Duke sjellë emra të njohur në Kosovë nëpërmjet të cilëve artistët e rinj mund të zhvillohen dhe duke ua ofruar skenën ku ata mund të dalin në pah, “Rame Lahaj International Opera Festival”, vjen me edicionin e dytë. Kam dashur t’u paraprij dhe t’u dal borxh talenteve të rinj të cilët e kanë talentin, ashtu siç e kisha unë dikur, por mundësia për të lëvizur ka qenë e pamundur”, ka thënë tenori Ramë Lahaj
Festivali që synon të ndërtojë ura midis skenës së Kosovës dhe asaj ndërkombëtare me edicionin e dytë e hedh një hap drejt një kapitulli që synon traditën.
“Rame Lahaj International Opera Festival”, i pari i këtij lloji në rajon, edhe këtë vit ka për qëllim promovimin e artit të operës dhe të kulturës. Këtë synon ta bëjë duke sjellë emra të njohur në Kosovë nëpërmjet të cilëve artistët e rinj mund të zhvillohen dhe duke ua ofruar skenën ku ata mund të dalin në pah. Qysh në ditën e parë të rinjtë janë bërë pjesë e masterklaseve nga trajneri i zërit, Jean Bernard Thomas. E në program, “RLIOF” ka spikatur emra të dalluar vendorë e të huaj. Fokus të madh ka muzika shqiptare.
Me një rrugëtim në këngët e rajoneve të ndryshme shqiptare ka nisur të enjten mbrëma festivali internacional i operës. “Ensemble Evening” me Adhurim Grezdën dhe “Don’t listen to your neighbours” në koncertin hapës në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, ka përmbledhur një koleksion të repertorit shqiptar. Vepra botërore e të rëndësishme të repertorit operistik do të prezantohen në koncertin e dytë të festivalit.
Në “Opera night”, do të interpretohen kryesisht vepra të kompozitorëve italianë, Giacomo Puccini dhe Giuseppe Verdi. Ato do të vijnë në harmoninë e tingujve të sopranos italiane, Erika Grimnaldi, tenorit italian, Leonardo Caimi, dhe pianistit kosovar, Menan Bërveniku.
Presidenti i festivalit, tenori i njohur, Ramë Lahaj, ka thënë se arsyeja përse e ka vazhduar edhe më fuqishëm këtë festival është rinia e Kosovës. Për festivalin kujton që ishte inspiruar nga një masterklasë që e kishte mbajtur në Prishtinë në vitin 2018, një ditë pas koncertit të tij në kuadër të Ditës së Evropës. Talenteve të rinj që i kishte takuar, tenori i skenave të mëdha botërore, kishte insistuar t’ua dhurojë një hapësirë për t’u zhvilluar edhe më tej.
“Ajo çfarë më shtynë që ta jap gjithë këtë energji që ta bëj një festival, i cili po shpresoj që do të kthehet në traditë të pandashme e sidomos që u duhet edhe institucioneve të Kosovës, veçmas tash që jemi në planifikim të ndërtimit të institucionit të operës, kam dashur t’u paraprij dhe t’u dal borxh talenteve të rinj të cilët e kanë talentin, ashtu siç e kisha unë dikur, por mundësia për të lëvizur ka qenë e pamundur”, ka thënë tenori Lahaj në konferencën e mbajtur paraditen e së enjtes në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare në Prishtinë.
Një mbrëmje e veçantë do t’i dedikohet “Bilbilit të Kosovës”, Nexhmije Pagarusha. Në skenë do të prezantohen solistë të njohur nga Kosova e Shqipëria ku një fokus të madh do të kenë veprat e kompozitorëve Çesk Zadeja dhe Prenkë Jakova. Nëpërmjet trajnimeve e mbrëmjeve koncertale, festivali është vlerësuar se jep kontribut të drejtpërdrejtë në Operën e Kosovës.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se si ministri e vlerësojnë festivalin shumë unik, i cili e vendos Kosovën në rrafshin operistik ndërkombëtar.
“Ministria e Kulturës vlerëson shumë veprimin e Ramë Lahajt se si artist i skenës botërore operistike kthehet në Kosovë dhe kontribuon nëpërmjet festivalit dhe fondacionit ‘Rame Lahaj’, rishtazi të themeluar me qëllim të zbulimit, zhvillimit dhe promovimit të talenteve nga Kosova në strukturat e artit në vendet e ndryshme të botës”, ka thënë Çeku gjatë konferencës.
Studentët e rinj gjatë ditëve sa zgjat festivali do të njihen në mënyrë më profesionale edhe me instrumentin e harpës nëpërmjet masterklasëve që do të udhëhiqen nga Antonio Ostumi. Rezultatet e masterklasave me vokalistin e zërit Bernard Thomas do të prezantohen edhe në skenë në mbrëmjen e titulluar “Gjenerata e re”. Festivali do të kulmojë në ditën e fundit të korrikut, me gala-mbrëmjen “Rame Lahaj & Friends”, në sheshin “Skënderbeu” ku ylli kryesor i ftuar është sopranoja e njohur, Angela Gheorghiu.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se nëpërmjet këtyre emrave festivali promovon Prishtinën në arenën ndërkombëtare, si dhe ndihmon institucionet kulturore duke ngritur gjenerata të reja të talenteve.
“Festivali operistik ofron kontribut të rëndësishëm dhe të drejtpërdrejtë në pasurimin e jetës kulturore të kryeqytetit, duke e bërë Prishtinën një platformë të rëndësishme të artit operistik, meqë ‘RLIOF’ është i pari në Kosovë dhe rajon në strukturë të tillë”, ka thënë Rama.
Synimi i festivalit është të ndërtojë një urë mes skenës kosovare dhe asaj ndërkombëtare. Trajneri i vokalit, Jean Bernard Thomas, ka ardhur në Prishtinë ku për disa ditë do t’i trajnojë të rinjtë. Ata do të trajnohen rreth repertorit të operës, për teknikën vokale dhe interpretimin. Thomas, i cili vjen nga Franca, ka thënë se është i befasuar me atë që ka gjetur në Kosovë.
“Jam shumë i lumtur të jem këtu që të participoj në këtë festival të Ramë Lahajt të cilin e kam takuar para dy vjetësh në Paris. Unë jetoj larg prej këtu dhe i thashë Ramës para dy ditësh se më kanë folur shumë për Kosovën dhe nuk kam dëgjuar fjalë të mira. Por, më vjen mirë të shoh ide evropiane këtu dhe të takohem me shumë zëra që nuk i kam ditur”, ka thënë Bernard Thomas.