Kulturë

Qeveria e moratoriumit njëvjeçar e do Kosovën së shpejti në UNESCO

Zotimet e kryeministrit Avdullah Hoti në Shtëpinë e Bardhë në fillim të këtij muaji dhe deklarata e tij e së martës kanë një gjë të përbashkët: përmenden organizatat ndërkombëtare. Përderisa para presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ai është zotuar me shkrim se për një vit Kosova nuk do të kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, të martën ka thënë se është i bindur që Kosova së shpejti do të jetë pjesë e UNESCO-s.

“Kosova (Prishtina) do të pajtohet që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare…”, shkruhet në zotimet e përbashkëta që Serbia e Kosova i kanë dhënë në Washington më 4 shtator.

Të martën mbrëma i gjendur në parkun arkeologjik “Ulpiana” dhe i rrethuar me veshje tradicionale, Hoti e ka “harruar” dokumentin në të cilin ka hedhur firmën në Shtëpinë e Bardhë.

“Kosova e ka vendin së shpejti në hartën e UNESCO-s”, ka thënë ai në ngjarjen kulturore të organizuar nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Institutin Arkeologjik të Kosovës, Muzeun Kombëtar të Kosovës, dhe fondacionin “Tradita Popullore”.

“Unë jam i bindur që me ekspertizën që kemi, me këtë pasuri dhe kujdesin e jashtëzakonshëm që ka ministrja e Kulturës, më herët në nivelin lokal e tash në nivelin qendror, ne shpejt duhet të lëvizim në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare për të promovuar më shumë kulturën tonë dhe diversitetin kulturor që kemi si Kosovë”, ka thënë ai.

Në mbështetje i ka dalë edhe ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi. Bile, ajo ka thënë se Ministria e Kulturës është duke punuar në këtë drejtim. Sipas Dumoshit, për këtë edhe janë duke u bërë hulumtime.