Kulturë

“Quo Vadis, Aida?” midis Prishtinës thërret nga Srebrenica

“Quo Vadis, Aida?

Filmi nën regji të Jasmilla Zhbaniqit, i cilësuar si kryevepër në dokumentimin e një akti çnjerëzor, ka ndezur ekranin e “Armatës” midis Prishtinës dhe shfaqja e tij nuk qe krejt e zakonshme, të enjten mbrëma. “Quo Vadis, Aida? është një thirrje. Aso që duhet ta ndërgjegjësojë secilin

Ka katër vjet që ka shëtitur në të katër anët e botës – pos Serbisë që s’e ka lejuar shfaqjen e tij – e në Prishtinë ka ardhur me peshën e dramës që paraqet, pikërisht në atë që është shënuar botërisht dhe për herë të parë si Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Masakrën e Srebrenicës. “Quo Vadis, Aida?” ku luan edhe aktori nga Kosova, Alban Ukaj, ka ardhur si thirrje ndërgjegjes e për të mos harruar. Në publik ka qenë edhe një ish-punonjës në Bosnjë, e që e njeh edhe përkthyesin prej të cilit gjëllin rrëfimi i filmit që tronditi botën

Ka shëtitur në të katër anët e botës, ka marrë disa çmime, për pak i rrëshqiti nga dora edhe “Oscari”, por trofeu që vazhdon ta mbajë “Quo Vadis, Aida?” edhe katër vjet pas premierës, është pesha e tij. Rrëfimi filmik për gjenocidin në Srebrenicë është shndërruar tashmë në një lloj artefakti i cili sa herë rikthehet në ekranin e madh, trondit veçmas kur vjen në përkujtimin e ngjarjes që shkundi botën. 

Filmi nën regji të Jasmilla Zhbaniqit, i cilësuar si kryevepër në dokumentimin e një akti çnjerëzor, ka ndezur ekranin e “Armatës” midis Prishtinës dhe shfaqja e tij nuk qe krejt e zakonshme, të enjten mbrëma. Kosova ka vite që e përkujton, por bota për herë të parë e shënon 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Masakrën e Srebrenicës, siç e miratoi me rezolutë Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në majin e sivjetmë. U deshën gati tri dekada që ajo që ngjau në korrikun e vitit 1995, e shënuar në historinë moderne si masakra më e madhe që ka njohur Evropa që nga Lufta e Dytë Botërore, të marrë zyrtarisht njohje ndërkombëtare. Këtë kishte synuar qysh se u realizua filmi në të cilin luan edhe aktori nga Kosova, Alban Ukaj. 

Para publikut në Kosovë, fituesi i dy çmimeve që njihen si “Oscar” i Evropës – atë për aktoren dhe regjinë më të mirë në dhjetorin e 2021 – në shfaqjen e organizuar nga organizata joqeveritare “Hanuma” – vjen i fuqishëm. Populli i saj njeh masakra të tilla dhe kujtimet janë të freskëta. “Quo Vadis, Aida?” përgjatë 101 minutave ka dramën e njëjtë fund e krye. Shërben si një kujtesë e fortë se një luftë e tmerrshme kishte ngjarë jo shumë kohë më parë.

Aida është protagonistja e cila jetësohet nga aktorja serbe, Jasna Gjuriçiq, ku filmi paraqet kalvarin e gjatë të vuajtjeve të saj gjatë 11 korrikut të vitit 1995. Është një grua boshnjake e cila punon si përkthyese për një kontingjent holandez të ushtarëve të OKB-së në Srebrenicë. Pikërisht ky kontingjent është i caktuar si një strehë e sigurt e OKB-së, por forcat serbe arrijnë ta marrin qytetin nën kontroll. Më shumë se 25 mijë civilë shkaktojnë një gurgule para kompleksit të OKB-së, Aida, mes tyre kërkon burrin dhe djemtë e saj. Filmi dhe rrëfimi i cili shpaloset në të, janë prej atyre të cilat audiencës që e përcjellë ua bën të pamundur indiferencën. Ka frakturë të pastër dokumentare. Shembull edhe roli i Tarikut, luajtur prej Alban Ukajt, e të cilin aktori i shquar – siç do të tregonte për KOHËN në marsin e vitit 2021 – e njeh edhe personalisht, se ishte i mbijetuar i masakrës së Srebrenicës. 

Në rrugëtimin katërvjeçar, “Quo Vadis...” ka edhe një tjetër kapitull: u ndalua në Serbi. Aktorja serbe, Zhbaniq do të bënte thirrje që nëse Serbia është demokratike le ta shfaqë filmin, por kjo është tjetër histori. 

Në Kosovë tashmë ka mbërritur, ani pse me vonesë, jo më me pak mesazhe e simbolika. Shfaqjes i kanë paraprirë një minutë heshtje për viktimat e masakrës, një pikë poezie në gjuhën boshnjake dhe fjalimet. 

Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Emilia Rexhepi, ka kujtuar viktimat e rëna në masakrën e Srebrenicës derisa ka dhënë edhe mesazhin e rëndësisë të solidarizimit me popullin boshnjak. 

“Për mua është nder të jem në këtë ditë të vështirë që prek shpirtin e secilit njëri normal para së gjithash, dhe secilit boshnjak. Është me rëndësi të përkrahim secilin aktivitet lidhur me solidarizimin për viktimat e Srebrenicës që me praninë tonë t’u japim forcë që si popull jetojmë, ngrihemi, mbijetojmë dhe do të jemi përherë prezentë në të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë pavarësisht asaj se dikush deshi që ta zhdukë një popull që nëse keni emra të tjerë, i përkisni një etnie tjetër, një tjetër feje, ju nuk jeni njerëz të mirë edhe pse ata ishin fqinjët tanë, kemi jetuar dhe ende jetojmë me ta”, ka thënë ajo. Ka falënderuar që kjo ngjarje “është organizuar në qendër të Prishtinës”.

“Quo Vadis, Aida?”, ngre pyetje të ndërlikuara, disa prej të cilave janë specifike për këtë tragjedi, por shumë nga to janë universale e fatkeqësisht përkojnë dhe me aktualitetin global. Është filmuar me mjeshtëri në atë që fton shikuesin të identifikohet me Aidën, por në të njëjtën kohë, edhe pse ajo është një personazh tepër i fortë dhe i pëlqyeshëm, aty nuk lihet anash individualiteti i saj. Përtej heroizmit portretizohet me tërë humanitetin e saj. Mbi të gjitha është një dëshmi e cila paraqet të bëmat e Kasapit të Ballkanit, Ratko Mlladiq dhe shokëve të tij, ende heronj në Serbi.  

Shukrie Gori-Markoviq nga organizata joqeveritare “Hanuma” në një prononcim për KOHË-n ka treguar se si iniciativë kishte nisur nga ideja se nëpërmjet këtij filmi do të nderohej kjo date në mënyrë dinjitoze. 

“Qëllimi i këtij organizimi ka qenë të mos e harrojmë historinë, sepse çdo gjë e cila harrohet shumë lehtë edhe përsëritet, të mos harrojmë gjenocidin e Srebrenicës dhe atë se çfarë ka kaluar edhe populli i Kosovës. Të jetë ky një mësim për të gjithë ne dhe të jetë mesazh i mirë për të gjithë”, ka thënë ajo. 

S’ka media të njohur botërore që nuk ka shkruar për “Quo Vadis, Aida?” i dhënë premierë botërore në shtatorin e vitit 2020, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venecia. Rrëfimet edhe prapa filmit, nuk shternin. Si ai se filmi është bazuar në rrëfimin e përkthyesit boshnjak për Kombet e Bashkuara, Hasan Nuhanoviq. 

Boyd McKenchie, nuk ka mundur të lë pa a parë filmin edhe në Prishtinë. E ka njohur pikërisht atë prej të cilit gjëllin historia e filmit. 

“Kam punuar vetë në Bosnjë. E njoh këtë histori, kam punuar edhe me personin që e ka inspiruar filmin, përkthyesin, Hasan Nuhanoviq. Një film i tillë të bën të mendosh e çfarë kemi mësuar nga tragjedia e Srebrenicës, kur Kombet e Bashkuara dështuan t’i mbronin ata civilë. Ky film shfaq mjeshtërisht pasojat e luftës dhe se si njerëzit e pafajshëm mund të bëhen viktima të saj”, ka thënë McKenchie. 

Në publik ka qenë edhe Rexho Kojiq, boshnjaku që jeton në Kosovë.

“Ky film që pasqyron gjendjen reale të 11 korrikut të viti 1995, shfaq disa pamje shumë të rënda. Fatin e ndajnë bashkë edhe populli i Bosnjës edhe ai Kosovës, por fatmirësisht ndryshe nga Bosnja, trupat ndërkombëtare kanë intervenuar në Kosovë shumë shpejt, ndërkaq në Bosnjë tek 6 muaj pas kësaj ngjarjeje në Srebrenicë kanë nënshkruar marrëveshje me ShBA-në”, ka thënë ai pas shfaqjes së filmit. 
“Quo Vadis…” është një thirrje. Aso që duhet ta ndërgjegjësojë edhe palën tjetër. 

“Sa më shumë që mohohen krimet e luftës nga pala serbe, nga ana e institucioneve serbe, elita politike serbe, ne si shoqëri civile dhe si njerëzim duhet të promovojmë përmbajtje të tilla për shkak të së mirës që sjellin dhe mesazhet e tyre, në Kosovë, Bosnjë dhe krejt regjionin. Ndihem me emocion, sepse ende nuk kemi një përgjegjësi të pranuar nga pala tjetër”, ka thënë Kojiq. 

Filmi ka një pikëpyetje në fund. Dhe njëra prej pyetjeve do të mund të ishte nëse njeriu ka mësuar nga një akt çnjerëzor. 

Njerëzit kanë dalë qetas nga “Armata” mbase edhe me pyetje të tjera. Pak metra tutje, në sheshin “Nënë Tereza” në një qoshe te Ministria e Kulturës, edhe disa orë pasi është fikur projektori me dramën luftës në Bosnjë, kanë qenë ende ndezur disa qirinj poshtë një fotoje me simbolin e gjenocidit të Srebrenicës, e ku shkruhej: “Në nderim të viktimave”. Aty ka qenë edhe një kërkesë: “Ndizini qirinjtë nëse fiken”. Me “Quo Vadis, Aida?” – rrëfimin e tij – janë kujtimet ato që nuk shuhen dot.

LEXO EDHE: