Në kohë pandemie profesoresha dhe autorja Nerimane Kamberi nisi një rrugëtim letrar që rezultoi në librin me tregime të shkurtra “Qershitë”. Si një përmbledhje që i kapërcen kufijtë gjuhësorë, kjo vepër reflekton mbi peizazhet emocionale të epokës së pandemisë. Me një prezantim unik dygjuhësh në shqip dhe frëngjisht, libri u përurua mbrëmjen e së hënës
Në mes të sfidave të paparashikueshme që erdhën me pandeminë e koronavirusit, profesoresha dhe shkrimtarja Nerimane Kamberi u sfidua nga një mik i saj që të shkruante një tregim për pandeminë, sfidë që kulmoi me botimin e librit të saj “Qershitë”. Kjo përmbledhje me tregime të shkurtra shërben si një kronikë përkujtuese për atë kohë, duke u ofruar lexuesve një eksplorim të sinqertë për një periudhë që tash duket si e largët, por e pashlyeshme në kujtesën kolektive.
“Për ata që më njohin e dinë që kam shkruar edhe më herët, por nuk kisha shkruar një kohë të gjatë, sepse ne që punojmë në Universitet bëjmë punime shkencore, doktorata, dhe miku im, Halil Matoshi, gjatë pandemisë më kishte sfiduar që të shkruaja diçka për pandeminë, dhe më bëri shumë mirë, sepse m’u zgjua ajo ëndja për të shkruar dhe fillova të shkruaj”, ka thënë Kamberi.
Në natën e promovimit të librit, që u mbajt në kafe-galerinë “KultPlus”, Kamberi ka folur rreth procesit të shkrimit të librit, i cili ka rezultuar në një koleksion tregimesh që jo vetëm që kap thelbin e pandemisë, por gjithashtu tërheq një paralele midis luftës së fundit në Kosovë dhe pandemisë si luftë e llojit të vet.
“Ky libër flet për pandeminë, për virusin. Ne kemi harruar që virusi nuk është larg dhe ende është këtupari. Është interesante kur e bëra paralelen me luftën dhe virusin, sepse edhe virusi ishte një luftë e llojit të vet. Unë tre muaj kam qenë refugjate në Maqedoni, nga marsi në qershor, dhe tre muaj kam qëndruar në fshat, në karantinë nga marsi në qershor. Kur isha refugjate punoja për Mjekët e Botës për të drejtat e njeriut dhe isha në kufi për t’i pritur refugjatët, ndër të tjera erdhi dada Nufë dhe më tha që e kishte lënë burrin e saj duke mbjellë patate, dhe unë nuk mund ta kuptoja se si mund njeriu në kohë lufte ta shohë një ardhmëri”, ka thënë Kamberi. Në pandemi ka thënë se do të mendonte se bota është ndalur, sidomos në një botë ku njeriu është përherë në lëvizje.
“Për mua ishte diçka e pabesueshme”, ka thënë Kamberi.
Ajo që e veçon “Qershitë” është natyra gati e papërpunuar dhe e sinqertë e rrëfimeve të shpalosura nga Kamberi. Historitë nuk janë thjesht një rrëfim i ngjarjeve, janë shpalosje e situatave të krijuara në atë kohë, problemeve sociale dhe gjithë kaosin e përjetuar.
“Qershitë” vjen si një krijim letrar që i kapërcen kufijtë gjuhësorë. Libri është prezantuar në dy gjuhë, shqip dhe frëngjisht, duke lejuar një audiencë më të gjerë të përfshihet me rrëfimet e thella. Përkthimi në frëngjisht, i bërë me mjeshtëri nga Sebastien Gricourt, siguron që të ruhen thellësia emocionale dhe nuancat kulturore të veprës së Kamberit.
Ajo ka zbuluar edhe një tjetër arsye se përse në libër tregimet janë në të dyja gjuhët.
“Duke qenë studiuese dhe profesoreshë e letërsisë e di që gjithmonë ne i bëjmë disa teori që ndoshta nuk kanë të bëjnë asgjë me atë që shkrimtari thotë. Pikërisht njëra ndër teoritë është pse e kam bërë librin në të dy gjuhët, është pse kam lindur jam rritur dhe po plakem në të dy gjuhët, por edhe për arsye shumë praktike: sepse tregimet nuk mjaftonin dhe botuesi im, zotëri Abdullah Zeneli, më tha se nuk janë mjaftueshëm, dhe atëherë vendosa që t’i përktheja”, ka thënë Kamberi.
Sebastien Gricourt, përkthyesi i “Qershitë”, ka theksuar se e sheh librin si një kontribut të rëndësishëm për frankofoninë, duke theksuar vlerën e tij kulturore dhe gjuhësore. Në diskutim me autoren, Gricourt e ka vlerësuar mënyrën se si janë shkruar tregimet, duke theksuar stilin unik të rrëfimit të përdorur nga Nerimane Kamberi.
“Ajo që më ka pëlqyer te këto tregime të shkurtra, jo vetëm se jemi miq të vjetër, por m’u duk shumë reale dhe artistike mënyra se si i ka bërë këto tregime, me një ndjeshmëri të veçantë dhe në njëfarë mënyre e sfidova veten, sepse nuk është e lehtë kur je francez dhe përkthen dikë që flet shumë mirë frëngjisht. E shfrytëzoj edhe rastin të bëj një nderim edhe për Abdullah Zenelin, sepse jemi miq qe 25 vjet, nga viti ’97. Në njëfarë forme këtu i kemi dy shtylla të frankofonisë, Nerimanen dhe Abdullah Zenelin. Mendoj që është kontribut për frankofoninë ta kemi një libër në të dy gjuhët dhe shpresoj që do të përdoret”, ka thënë Gricourt.
Nerimane Kamberi ka lindur në vitin 1967 në Preshevë, ka jetuar në Belgjikë deri në moshën 20-vjeçare. Ka kryer studimet në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin Filologjik, ku edhe ka doktoruar. Ajo është e njohur si profesoreshë e letërsisë franceze, shkrimtare, poete, gazetare dhe përkthyese. Në moshë të re ka botuar në frëngjisht romanet: “Anjesa dhe doktor Simoni” dhe “Anjesa dhe shtatë pikturat”. Krijime të tjera të saj janë “Hoteli Grand”, “Bluxhinset e grisura” dhe “Një ditë ndoshta” (tregime). Kamberi është organizatore e shumë aktiviteteve frankofone dhe konferencave ndërkombëtare dhe aktualisht është kryetare e Shoqatës së Profesorëve të Frëngjishtes. Më 2019 është dekoruar nga Franca me medaljen “Urdhri i Palmave Akademike” (2019).