Przidriana, Lypenion, Sfentzánion, Papas, Zygos, Arhcidiakon…
Prezenca e gjatë dhe e rëndësishme bizantine në territorin e Kosovës që nga mesjeta e hershme (dhe me ndërprerje nga sundimi bullgar 853-1018) deri në shekujt XI-XII, nuk përcillet gjithaq me burime të shumta sa do të ishte pritur. Ndërsa, sa u përket toponimisë e emërtimeve gjeografike, kjo mbase është edhe më e hollë.
Në fakt, Bizanti është ai që ndërlidh një trashëgimi antike me mesjetë, një trashëgimi të sublimuar pararomake dhe romake me ato bizantine e greke. Por, vetë mesjeta e hershme pas thyerjes së limesit të Danubit më 610, është aq e errët e komplekse, a që më së miri ilustrohet me mungesë totale të materialit numizmatik që nga fundi i shekullit VI e deri në fund të shekullit X, në pothuajse tërë hapësirën më të madhe të Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën.
Bizanti i hershëm ndërlidh edhe një traditë të hershme të filleve të krishtërizmit, me një strukturë të ndërtuar hierarkike të Kishës dardane dhe të një tradite justiniane që përcakton role interesante në primatin e dioqezave kishtare të etabluara me Novelën X të njohur, që do të përcillet me polemika deri vonë në mesjetë mbi të drejtën e trashëgueshme të Justinana Primas. Një traditë e tillë e hershme krishtere mungon nga shekulli VI e deri më rikthimin që bën Vasili II pas fitores mbi bullgarët kur rivendos Arqipeshkvinë e Ohrit me prerogativat e saj mbi hapësirën më të madhe të kësaj pjese të Ballkanit, ku përmenden edhe dioqezat e Lipjanit e Prizrenit, më 1019.
Gjurma e parë e prezencës së sllavëve
Ndonëse gjurma e parë e kulturës materiale që ndërlidh prezencën e sllavëve në Kosovë është vetëm nga shekulli X e XI nga nekropola e Matiqanit, toponomastika ka shënuar një prezencë masive sllave në mesjetë. Por, edhe pas luftërave bizantino-serbe në shekujt XI e XII, nuk ka kontroll të zhupanëve e më vonë mbretërve rashjanë e serbë në Kosovë para fillimit të shekullit XIII. Në fakt, kjo do të ndodhë vetëm pas pushtimit të Konstandinopojës pas Kryqëzatës së Katërt më 1204, që është pasojë direkte e kësaj rënieje të madhe gjeostrategjike të Bizantit.
Në Kosovën bizantine dalin tri qendra që janë konstante në kontekstin e gjeografisë historike: Prizreni, apo Prizdriana siç del në burimet bizantine, Lipjani apo Lypenioni, dhe Zveçani apo Zveçanon.
Ky është aksi që lidh brendësinë e Ballkanit, pra Kosovën me Shkupin e luginën e Vardarit me Egje.
Prizreni, madje, tregon një konsistencë që nga kohërat më të hershme e tutje dhe vetë kalaja e sotshme e Prizrenit duket të ketë qartë themele bizantine dhe mban vulën e një konstruksioni të arkitekturës ushtarake bizantine. Për më tepër, siç e kishte kuptuar edhe Rela Novakoviq në analizat e tij të gjeografisë historike, ishin dy qendra tradicionale historike të fushëgropave të Dukagjinit dhe të Kosovës. Përderisa Prizreni, padyshim, mbajti koherencën në këtë pikëpamje, në Rrafshin e Kosovës kjo ishte një qendër që u transformua në lokacione të ndryshme të përafërta, në trekëndëshin: Ulpiana, Lypenioni dhe më vonë Prishtina.
Justiniana Secunda dhe shkatërrimi i saj
Ulpiana apo Justiniana Secunda qartazi pësoi shkatërrimin pas plaçkitjeve barbare të dyndjes së avarëve e sllavëve dhe në mesjetë rolin e saj e mori fortifkimi fushor i Lypenionint, që edhe për nga aspekti gjuhësor e toponomastik i qëndron afër emërtimit të Ulpianës, që tregon mbase mbijetesë më të qëndrueshme sesa emri i ri Justinaiana Secunda. Për më tepër është Lipjani, ku gjendet edhe qendra dioqeziale kishtare, siç e shohim të dokumentuar nga vetë krisovula e perandorit bizantin Vasilit II (976-1025) dhe nga kronisti bizantin Skyliza (e që shumë më vonë kalon në Graçanicë). Në këtë aspekt, madje, duket edhe një lloj bartjeje e këtyre preorogativave kishtare në Lypenion nga ato që i kishte Ulpiana, krejt e afërme si qendër administrative kishtare në periudhën e Kishës dardane.
Lypenioni paraqitet si një bazë e formësuar ushtarake, prej ku kontrollohej fusha e Kosovës dhe që shpesh përmendet në burimet bizantine që u referohen luftërave bizantiono-serbe, sidomos tek “Aleksiada” e Ana e Komnenës. Madje, Lipjani, si një lloj qyteti i rrethuar me treg, duket edhe në kohën kur Dushani më vonë i dhuron kishën e Vavedenjës Malit të Shenjtë Athosit.

Zveçani si pikë strategjike
Në fakt, një qendër tjetër që ndërlidhet me këtë aks të infrastrukturës ushtarake bizantine, përveç Lypenionit, paraqitet Zveçani. Sfentzánion në burimet byzantine (Zvečanь sllavishte të vjetër) është nga kalatë e hershme që luan rolin e një pike mbrojtëse të fushës së Kosovës, mu në fundin e saj, ku pikëtakohen lumenjtë Ibri me Sitnicën, dhe qartazi e ndërlidhur me kufirin natyror të vargmaleve të Kopaonikut, që edhe në atë kohë shënon kufirin në mes të Bizantit dhe barabrisë, në fakt Bizantit dhe Rashkës. Është pikërisht Zveçani pika ku zhvillohen ngjarje interesante në konfliktin në mes komnenëve dhe zhupanëve serbë (1091-1094), por edhe në afërsi në betejën e njohur të Pantinës (1170). Sipas disa burimeve rrethanore, pretendohet që Zveçani ndërlidhet me perandorin bullgar Simeonin dhe luftërat e tij me bizantinasit që nga fundshekulli IX e fillimshekulli X, Zveçani është pra pika e rëndësishme strategjike që kombinon gjeografinë, malet e Kopanikut në prapavijë, lumenjtë Ibër dhe Sitnicë, dhe fundin e rrafshit të Kosovës. Përderisa Lypenioni është baza solide e një qendre të fortifikuar urbane fushore, që luan rolin e qendrës administrative ushtarake e kishtare, Zveçani është pika ekstreme kah kufiri i prezencës ushtarako-politike.
Pikërisht në këtë përleshje bizantino-serbe, kur qartazi mundohet të shfrytëzohet situata komplekse e Bizantit e përqendruar në shumë fronte lufte, Kosova paraqitet si një rajon kufitar i prezencës bizantine e synuar nga Rashka në përpjekje për t’u zgjeruar kah rrafshi pjellor i Kosovës dhe hapësira civilizuese bizantine, që nuk do të arrihet në tërësi para vitit 1204. Në këto përpjekje e inkursione ushtarake me karakter më shumë plaçkitës sesa ballafaqim frontal, kur bizantinasit definitivisht konsolidohen në kalanë e Shkupit, në mes të këtyre dy pikave Zveçan e Lipjan, në burimet bizantine shfaqet shpesh toponimi Zygos.
Zygos, Ζυγός, që greqisht do të thotë zgjedhë, apo bigë (latinisht: iugum), shënon vargmalin që ndan tokat romeje, pra bizantine dhe ato të Rashkës. Ky toponim haset gjerësisht në hapësira gjeografike greke, si vargmal në rrethinat e Mestovos, por edhe të Kavallës e gjetiu.
Zygos përshkruhet disa herë nga Ana Komnena, vajza e perandorit Aleks Komnenit, në një kronikë të përmbledhur, që shënon këtë episod të kërcënimit serb në tokat bizantine në Kosovë dhe ai sillet në forma të ndryshme si lokacion. Ky përshkrim nganjëherë hutues, që përshkruan kalimin e tij nga trupat bizantine në këto përleshje, i ka bërë historianët të kenë shpjegime të ndryshme mbi vendndodhjen e tij. Njëra palë mendon që ai do të mund të ishte në mes të këtyre dy fortifikimeve, Zveçanit e Lipjanit, që disa e ndërlidhin me malin e Qiqavicës apo Goleshit, dhe të tjerët me Kopaonikun.
Në fakt, përmendjet nganjëherë kontradiktore të Ana Komenës, e cila qartazi bazohet nga kronika tjera luftarake që i ka shfrytëzuar nga dora e parë, megjithatë do të duhej kundruar nga një logjikë e terrenit. Inkursionet dhe përpjekjet ushtarake serbe gjithnjë vijnë ana e veriut, pra nga Rashka në drejtim të Kopaonikut, që edhe ashtu është një kufi natyror dhe në drejtim të Zveçanit apo Lipjanit. Kjo sidomos pasi që biznatinasit në këtë kohë ishin tejet të konsoliduar në kalanë e Shkupit, që edhe si qytet metropolitan kontrollonte rajonin. Në asnjë moment nuk ekziston ndonjë burim që do të theksonte se ekzistonte ndonjë etablim territorial, ushtarak e administrativ serb në mes të Zveçanit e Lipjanit. Për më tepër, nuk do të kishte logjikë ushtarake që forcat serbe, gjithsesi shumë më të dobëta se ushtria perandorake bizantine, të ishin të bazuara në ndonjë pikë në mes të Zveçanit e Lypjanit dhe të zhvillonin operacione ushtarake në dy pikat njëkohësisht, edhe në Zveçan, edhe në Lipjan. Po ashtu, nuk ka logjikë që kishte ndonjë etablim territorialo-administrativ serb në perëndim të Kosovës kah Rrafshi i Dukagjinit, i cili në fakt është i fundit që vihet në kontroll nga forcat serbe pas marrjes së Prizrenit vetëm pas vitit 1204, siç shihet edhe në krisovulën e Stefan Nemanjës. Kjo, logjikisht, e bën Zygosin të jetë në Kopaonik, aty ku edhe sot gjendet kufiri i Kosovës me Serbinë.
Toponimi “Papas” si traditë josllave
Përveç këtyre emërtimeve bizantine gjeografike në mesjetë, që gjejnë mbështetje në burime bizantine, mbase janë edhe disa tjera rrethanore. Këto janë fshatrat Papaz, njëri në Kosovë, e tjetri në Rrafsh të Dukagjinit. “Papas” është emërtim klasik grek për priftin ortodoks. Në cilindo burim kishtar sllav, prifti ortodoks është vetëm “pop”, apo “prota”, apo “protopapa”, por kurrë në formën greke “papas”. Në fakt, siç e pamë, hierarkia kishtare bizantine është e dokumentueshme nga disa burime në Kosovë. Krisovula e Vasilit II, që tashmë u përmend disa herë, qartazi përmend dioqezat kishtare në Lipjan e Prizren. Po ashtu, kemi një episod tjetër rrethanor, kur nipi riosh e i papërvojë i perandorit Aleksandër Komneni e bën fushimin ushtarak me tenda pas Sitnicës, përfundi kalasë së Zveçanit, ku do të duhej të priste dorëzimin dhe pengjet serbe, ishte paralajmëruar mu nga një prift ortodoks që po i përgatitej tradhtia dhe që mos të besonte në atë që premtohej, prifti ortodoks ishte përzënë nga nipi i perandorit duke mos u besuar fjalëve të tij, që dolën të vërteta. Është e qartë që bëhet fjalë për priftin bizantin që ndien lojalitet ndaj bizantinasve të tij.
Po kështu, me pushtimin e Prizrenit është shënuar në burime historike se është përzënë prifti bizantin që ishte në qytet dhe ishte ndërruar me një prift serb. Edhe në letrën e njohur të arqipeshkvit të Ohrit, Dhimitër Homtjanit, dërguar “kryemurgut Sava”, ku proteston për marrjen jokanonikale të të drejtave të Kishës Serbe si autoqefale, shihet qartazi shmangia e një strukture të mëhershme kishtare bizantine. Vendosja administrative serbe në Kosovë, pra, bëri edhe zhvendosje të administrimit kishtar. Mirëpo, para tyre, këtë e bëri edhe perandori Kaloyan i Bullgarisë (1197-1207), i cili në inkursionin e tij antibizantin mori përkohësisht Shkupin, Vellbuzhdin, Nishin e Prizrenin, ku edhe duket që ndryshoi administratën dhe hierarkinë kishtare. Kështu, peshkop në Shkup më 1203 përmendet njëfarë Marini në kishën e Shën Mërisë.
Në këtë aspekt, toponimi “Papas” shënon qartazi këtë traditë ortodokse bizantine josllave.
Si kulturë materiale të kësaj periudhe duhet parë gjithsesi Kishën e Levishës në Prizren, si kishë katedrale bizantine (e rindërtuar më vonë nga mbreti Millutin), kishën në Lipjan si qendër dioqeziale mbi themelet e së cilës është ndërtuar kisha e Vavedenjës së shekullit XIV që sot ekziston, si dhe kishën shumë interesante në Pustenik të grykës së Kaçanikut të shekullit X-XI me harqe romanike.
Në kuadër të kësaj duhet parë edhe një toponim tjetër rrethanor që ndërlidhet me në traditë të këtillë bizantine kishtare paraserbe, që ndërlidhet prapë me titullar kishtar. Në një dokument të shekullit XIV, tërthorazi e shkarazi përmendet edhe toponimi në sllavishte kishtare “Arhidiakon”, që i referohet Arhilaqës, në fakt fshatit Halilaq të mëvonshëm, ku janë bërë hulumtime të rëndësishme arkeologjike, që supozojnë ose ndërlidhin atë edhe me Florin e Laurin. Kalaja e Harilaqit është qartazi një rindërtim bizantin i periudhës së Justinianit, që sheh në mënyrë dominuese rrafshin e Kosovës.
Arhidakon, që do të thotë kryedeacon në greqishte, mund të jetë memorie apo refleksion i mëhershëm e më i thellë i një titulli interesant në hierarkinë kishtare, që gjeti përdorim edhe në ortodoksi, por edhe në kishën katolike. Ai paraqitet që herët si titull dhe ka të bëjë me kryedeakonin, që përveçse përkujdeset për pjesën ndihmëse të peshkopit, apo titullarit të lartë dioqezial, është dikush që menaxhon me mbarëvajtjen e kishës, të ceremonialit dhe është përcjellës i peshkopit në vizita në dioqeziale. Arhidiakoni paraqitet si titull që në krishterizmin e hershëm dhe ai i ndërlidhur me një kala të hershme bizantine, ku pretendohet të këtë qenë një kult i hershëm i krishterë, vetëm se ia shton kuptimin këtij toponimi të mbijetuar në mesjetë.

Punim i prezantuar në edicionin e dhjetë të Javës së Albanologjisë në Prishtinë, të mbajtur prej 17 deri më 19 qershor të 2019-s