Kulturë

“Radical Optimism” – një turne i rëndësishëm për pop-yllin Dua Lipa

Në skenë, zëri i këngëtares britaniko-kosovare është i fuqishëm dhe ajo e mban veten edhe si valltare. Ndërkohë që ka ndërprerje të atmosferës midis akteve të spektaklit, ato falen kur Dua fillon interpretimin e hiteve të saj

Në skenë, zëri i këngëtares britaniko-kosovare është i fuqishëm dhe ajo e mban veten edhe si valltare. Ndërkohë që ka ndërprerje të atmosferës midis akteve të spektaklit, ato falen kur Dua fillon interpretimin e hiteve të saj

Australia ka qenë ndalesa e parë për vitin 2025 e turneut të Dua Lipas, “Radical Optimism”. Këngëtarja me prejardhje kosovare ka zhvilluar një aurë kontradiktash: një yll i muzikës pop që është gjithashtu avokuese e zëshme për të drejtat e palestinezëve, dhe një lexuese e etur që drejton klubin e saj të librit. Është interesante të krahasosh Duan që lëviz trupin në mënyrë lozonjare duke zbritur nga pista e skenës, me Duan që bën intervista të thella dhe të mençura

Eilish Gilligan

Turma e pranishme në koncertin e fundit të Dua Lipas në kuadër të turneut, “Radical Optimism”, del të jetë një përzierje e njerëzve dhe gjeneratave të ndryshme.

Në dekadën e fundit, muzika e yllit të shpërblyer me tri çmime “Grammy”, ka depërtuar në çdo aspekt të jetës moderne, nga algoritmi i platformave muzikore, e deri te filmi hit i arkave filmike, “Barbie”. Ndërsa publiku akomodohet në arenën “Rod Laver” në Melbourne, në sy bien shumë fëmijë e të rinj të entuziazmuar, të zbukuruar me fustane vezulluese dhe kapele kauboji. Australia ka qenë ndalesa e parë për vitin 2025 e turneut të Dua Lipas, që përmban gjithsej 55 koncerte. Një kënaqësi e jashtëzakonshme për fansat e këngëtares në hemisferën jugore, që shpesh humbasin mundësinë për të ndjekur koncerte të yjeve botërorë të muzikës pop.

Spektakli fillon me një dritë të kaltër, si një larje oqeanike, e shoqëruar nga tinguj meditative të sintisajzerit, që krijon ndjesinë e lundrimit në vend – një hipnozë kolektive që prishet nga hyrja rrezatuese e Dua Lipas nga poshtë skenës, e veshur me një kostum ngjyrë rozë të butë. Performancën e fillon me “Training Season”, së cilës për strofën e parë i është dhënë një trajtim tërheqës si ai i hitit, “Skyfall”. Nuk do të duhej të funksiononte, por kënga ia del mbanë; zëri i Lipës është i thellë dhe i përshtatshëm, duke kërkuar mbështetje minimale të këngëtarëve përcjellës, ndërsa ajo ecën dhe lëviz mes dymbëdhjetë valltarëve të saj. Nuk del shumë në pah, por mban hapin e vet.

Koreografia bëhet më e fortë kur të dymbëdhjetë valltarët shfaqen të gjithë përnjëherë rreth LipAs, duke e krijuar një lloj foleje kinetike. “New Rules”, “Electricity” dhe “Don’t Start Now” janë këngët më të dalluara, jo vetëm për lëvizjet e bukura e plot energji, por thjesht sepse atëherë të gjithë performuesit, përfshirë Lipën, duken se po argëtohen më së shumti.

Është kënga “Happy For You”, një baladë e fuqishme që e sjell Lipën duke qëndruar e vetme në majë të skenës, ndërsa pamje të qiellit shfaqen prapa saj

Këngëtarja me prejardhje kosovare ka zhvilluar një aurë kontradiktash: një yll i muzikës pop që është gjithashtu avokuese e zëshme për të drejtat palestineze, dhe një lexuese e etur që drejton klubin e saj të librit. Është interesante të krahasosh Duan që lëviz trupin në mënyrë lozonjare duke zbritur nga pista e skenës, me Duan që bën intervista të thella dhe të mençura me autorë si, Patrick Radden Keefe dhe Ocean Vuong.

Albumi “Radical Optimism” nuk e arriti dot ndikimin e paraprijësit të tij, “Future Nostalgia”, por këngët e shtrira brenda kësaj liste të mbushur me hite, prodhojnë disa pika kulmore. Është kënga “Happy For You”, një baladë e fuqishme që e sjell Lipën duke qëndruar e vetme në majë të skenës, ndërsa pamje të qiellit shfaqen prapa saj, dhe “Maria” që i dedikohet ish-të dashurës së të dashurit të saj, një këngë gati për “Eurovision”.

Koncerti është ndarë në katër akte, secili përbëhet nga katër ose pesë këngë. Është një prodhim luksoz, me piroteknikë, “konfeti” dhe një skenë gjigante në formën e shenjës së pafundësisë dhe e zbukuruar me ekrane të teknologjisë së lartë. Por pas çdo akti, dritat zbehen dhe show ndërpritet në thelb, pasi punëtorët dalin me vrap nga prapaskena – duke pastruar “konfetit” që kanë mbuluar skenën, duke rregulluar shtyllat e dritave neon, duke transportuar pjesë të instrumenteve në skenën B – derisa publiku mbetet në një gjendje të pezulluar. Ky cikël përsëritet vazhdimisht: katër këngë të performuara në mënyrë të përsosur – dhe pastaj një grumbull punëtorësh të skenës që nguten të vendosin piroteknikë që do t’i lërë pa fjalë fansat pikërisht pas tri këngëve.

Koncerti është ndarë në katër akte, secili përbëhet nga katër ose pesë këngë. Është një prodhim luksoz

Megjithëkëtë, këto ndërprerje falen kur Lipa kthehet në skenë e armatosur me kaq shumë hite. Edhe kënga tashmë dhjetëvjeçare që e nxori atë në skenë, “Be The One”, e cila tingëllon e freskët me një rikonceptim të ri. Sikur  Taylor Swift në turneun e saj “Eras”, edhe Dua Lipa ka kënduar një ‘cover’ të ndryshëm, për çdo natë, gjatë këtij turneu – një këngë që është veçanërisht speciale për qytetin ku ajo po performon. Në Melbourne ajo ka interpretuar hitet, “Highway To Hell” dhe “Can’t Get You Out of My Head”, dhe të shtunën mbrëma e solli artistin Troye Sivan në skenë për të kënduar së bashku këngën, “Rush”.

Performanca bëhet edhe më e fuqishme pasi Lipa shfaqet në një tjetër kostum të ngushtë për trupi – këtë herë me ngjyrë të zezë dhe i zbukuruar me zinxhirë të trashë. Nga “Dance The Night”, mega-hiti i Lipës në bashkëpunim me producentin Mark Ronson për filmin “Barbie”, kalon në këngën e preferuar të publikut, “Don’t Start Now”, që vjen e pasur me tinguj të muzikës dance dhe disco. Në këngën e fundit të repertorit, “Houdini”, Lipa ngacmon publikun me një version të vetes që është enigmatik dhe i pamëshirshëm, duke paralajmëruar dashnorët e saj të mundshëm që të mos bëjnë gabime.

Para koncertit, turma jo e zakonshme e njerëzve të bën skeptik për atmosferën, por në fund të performancës gjithçka merr kuptim. Dua Lipa është artiste e gjithanshme, prandaj pse të mos jenë të tillë edhe fansat e saj?

Më 28 dhe 29 mars, pop-ylli mbajti edhe dy koncerte në Sydney, para se turneu të zhvendoset në Zelandë të Re, Evropë dhe Amerikë Veriore.