Një ditë pasi me memorandum bashkëfinancimi autoritetet i rikthehen lokalitetit arkeologjik të Dresnikut afër Klinës – ku puna ka stagnuar tash e katër vjet – Qeveria ka bërë hapin e radhës për konkretizimin e një vendimi që paralajmërohet e kërkohet tash e një dekadë prejse u zbulua mozaiku unik. Ka miratuar “vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për realizimin e projekteve për mbrojtjen dhe menaxhimin e trashëgimisë kulturore, konservimin dhe investimin për: Lokalitetin Arkeologjik të Dresnikut”
Një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes midis Ambasadës së SHBA-së në Kosovë dhe Ministrisë së Kulturës, e cila rikthen vëmendjen te Dresniku i harruar tash e katër vjet, Qeveria ka bërë një hap para drejt shpronësimit në këtë lokalitet arkeologjik. Në mbledhjen e ekzekutivit të mërkurën është “miratuar vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për realizimin e projekteve për mbrojtjen dhe menaxhimin e trashëgimisë kulturore, konservimin dhe investimin për: Lokalitetin Arkeologjik të Dresnikut, Komuna e Klinës”.
Në njoftimin për vendimet e mbledhjes së 162-të te ky vendim, Qeveria e cilëson si potencial të jashtëzakonshëm.
“Lokaliteti Arkeologjik i Dresnikut me një potencial të jashtëzakonshëm të zbulimeve historike paraqet një nga asetet e trashëgimisë sonë kulturore, ku kemi ndërmarrë hapa konkretë për mbrojtjen dhe promovimin e tij, përmes: mbështetjes financiare, ekspertizës shkencore profesionale dhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë”, shkruhet në njoftim, për të dalë te nënshkrimi i memorandumit të bashkëfinancimit për lokalitetin arkeologjik. Në fakt kanë qenë fondet e SHBA-së së që kanë rikthyer vëmendjen te Dresniku i harruar qysh prej vitit 2019. Të martën ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kanë nënshkruar memorandum bashkëfinancimi për të përkrahur projektin “Ruajtja e lokalitetit arkeologjik e Dresnikut”. Ne kuadër të Fondit të Ambasadorit për Trashëgimi Kulturore, ambasadori i SHBA-së në Kosovë e ka përkrahur projektin me 150 mijë dollarë (141 mijë e 849 euro). Në anën tjetër, Ministria e Kulturës ka ndarë 51 mijë e 830 euro.
Sipas planit, projekti do të zgjasë prej shatorit të këtij viti deri në qershorin e vitit 2025. Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe Fondacioni trashëgimia kulturore pa kufij “CHëB Kosova” do të jenë partnerët zbatues.
Për shpronësimin po në këtë ceremoni ka folur ministri Çeku. Kishte thënë se si Ministri kanë ndërmarrë hapat për sigurimin e qasjes për hulumtim dhe shfrytëzim të pronave ku gjendet lokaliteti, duke iniciuar procesin e shpronësimit të parcelave pranë Ministrisë së Planifikimit Hapësinor.
“Shumë shpejt pritet finalizimi i elaborateve dhe marrja e vendimit të parë në Qeveri për procedurën e shpronësimit. Në këtë mënyrë po sigurohemi që asetet e trashëgimisë arkeologjike e kulturore të marrin vëmendjen e duhur përmes mbështetjes financiare, ekspertizës shkencore profesionale dhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë”, ka treguar ministri Çeku. Vendimi i parë në Qeveri për këtë çështje u mor në 24 orë pas këtij paralajmërimi. Por burimet e KOHËS kanë treguar se shpronësimi ishte kusht i Ambasadës së SHBA-së për të financuar projektin.
Shpronësimi në Dresnik, që shtrihet në prona private, ka qenë një temë prejse doli në pah mozaiku unik më 2013. Asokohe njëra nga pronaret e tokës së gjetjes që u bë sensacion botëror do të tregohej e gatshme që prona e saj t’i nënshtrohej procesit të shpronësimit. Slagjana Shmiliq, bashkë me bashkëshortin e saj, Desko Srblak, kishin thënë se do t’u përshtaten ligjeve në fuqi të Kosovës për shpronësimin e tokës së tyre. Srblak, pronare e një pjese të lokalitetit, kishte kujtuar se vjehrri i tij kishte dëgjuar se kjo tokë fsheh diçka, prandaj ajo nuk është punuar. Ka pasur zotime prej zyrtarëve më të lartë se do të shndërrohet në park arkeologjik përderisa shpronësimi konsiderohej edhe si punë e lehtë. Më 2014 një temë të tille e hapi asokohe ministri i Kulturës, Memli Krasniqi. Pasardhësi i tij në këtë pozitë, Kujtim Gashi, në shtatorin e vitit 2018 do ta deklaronte prerazi se “Dresniku do të shndërrohet në parkun e dytë arkeologjik në Kosovë”. I pari është ai i Ulpianës, i inauguruar më 2016. Asgjë s’u bë për një dekadë.
Sipas Ligjit për trashëgimi kulturore, është Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore ai që përcakton vlerën monetare të shpronësimit.
“...Kompensimi i paguhet pronarit në bazë të vlerës në treg të pronës dhe reflektimit të kushteve të pronës. Niveli i kompensimit përcaktohet nga një komision i pavarur i themeluar nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore”, përcaktohet në nenin katër të Ligjit për trashëgimi kulturore.
Shpronësimi i pronave të tilla përcaktohet edhe me Ligjin për shpronësimet e pronave të paluajtshme. Sipas nenit 3.4 të këtij ligji, shpronësimi mund të bëhet për “mbrojtjen e monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe vendeve me rëndësi arkeologjike, historike ose shkencore, por vetëm nëse vendi është përcaktuar si i tillë në mënyrë të ligjshme me një rezolutë të Kuvendit”. Ky ligj përcakton edhe një arsye tjetër që prona duhet t’i nënshtrohet shpronësimit.
“Nëse pronari i pronës së paluajtshme në të cilën ndodhet monumenti ose vendi refuzon ta mbrojë atë ose për shkak të pamundësisë objektive nuk mundet ta mbrojë monumentin ose vendin”, shkruan në nenin pasues.
Lokalitetin arkeologjik të Dresnikut rreth 1.5 kilometra në lindje të qytetit të Klinës, Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore e cilëson si një prej lokaliteteve arkeologjike më të rëndësishme jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Në gërmimet e viteve 2012-2015 janë identifikuar disa monumente arkitekturore prej të cilave veçohet Aula me përmasa të mëdha.
“Kjo lloj Aule mund t’u përkasë vetëm pallateve të asaj kohe. Përveç madhësisë se objektit, ky monument veçohet për shkak të dyshemeve të tëra të mozaikut polikrom. Pallati është i vendosur në qendrën e këtij lokaliteti dhe gjithashtu është identifikuar muri rrethues me gjerësi 3,7 metra dhe 3 kulla që karakterizohen nga madhësia dhe trashësia e mureve. Brenda mureve është gjetur edhe një kompleks banimi në të cilën u identifikuan gjurmë të pikturave murale të hipokausteve që dëshmojnë nivelin e lartë shoqëror, ekonomik dhe artistik të banorëve të këtij kompleksi”, shkruhet në përshkrim. Po ashtu janë gjetur edhe shumë monedha të perandorëve të ndryshëm romakë të shekujve III dhe IV, si dhe disa copëza të shtatoreve të punuara nga mermeri.
“Pra, bëhet fjalë për një ’Municipium’ (qytet antik). Bazuar në vlerat historike, arkeologjike, artistike dhe shkencore, aseti lokaliteti arkeologjik i Dresnikut në vitin 2016 është shpallur në mbrojtje të përhershme nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore”, shkruan KKTK-ja. Kur u zbulua mozaiku, asokohe arkeologët kishin ardhur në përfundim se mozaiku i Dresnikut shtrihet në një “Vila urbane” (godinë urbane) e gërmimet e 2014-s kishin çuar arkeologët në hipoteza se bëhet fjalë për një qytet të tërë që mund shtrihet në së paku 30 hektarë. Por punimet e mëvonshme do ta dëshmonin se bëhet fjalë për një vilë aristokrate me mundësi që të jetë perandorake.
Shpronësimi është kërkesë e kahershme edhe për lokalitetin arkeologjik të Ulpianës, i vetmi park arkeologjik në Kosovë i inauguruar më 2016.