Shkrirja në një institucion e Baletit Kombëtar të Kosovës, “Shotës” dhe Operës së Kosovës, kompetenca të shtuara të drejtorit e të ministrit të Kulturës, një Këshill Kombëtar i Arteve që përcakton politika kulturore edhe për skenën e pavarur të kulturës, janë disa prej pikave të Ligjit për art dhe kulturë. Ka nxitur debat e dyshime ende pa u zbatuar në praktikë. Synohej që nën një institucion të futej edhe Filharmonia, por nuk do të ndodhë kësisoj, por “shkrirjen” s’e do as Baleti Kombëtar i Kosovës
Brenda dy vjetësh, Baleti Kombëtar i Kosovës, ansambli kombëtar i këngëve dhe i valleve “Shota” dhe Opera e Kosovës do të jenë një institucion nën emrin Opera, Baleti dhe Ansambli Kombëtar. Por për dallim nga institucionet e tjera kombëtare të kulturës, njësitë e Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor do të kenë edhe udhëheqës artistikë. Kurse tek institucionet e tjera kjo pozitë do të shuhet me përfundimin e mandateve të udhëheqësve artistikë aktualë. Bashkë me këtë pozitë nuk do të ketë më edhe këshilla drejtuese në institucione. Do të zëvendësohen me këshilla artistike. Kurse deri diku rolin e këshillave aktuale drejtuese do ta ketë Këshilli Kombëtar i Arteve. Në krahasim me funksionimin aktual, zgjedhja e drejtorëve do të jetë më e centralizuar nga ministri i Kulturës edhe me rregullimin ligjor, pasi indirekt ashtu ka qenë në shumicën e rasteve edhe me legjislacionin paraprak.
Me miratimin në lexim të dytë të Ligjit për art dhe kulturë më 15 dhjetor të vitit të kaluar, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka çuar përpara një prej reformave që e ka synuar me të marrë këtë pozitë e madje e ka proklamuar edhe gjatë fushatës zgjedhore. Ai ka paketuar në legjislacion vizionin e tij për strukturimin e institucioneve të kulturës.
“Shfuqizimi” i katër ligjeve paraprake
Me Ligjin e ri, që ka zëvendësuar katër ligje paraprake, institucionet qendrore të kulturës do të jenë Teatri Kombëtar i Kosovës, Opera, Baleti dhe Ansambli Kombëtar, Filharmonia e Kosovës, Galeria Kombëtare e Kosovës, Muzeu i Artit Bashkëkohor, Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës. Midis dy leximeve të Projektligjit në Kuvend, ministri Çeku ka dashur po ashtu që bashkë me trinomin balet, opera e ansambël ta fusë edhe Filharmoninë e Kosovës. Por ka ndërruar mendje pas takimit të menaxhmentit të Filharmonisë me të.
Pos QKK-së, që ka ligj të veçantë, të tjerat do të funksionojnë bazuar në Ligjin e ri. Organet drejtuese të institucioneve do të jenë drejtori dhe këshilli artistik. Përderisa deri me tash, drejtori është zgjedhur nga Këshilli Drejtues – përjashto Qendrën Kinematografike të Kosovës – me Ligjin e ri gjërat do të ndryshojnë.
Drejtori i institucionit publik qendror dhe lokal të artit dhe kulturës zgjidhet nëpërmjet procesit të konkursit publik.
“Procedura e zgjedhjes së drejtorit organizohet nga Ministria përmes Këshillit Kombëtar të Arteve për institucionet qendrore të artit dhe kulturës, ndërsa nga komuna përkatëse për institucionet lokale të artit dhe kulturës, në përputhje me këtë ligj dhe legjislacionin përkatës në fuqi”, shkruhet në pikën e 3-të të nenit 12 të Ligjit. Aty përcaktohet se zgjedhja e drejtorit të institucionit publik qendror bëhet nga ministri i Kulturës pas procedurës së rekrutimit përmes konkursit publik dhe rekomandimit të listës prej së paku dy emrave nga Këshilli Kombëtar i Arteve. Deri më tash kësisoj ka funksionuar vetëm sa i përket drejtorit të QKK-së. Mandatit aktual katërvjeçar të drejtorëve do t’i shtohet edhe një vit ushtrim të detyrës me mundësi të vazhdimit të mandatit veç me rekomandim të KKA-së. Drejtorët e zgjedhur pas miratimit të Ligjit do të kenë edhe kompetencën e drejtimit të veprimtarisë artistike. Këshilli Artistik do të këshillojë e do të ndihmojë drejtorin sa i përket programit artistik. Kjo trupë do të ketë tre anëtarë. Prej tyre, një të propozuar nga ministri, që edhe e emëron këtë organ, një nga KKA-ja dhe një nga drejtori i institucionit.
Politikat kulturore në dorë të Këshillit Kombëtar të Arteve
Sa i përket Këshillit Kombëtar të Arteve do të jetë organ këshillëdhënës, përzgjedhës dhe mbikëqyrës, i cili emërohet dhe shkarkohet nga Qeveria e Kosovës me propozimin e ministrit të Kulturës. Mandati i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Arteve është pesëvjeçar.
“Këshilli përbëhet nga njëmbëdhjetë (11) anëtarë, të cilët zgjidhen pas ftesës publike të Ministrisë së Kulturës për nominim të përfaqësuesve nga të gjitha fushat e artit dhe kulturës dhe fushat e ndërlidhura me kulturën”, shkruhet në pikën e 3-të të nenit 20. Po në këtë nen përcaktohet se nominimet për anëtarë të Këshillit bëhen nga institucionet qendrore të artit dhe kulturës, institucionet akademike, arsimore e shkencore, organizatat joqeveritare të fushës së artit dhe kulturës dhe organizmat e tjerë relevantë të fushës së artit dhe kulturës dhe fushave të ndërlidhura me kulturën.
Ky këshill do të ketë për përgjegjësi të analizojë, të rekomandojë dhe të japë sugjerime në krijimin e politikës kulturore. Po ashtu mund të bëjë propozime për zhvillimin dhe përmirësimin e veprimtarive kulturore, të shqyrtojë rekomandime për strategjinë zhvillimore kulturore. Inicion procedura emërimi dhe shkarkimi të drejtorëve dhe rekomandon nivelet e financimit për institucionet lokale të artit dhe kulturës nga buxheti i Ministrisë dhe i propozon ministrit emrat për juritë profesionale për ndarjen e çmimeve në fushat përkatëse në art, kulturë e muzeologji.
Njohja e skenës së pavarur dhe statusi i artistit
Sipas Ligjit të ri njihet edhe skena e pavarur e artit. Do të ketë Këshill të skenës së pavarur kulturore në përbërje të pesë anëtarëve, prej të cilëve dy përfaqësues të Ministrisë, dy të skenës së pavarur me thirrje publike dhe një tjetër të përzgjedhur nga ministri i Kulturës.
Në këtë ligj përmendet statusi i artistit të pavarur e po ashtu edhe ai i artistit meritor. Për të dytin, sikurse për funksionimin e krejt risive të këtij Ligji, duhet nxjerrë paraprakisht aktet nënligjore.
Me këtë ligj shfuqizohet Ligji për Filharmoninë, Operën dhe Baletin e Kosovës, ai për ansamblin kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” dhe për ansamblet e tjera, Ligji për teatrot dhe dispozitat e Ligjit për Institucionet e Kulturës, të cilat rregullojnë fushën e Artit dhe Kulturës, ndërsa vazhdojnë të mbesin në fuqi dispozitat që rregullojnë fushën e trashëgimisë kulturore.
Drejtori me të gjitha kompetencat, anashkalimi i vërejtjeve
Por ky ligj ka ngritur edhe disa shqetësime. Deputetja Eliza Hoxha ka thënë se në njëfarë forme është duke u ricentralizuar menaxhimi i institucioneve të kulturës. Ajo ka bërë thirrje që MKRS-ja të mos jetë themeluese e institucioneve qendrore të kulturës, gjë që ishte në versionin e parë të Projektligjit. Sa i përket bashkimit të institucioneve vazhdon të mendojë se “Shota” duhet të jetë e pavarur pa u shkrirë brenda Operës dhe Baletit.
“Drejtorit i jepen të gjitha kompetencat. E kuptoj që jo të gjitha institucionet kanë funksionuar mirë shkaku i përplasjeve, por edhe fokusimi i pushtetit të tillë te një person për pesë vjet mendoj që mund të përbëjë problem”, ka thënë ajo, duke shtuar se drejtorit i lihet vendimmarrja për gjithçka. Sipas saj, po ashtu në këtë rast i jepet fuqi edhe ministrit që të ketë lidhje direkte me drejtorin e institucionit. Këto Hoxha i ka përmendur edhe në Kuvend. Ajo ka kritikuar edhe çështjen e skenës së pavarur të kulturës.
Sipas saj, bëhet fjalë për një tendencë që Qeveria të ketë qasje në zhvillimin e skenës së pavarur, pasi Këshilli i skenës së pavarur do të bëjë politikat e funksionimit.
Vazhdimisht ka qenë dhe mbetet kundër bashkimit të tri institucioneve drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi.
Ai ka thënë se në cilësinë e drejtorit ka dërguar komentet për Ligjin e ri, ku ka shprehur kundërshtimin e tij në lidhje me fuzionimin e BKK-së me cilindo institucion tjetër duke marrë shkas nga përvoja jo e mirë e Baletit përderisa ka qenë si pjesë e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
“Komentet tona s’janë marrë parasysh për fat të keq dhe Ligji është votuar ashtu siç është paraparë në fillim. Vazhdoj të mos kuptoj se përse është vepruar kështu, siç vazhdoj të mendoj se kjo nuk i bën mirë BKK-së, sepse konsideroj që pavarësia institucionale është një aset dhe jo barrë për shtetin tonë”, ka thënë ai. Në këtë rast ka shtuar se uron që të jetë gabim, por duke marrë parasysh përvojën, zor të jetë ashtu.
“Po ashtu, kam propozuar që në Ligjin për art dhe kulturë të gjendet forma për t'ia mundësuar BKK-së edukimin e kuadrove te reja, gjithmonë duke mos cenuar Ligjin për edukim dhe arsim. Për fat të keq, as kjo kërkesë s’është marrë parasysh dhe për mua është e dhimbshme, sepse konsideroj që ky ka qenë një rast ku shkollës së baletit do t’i jepej kah, mirëpo kam frikë se e kemi humbur edhe këtë rast”, ka thënë ai. Reforma ligjore do të vazhdojë me aktet nënligjore që do ta bëjnë të zbatueshëm ligjin e ri.