Në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, të 216-n me radhë, Qeveria ka autorizuar institucionet që të bëjnë pagesat për parcelat në të cilat shtrihen lokaliteti arkeologjik i Ulpianës dhe ai i Dresnikut. Për arkeologët që udhëheqin punimet në këto lokalitete ky është lajmi më i rëndësishëm në raport me trashëgiminë arkeologjike të vendit
Qeveria e Kosovës ua ka vënë pikën proceseve të shpronësimit të parcelave ku ndodhen lokaliteti arkeologjik i Ulpianës – më i rëndësishmi në vend – dhe ai i Dresnikut. Në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, të 216-n me radhë, Qeveria ka autorizuar institucionet që të bëjnë pagesat për parcela. Për arkeologët që udhëheqin punimet në këto lokalitete, ky është lajmi më i rëndësishëm në raport me trashëgiminë arkeologjike të vendit.
“Plotësuar dhe ndryshuar vendimin përfundimtar nr.05/188 të datës 14 shkurt 2024. Me miratimin e këtij plotësim-ndryshimi, Departamenti i Shpronësimit do të ketë mundësinë që të realizojë pagesën për pronat e shpronësuara, për projektin ‘Mbrojtja dhe menaxhimi i trashëgimisë kulturore: Konservimi dhe investimi në lokalitetin arkeologjik Municipiumi Ulpiana – Justiniana Secunda’, që njëherësh është pjesë e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme”, shkruhet në njoftimin e Qeverisë, ku bëhen të ditura vendimet e marra. Njëjtë shkruhet edhe për lokalitetin arkeologjik të Dresnikut.
“Ky zhvillim shënon një kapitull të ri”
Paraprakisht Qeveria në shkurt për lokalitetin e Ulpianës dhe në dhjetor për atë të Dresnikut kishte marrë vendimet përfundimtare për shpronësim.
“Miratohet shpronësimi për interes publik i pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga realizimi i projektit: Mbrojtja dhe menaxhimi i trashëgimisë kulturore, konservimi dhe investimi në ‘lokalitetin arkeologjik Municipiumi Ulpiana - Justiniana Secunda”, pjesë e trashëgimisë nën mbrojtje të përhershme (nr. unik TKRKS2A001) Zona Kadastrale Graçanicë, Komuna e Graçanicës, sipas tabelës bashkëngjitur këtij vendimi”, shkruhet në pikën e parë të vendimit që është miratuar në mbledhjen e Qeverisë më 14 shkurt.
“Ulpiana” është aseti më reprezentativ i shekujve të parë në këto anë e njëkohësisht monumenti më i vizituar në Kosovë. Prej vjeshtës së vitit 2016 aty gjendet edhe parku arkeologjik “Ulpiana”, i vetmi i tillë në vend. Shteti vazhdimisht paguan qira vjetore për pronat private që shfrytëzon në këtë lokalitet. Aktualisht në vit paguhen rreth 6 mijë euro.
Milot Berisha është arkeologu që u ka prirë punimeve që një pjesë e asetit të jetë park arkeologjik. Njëkohësisht i prin projektit që zhvillohet po në këtë lokalitet midis Institutit Arkeologjik të Kosovës, Universitetit të Prishtinës dhe “Ecole Superiore Normal” nga Parisi.
Sipas Berishës, ky vendim për aprovimin përfundimtar për shpronësimin e pronave të paluajtshme në parkun arkeologjik Municipium Ulpiana – Iustiniana Secunda sjell një lajm frymëzues për të gjithë ata që ndajnë pasionin për trashëgiminë kulturore të Kosovës. Sipas tij, pas shtatë vjetësh që ky lokalitet u shpall park arkeologjik, ky hap është një moment shumë i rëndësishëm drejt zhvillimit të kësaj qendre arkeologjike, e njohur për pasurinë dhe diversitetin e saj arkeologjik.
“Ky hap ndikon pozitivisht në fushën e hulumtimeve shkencore dhe ndihmon në prezantimin dhe promovimin e turizmit dhe arkeoturizmit të pasur në trashëgiminë kulturore të Kosovës. Në këtë moment ndjenja e gëzimit dhe krenarisë për trashëgiminë tonë po shpërfaqet në një skenë më të gjerë. Ky zhvillim shënon një kapitull të ri për këtë qendër arkeologjike, e cila ka treguar një potencial të jashtëzakonshëm për të ndikuar pozitivisht edhe në skenën ndërkombëtare. Kjo është një mundësi e rrallë për të prezantuar pasurinë dhe trashëgiminë kulturore të Kosovës në një dritë të re, duke ofruar shqyrtime të reja dhe frymëzim për publikun e gjerë”, ka thënë Berisha, i cili aktualisht është edhe zëvendësues i drejtorit të Institutit Arkeologjik të Kosovës.
Berisha ka thënë se shpronësimi i një zone kaq të madhe si 21 hektarë hap rrugën për një qendër tërheqëse dhe promovuese në fushën e hulumtimeve arkeologjike.
“Ky hap do të ndikojë në prezantimin dhe promovimin e turizmit dhe arkeoturizmit, duke bërë që trashëgimia kulturore e Kosovës të jetë e njohur dhe e vlerësuar në skenën ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Në tetor të vitit të kaluar qe miratuar plani i menaxhimit për parkun arkeologjik, “Ulpiana”. I miratuar shtatë vjet prejse një pjese të lokalitetit arkeologjik të Ulpianës i ishte “prerë shiriti”, për t’u bërë park arkeologjik me tre sektorë, aq sa në terren nuk ka ndryshime. Tash së paku në letër ka zotime.
Në punimet e realizuara vjet, në strukturat e kishës më të madhe të zbuluar deri më tash në Ballkan, mbi mozaikun me motive të ndryshme është hasur në mbishkrimin latin. Megjithëse shkaku i sigurisë dhe studimit të mëtejmë janë publikuar vetëm segmente të mbishkrimit, aty qartësohet se ishte perandori Justinian ai i cili personalisht ka iniciuar ndërtimin e qytetit Justiniana Secunda. Mbishkrimi gjendet në zonën qendrore të kishës, hapësirë që është parë nga të gjitha anët e objektit të kultit.
Përtej kësaj detajet e mbishkrimit zbërthejnë edhe rrethana të tjera personale e politike të kohës kur kjo anë si pjesë e Perandorisë së kohës udhëhiqej nga perandori me prejardhje dardane, Justiniani. E vazhdimësia dardane deri në mesjetë po ashtu është faktuar nëpërmjet mbishkrimit në latinisht.
“Është hapi më i rëndësishëm deri më tash në arkeologji”
Sa i përket lokalitetit të Dresnikut, për herë ta parë shteti ia ka dalë që të shpronësojë një lokalitet arkeologjik.
Ky vendim i Qeverisë është parë tejet i rëndësishëm nga prijësi i punimeve në këtë lokalitet, arkeologu i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Elvis Shala. Ai ka thënë se mbi të gjitha ky vendim siguron investimet e bëra deri më tash në lokalitet, i cili që prej vitit 2016 është futur në Listën e trashëgimisë nën mbrojtje të përhershme me perimetër 16.72 hektarë. Zonë e mbrojtur llogariten 64 hektarë. Por, shtetëzimi kap pak më shumë sesa dhjetë për qind të kësaj hapësire.
“Krejt investimet e bëra nga shteti tash bëhen publike. Hapen perspektiva të reja për hulumtime dhe po ashtu krijohet qasje për vizita nga shkollat e për aktivitete kulturore. Në krejt kuptimin e fjalës lokaliteti arkeologjik do të jetë publik, i hapur për të gjithë dhe bëhet park arkeologjik në tokë publike”, ka thënë Shala. Sipas tij, tash mund të bëhet plani i menaxhimit pasi janë krijuar kushtet bazë.
“Është hapi më i rëndësishëm deri më tash në arkeologji”, ka thënë Shala për shpronësimin e 7.8 hektarëve.
Procesi i shpronësimit të lokalitetit kishte nisur një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes midis Ambasadës së SHBA-së në Kosovë dhe Ministrisë së Kulturës, e cila riktheu vëmendjen te Dresniku. Marrëveshja qe nënshkruar më 26 shtator të vitit të kaluar, kurse në Qeveri vendimi që i ka hapur rrugë shpronësimit qe votuar në ditën e 27-të të atij muaji.

Qenë fondet e SHBA-së që kanë rikthyer vëmendjen te Dresniku i harruar qysh prej vitit 2019. Memorandum bashkëfinancimi për të përkrahur projektin “Ruajtja e lokalitetit arkeologjik e Dresnikut” siguron 150 mijë dollarë (141 mijë e 849 euro) në kuadër të Fondit të Ambasadorit për Trashëgimi Kulturore. Në anën tjetër, Ministria e Kulturës ka ndarë 51 mijë e 830 euro.
Sipas planit, projekti do të zgjasë prej shatorit të këtij viti deri në qershorin e vitit 2025. Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe fondacioni trashëgimia kulturore pa kufij “CHWB Kosova” janë partnerët zbatues.
Burimet e KOHËS kishin treguar se shpronësimi ishte kusht i Ambasadës së SHBA-së për të financuar projektin.
Shpronësimi në Dresnik, që shtrihej në prona private, ka qenë një temë prejse doli në pah mozaiku unik më 2013, kur punimeve u printe arkeologu tash i pensionuar, Masar Valla. Asokohe njëra nga pronaret e tokës së gjetjes që u bë sensacion botëror do të tregohej e gatshme që prona e saj t’i nënshtrohej procesit të shpronësimit. Slagjana Shmiliq, bashkë me bashkëshortin e saj, Desko Srblak, kishin thënë se do t’u përshtateshin ligjeve në fuqi të Kosovës për shpronësimin e tokës së tyre.
Sipas Ligjit për Trashëgimi Kulturore, është Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore ai që përcakton vlerën monetare të shpronësimit.
Shpronësimi i pronave të tilla përcaktohet edhe me Ligjin për Shpronësimet e Pronave të Paluajtshme. Sipas nenit 3.4 të këtij ligji, shpronësimi mund të bëhet për “mbrojtjen e monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe vendeve me rëndësi arkeologjike, historike ose shkencore, por vetëm nëse vendi është përcaktuar si i tillë në mënyrë të ligjshme me një rezolutë të Kuvendit”. Ky ligj përcakton edhe një arsye tjetër që prona duhet t’i nënshtrohet shpronësimit.
“Nëse pronari i pronës së paluajtshme në të cilën ndodhet monumenti ose vendi refuzon ta mbrojë atë ose për shkak të pamundësisë objektive nuk mundet ta mbrojë monumentin ose vendin”, shkruan në nenin pasues.
Lokalitetin arkeologjik të Dresnikut rreth 1.5 kilometra në lindje të qytetit të Klinës, Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore e cilëson si një prej lokaliteteve arkeologjike më të rëndësishme jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Në gërmimet e viteve 2012-2015 janë identifikuar disa monumente arkitekturore prej të cilave veçohet Aula me përmasa të mëdha.
“Kjo lloj Aule mund t’u përkasë vetëm pallateve të asaj kohe. Përveç madhësisë se objektit, ky monument veçohet për shkak të dyshemeve të tëra të mozaikut polikrom. Pallati është i vendosur në qendrën e këtij lokaliteti dhe gjithashtu është identifikuar muri rrethues me gjerësi 3,7 metra dhe 3 kulla që karakterizohen nga madhësia dhe trashësia e mureve. Brenda mureve është gjetur edhe një kompleks banimi në të cilin u identifikuan gjurmë të pikturave murale të hipokausteve që dëshmojnë nivelin e lartë shoqëror, ekonomik dhe artistik të banorëve të këtij kompleksi”, shkruhet në përshkrim. Po ashtu, janë gjetur edhe shumë monedha të perandorëve të ndryshëm romakë të shekujve III dhe IV, si dhe disa copëza të shtatoreve të punuara nga mermeri.
Në shkurt Qeveria kishte marrë vendim edhe për marrjen në shfrytëzim të “Hidroelektranës” së Prizrenit.
Sipas përshkrimit që i bëhet, historia e “Hidroelektranës Prizrenasja” është e lidhur ngushtë me historinë e elektrifikimit në Kosovë. Sipas të dhënave të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, në grykën e Lumbardhit, 2.5 kilometra në lindje të Prizrenit, gjendet ndërtesa e centralit. Është ndërtuar në vitet 1926-28 me kontributin e qytetarëve dhe kredive bankare. Ndërtesa, që zyrtarisht mbrohet nga shteti si “Hidroelektrana – Muzeu i Elektroekonomisë” ishte projektuar dhe ndërtuar nga një kompani austriake. Hidrocentrali ndaloi së funksionuari në vitin 1973. Në vitin 1975 ndërtesa u adaptua në Muzeun e Historisë Elektrike të Kosovës. Ajo u restaurua dhe u inaugurua si muze në vitin 1979.
Me gjithë këtë, në prillin e vitit të kaluar ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, do ta “njoftonte” publikun se “Kosovës po i shtohet një muze unik”, siç do ta titullonte një njoftim në Facebook. Do të shtonte se ajo që dikur shënonte frymë modernizimi në arkitekturë dhe moment elektrifikimi e zhvillimi industrial për qytetin, është në fazën e fundit të restaurimit.