Kulturë

Reagimet e MKRS-së dhe RTK-së ndaj artikullit “Ministria e Kulturës me 750 mijë euro për TV-kanal në promovim të vetes”

Përmbajtja e qartë për audiencën, lajmet e konfirmuara dhe të paanshme nuk kanë qenë kurrë më jetësore. Përdorimi i të gjitha burimeve të informacionit është thelbësor në praktikën e gazetarisë, dhe në këtë rast MKRS-ja si pala kryesore në këtë proces nuk është pyetur për qëndrimin e saj.

Memorandumi i Bashkëpunimit i nënshkruar me RTK-në mundëson që të bëjmë më shumë për të gjithë, duke ndihmuar e zhvilluar produkte kulturore si muzikën, vallëzimin, artin, letërsinë, trashëgiminë e filmin, si dhe duke përditësuar qytetarët në kohë reale. Ndër zotimet kryesore të marrëveshjes pesëvjeçare janë:

1. Themelimi i kanalit të RTK-së kushtuar ekskluzivisht kulturës. Shndërrimi i RTK 4 në RTK Art është vendim i Bordit të RTK-së, për të cilin ne po ofrojmë mbështetje financiare dhe programore.

2. Organizimi i Festivalit të Këngës, që është parakusht për pjesëmarrjen e Kosovës në Eurosong.

3. Fuqizimi i kapacitetit orkestral të RTK-së, që, ndër të tjera, është mundësi punësimi për muzikantët e rinj të Kosovës.

4. Mbulimi i programit të institucioneve të kulturës dhe projektet e mbështetura të skenës së pavarur nga MKRS-ja. Po ashtu, përcjellja e ngjarjeve të Kalendarit Vjetor Kulturor, të cilin e zbatojmë me UP-në dhe me institucionet e varësisë, ku janë 150 ngjarje që dokumentojnë dhe nderojnë figurat e artit dhe datat e rëndësishme.

Në asnjë pikë të MoU nuk kërkohet mbulimi i aktivitetit protokollar të ministrit, sepse kjo është kundër parimeve dhe besimeve tona.

Kjo marrëveshje nuk sjell promovim për aktivitetin e ministrit të kulturës, ashtu siç po aludohet, por sjell mbulim dhe promovim për punët e mijëra punëtorëve të kulturës të institucioneve publike dhe të skenës së pavarur.

Qëllimi është dokumentimi i punës dhe i programit të institucioneve publike të kulturës, me qëllim arkivimin e brendshëm dhe bartjen e këtij programi tek audiencat e gjera. Promovimi i programit të institucioneve të kulturës, organizatave dhe artistëve me qëllim zhvillimin e audiencave kulturore në Kosovë.

Reagim i Bordit dhe i Menaxhmentit të RTK-së

Bordi dhe Menaxhmenti i RTK-së e cilësojnë tendencioz artikullin e publikuar në Koha.net me titull “Ministria e Kulturës me 750 mijë euro për TV-kanal në promovim të vetes”, datë 22 shkurt 2023, ku aludohet se RTK-ja gjoja ka marrë përsipër që të prezantojë punën e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ky shkrim, që ka për bazë një memorandum bashkëpunimi mes RTK-së dhe Ministrisë, përmban konstatime të paqëndrueshme.

Mbulimi i ngjarjeve kulturore është obligim ligjor i RTK-së dhe vendimi për transformimin e RTK4 në një kanal kryesisht për art (gjë për të cilën edhe është themeluar vite më parë) nuk ka qenë kërkesë e Ministrisë, por përcaktim i Bordit dhe i menaxhmentit aktual të RTK-së.

Për më shumë, përmenden shifra të financimit, pa e prezantuar në mënyrë korrekte kontekstin e këtij financimi. Ashtu siç është praktikë edhe për shumë transmetues të tjerë publikë në rajon, ministritë përkatëse financojnë aktivitete kulturore, arsimore, shkencore, si dhe për diasporën, ndaras nga buxheti i rregullt (Radiotelevizioni i Shqipërisë - RTSH, Radiotelevizioni Kroat – HRT).

Në këtë rast, shuma e apostrofuar është ekskluzivisht për orkestrën e RTK-së, Festivalin e Këngës (pasi Kosova synon edhe pjesëmarrjen në Eurovision). Pra, në asnjë rast nuk përmendet përcjellja e aktiviteteve të ministrit. Memorandumi ka të bëjë vetëm me kalendarin e ngjarjeve kulturore, mbulimi dhe transmetimi i të cilave në ekran është obligim ligjor i RTK-së.

Për më tepër, është shqetësuese që konstatime të tilla publikohen pa e kontaktuar fare RTK-në, si palë e përmendur në shkrim, gjë e cila është ndër elementet kryesore të zbatimit të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës.

Përgjigjja e Redaksisë

Reagimi i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe ai i Bordit dhe Menaxhmentit të RTK-së kanë një të përbashkët kryesore: fjalën aludim. Dhe nuk është vetëm teknike. Që të dy reagimet aludojnë përderisa teksti “Ministria e Kulturës me 750 mijë euro për TV-kanal në promovim të vetes” është krejt i qartë. Për më tepër, MKRS-ja dhe RTK-ja do të duhej të koordinoheshin edhe për përmbajtjet e reagimeve ashtu siç janë marrë vesh për Memorandum. Sepse janë kundërthënës, dhe në tentativë për të demantuar tekstin, nëpërmjet reagimeve demantojnë njëra-tjetrën. Ndër to pika për kanalin televiziv: MKRS-ja e quan themelim, pastaj shndërrim të kanalit RTK4 në RTK-Art. RTK-ja e quan transformim. Por kjo është pjesa më e butë.

MKRS-ja në reagim i rendit krejt në fund pikat kryesore të Memorandumit dhe për më tepër e riformulon atë.

“Mbulimi i programit të institucioneve të kulturës dhe projektet e mbështetura të skenës së pavarur nga MKRS. Po ashtu, përcjellja e ngjarjeve të Kalendarit Vjetor Kulturor të cilin e zbatojmë me UP-në dhe institucionet e varësisë, ku janë 150 ngjarje që dokumentojnë dhe nderojnë figurat e artit dhe datat e rëndësishme”, shkruan në pikën e katërt të reagimit (së pari plasuar në Facebook) - ku përmend edhe UP-në dhe i jep peshë edhe skenës së pavarur. Ndryshe e ka në Memorandum, te obligimet e RTK-së.

Ngjarjet e skenës së pavarur përcillen “sipas mundësive” (pika 4.9). Tri pikat kryesore të Memorandumit janë: RTK-ja “merr përsipër incizimin profesional, produksionin dhe post-produksionin e ngjarjeve premierë, shfaqjeve, koncerteve, shfaqjeve operistike, hapjeve të ekspozitave dhe formave të tjera të institucioneve të MKRS-së, një kopje e së cilës i dorëzohet institucionit përkatës për nevoja të arkivimit. 4.2. Përcjell dhe promovon aktivitetet kulturore dhe të trashëgimisë kulturore të organizuara nga MKRS-ja dhe nga institucionet e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore në varësi të MKRS-së”. Larg mendsh të “aludohet” që krejt ngjarjet e kulturës t’i organizojë ministri.

“Në asnjë pikë të MoU nuk kërkohet mbulimi i aktivitetit protokollar të ministrit”, shkruan MKRS-ja në reagim. Por në asnjë rresht të tekstit të KOHËS nuk shkruhet që në Memorandum përcaktohet që të mbulohet protokolli i ministrit.

Me gjuhën e të dy reagimeve, Ministria e Kulturës duket se e ka më të qartë Memorandumin, qëllimin e tij. Por jo edhe Bordi dhe Menaxhmenti i RTK-së. Nëse Memorandumin e lexon ashtu siç e interpreton në reagim, i bie ta shkelë qysh në fillim.

“Në këtë rast, shuma e apostrofuar është ekskluzivisht për orkestrën e RTK-së, Festivalin e Këngës (pasi Kosova synon edhe pjesëmarrjen në Eurovision). Pra, në asnjë rast nuk përmendet përcjellja e aktiviteteve të ministrit. Memorandumi ka të bëjë vetëm me kalendarin e ngjarjeve kulturore, mbulimi dhe transmetimi i të cilave në ekran është obligim ligjor i RTK-së”, shkruan në reagim. Pa u futur në interpretim, RTK-ja bën mirë ta rilexojë Memorandumin. 750 mijë euro nuk i ka “ekskluzivisht për orkestrën e RTK-së, Festivalin e Këngës”. Së paku jo sipas Memorandumit që ka nënshkruar. RTK-ja ka të drejtë kur shkruan se “mbulimi i ngjarjeve kulturore është obligim ligjor i RTK-së”.

Nëse e ka obligim ligjor, përse i duhet Memorandumi i Bashkëpunimit i cili ka implikime buxhetore prej 750 mijë eurosh dhe ato merren nga buxheti i “Departamentit të Kulturës (MKRS v.j.) kodi 805, kategoria subvencione dhe transfere”? RTK-ja s’e përmend shumën në reagim, siç nuk bëri as kur nëpërmjet një shkrimi në portalin e saj informoi për nënshkrimin e Memorandumit më 9 shkurt.

Në reagimin e Bordit dhe të Menaxhmentit shkruan se “aludohet se RTK-ja gjoja ka marrë përsipër që të prezantojë punën e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve”. Me “aludimet, gjoja se”, ia bëjnë RTK-së leximin e artikullit me tahmin ashtu si edhe reagimin. “…përmenden shifra të financimit, pa e prezantuar në mënyrë korrekte kontekstin e këtij financimi”, shkruan në reagim. Financimi prej 750 mijë eurosh nuk bëhet në “kontekst”. Është ekonomi, shifra. Sepse as Memorandumi nuk është në “kontekst”.

Dhe krejt në fund, dy fjalë për etikën. KOHA e ka cituar Memorandumin dhe nuk e ka interpretuar atë. Sikur qasja e artikullit të ishte interpretimi i tij nëpërmjet palëve që e kanë nënshkruar, do ta kontaktonte edhe MKRS-në, edhe RTK-në. Për më tepër, disa ditë e ka pritur Memorandumin, i cili është shfaqur në ueb-faqen e Ministrisë të mërkurën (21 shkurt) në ditën kur KOHA – duke shfrytëzuar të drejtën për qasje në dokumente zyrtare – e ka marrë atë po prej Ministrisë dhe çuditërisht lansimi mban datën (9 shkurt), ani pse nuk është plasuar atë ditë. Nëse MKRS-ja do ta kishte përnjëmend kur shkruan se “përmbajtja e qartë për audiencën, lajmet e konfirmuara dhe të paanshme nuk kanë qenë kurrë më jetësore”, do t’i ftonte mediat që ta përcillnin nënshkrimin e Memorandumit. S’e ka bërë këtë në adresë të KOHËS, të cilat, kur e ka dërguar reagimin, e ka dëshmuar se i di dhe i ka të sakta.