrave dërguar zonjës, zonjëzës, të dashurës, mikes, marrokes, mikeshës, vegimit a ‘gëzimit, klithës si loti’.  Ndjeshmëria e poetit është përkthyer lezëm në prozë. Gjuhëtarët thonë se kalimi nga një regjistër në tjetrin përbën figurë – Jakobsoni, duke folur për funksionet e gjuhës, do ta quante kalimin e këtillë kalim nga metafora në metonimi”, ka lexuar Surroi. 

Pas saj, në emër të familjes Arapi, Toli Arapi ka thënë se kjo prozë zbulon edhe jetën personale të Fatos Arapit, tashmë të ndjerë. Ka thënë se kritika ka treguar se Arapi ka qenë ngushtë i lidhur me ngjarjet dramatike të vendit të tij. 

“Ky botim dhe ky promovim është një akt guximi dhe dëshmi e një integriteti të lartë profesional, sepse pavarësisht rrethanave, mbështetet dhe promovohet letërsia e mirë, e vërtetë, letërsia që çan rrugë me sakrifica, por në fund mbetet prapë në kohë”, ka thënë ai.

“Toka e babës” për një temë thellësisht njerëzore

Nga veprat e Arapit është kaluar te shpërblimi vjetor për letërsi, e në emër të jurisë, profesoresha universitare, Blerta Ismajli, ka thënë se kanë vendosur të shpërblejnë një vepër letrare që lexuesin e ballafaqon me një temë thelbësore për të gjithë, përkatësinë familjare. Sipas saj, lidhjet familjare janë një ndër faktorët më të fortë në jetë, vendimtarë në formimin e shtresëzimeve identitare. 
“Por familjet nuk janë vetëm një vend sigurie dhe harmonie. Ato mund të jenë gjithashtu hapësira në të cilat lindin konflikte e tjetërsim. Dhe është pikërisht kjo ambivalencë që e bën veprën që po nderojmë sot thellësisht njerëzore”, ka thënë ajo. Sipas Ismajlit, konflikti familjar është një temë qendrore në letërsi dhe shpesh përdoret për të trajtuar çështje më të thella sociale, psikologjike dhe morale, si strukturat e pushtetit, tensionet e pazgjidhura, apo kërkimin e identitetit personal. 

“Në romanin e vlerësuar sot, në plan të parë qëndron konflikti rreth tokës familjare dhe trashëgimisë, por i cili ka zënë fill me raportin e lënduar mes nënës dhe birit. Rikthimi te rrënjët dhe synimi për ta poseduar tokën në vendlindje – si tentim për t’u rilidhur me rrënjët familjare dhe ato atdhetare – janë strumbullari rreth të cilit zhvillohet konflikti që përshkon të gjithë romanin”, ka thënë ajo derisa ka lexuar arsyetimin. Ka treguar se autorja e nderuar në këtë edicion është autorja në moshën më të re që shpërblehet ndonjëherë me “Rexhai Surroi” për letërsi. 

“Si në artet pamore, edhe në letërsi duket se një gjeneratë e re po shfaqet në horizont”, ka thënë Ismajli, derisa ka bërë të ditur se laureatë është Jetlira Avdiaj me romanin “Toka e babës”.  

Jetlira Avdiaj, laureate e shpërblimit “Rexhai Surroi” për letërsi me romanin “Toka e babës” (Foto: Driton Paçarada)

Avdiaj me të pranishmit ka ndarë një rrëfim të gjyshit, për mbretin që në vend që të shpërblente tri alamet mendjesh që kishin ndihmuar mbretërinë, kishte vendosur që të shpërblejë nënën e tyre.  

“Unë sot, këtë çmim të cilin të them të drejtën nuk e kam pritur ia dedikoj mamit dhe babit të cilët në vazhdimësi më përkrahën, mbështetën dhe besuan në fjalën time të shkruar”, ka thënë ajo. 

Tradita e mbylljes së ceremonisë ka vazhduar me muzikë klasike. Sopranoja Kaltrina Miftari e kitaristi Drilon Çoçaj kanë interpretuar vepra të kompozitorit spanjoll, Manuel de Fala dhe shqiptarit Kristo Kono (Foto: Driton Paçarada) 
 

Tradita e mbylljes së ceremoninë ka vazhduar me muzikë klasike. Sopranoja Kaltrina Miftari e kitaristi Drilon Çoçaj kanë interpretuar vepra të kompozitorit spanjoll, Manuel de Fala dhe shqiptarit Kristo Kono.