Kulturë

Rekord konkurrentësh në takimet letrare “Azem Shkreli”

“Për takimet e sivjetme letrare “Azem Shkreli”, janë paraqitur, pa ftesa nga këshilli organizativ, në konkurrencë për poezinë më të mirë, 107 krijues letrarë. Ka ndodhur që të jenë mbi 100 veta edhe me ftesa, por të paraqitur me njoftim, deri tash në asnjërin edicion të takimeve, asnjëherë nuk ka ndodhur të kemi mbi 100 konkurrues. Kjo është hera e parë që në këto takime kemi mbi 100 konkurrues të vetëparaqitur. Ky është rekord i takimeve”, ka thënë Aver Husaj, anëtar e Këshillit Organizativ i Takimeve që planifikohet të mbahen më 23 e 24 maj

Përkundër pandemisë, edicioni i 19-të i Takimeve Ndërkombëtare Letrare “Azem Shkreli” në Pejë, ka shënuar rekord në numrin e konkurruesve të paraqitur për poezinë më të mirë, që është edhe çmimi kryesor i këtyre takimeve.

Anëtari e Këshillit Organizativ, Aver Husaj, njëherësh shef i sektorit të Kulturës në Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, i ka thënë KOHËS se për takimet e sivjetme letrare “Azem Shkreli”, janë paraqitur, pa ftesa nga këshillimi organizativ, në konkurrencë për poezinë më të mirë, 107 krijues letrarë.

“Është një kualitet i mirë dhe konkurrencë e madhe. Ka ndodhur që të jenë mbi 100 veta edhe me ftesa, por të paraqitur me njoftim, deri tash në asnjërin edicion të takimeve, nuk ka ndodhur të kemi mbi 100 konkurrues. Kjo është hera e parë që në këto takime kemi mbi 100 konkurrues të vetëparaqitur. Ky është rekord i takimeve”, ka thënë Husaj.

Sipas tij, këto takime letrare, sipas shkrimeve që bëjnë ndërkombëtarët dhe poetë të njohur, janë me më ndikim dhe festivali më i rëndësishëm i fjalës së shkruar në nivel të rajonit.

Në mesin e 107 poetëve konkurrues për çmimi kryesor, “Azem Shkreli”, për të cilin çmim tashmë është mbyllur afati i paraqitjes, janë edhe 30 poetë nga diaspora, të cilët do të jenë në konkurrim edhe për Çmimin e Diasporës. Përveç këtyre dy çmimeve, në këto takime ndahet edhe çmimi për kontribut në letrat shqipe dhe për këtë çmim, siç ka thënë Husaj në konkurrencë janë tre poetë ndërkombëtarë. Gjithashtu do të ndahet edhe Çmimi i Pavarësisë, si dhe çmimi “Bulëzat”, çmim tradicional që u jepet krijuesve të rinj, për të cilin konkurrimi është ende në vazhdim dhe deri tash janë pesë libra të fëmijëve në konkurrencë.

Për edicionin e sivjetmë kanë konkurruar edhe 11 poetë ndërkombëtarë, 7 prej të cilëve edhe për promovim librash. Promovime do të organizohen edhe nga poetë vendorë dhe nga Shqipëria.

Sivjet në kuadër të takimeve do të mbahet për herë të parë edhe tema për shtjellimin e kontributit të Kosovës në ruajtjen e gjuhës shqipe në diasporë. Këto takime letrare, janë planifikuar të mbahen më 23 e 24 maj, nëse vendi nuk mbyllet tërësisht shkaku i pandemisë.

“Përgatitjet për mbajtjen e takimeve janë kryer e gjithashtu edhe procedurat. Takimet letrare nuk i preferojmë t’i mbajmë nëpërmjet internetit. Prandaj, kemi planifikuar që gjithnjë me lejen e institucioneve shëndetësore, takimet t’i mbajmë në ambiente të hapura dhe besoj që nuk do të ketë ndonjë problem dhe do t’u përmbahemi të gjitha masave dhe rekomandimeve të institucioneve shëndetësore për pandemi. Përveç nëse vjen ndonjë urdhëresë nga organet shtetërore që në atë javë do të ketë mbyllje totale shkaku i pandemisë, atëherë takimet do të shtyhen për një datë tjetër”, ka thënë Husaj.

Ngjarjet e takimeve “Azem Shkreli” janë planifikuar të mbahen në ambient të hapur, nëse lejojnë edhe kushtet atmosferike. Në hapësirat e brendshme, duke respektuar masat aktuale të pandemisë, sipas Husaj, do të mbahet vetëm promovimi i librave, për shkak të nevojës për përkthim, pasi do të ketë edhe pjesëmarrës të huaj.

Takimet letrare “Azem Shkreli” organizohen më 23 e 24 maj, në përvjetorin e vdekjes së Azem Shkrelit më 24 maj. Prej organizimit të edicionit të parë u mbajtën në këto data, pos vitit të kaluar kur u shtynë për në shtator.

Poeti Azem Shkreli u lind më 1938 në Rugovë të Pejës. Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja. Shfaqja e Azem Shkrelit si poet, përpos që përputhej me ardhjen e talentit të fuqishëm, shënonte njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezisë shqipe. Azem Shkreli u ngjit në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën, deri në atë të fundit, që e la dorëshkrim, “Zogj dhe gurë”, botuar të njëjtin vit pasi ai vdiq, më 1997.