Kulturë

"The killing of a journalist" me dramën e vrasjes së gazetarëve

Nëntë vjet më parë, Ján Kuciak, një gazetar investigativ dhe e fejuara e tij Martina Kušnírová, u bënë viktima të një vrasjeje brutale në shtëpinë e tyre në fshatin Velká Mača në Sllovaki. Regjisori sllovak Matt Sarnecki ka eksploruar prezencën e krimit të organizuar në një qeveri të korruptuar, e cila në rastin e dy gazetarëve që u sakrifikuan në emër të së vërtetës duket se përcakton edhe vetë fatet e jetëve të njerëzve. Në dokumentarin "The killing of a journalist" (Vrasja e një gazetari") pasqyrohet ndikimi i dorës fantome përmes krimit e korrupsionit nën petkun e sistemit ligjor dhe zbatimit të ligjit në një vend demokratik evropian. Në kuadër të javës së të drejtave të njeriut, edicionit të dhjetë të organizuar nga “Youth Initiative for Human Rights”, në “Kino Armata” u shfaq dokumentari që hedh dritë mbi një krim të tmerrshëm që tronditi Sllovakinë dhe gjithë të botën e gazetarisë

Protagoniste kryesore në dokumentar është Pavla Holcova, kolege e gazetarit të vrarë nga mediumi “Aktuality.sk”, ku edhe kishin punuar së bashku. Ajo bashkë me kolegë të tjerë ishin të angazhuar për të zbuluar lidhjet midis zyrtarëve më të lartë shtetërorë, biznesmenit sllovak, Marian Kocner, dhe mafisë italiane “Ndrangheta”. Regjisori interviston gazetarë, sociologë, familjet e avokatët e çiftit të vrarë, por edhe avokatin e vetë protagonistit “negativ” Marian Kocnerit duke ofruar perspektiva të ndryshme, të cilat pasurojnë rrugëtimin drejt zbulimit të së vërtetës.

Ky i fundit rezulton të jetë figura kryesore, e cila edhe e kishte drejtuar Sllovakinë derisa u arrestua vetëm pak ditë pas vrasjes për krime ekonomike. Pasi ishte përhapur lajmi për vrasjen e gazetarit, presidenti atëkohë i Sllovakisë, Robert Fico, kishte dalë me një komunikatë për media e cila qe pikënisje e një orteku të madh zbulimesh rreth përfshirjes së institucioneve shtetërore në këtë krim.

Holcova kishte pranuar një kopje të dosjes së hulumtimit të policisë duke përfshirë telefonat dhe kompjuterët e të dyshuarit kryesor, Marian Kocner. Nga aty siguruan edhe pajisjet e tjera të njeriut që kishte shtënë në dy viktimat dhe shoferit të veturës me të cilën kishin arritur deri në destinacion. Nga kartelat telefonike, tabletët dhe kompjuterët e siguruar kishin në dispozicion dhjetëra mijëra mesazhe, nga të cilat edhe ato ku njëri nga gjyqtarët e pyet Kocner se “si duhet vepruar më tej?” I gjithë rasti kishte ardhur pasi gazetari i ndjerë, Jan Kuciak, shkruante intensivisht rreth aktivitetit ekonomik kriminal të Kocner, që kishte të bënte me manipulimet me tatimet ndaj shtetit. Kishte qenë shumë afër publikimit të një hulumtimi për një skandal financiar, e vrasja ishte supozuar se do ta heshtte atë. Në fakt, hulumtimi për vrasjen e gazetarit kishte larguar vëmendjen nga ky skandal, por kishte rezultuar në zbulimin e rrjetit të krimit të organizuar e korrupsionit nga vetë institucionet që supozoheshin për ta luftuar atë.

Projekti si i tillë paraqitet si një përpjekje jo e zakontë në mënyrën se si është punuar për të. Ai përfshin një kërkim të kujdesshëm, organizim të kujdesshëm të sasive të mëdha të provave dhe përkushtim të një ekipi që kuptonte rëndësinë e detyrës së tyre. Filmi jo vetëm që eksploron hetimin kriminal, por futet edhe në kontekstin politik më të gjerë, duke zbuluar thellësinë e një "shteti të kapur" të përfshirë në korrupsion.

Narrativa e filmit, e cila fillon nga kryerja e krimit e përpjekjet e vazhdueshme rreth zbulimit të kriminelëve krijon një dinamikë mes një trilleri kriminal të vërtetë dhe një eksplorimi të korrupsionit politik, i cili synim ka një epilog që paraqitet përmes gjykimeve nga Gjykatat Supreme e Sllovakisë, e cila ende deri tash nuk ka dalë me një vendim.

Si pjesë e fondacionit “Movies that Matter” në Amsterdam kjo shfaqje e këtij filmi u bë e mundur nga Ministria holandeze e Punëve të Jashtme. E një fjalë hyrëse para filmit e ka mbajtur ambasadorja e Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo.

"Ky dokumentar shërben si një pasqyrë e idesë se mediat janë instrumenti kryesor i funksionimit të një shoqërie demokratike, aty tregohet dhe se sa shtrenjtë paguhet zbulimi i së vërtetës, gjë e cila na fton të jemi më të kujdesshëm rreth mbrojtjes së medias”, ka thënë Lobbezoo.

Pas filmit, i cili emocionoi audiencën me përmbajtjen e ndjeshme, publiku u vendos në një pozicion që i fton ata të pyesin vetën rreth fragjilitetit të demokracisë dhe kostos që duhet paguar për ta mbrojtur atë.

Në një panel diskutimi të moderuar nga Xhemajl Rexha, kryetar i Bordit të Shoqatës së Gazetarëve të Kosovës, kësaj shfaqjeje të filmit iu dha një analizë edhe nga këndvështrimi i Kosovës në raport me trajtimin e mediave.

“Ky film i jashtëzakonshëm na la në impaktin e tij dhe mund të reflektojmë përmes tij për sigurinë e gazetarëve në Kosovë, në një vit shumë të vështirë në këtë kontekst", ka thënë Rexha.

Ndërkaq Venera Xhoxhaj-Adili, gazetare në RTK e pranishme në panel, u shpreh e emocionuar nga përmbajtja e filmit, ku gjeti veten përballë disa pyetjeve. “Më vjen keq që edhe në vendin tonë shohim sulme të shpeshta nga gazetarët, sidomos nga njerëzit e pushtetit. Kam dëshirë që të shohim sa më shumë raste të tilla të dënuara nga gjykatat tona”, ka thënë ajo. Sipas saj do të ndihmonte në ngritjen e vetëdijes rreth rolit të medias, dhe minimizimit të dhunës karshi medias.

Labinot Leposhtica, gazetar në BIRN, pjesë e panelit, e vlerësoi dokumentarin si një referencë të mirë për të kuptuar ndjeshmërinë e gazetarisë si profesion duke theksuar rolin e bashkimit të shoqërisë civile dhe medias në sundimin e demokracisë. “Konsideroj që ne si komunitet i gazetarëve në momentet kur kemi një impakt të përbashkët me shoqërinë mundemi të kemi sukses, përndryshe nëse nuk reagojmë së bashku nuk kemi me mundur të mbrojmë as veten e as tjetrin”, ka thënë ai.

Trashëgimia e Ján Kuciak vazhdon të jetojë, jo vetëm përmes punës së tij hetimore që ekspozoi korrupsionin, por edhe përmes këtij filmi që dëshmon tashmë ndikimin e tij të vazhdueshëm. Dokumentari fton shikuesit të reflektojnë mbi gjendjen e demokracisë, rreziqet që gazetarët ballafaqohen në kërkimin e së vërtetës dhe përgjegjësinë e të gjithëve për të siguruar që trashëgimia e atyre që sakrifikohen për drejtësinë të mbetet e pandryshueshme.