Kulturë

Ramiz Kovaçi – zëri që jehon si udhërrëfyes për në botën operistike

Monografia dedikuar këtij mjeshtri titullohet “Ramiz Kovaçi – Një zë brilant dhe i papërsëritshëm”. Si zë i tillë u cilësua në të gjallë, kur pushtonte skenat. Por sot ai është zëri që jehon edhe si udhërrëfyes për të rinjtë, drejt botës operistike. Kësisoj vjen edhe monografia e autoreve Rania Kovaçi dhe Ramona Tullumani

Baritoni shqiptar Ramiz Kovaçi u dha jetë, pos operave vendore, edhe personazheve të operave më me nam në botë. Libri monografik “Ramiz Kovaçi – Një zë brilant dhe i papërsëritshëm” është përmbledhje kronologjike për jetën, angazhimin artistik në skenën vendore e më gjerë, për sukseset e tij dhe jo vetëm. Aty shtjellohet, edhe sot 29 vjet pas vdekjes, roli i Kovaçit si pedagog, udhëzimet e tij për këngëtarë të rinj operistikë. Monografia ka për autore, të bijën e maestros, Rania Kovaçin dhe mbesën, Ramona Tullumanin. Është përuruar në Prishtinë të enjten dhe ka bërë bashkë muzikantë, pedagogë, njohës e adhurues të tij, në hapësirën e Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës. Ngjarja u zhvillua në kuadër të aktivitetit të përbashkët kulturor midis Kosovës e Shqipërisë për nder të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe është e para për këtë vit. Monografia ishte botuar në vitin 2019 dhe ishte prezantuar në Tiranë, Shkodër e Krujë.

Librit i paraprin vlerësimi i poetit Dritëro Agolli, ku ai e vlerëson si një prej figurave të mëdha të artit dhe kulturës shqiptare. Duke skalitur dorëshkrimin e Agollit të shkurtit të vitit 2004, në të shkruhet se “veprimtaria e Ramiz Kovaçit luajti rol të ndjeshëm në përhapjen e muzikës skenike dhe në edukimin e njerëzve me këtë gjini muzikore të nivelit të lartë relativisht të ri për vendin tonë”, duke vlerësuar se ai meriton edhe vlerësimin “Nderi i Kombit” që i ishte dhënë.

Sa i përket skenës teatrale, kishte qenë viti 1960 kur i ishte dashur të ndërpriste stazhin në Operën e Sofjes pasi kishte marrë lajmin për vdekjen e babait të tij. Që aty filloi edhe jeta e tij artistike në Teatrin e Operës dhe Baletit. Në librin monografik theksohet se debutimi i parë i tij ishte në pjesën operistike “Berberi i Seviljes”, ku luante rolin e Figaros. Më pas luajti edhe rolin e Xhorxh Zhermontit në operën “La Traviata” të Verdit, në operën shqiptare “Lulja e Kujtimit” të Kristo Konos luante figurën e babait ideal e të përkushtuar “ashtu siç ishte në të vërtetë”, shkruhet në monografi. Ndër shumë role të tij është edhe ai i Sharplesit në operën “Madame Butterfly” të Puccinit, i Ajdin Muzakës në “Skënderbeu” të Prenk Jakovës, Rigoletton në operën me të njëjtin titull të Verdit, Marselin nga “La Boheme” të Puccinit, e shumë të tjerë.

Bashkautorja e librit, Rania Kovaçi, ka thënë se është e privilegjuar për ta promovuar librin në Prishtinë. Ka thënë se i ati i saj e kishte ëndërr të këndonte në Kosovë. Interpretimi te “Goca e Kaçanikut” e Rauf Dhomit qe një peng.

“Pasi ai u nda shumë shpejt nga jeta, vendosëm të bënim një monografi për jetën dhe veprën e tij dhe ishte shumë privilegj. Është i pari që vendosi këngën popullore si lëndë në institutin më të lartë të këngëve, ku thoshte se të gjithë këngëtarët do të duhet të dinë ta këndojnë këngën popullore shqiptare se po nuk ditën nuk do mund të këndojnë të tjera”, ka thënë Rania Kovaçi.

Autorja tjetër, mbesa e Ramiz Kovaçit, Ramona Tullumani, ka thënë se në libër shprehen edhe idetë se si duhet të këndohen rolet e veprave të kompozitorëve të mëdhenj dhe rregullat që duhen zbatuar në to. “Do të ishte i varfër libri nëse do të ishte vetëm historiku se si studioi, si këndoi në shumë vende e të tjera. Kishte karakteristikat e ndryshme vokale, kishte luajtur të gjitha rolet e Verdit për shkak të zërit dramatiko-lirik që ishte më i miri për bariton. Veçanti ishte teknika e vokalit, prandaj e kemi quajtur ‘jo vetëm Verdi’ pasi brenda kishte edhe Rossini, Puccini, duke arritur deri te muzika popullore”, ka thënë Tullumani.

Në librin monografik “Ramiz Kovaçi – Një zë brilant dhe i papërsëritshëm” jeta dhe vepra e baritonit shqiptar shpaloset si kronologji. Pasi ishte kthyer në Shqipëri e kishte shënuar suksese në skenën e teatrit, karrierën e kishte filluar edhe si pedagog. Kishte filluar të përgatiste studentët si këngëtarë lirikë që kur ishte hapur konservatori i parë më 1962. Puna e tij si pedagog ka rezultuar duke i dhuruar skenës shumë këngëtarë lirikë që edhe sot vazhdojnë të japin kontributin operistik.

Pos si njohje me baritonin e madh shqiptar, libri monografik shpesh kthehet edhe në udhëzues për studentët e rinj.

“Çdo vepër vokali bazën e ka te mësimi i parë i saj. Që të zotërohet teksti, fillimisht duhet të studiohet mirë dhe të praktikohet duke bërë një artikulacion të vazhdueshëm në mënyrë që çdo fjalë të rrjedhë natyrshëm e në harmoni me vokalin”, është njëri prej udhëzimeve që jep maestroja. Ka edhe të tjera, më të detajuara si ato për mënyrën e të ushqyerit, paraqitjen e këngëtarit operistik para publikut, si dhe dëmet që shkakton duhani tek zëri i tij. Jepen edhe fotografi nga loja e tij në role të ndryshme, profili prej publicisti, si dhe vëmendja që i është dhënë nga shtypi vendor e ai ndërkombëtar.

Numëron role të mëdha të operave botërore, por vend të veçantë i ka kushtuar edhe interpretimit të këngëve popullore shqiptare. Për vlerat kulturore që bartte ishte vlerësuar si “Artist i Popullit”, “Artist i Merituar”, me “Medalje Pune”, “Qytetar Nderi i Krujës”, kishte marrë mirënjohje nga qyteti i Tiranës, si dhe ishte shpallur “Qytetar i veçantë” i Izmirit të Turqisë. Kishte marrë shumë çmime, ndër to, të parin në Festivalin e të Rinjve në Sofje, Festivalin Botëror të Këngës Popullore në Turqi e në Festivalin Botëror të të Rinjve në Moskë.

I pranishëm me rastin e promovimit të librit ishte edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi.

Baritonin Ramiz Kovaçi e ka konsideruar si njeri të jashtëzakonshëm, i cili do të jetë më pranë sa më shumë të ikin vitet.

“Ai ishte një personazh i tillë që inkurajonte aftësitë e studentëve modelë, profesor që dinte të lartësonte ndjenjën për të punuar fort. Ai ishte trinomi i jashtëzakonshëm: pedagog, artist i skenës dhe qytetar i jashtëzakonshëm i qytetit të Skënderbeut, që e deshi pafund. Ramiz Kovaçi i ofrohej secilit njeri të niveleve kulturore për t’i treguar se është me të”, ka thënë Minxhozi.

Etnomuzikologu Behar Arllati ka thënë se edhe pse nuk e ka njohur personalisht, ka pasur fatin ta njohë Kovaçin nëpërmjet interpretimit të tij.

“Me të vërtetë jam rritur me këngët e Ramiz Kovaçit, jo vetëm me ato popullore që i ka kënduar, por edhe me ato botërore. Ndoshta është vazhdimësi e Mihal Cikos dhe kjo mandej është një vijë shumë e bukur që e shoh, deri në perfeksion”, ka thënë Arllati.

Baritoni shqiptar Sokol Hidersha e ka vlerësuar Kovaçin si të veçantë e si mirësi. “Kur vinte fjala tek ai nuk vinte asnjë lloj thashetheme. Jam i kënaqur që unë kam bërë një rol në ‘La Boheme’ me mbesën e Ramiz Kovaçit”, ka thënë ai.

Në librin monografik rrëfehet edhe historia e dashurisë me Nikoleta Lillovan, me të cilën më pas u martua. Ishin takuar gjatë studimeve. Nikoleta vinte nga një familje e Sofjes dhe gjithashtu kishte talent në këndim.

Ramiz Kovaçi u lind më 22 mars 1929 në Krujë. Si i ri dallohej për zërin e tij melodik. Shkollën e mesme të liceut artistik e përfundoi në vitin 1954 me pedagogun e artistin Mihal Ciko. Më pas fitoi bursë për në Konservatorin e Sofjes, ku edhe shpërthyen me dinamizëm talenti e cilësitë vokale të përvetësuara deri atëherë. Në Sofje të Bullgarisë kishte ndjekur klasën e pedagogut të madh bullgar Brembarov. Gjatë studimeve ishte cilësuar si “Zëri më i bukur studentor” dhe i printe karrierës të cilën do ta shënonte me role të skenës shqiptare e botërore dhe shumë çmimeve në festivale ndërkombëtare.