Konferenca për media një ditë para koncertit gala “Rame Lahaj & Friends” në sheshin “Skënderbeu” nuk ka qenë thjesht paraqitje, program e paralajmërim për një ngjarje si kjo. Ka qenë një lloj konfirmimi i fuqisë së bukurisë së operës, dëshmive për përkushtimin dhe thirrje për një sallë koncertale. Yjet e operës zbresin sonte nën qiellin e hapur në epilogun e edicionit të katërt të “Festivalit Ndërkombëtar të Operës Rame Lahaj”, që i ka sjellë vendit katër koncerte e masterklasa si një tregim për magjinë e artit të operës
I vetmi festival që i dedikohet ekskluzivisht operës dhe promovimit të krijimtarisë operistike në vend, “Festivali Ndërkombëtar i Operës Rame Lahaj”, përmbyll edhe një edicion të suksesshëm. Epilogu i rreth dy javëve aktivitetesh e koncertesh jetësohet sonte (e premte) me koncertin gala “Tre tenorët”.
Nën moton “T’knoft zemra”, që ka përcjellë këtë edicion të katërt, tenori kosovar, themelues e president i festivalit në “Rame Lahaj & Friends” të shoqërohet nga Charles Castronovo, i njohur ndërkombëtarisht si një nga tenorët më të mirë të brezit të tij, si dhe Murat Karahan, yll i operës me mbi 50 role kryesore në të gjithë botën, i vlerësuar si “artisti më i suksesshëm operistik i vitit”.
Tre tenorët do të shoqërohen në skenë nga Orkestra e Operës së Kosovës, e udhëhequr nga maestro Sascha Goetzel, dirigjenti austriak të cilit me Kosovën i ishte përthyer rruga disa herë.
Në konferencën për media të mbajtur të enjten paradite janë shpalosur eksperiencat e pjesëmarrësve deri tani me Kosovën si dhe ecuria e këtij edicioni të katërt. Midis muzikantëve e pranishme në konferencë ishte dhe Donika Gërvalla, zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Në konferencën e dedikuar festivalit dhe muzikës operistike ajo ka shprehur mirënjohjen për tenorin Rame Lahaj, për kontributin me këtë ndërmarrje kulturore tash e katër vjet.
“Jo vetëm festivali, por edhe shembulli personal i tenorit Rame Lahaj tregon që ngado që shëtisin djemtë dhe vajzat e Kosovës përsëri kthehen këtu, nuk e harrojnë vendin e tyre dhe nuk harrojnë pritjet, shpresat që lidhen me suksesin por dhe krenarinë e jashtëzakonshme që qytetarët e Kosovës e institucionet kanë për arritjet e tyre. Jeta kulturore në Kosovë mund të jetë ndër më aktivet e më të pasurat në rajonin tonë, sepse, siç e shohin edhe mysafiret që vijnë herë pas here, befasohen shumë me atmosferën, me energjinë që zotëron në rrugët dhe në institucionet artistike të Kosovës”, ka thënë Gërvalla.
Ky festival, i cili mbahet nën patronazhin e të parit të kryeqytetit, edhe në konferencë e kishte përfaqësuesin. Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Jehona Lushaku, premtoi se Komuna e Prishtinës do ta vazhdojë përkrahjen.
“Mendojmë që ne po i bëjmë një shërbim në pikun e verës edhe mërgatës sonë, po i japim mundësi që të jetë pjesë e këtyre vlerave përmes këtyre aktiviteteve kulturore. Kjo është një dëshmi që do të vazhdojmë të mbështesim festivale të tilla, të cilat ndërkombëtarizojnë kryeqytetin tonë. Ky festival është ndër vlerat tona unike për të cilin jemi krenarë si kryeqytet dhe do të vazhdojmë mbështetjen tonë edhe në vitet e ardhshme”, ka thënë Lushaku.
Dirigjenti austriak Sascha Goetzel, i cili do ta përcjellë koncertin e nesërm, për Kosovën kishte vetëm fjalë të mira. Nuk është hera e parë që ai paraqitet para publikut kosovar.
“Kur flasim për muzikën, muzika është për një arsye e vetmja gjuhë universale e botës. Nuk duhet ta mësoni gjuhën që ta kuptoni muzikën. Kur ne bëjmë muzikë, këtu apo në vendin tim në Vjenë, kudo në botë, muzika do të kuptohet, njerëzit do ta kuptojnë atë dhe të gjithë do të bëhemi bashkë. Të vish këtu në Kosovë si vjenez është shumë ndjenjë e veçantë, sepse kam shumë miq shqiptarë ne Vjenë, e njoh Ramen qe sa kohë”, është shprehur Goetzel.
Anash nuk i la as mesazhet domethënëse, koha e kaluar këtu i kishte hapur atij mundësi të reflektimit mbi forcën që ka muzika.
“Sjellja e mesazhit të operës këtu është një mesazh që duhet të besojmë që mund të krijojmë diçka të bukur. Në fakt ne jemi ata që do ta ndërtojmë të ardhmen e gjeneratave të reja. Përgjegjësia jonë nuk është vetëm tek edukimi që ata të bëhen të shkathët, duhet t’i edukojmë që të dinë të krijojnë edhe të bukurën”, ka shtuar ai.
Meriton Ferizi, zëvendësues i drejtorit të Operës së Kosovës, veç bashkëpunimit gati njëmuajsh me tenorët e dirigjentin për koncertin, zgjodhi që në konferencë të bëjë një kërkesë e cila është kthyer në refren kur bëhet fjalë për paraqitjet e muzikës klasike në vend, në çfarëdo nivelesh.
“Besoj që përveç mikpritjes që e kemi traditë, shpresoj që tutje ta kemi mikpritjen dhe me një infrastrukturë më të mirë t’i presim këta mysafirë në salla dinjitoze, të përçojmë një imazh dhe një mesazh që këtu ka të ardhme dhe kultura do ta zërë vendin e saj”, ka qenë urimi i tij.
Për tenorin nga SHBA-ja, Charles Casronovo, vizita e tij e parë në Kosovë i ka lënë përshtypje të veçanta, ndryshe nga vendet që rëndom i viziton. Për të është hera e parë që ai shkel Gadishullin Ballkanik.
“Me gjithë udhëtimet që një karrierë si kjo të ofron, njeriu mund të bëhet pak indiferent nga përshtypjet që merr nga vendet që viziton, disi bëhesh i mpirë. Por, gjëja që e kam vërejtur këtu ishte pozitiviteti, i cili erdhi tek unë menjëherë. Gjëja më e rëndësishme për mua është që të këndoj në vende në të cilat nuk do të prisja të performoja. Për mua është normale të performoj në Paris, por të shkosh në një vend ku nuk ke performuar, ku ndjenja e mikpritjes është shumë më e madhe, këto janë momentet më të vlefshme të karrierës sime dhe natyrisht që e kam pranuar ftesën e Rames menjëherë”, ka thënë tenori amerikan.
Tenorit turk, Murat Karahan, Kosova ia ka dhënë ndjesinë e shtëpisë që në ditën kur kishte zbarkuar këtu.
“Ndihem sikur jam në shtëpi këtu, njerëzit përreth, stili i jetesës, kultura, janë shumë të përafërta me vendin prej nga vij. Edhe kur isha në Prizren dje kisha mundësi të flisja në turqisht, është një vend i bukur, njerëzit këtu janë shumë pozitivë dhe në mbrëmjen e parë kur erdha dola të ecja pak dhe pashë që të gjithë njerëzit buzëqeshnin. Është kënaqësi e madhe për mua të jem këtu, do të kemi një koncert të bukur me njerëz të mirë dhe kolegët e mi të dashur. Rame është shumë i njohur në Turqi, kemi pasur shumë koncerte me të, ai është më shumë se mik me mua, është sikur një vëlla. Pra, kemi të bëjmë me një ekip shumë të mirë me energji të mirë”, ka thënë ai.
Gjithashtu ka diçka që duket t’i ketë pëlqyer më shumë në Kosovë se në Turqi. E pozitiviteti dhe energjia e njerëzve karshi tij i kanë lënë mbresa.
“Rame është një person i rëndësishëm për Kosovën, arti specifikisht është një forcë me të cilën mund të hapni çdo rrugë dhe në fushën e operës besoj që Rame është kryesori në prezantimin e emrit të Kosovës nëpër botë”, ka thënë Karahan.
Mungesën e sallës adekuate që koncertet e tilla të mbahen sipas kushteve standarde e potencoi dhe Rame Lahaj. Ka falënderuar stafin realizues të këtij edicioni, institucionet për mbështetjen, si dhe mediat për mbështetjen dhe ndihmën në arritjen e misionit të festivalit.
“Prishtina, Kosova, e meriton, i duhet, jemi shumë vonë madje, por gjithsesi presionin kam menduar që në formën më të mirë e bëjmë me artistë, duke i sjellë e duke i nxjerrë në sheshe, duke ua thënë të vërtetën që kemi nevojë për një sallë koncertale. Falënderoj stafin për mbështetjen, institucionet si dhe faleminderit edhe për suportin medial, sepse është mjaft e rëndësishme që sa më shumë të arrijë ky art te fëmijët tanë, tek të rinjtë”, ka thënë Lahaj.
Mbrëmja gala në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet, duke filluar nga ora 20:30, ka rezervuar një program të pasur artistik.
Drejtori artistik i festivalit, Besmir Vokopola, ka thënë se mbrëmja do të ketë një trajtim thellësisht klasik, por nuk do të mungojnë edhe pika që përkojnë me origjinën e tre tenorëve.
Edicioni i 4-t i RLIOF-it filloi rrugëtimin më 21 korrik me ekspozitën “A thua ëndërr ishe ti” me kryeveprat e artistëve kosovarë. Ndërkohë kryeqyteti u shndërrua në vendtakim të artistëve nga e gjithë bota nëpërmjet mbrëmjeve muzikore, si “Nexhmije Pagarusha” kushtuar muzikës shqipe, “Opera Night”, “Ensemble Evening” e “New Generation” me artistët e rinj.