Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, dhe këshilltarja e tij, Nora Arapi-Krasniqi, në panelin për arsim, rini, kulturë dhe sport të mbajtur në kuadër të Mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, kanë shpalosur punën e bërë në MKRS për gati katër vjet. Dyshja edhe i ka fryrë të arriturat. Kanë prezantuar edhe të dhëna që bien në kundërshtim me faktet publike. Kurse me dështimet, siç janë projektet kapitale, as që janë marrë
Në një sallë ku kishte garë se kush duartroket më shumë kur përmenden arritjet në kulturë e trashëgimi kulturore dhe askush nuk kontestonte çka do që thuhej, menaxhmenti i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka prezantuar të arriturat e planet për të ardhmen. Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, dhe këshilltarja e tij, Nora Arapi-Krasniqi, në panelin për arsim, rini, kulturë dhe sport të mbajtur në kuadër të Mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, kanë shpalosur punën e bërë në MKRS për gati katër vjet.
Dyshja edhe i ka fryrë të arriturat. Kanë prezantuar edhe të dhëna që bien në kundërshtim me faktet publike. Kurse me dështimet, siç janë projektet kapitale, as që janë marrë.
“Në një atmosferë plot dinamizëm dhe entuziazëm, Lëvizja VETËVENDOSJE! zhvilloi sot Mbledhjen LVI të Këshillit të Përgjithshëm”, kështu shkruhet për takimin e Këshillit të Përgjithshëm. Me të njëjtën fjali do të mund të përshkruhej edhe prezantimi për punën në Ministrinë e Kulturës.
Ministri Hajrulla Çeku ka nisur fjalën e tij të dielën duke thënë se ka nisur hartimi i masterplanit për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Sipas tij, vitin e ardhshëm synojnë të nisin punimet.
“Kemi restauruar mbi 100 monumente dhe mbi 50 të tjera janë në proces në muajt në vijim dhe vitin e ardhshëm. Monumentet për fat të keq ishin në gjendje lufte, kishte investime minimale nga shteti. Sot kemi restaurime në çdo cep të vendit nga kompani dhe individë që janë të licencuar nga Ministria e Kulturës, dhe shumë punë të tjera në arkeologji me zbulime të rëndësishme dhe me mirëmbajtje dhe menaxhim efikas të lokaliteteve”, ka thënë ai.
Menaxhimi efikas i lokaliteteve nuk është bërë. KOHA ka raportuar se për muaj të tërë më 2022 dhe 2023 e po ashtu edhe më 2024 shteti ka lënë pa punonjës e madje edhe pa rojë lokalitetet arkeologjike ku ka investuar miliona euro, sikurse Kalaja e Prizrenit, Ulpiana e deri te Muzeu Kombëtar i Kosovës. Në rastin e Muzeut, rojtarët kanë dalë në formë vullnetare për të ruajtur thesarin më të çmueshëm të shtetit sa i përket trashëgimisë së luajtshme kulturore. Kontratat njëvjeçare nuk vazhdoheshin për muaj të tërë.
Çeku ka përmendur se po realizohet një transformim i tërësishëm i infrastrukturës kulturore me rinovime, por edhe me ndërtesa të reja. “Renovimet janë duke vazhduar në Teatrin Kombëtar të Kosovës, por edhe në teatro të qyteteve. Ka renovime në institucione të rëndësishme si në Muzeun Kombëtar, ansamblin ‘Shota’, Galerinë Kombëtare, Galerinë e Ministrisë së Kulturës dhe kemi ndërtime të qendrave të reja kulturore...”, ka thënë ai. Ndërtesa e Tetarit është mbyllur qysh në korrik të vitit 2022. Rinovimi prej 7 milionë eurosh nuk ka nisur deri para dy javësh. Kurse te Galeria Kombëtare e Kosovës nuk dihet ende se kur do të nisë rinovimi.
“Në proces është edhe Teatri i Operës dhe Baletit”, ka thënë ministri Çeku. Ky proces njëherë ka dështuar pas procedurave të zhvilluara mbi një vit, shkaku i shkeljeve ligjore që ka bërë vetë Ministria e Kulturës duke thyer rregullin e anonimitetit në thirrje publike. Kjo është vërtetuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se është shumëfishuar buxheti për krijimtarinë artistike në vend dhe për paga më të dinjitetshme për artistët.
“Institucionet publike kanë rritje të shumëfishtë të buxhetit. Skena e pavarur kulturore nga 1.5 milion, sa ishte mbështetje vjetore më 2019, sivjet mbërrijmë në mbi 9 milionë euro për projekte kulturore.
Ndërsa rritja e pagës për performuesit dhe menaxhmentët e institucioneve është meritë e kësaj qeverie dhe e Ligji për pagat”, ka thënë ai. MKRS-ja ka rritur buxhetin për skenën e pavarur kulturore, por monitorimi i zbatimit të projekteve nuk ka avancuar.
“Filmin e kemi shpallur sektor të veçantë të interesit publik, e kemi bërë me ligj të ri, e kemi shumëfishuar buxhetin dhe kemi bërë marrëveshje ndërkombëtare për bashkëprodhim të filmave”, ka thënë Çeku. Ka “harruar” të përmendë se vjet tek në fund të vitit është hapur thirrja për subvencionimin e projekteve kinematografike, duke bërë që ato të subvencionohen tek sivjet. Po ashtu, buxheti nuk është rritur shumëfish. Për projekte, Qendra Kinematografike e Kosovës ka 1.6 milion euro.
Ministri Çeku nuk ka përmendur se prej 32 milionë eurove për investime kapitale, sa ka pasur vjet MKRS-ja, nuk ka shpenzuar më shumë se 13 milionë euro. Ose që në këtë kategori më 2022 janë shpenzuar veç 3.7 milionë euro.
Më pas ka folur për të ardhmen.
“Në trashëgimi kulturore nga mbrojta fizike e monumenteve kalojmë në funksionalizimin e monumenteve në shërbim të komunitetit, turizmit dhe ekonomisë lokale”, ka thënë ai.
Por sikurse në një lloj gare për duartrokitje, këshilltarja e tij, Nora Arapi-Krasniqi, funksionalizmin e monumenteve e ka paraqitur si diçka që po bëhet.
“Kemi vazhduar me restaurimin dhe rijetësimin në tërë territorin e Kosovës”, ka thënë ajo. Por, pas pak fjalive ka dalë në realitet.
“Faza e radhës që na pret është funksionalizimi i trashëgimisë kulturore”, ka thënë ajo.
Sipas saj, arkeologjia “si asnjëherë më parë po e merr vëmendjen institucionale”. Në realitet, arkeologjia deri sivjet as nuk është mirëmbajtur fare nën menaxhmentin aktual të MKRS-së.
Shpronësimi në Ulpianë e Dresnik është në finalizim me iniciativë të përbërjes aktuale të Qeverisë. Më pas kanë lindur pyetje për Ulpianën, ku vjet ka dalë në pah një mbishkrim i veçantë që është dedikim i perandorit Justinian. Qeveria e Kosovës nuk ka investuar asnjë cent në punën që është bërë vjet atje. Mjetet janë të ndara nga Bashkimi Evropian nëpërmjet një bashkëpunimi trepalësh - “Ecole Normale Supérieure” nga Parisi, Universiteti i Prishtinës dhe Instituti Arkeologjik i Kosovës. Pas interesimit në panel për Ulpianën, Arapi-Krasniqi ka dhënë përgjigje që bie në kundërshtim me realitetin.
“Ky projekt ka filluar qysh më 2022, ku janë bërë incizimet gjeomekanike nëntokësore dhe janë identifikuar strukturat potenciale nëntokësore ku është zhvilluar qyteti i Ulpianës dhe Justiniana Secundas”, ka thënë ajo. Në realitet dhe bazuar në fakte publike, bashkëpunimi trepalësh ka filluar më 2017, kurse incizimet janë bërë prej vitit 2019 e me radhë. Kurse MKRS-ja tek vjet ia ka dalë që ta bëjë parkun arkeologjik “Ulpiana” – të shpallur më 2016 – me Plan të menaxhimit, që s’ka filluar ende të zbatohet.