Me rastin e vdekjes së shkrimtarit gjermano-rumun Richard Wagner, një njohës i sinqertë i Ballkanit dhe kritik i rreptë i shovinizmit serbomadh.
“Kur u linda më 1952 në Banatin rumun, Stalini ende ishte gjallë. Tani kur po shkruaj këtë libër në vitin 2002 në Berlin, diktatori Millosheviq gjendet para gjyqit në Hagë”. Këta rreshta gjenden në faqen e 12-të të librit të Richard Wagnerit “Qielli i zbrazët. Udhëtim në brendi të Ballkanit” (Der leere Himmel. Reise ins Innere des Balkans).
Fillova ta shfletoj këtë vepër sonte pasi lexova lajmin se ka vdekur Richard Wagner. Pjesët më interesante janë të theksuara me një marker me ngjyrë të kaltër. Prej mbi 300 faqeve të librit shumë pjesë, ndoshta gati gjysma, janë të markuara.
E tepërt të thuhet këtu se libri është mjaft interesant edhe për arsye të biografisë së Richard Wagnerit. Ai ishte gjerman i Rumanisë. I lindur në Temishvar, i emigruar në Gjermani, një autor që nga afër e kishte parë dhe përjetuar diktaturën rumune të Nikollai Çausheskut.
Temishvar është një qytet rumun në kufi me Serbinë e sotme dhe me Jugosllavinë e dikurshme. Për dallim nga shumë shkrimtarë, gazetarë e publicistë gjermanë që e idealizonin Jugosllavinë, Richard Wagner s’kishte emocione të tilla. Atë e pengonte fakti që në Perëndim Josip Broz Titon e shihnin vetëm
si hero pozitiv. Nga ky këndvështrim, Jugosllavi ishte bregdeti kroat ku mund të haje qofte të lira, të pije birra të lira, të notoje në ujin e pastër kristal të Adriatikut. Gjithçka e qartë? Kujt i interesonte represioni i shërbimeve dhe policive sekrete në brendi të Jugosllavisë? Pakkujt në Perëndim.
Wagnerit i interesonte dhe në librin e tij ai përpiqet të shkund opinionin e fjetur gjerman me këtë informatë: prej 109 vrasjeve të kryera nga shërbimi sekret jugosllav, 56 kanë ndodhur në territorin e Republikës Federale të Gjermanisë. Intelektualët e majtë të Europës nuk interesoheshin për këso kapitujsh të errët të Jugosllavisë. Ata vinin çdo vit në ishullin e Korçullës, diskutonin ne Shkollën Verore të Marksizmit, hanin peshk, pinin raki dhe ktheheshin të lumtur në katedrat e tyre universitare në Perëndim.
Richard Wagner vdiq në moshën 70-vjeçare. Kjo nuk është moshë, jo se jo për të vdekur. Ai emigroi në Gjermani më 1987, bashkë me gruan e tij të atëhershme dhe nobelisten e mëvonshme të letërsisë Herta Müller. Ky çift u nda më 1989. Dhe prapë në kuptimin e ideve ata mbetën bashkë – bashkë në kundërshtimin e nacionalizimit serb.
Ndërsa autorë, publicistë e korrespondentë gjermanë raportonin nga Beogradi me ton arrogant duke e shpërndarë fajin te të gjithë popujt e Jugosllavisë për krizën e vendit, Richard Wagner dhe Herta Müller shumë herët e detektuan burimin e së keqes: ishte elita ultranacionaliste serbe e prirë nga Sllobodan Millosheviqi.
Më 2017 Herta Müller ishte mysafire e Panairit të Librit në Beograd. Në një debat ajo e mbrojti ndërhyrjen e NATO-s kundër regjimit serb më 1999. Publiku shovinist humbi kontrollin, gazeta “Politika”, që nga viti 1905 zëdhënëse e çdo gomarllëku të (pu)shtetit, e akuzoi Herta Müllerin se e paskësh
keqpërdorur “mikpritjen serbe”.
Richard Wagner është autor romanësh, prozash të shkurtra dhe i veprave eseistike, por në fillimet e karrierës së tij u shqua edhe si poet. Në librin “Zoti Parkinson” ai më 2015 trajtoi sëmundjen e tij e cila s’do t’i lejonte të shkruaj më.
Afërsia gjeografike me Jugosllavinë, jeta nën diktaturën rumune, të qenmit pjesëtar i pakicës gjermane në Rumani ndikuan që Wagner të ketë një këndvështrim kritik ndaj realitetit dhe diktaturave. Në librin e lartpërmendur ai përmend një serbe me emrin Vida e cila në fund të viteve 1940-të punoi për shërbimin sekret rumun dhe të burgosurit ia kishin frikën për shkak të metodave të saj të torturës. Kur Tito i prish me Stalinin, ajo iku në Jugosllavi. Së paku kështu i kujtohej Richard Wagnerit.
Por Richard Wagner nuk ishte kryeneç në vlerësimet e tij. Në krahasim me Rumaninë, Jugosllavia, sipas tij, ishte Perëndim. Televizioni i Novi Sadit emitonte muzikë perëndimore, shfaqte filma të Bertoluccit dhe Fellinit, “njëherë madje edhe një koncert të Allen Ginsbergut”.
Megjithatë, kur vendosi të largohet nga Rumunia në fund të viteve 80-të, Wagner e zgjodhi Gjermaninë dhe jo Jugosllavinë si atdhe të tij të ri. Libri i tij “Qielli i zbrazët. Udhëtim në brendi të Ballkanit” është një enciklopedi e vogël e Ballkanit. Duke e shfletuar sonte, diku nga mesi u shfaqen faqe të nënvizuara me marker me ngjyrë rozë, pastaj në faqet në vijim shfaqen faqet e radhës ku pjesët më interesante janë të nënvizuara me ngjyrë të kaltër (prapë kaltër si qielli!) dhe dikur nënvizime me laps me ngjyrë të gjelbër. Një libër shumëngjyrësh patjetër duhet të ketë edhe nënvizime shumëngjyrëshe.