Kulturë

Restaurimi i Teatrit shkon mbi 6 milionë euro ende pa nisur

Projekti ideor i Teatrit

Me dyer të mbyllura të martën në një hotel të Prishtinës, zyrtarëve të Ministrisë së Kulturës e të Teatrit Kombëtar të Kosovës u është prezantuar projekti detaj i restaurimit të objektit të institucionit më të lartë teatror, që mbrohet si monument. Parallogaritja e konkretizimit të projektit me 5.4 milionë del të jetë e “lirë”, ngase vetë hartuesit konstatojnë se pa shumën prej mbi 6 milionë eurove, s’mund të konkretizohet projekti

Prej 5.4 milionë eurosh siç është llogaritur në projektin detaj që është kthyer për plotësim, kostoja e restaurimit të Teatrit Kombëtar të Kosovës shkon mbi 6 milionë euro. Kjo është shifra të cilën ekspertë të fushës e kanë përmendur jozyrtarisht të martën në një prezantim të mbyllur të projektit, detaj i cili pret dritën e gjelbër, pasi bëhet fjalë për ndërhyrje në monument. Pikërisht çështja e ndërhyrjeve dhe e shtesave në objektin nën dry tash e dy vjet është pika që i ndan projektuesit e restaurimit e zyrtarët e institucioneve të trashëgimisë kulturore

Është një prej projekteve ku do të shihet tamam qasja e shtetit ndaj trashëgimisë kulturore, arkitekturës në veçanti, mundësisë për ndërhyrje me shtesa në monumente dhe mundësia e riorganizimit të pjesshëm të një objekti të viteve ’40. Shkurt: është njëfarë testi për shkollën e arkitekturës e inxhinierisë së Kosovës. Por edhe për Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, në kuptimin e kufirit të lejimit të shtesave në ndërtesa të trashëgimisë kulturore. 
Në një tip tryeze të rrumbullakët mesdita i ka gjetur katër profile profesorësh të Universitetit të Prishtinës, një kompani private, zyrtarët e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe disa të Ministrisë së Kulturës në një sallë konferencash të një hoteli afër qendrës së kryeqytetit. Ekipi hartues i projektit për restaurimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës ka mbajtur një prezantim të mbyllur të punës së tyre, si hap para dorëzimit për miratim të projektit të detajizuar në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Edhe zyrtarë të këtij institucioni ishin aty. Një hap si ky vjen pas projektit ideor të cilin e bëri publik KOHA javën e kaluar. 

Bashkimi i krejt projektit në një vend, përfshirja e akustikës, rishikimi i paramasës – kostos që pritet të mbulojë shpenzimet – si vlerë për hapje të thirrjes për punëkryes janë punët që ngelin për t’u përfunduar. Vlera prej 5.4 milionë eurosh si parallogari – e projektit detaj që është kthyer prapa nga IKMM-ja për plotësime – është konsideruar vlerësim me “shkarje të vogla”. Investimi del të jetë mbi 6 milionë euro.

Riorganizim i brendshëm sipas kërkesave të Teatrit

Në bazë të asaj që është prezantuar, projekti i detajizuar nuk e tejkalon atë ideor sa i përket pamjes që do të ketë ndërtesa. Projekti i hartuar nga profesorët universitarë të Fakultetit të Arkitekturës, atij të Ndërtimtarisë, Inxhinierisë Elektrike dhe Inxhinierisë Mekanike ruan formën aktuale të ndërtesës së viteve ’40 të shekullit të kaluar. Shtesa janë bërë nga prapa në një aneks të shtuar në vitet ’80. Arkitektura e re e bazuar në nevojat e institucionit nuk tejkalon pikën më të lartë aktuale të monumentit. 

Interpolimi – siç njihet ndërhyrja me shtesa në monument – është bërë për t’iu përshtatur kërkesave të TKK-së. Në bazë të projektit, të cilin e posedon KOHA, bëhet fjalë për ndërhyrje prapa, pjesa që ka dalje në rrugën “Agim Ramadani”. Ana ballore e ndërtesës do të ngelet e njëjta, por me fasadë të re. Emërtimi – Teatri Kombëtar i Kosovës – zmadhohet. 

Sipas profesorëve të Fakultetit të Arkitekturës, renderimi final do të nxjerrë pamje më të qarta të asaj se si do të duket ndërtesa. Ndryshimet në organizimin e brendshëm nxjerrin në pah se hapësira që ka qenë bufe dhe fondus, bashkohen në një për sallë provash. Skenë alternative del të jetë ish-salla e Baletit Kombëtar të Kosovës, kurse interpolimi përfshin të ashtuquajturin “Green room” ku midis të tjerash, do të ketë sallë leximi e “media fasadë”, fasadë që jep mundësi të reklamimit të shfaqjeve në ekrane. Është shtesa ku materi “corten” – çelik i njohur për intervenime të tilla – dominon.

Në lojë për disa detaje

Sipas dekanes së Fakultetit të Arkitekturës, Violeta Nushi, projekti është punuar duke marrë parasysh kërkesat e stafit të TKK-së. 

“Ne kemi projektuar duke u bazuar në kërkesa dhe kemi bërë më të mirën e mundshme brenda kontekstit dhe mundësime për të realizuar një projekt”, ka thënë ajo. 

Profesori i inxhinierisë së ndërtimit, Naser Kabashi, ka thënë se është bërë diçka e mundshme për kushtet që janë. 

“Detyra ishte komplekse, pasi kishte shumë kërkesa”, ka thënë ai. Sipas tij, si projektues janë të gatshëm për të ndihmuar edhe gjatë procesit të zbatimit të projektit. “Mbetemi në lojë për disa detaje”, ka thënë ai. Në “lojë” pritet të mbeten edhe palët e tjera, pasi për disa detaje është thënë se do të punohen ende. Ministria e Kulturës ka përvoja kur punëkryesit “kanë hasur në telashe me zbatimin e projekteve” dhe projekte kapitale kanë ngelur ngrehina. 

Inxhinieri Kabashi disa herë ka kërkuar nga kolegët që të bëjnë llogaritje të sakta sa i përket paramasës së vlerës së realizimit të projektit. 

“Ju lus shumë që me paramasë të jemi sa më të mirë. Nuk bën të bëhemi horë e të ndalen punimet shkaku i paramasës. Ka raste të tilla mjaftueshëm. Me sa kam parë, ka shkarje të vogla në paramasë”, ka thënë ai disa herë. 

Sipas paramasës së kompanisë që e ka punuar, vetëm kostoja e akustikës del të jetë 115 mijë euro. Kësisoj, pa 6 milionë euro zor të mbyllet projekti. 

Para një jave ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kishte thënë se janë ta gatshëm të mbulojnë shpenzimet. 

“Kjo informatë (5.4 milionë v.j.) ka qenë e fundit, por mundësia është që të shkojmë edhe pak përtej, pasi faza që është hartuar herën e fundit ka të bëjë me akustikën dhe ajo ka disa specifika të caktuara. Ta shohim tash kur të përfshihet edhe akustika në totalin e paramasës se në çfarë shume do të shkojmë. Por edhe nëse e tejkalojmë këtë shumë në kornizën afatmesme të shpenzimeve e kemi buxhetin e nevojshëm. Shpresojmë shumë që procedura e prokurimit për operatorin punëkryes të shkojë në afate optimale, në mënyrë që sa më parë të nisë punë në ndërtesën e Teatrit”, ka thënë ministri Çeku. 

Sipas Ligjit për ndarjet buxhetore për këtë vit, deri më 2026, Ministria e Kulturës ka paraparë 5.3 milionë euro për këtë projekt, por në të njëjtin dokument si vlerë të totale të projektit ka llogaritur mbi 10 milionë euro.

Version i parë i projektit ideor – i miratuar nga IKMM-ja – tregon se me “corten” do të mbështillen disa grupacione të kthinave të reja të Teatrit. 

“Mbi kafazin e aneksit të ruajtur të viteve ‘80 krijohet ‘Green Room’ – hapësira për shumë qëllime e trupës së teatrit, e në segmentin jugor ngrihet në dy kate një segment i ri rreth 20 metra i gjatë, që formohet si hapësirë shtesë për trupën e teatrit dhe për apartamentet sipër në nën kulm. Këto dy segmente lidhen në një strukturë të vetme përmes materializmit të mbështjellësit corten që i mbështjell ato që të duken si një strukturë e vetme e interpeluar”, shkruhet në projekt. Sipas këtij dokumenti, do të aplikohen tre tipa të paneleve corten: panele solide, që do të vendosen aty ku kërkohet mbyllje e plotë e sipërfaqeve, panele me përforcim të rrallë për të kontrolluar dritën në disa segmente të mbulesës së “Green Room”.

Shtesat problematike

Gjatë sqarimeve të projektit detaj, hartuesit kanë bërë me dije se shtesat do të jenë të betonit. Në këtë rast, anëtari i Komisionit të IKMM-së, Visar Haxhibeqiri, ka thënë se duhet pasur kujdes, pasi si Komision, ka përgjegjësi ligjore për ndërhyrjen që lejojnë. Ka kërkuar që mundësisht materiali të jetë reversibil. Por sipas projektuesve, kjo nuk funksionon. 

“S’ka mundësi pa beton”, është përgjigjur prerazi inxhinieri Naser Kabashi. Për të akomoduar krejt ndërhyrjet shumica e mureve mbajtëse të TKK-së do t’u nënshtrohen përforcimeve. 
Ndërtesa ishte mbyllur nga Ministria e Kulturës në korrik të vitit 2022 me arsyetimin se paraqiste rrezik. Qe një arsyetim i paqenë, pasi raporti i profesorëve universitarë nuk e konstatonte këtë. Në maj të vitit 2022, një grup i profesorëve të Fakultetit të Ndërtimtarisë të Universitetit të Prishtinës ia kishte dorëzuar Ministrisë së Kulturës një raport mbi gjendjen e objektit.

Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës bashkë me Ministrinë e Kulturës e kanë mbyllur ndërtesën e institucionit më të lartë teatror. Të paktën profesionistët që janë thirrur për të bërë një vlerësim të gjendjes fizike të ndërtesës nuk kanë rekomanduar mbyllje. Nuk është konstatuar se ndërtesa si tërësi paraqet rrezik për punëtorët dhe publikun e as që gjendja është alarmante. Në raportin që zyrtarisht titullohet “Vlerësimi i gjendjes fizike të ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës, hartimi i termave të referencës (tor) dhe ndërhyrjet e menjëhershme të evidentuara”, nuk shkruhet se ndërtesa paraqet rrezik për punonjësit apo publikun. Raporti i detajuar shpërfaq gjendjen e secilës pjesë të ndërtesës. Nxirren përfundime se në shumicën e pjesëve ka nevojë për ndërhyrje. Për këtë edhe janë dhënë një varg rekomandimesh.

Nga paslufta e deri më tani, objekti i Teatrit Kombëtar të Kosovës është rinovuar gjashtë herë. Më 2010, në atë që u quajt rinovim, u shpenzuan 150 mijë euro. Më pas ishte një rinovim i vitit 2015, rinovimi i parë pas luftës qe ai i vitit 2000, për të vazhduar edhe më 2004 dhe 2007. Më 2022 po ashtu qe një rinovim i nyejve sanitare dhe banjave të Baletit.

Prej shtatorit të vitit 2022, Teatri u zhvendos në atë që tash quhet Amfiteatri i Teatrit Kombëtar të Kosovës, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit. Edhe së fundmi u investua për rinovim. Sipas zotimit të ekipit hartues, projekti i detaj do të ridorëzohet në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve në fillim të javës së vjen.