Kulturë

“Quo Vadis, Aida?” – thirrja nga Srebrenica për shpëtim njerëzish

“Europë, Bosnia – July 1995” shkruhet në titullin në hyrje të dramës së fuqishme të Jasmila Zbaniqit mbi ngjarjet që çuan në plojën që kryen forcat serbe mbi 8 mijë boshnjakë civilë, shumica syresh burra dhe djem, në qytetin e Srebrenicës me rrethinë. Ai rend fjalësh ndryshon – “Europe, Bosnia” – bëhet lajtmotiv i një filmi të ngjeshur e shtrëngues që përdor ndodhinë e vërtetë të një përkthyeseje të Kombeve të Bashkuara për të ngritur pyetje se si ngjau ky gjenocid në kontinentin që nuk duhet të lejonte të ndodhte përsëri kjo, nën sytë vigjilentë të paqeruajtësve të UN-it.

Ky është filmi i parë i regjisores së lindur në Sarajevë gjatë këtyre dhjetë vjetëve që adreson tamam luftën dhe i pari që trajton këto vite të konfliktit, shkruan KOHA.

Debutimi i Zhbaniqit më 2006, “Grbavica” që fitoi “Ariun e Artë” në Berlinale dhe pasrendësi i tij, “On the Path” (2010) ishin për traumat e mbetura në Bosnjën e sotme, derisa nga ajo kohë, regjisorja ka zhbiruar edhe rrugë të tjera, përfshirë edhe komedinë romantike “Love Island”.

Energjia dhe pasioni i përqasjes së freskët e të drejtpërdrejtë të Zhbaniqit në konflikt vjen përmes çdo kuadri, pjesërisht edhe nga kasti i aktores serbe, Jasna Duriçiq në rolin e Aidas, si përkthyese në një bazë jashtë Srebrenicës që ruhej nga forcat holandeze të Kombeve të Bashkuara. Besnikëria e saj është topitur mes punës dhe familjes teksa ajo përpiqet të shpëtojë burrin dhe dy djemtë e rinj që kanë përfunduar mes civilëve boshnjakë të vendosur në të ashtuquajturën “zonë e sigurt”. Përgjatë filmit, Duriçiqi modulon nga profesionalizmi kompetent te dëshpërimi dhe terrori.

Zhbaniq ka punuar me montazherin e filmave “Ida” dhe “Cold War”, Jaroslaw Kominski, për të dhënë një triller që të lë pa frymë me storien që thelbësisht është për atë se si bota mund të ecë përgjumshëm, me dashje, drejt tragjedisë. Filmi hapet pak para se forcat serbe të Ratko Mlladiqit të pushtojnë Srebrenicën – që në film interpretohet nga Boris Isakoviqi si një autoriarist i lig.

Forcat holandeze të kryesuara nga ushtari i karrierës, kolonel Karremans (Johans Heldenbergh) u japin siguri udhëheqësve civilë të qytetit se pushtimi do të parandalohej nga avionët.

Sidoqoftë, fare shpejt, Mlladiqi zdërhallet përmes rrugëve të boshatisura të qytetit, i shoqëruar nga një ekip televiziv që ka për qëllim përjetësimin e çdo gjesti dhe fjalimi heroik.

Popullata civile boshnjake drejtohet masivisht drejt vendqëndrimit të paqeruajtësve në Potoçar, ku mijëra njerëzve u jepet strehë brenda bazës dhe mijëra të tjerë, që nuk u lanë të hynin për shkak të stërngarkimit, kampojnë brenda perimetrit të gardhit.