Ka së paku gjashtë vjet që diskutohet e negociohet që veprat të cilat dikur kanë zënë vend nëpër ambiente e suita të hotelit “Grand”, të barten në institucione kulturore. Tek të enjten mbrëma është marrë vendimi që i hap rrugë konkretizimit të kësaj çështjeje. Sipas vendimit të Qeverisë, janë 121 vepra që do të barten në Galerinë Kombëtare të Kosovës
Prishtinë, 24 dhjetor – Nisma për shpronësimin e veprave të artit, të cilat për disa dekada kanë qëndruar në hotelin “Grand”, është në prag të finalizimit. Janë dashur 6 vjet që procesi që kishte nisur midis Ministrisë së Kulturës dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit të zyrtarizohet me një vendim të Qeverisë së Kosovës. Janë 121 vepra të artistëve më me nam të Kosovës dhe jo vetëm, midis tyre edhe ato të Agim Çavdarbashës. Të enjten mbrëma Qeveria e Kosovës ka vendosur që të aprovohet kërkesa e Ministrisë së Kulturës për shpronësimin e këtyre veprave.
“Veprat e artit sipas pikës një të këtij vendimi do të barten në Galerinë Kombëtare të Kosovës, e cila do të kujdeset për ruajtjen dhe mbrojtjen e tyre”, shkruhet në pikën e dytë të vendimit. Siç ka raportuar disa herë KOHA, jo rrallë GKK-ja është ankuar se s’ka kushte për t’i mbajtur. Bartja në Muzeun e Kosovës më 2016 qe përmendur si opsion.
Në vendimin e ekzekutivit po ashtu shkruhet se në rast të nevojës për vlerësimin e veprave artistike për këtë Qeveria do të themelojë komision të veçantë.
Vendimi hyn në fuqi në ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, ka thënë se bëhet fjalë për një lajm të mirë në këtë fundvit.
“Me propozimin tim si ministre sot është votuar evidentimi dhe kthimi aty ku e kanë vendin në Galerinë e Arteve, i 121 veprave e autorëve që Kosovës i kanë dhënë identitet në fushën e arteve pamore, dhe shpronësimi i tyre ishte një ndër prioritetet e mia si ministre”, ka thënë Dumoshi. Sipas saj, MKRS konsideron se rikthimi i veprave të artit që i vlerësojnë si asete kombëtare të ekspozuara në “Grand Hotel-Prishtina”, tek thesaret e popullit, aty ku ruhen dhe ku ka qasje publiku i gjerë, në Galerinë Kombëtare të Kosovës, është një ndër aktet madhore të kësaj qeverie”, ka thënë Dumoshi.
Gazeta për këtë çështje ka raportuar qysh prej vitit 2014. Asokohe Komisioni i përbërë nga përfaqësues të AKP-së dhe Ministrisë së Kulturës, të Rinisë e të Sportit ishte themeluar për t’i identifikuar, inventarizuar dhe sistemuar të gjitha veprat që ndodheshin brenda objektit të hotelit në qendër të Prishtinës. Iniciativa për formimin e një komisioni të tillë kishte ardhur pas kërkesës së familjarëve të skulptorit të ndjerë Çavdarbasha, për ta rimarrë njërën prej skulpturave që ndodhej në hollin e “Grandit” dhe që sipas familjes dekada më parë ishte dhënë vetëm për ekspozim aty. Në shtator të vitit 2016, Ylli Kaloshi, zëdhënës i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, kishte konfirmuar se veprat e identifikuara do të barten në Muzeun e Kosovës.
“Komisioni ka kryer punën e evidentimit të këtyre veprave arti. Të gjitha janë vendosur në një vend të sigurt. Pritet të bëhet një vlerësim në të holla i këtyre veprave dhe më pas do të barten te Muzeu i Kosovës”, kishte thënë Kaloshi.
Ai kishte konfirmuar po ashtu se në ndërtesën e hotelit “Grand” janë evidentuar rreth 100 vepra artistike. Por nuk kishte dhënë emrat e anëtarëve të Komisionit që është marrë me këtë punë.
“Komisioni ka qenë i përbashkët me përfaqësues të AKP-së, përfaqësues të ndërmarrjes, nga Ministria e Kulturës…dhe nga Galeria në kuadër të Ministrisë së Kulturës”, kishte thënë Kaloshi.
Menaxhmenti i hotelit “Grand” 40 vjet më parë ishte pasuruar me një fond veprash artistike, shumica prej të cilave ishin vendosur në ambiente të hotelit “Grand”, e disa të tjera do të zbukuronin suitat. Por në vitet e pasluftës askush nga ata që kanë menaxhuar hotelin nuk ka qenë në gjendje të tregojë saktë për këtë fond të veprave e as për mënyrën se si kanë përfunduar ato në hotel. Sipas AKP-së, punëtorët pretendojnë se këto vepra artistike janë blerë nga ndërmarrja me rastin e hapjes së hotelit. Por për këtë nuk ekziston asnjë dokumentacion. As në Arkivin e Kosovës.
Hoteli “Grand” më 2006 i ishte shitur një biznesmeni. AKP-ja e kishte rimarrë nën menaxhim hotelin, pasi që nuk ishin përmbushur obligimet që kanë dalë nga kontrata e blerjes. Për të dytën herë nxjerrja e tij në shitje qe paralajmëruar në vjeshtën e vitit 2014. Por në mungesë të anëtarëve të Bordit të AKP-së, çështja kishte mbetur pezull.
Sebahate Çavdarbasha, drejtoreshë e fondacionit “Agim Çavdarbasha”, njëherësh bashkëshorte e skulptorit të ndjerë, kishte thënë se dy herë ka bërë kërkesa në AKP për tërheqjen e skulpturës “Pritja” nga “Grandi”, por asnjëherë s’ka marrë përgjigje.
“Në gusht është bërë një vit që kam bërë kërkesën e dytë dhe s’kam marrë kurrfarë përgjigjeje”, kishte thënë Çavdarbasha në shtator të vitit 2016, duke shtuar se i ka ofruar këtij institucioni dëshmi që veprat e skulptorit të njohur që kanë qenë në hotelin “Grand” i takojnë familjes dhe jo hotelit. Nuk e kishte cilësuar të drejtë as vendimin që edhe skulpturat, bashkë me veprat e tjera artistike të barten në Muzeun e Kosovës, siç kishte paralajmëruar AKP-ja. Ajo kishte thënë se vendin e kanë në shtëpinë - muze të skulptorit që ndodhet në Çagllavicë. Atelieja e Agim Çavdarbashës në Çagllavicë ishte dëmtuar në trazirat e marsit të vitit 2004. Rinovimi i saj nga Ministria e Kulturës ishte zvarritur deri në maj të vitit 2014.
“Mendoj se e kanë vendin në shtëpinë-muze, ku janë krijuar. Insistoj që të verifikohet kjo çështje. Nëse janë për t’u dërguar në muze, atëherë i përkasin muzeut ku janë krijuar”, kishte thënë ajo. Asokohe edhe Muzeu i Kosovës, tash Muzeu Kombëtar i Kosovës, kishte treguar gatishmëri për t’i marrë veprat. “Muzeu i Kosovës për këso ndërmarrjesh gjithmonë ka alternativë”, kishte thënë Skënder Boshtrakaj, i cili e drejtonte Muzeun.